“Bibla”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Bibla
T’u mësosh besimin te Jezu Krishti miliona njerëzve
Ndodhitë në Bibël datojnë mijëra vjet më parë. Ato përshkruajnë njerëz, kultura dhe situata që shpesh janë shumë të ndryshme nga tonat sot. Prapëseprapë, kur studiojmë Biblën, zbulojmë se shumë gjëra në të janë të njohura për ne. Ne lexojmë për familjet që përjetojnë gëzim dhe konflikt, individë që mbahen te besimi përballë zhgënjimit, dhe kombe që përjetojnë luftëra dhe katastrofa natyrore. Mbi të gjitha, lexojmë për njerëz që kërkojnë një lidhje me Perëndinë dhe e gjejnë atë nëpërmjet besimit dhe shpresës së tyre te Jezu Krishti.
Çfarë Është Bibla?
Bibla është fjala e Perëndisë. Ajo përmban shkrime nga profetët dhe autorë të tjerë të frymëzuar nga koha e Adamit dhe Evës deri në ditët e Apostujve të Jezu Krishtit pas Ringjalljes së Tij. Këto shkrime përfshijnë urdhërimet e Perëndisë, besëlidhjet e Tij, zbulesat e Tij dhe ndërveprimet e Tij me fëmijët e Tij. Bibla ka dy pjesë: Dhiatën e Vjetër dhe Dhiatën e Re. Në Dhiatën e Vjetër, profetët dëshmojnë për ardhjen e Shpëtimtarit. Dhiata e Re është një anal për jetën dhe shërbesën e Jezu Krishtit.
Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Shkrimet e Shenjta, Libri i Mormonit, Profetët, Zbulesa, Jozef Smithi
Pjesa 1
Bibla Është Fjala e Perëndisë dhe një Dëshmi për Jezu Krishtin
Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne e çmojmë dhe e respektojmë Biblën si fjalën e Perëndisë. Në Bibël, mësojmë parimet e ungjillit të Jezu Krishtit, i cili përfshin urdhërimet dhe mësimet e Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 42:12).
Jezu Krishti është pika qendrore e Biblës. Ai njihet me shumë emra brenda faqeve të saj, si Jehova, Zoti Perëndi, Shëlbues, I Shenjti i Izraelit, Emanuel dhe Qengji i Perëndisë. Misioni i Tij tokësor u paratha nga profetët në Dhiatën e Vjetër ndërsa në Dhiatën e Re jepen rrëfime nga dëshmitarë okularë të atij misioni (shihni tek Isaia 9:6; Gjoni 20:31). Bibla dëshmon për dashurinë e Perëndisë për ne, të shpërfaqur nëpërmjet Jezu Krishtit, i cili na e bëri të mundur të marrim falje për mëkatet dhe të kthehemi për të jetuar në praninë e Perëndisë. Mund të gjejmë ngushëllim dhe udhërrëfim nga studimi i Biblës teksa përpiqemi fort të jemi dishepuj të Krishtit.
Gjëra për t’i menduar
-
Profeti Jozef Smith tha për Biblën se “ai që e lexon, shpesh do ta pëlqejë më shumë dhe ai që familjarizohet me të, do ta njohë dorën e [Perëndisë] kudo që mund ta shohë”. Si jua ka forcuar Bibla besimin te Jezu Krishti? Çfarë mësoni rreth Perëndisë teksa e lexoni atë? Merreni parasysh të mbani shënim mënyrën se si e shihni dorën e Tij në jetën e atyre që jetuan në kohët e lashta, dhe mënyrën se si e keni parë dorën e Tij në jetën tuaj sot.
-
Kur kërkoni urtësi ose udhërrëfim, mund të merrni drejtim nëpërmjet fjalës së Perëndisë. Mund të lexoni te Fjalët e Urta 3:5–6; Jeremia 29:12–13; Gjoni 14:23; Kolosianëve 3:16 dhe Jakob [Bibël] 1:5, për shembuj të mënyrave se si na jep Zoti udhërrëfim nëpërmjet Biblës. Më pas, shkruajini disa vargje nga Bibla që ju kanë bekuar me shpresë dhe drejtim.
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Ne mund të arrijmë ta njohim Shpëtimtarin duke studiuar Biblën, e cila dëshmon për Jezu Krishtin. Merreni parasysh të lexoni së bashku tek Eksodi 3:6–14; Mateu 3:13–17 dhe Lluka 2:25–38 për shembuj të mënyrave se si Bibla dëshmon për Shpëtimtarin. Mund edhe të shikoni një material filmik nga Bibla rreth shërbesës së Shpëtimtarit në vdekshmëri. Diskutoni mbi atë që mësoni nga këto tregime rreth misionit hyjnor të Krishtit. Si dëshmojnë Dhiata e Vjetër si dhe Dhiata e Re që Jezusi është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë?
-
Disa nga ngjarjet dhe zbulesat më të mëdha në ditët e mëvonshme kanë ardhur ndërsa profetët kanë studiuar Biblën. Lexojini dhe diskutojini disa nga ato çaste në historinë e Kishës sikurse shënohen te Joseph Smith – Historia 1:10–20; Doktrina e Besëlidhje 76:11–20 dhe Doktrina e Besëlidhje 138:1–11. Si grup, mund të këndoni më pas disa himne rreth Rivendosjes, të tilla si “Lutja e Parë e Jozef Smithit” ose “Shpirti i Per’ndis’”.
Mësoni më shumë
-
Rasëll M. Nelson, “Dëshmi Shkrimesh të Shenjta”, Liahona, nëntor 2007, f. 43–46
-
D. Tod Kristoferson, “Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Liahona, maj 2010, f. 32–35
-
“Scriptures Legacy” [“Trashëgimia e Shkrimeve të Shenjta”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org
Pjesa 2
Perëndia e Ka Ruajtur Biblën për të Bekuar Fëmijët e Tij
Fakti që e kemi Biblën për ta studiuar dhe për të mësuar prej saj sot, është vërtet një mrekulli. Falë Zotit dhe individëve guximtarë në histori, mund të mësojmë nga ky anal mbresëlënës, “i cili i ka kthyer në besim zemrat e njerëzve për shekuj, duke i bërë të luten, të zgjedhin shtigje të drejta dhe të kërkojnë për të gjetur Shpëtimtarin e tyre”. Ky libër i shenjtë na ndihmon të ndiejmë Shpirtin e Perëndisë.
Fillimisht Bibla u shkrua në gjuhën hebraike, greke dhe aramaike, por përgjatë shekujve dhe rishikimeve të shumta të librit, disa të vërteta të qarta e të çmueshme humbën (shihni te 1 Nefi 13:26–29; Nenet e Besimit 1:8). Për shkak të kësaj, Perëndia e udhëzoi Profetin Jozef Smith të rivendoste disa nga ato të vërteta në atë që tani quhet Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith‑it. Përkthimi i frymëzuar i Profetit demonstron se sa e rëndësishme është për Zotin që fëmijët e Tij ta kuptojnë siç duhet Biblën dhe mësimet e saj.
Gjëra për t’i menduar
-
Fjala e Perëndisë ka mbijetuar gjatë gjithë epokave për t’i bekuar fëmijët e Tij dhe fjala e Tij është e përjetshme. Mund të lexoni tek Isaia 40:8; Gjoni 1:1 dhe 1 Pjetër 1:25, për të mësuar rreth natyrës së përjetshme të fjalës së Tij. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth ungjillit të Jezu Krishtit? Si ju frymëzojnë ato që ta forconi zotimin për të studiuar Biblën?
-
Jozef Smithi ndjeu se bërja e rishikimeve të frymëzuara të Biblës qe pjesë e thirrjes së tij si profet. Ndërkohë që e kishte përfunduar pjesën më të madhe të përkthimit të Biblës në vitin 1833, ai bëri ndryshime në punën e tij për botimin deri në kohën kur vdiq në vitin 1844. Merreni parasysh të lexoni Përkthimin prej Joseph Smith‑it për vargjet te Mateu 4:1–11; Mateu 18:11 dhe Marku 16:3–6. Si e ndryshojnë këto rishikime kuptueshmërinë tuaj për secilin fragment? Pse është e rëndësishme për ju që këto të vërteta u rivendosën?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Për shkak të Biblës, “dhjetëra miliona individë kanë gjetur besimin te Perëndia dhe te Jezu Krishti”. Çfarë e solli Biblën te kaq shumë njerëz? Në bisedën e Presidentit M. Rasëll Ballard “Mrekullia e Biblës së Shenjtë”, mund të mësoni rreth sakrificave të atyre që dhanë jetën për të na sjellë këtë libër të shenjtë shkrimesh të shenjta. Ose mund të zgjidhni të shikoni një material filmik rreth Biblës të dhënë në gjuhët vijuese:
-
anglisht: “King James Bible Anniversary”
-
spanjisht: “Latter-day Saint Edition of the Holy Bible in Spanish”
-
portugalisht: “History of the Translation of Biblia Sagrada”
-
Pas materialit filmik, mund të shprehni ndjenjat rreth atyre që ndihmuan për të na e vënë në dispozicion Biblën sot. Si ndikojnë historitë e tyre te mënyra se si mendoni rreth Biblës dhe si e studioni atë?
Mësoni më shumë
-
2 Timoteut 3:15–17; Alma 37:6–10
-
Robert D. Hejls, “Përgatitjet për Rivendosjen dhe për Ardhjen e Dytë: ‘Dora Ime do të Jetë Mbi Ty’”, Liahona, nëntor 2005, f. 89–90, Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 121–125
-
Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Përkthim i Joseph Smith-it (PJS)”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
Church History Topics, “Joseph Smith Translation of the Bible”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]