Manualet dhe Thirrjet
31. Intervistat dhe Takime të Tjera me Anëtarët


“31. Intervistat dhe Takime të Tjera me Anëtarët”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm (2023).

“31. Intervistat dhe Takime të Tjera me Anëtarët”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm.

burra duke i dhënë dorën njëri‑tjetrit

31.

Intervistat dhe Takime të Tjera me Anëtarët

31.0

Parathënia

Jezu Krishti shpesh u ofronte shërbesë të tjerëve një e nga një (shihni, për shembull te Gjoni 4:5–26; 3 Nefi 17:21). Ai e do secilin prej fëmijëve të Perëndisë. Ai i ndihmon ata individualisht.

Ky kapitull mund t’i ndihmojë të gjithë udhëheqësit që kanë mundësi të takohen me anëtarë veç e veç.

31.1

Parimet Udhërrëfyese

31.1.1

Përgatituni Shpirtërisht

Përgatituni shpirtërisht nëpërmjet lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta dhe të jetuarit në mënyrë të drejtë. Dëgjojini pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë.

31.1.2

Ndihmojeni Anëtarin që ta Ndiejë Dashurinë e Perëndisë

Kur anëtarët vijnë te ju për një intervistë ose për ndihmë për një sfidë vetjake, shpesh ajo që u nevojitet më shumë, është të dinë se Ati Qiellor i do.

Shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme e ftojnë Shpirtin dhe na mësojnë doktrinën e kulluar. Përdorini ato për të frymëzuar dhe nxitur, jo për të dënuar, detyruar ose shkaktuar frikë (shihni te Lluka 9:56).

31.1.3

Ndihmojeni Anëtarin të Mbështetet te Fuqia e Shpëtimtarit

Nxitini anëtarët që t’i drejtohen Atij. Ndihmojini ata të mbështeten te fuqia e Tij për të forcuar, ngushëlluar dhe shëlbyer.

31.1.4

Ndihmojeni Anëtarin të Ndihet Rehat dhe i Sigurt

3:8

Gjithmonë jepini mundësinë anëtarit që dikush tjetër të jetë i pranishëm gjatë një interviste ose takimi. Kur takoheni me një anëtar të gjinisë së kundërt, një fëmijë, një të ri apo të re, sigurohuni që të jetë i pranishëm një prind ose një person tjetër në moshë madhore. Personi mund të jetë i pranishëm në takim ose të presë jashtë dhomës, në varësi të parapëlqimeve të anëtarit me të cilin po takoheni.

Mos ia tregoni informacionin konfidencial askujt – përfshirë bashkëshorten tuaj ose udhëheqës të tjerë të Kishës – në qoftë se anëtari nuk iu jep leje.

31.1.5

Bëni Pyetje të Frymëzuara dhe Dëgjoni me Kujdes

Kur takoheni me një anëtar/e, bëni pyetje që ju ndihmojnë ta kuptoni situatën e tij ose të saj.

Ndërkohë që anëtari është duke folur, dëgjoni me kujdes dhe me vëmendje.

31.1.6

Nxitni Mbështetjen te Vetja

Për shkak të dashurisë suaj për anëtarët, ju mund të doni t’u jepni menjëherë zgjidhje problemeve të tyre. Megjithatë, ju do t’i bekoni ata më shumë duke i ndihmuar t’i gjejnë vetë zgjidhjet e tyre dhe t’i marrin vetë vendimet e tyre (shihni te Doktrina e Besëlidhje 9:8).

31.1.7

Përkrahini Përpjekjet për t’u Penduar

Vetëm peshkopi ose presidenti i kunjit mund ta ndihmojë një person për të zgjidhur mëkate të rënda. Disa prej këtyre renditen te 32.6. Nëse anëtari ka kryer ndonjë prej këtyre mëkateve, ai ose ajo duhet të takohet menjëherë me peshkopin ose presidentin e kunjit.

31.1.8

Përgjigjja siç Duhet ndaj Keqtrajtimit

Keqtrajtimi nuk mund të tolerohet në asnjë formë. Merrini me seriozitet raportimet për keqtrajtim. Nëse viheni në dijeni që dikush është keqtrajtuar, raportojeni keqtrajtimin tek autoritetet civile dhe këshillohuni me peshkopin. Orientimet për raportimin dhe përgjigjen ndaj keqtrajtimit jepen te 38.6.2.

31.2

Intervistat

31.2.1

Qëllimet e Intervistave

Në përgjithësi, udhëheqësit e Kishës i intervistojnë anëtarët për të përcaktuar nëse:

  • Janë të përgatitur për ta kryer ose për të marrë pjesë në një ordinancë.

  • Duhet të thirren në një pozicion në Kishë.

31.2.2

Llojet e Intervistave

Kush mund ta kryejë intervistën

Qëllimi i intervistës

Kush mund ta kryejë intervistën

Vetëm peshkopi

Qëllimi i intervistës

  • Lëshon një rekomandim tempulli për një anëtar/e që po kryen ordinancën e dhurimit për veten e tij ose të saj ose që po vuloset me një bashkëshort/e (shihni te 26.3.1).

  • Lëshon një rekomandim tempulli për një të kthyer të ri në besim (shihni te 26.4.2).

  • Shuguron një mashkull të sapokthyer në besim në një detyrë në Priftërinë Aarone.

  • Shuguron një të ri ose burrë në detyrën e priftit (shihni te 18.10.2).

  • Rekomandon një burrë që të shugurohet plak ose prift i lartë (shihni te 31.2.6). Kërkohet miratimi nga presidenca e kunjit për ta kryer këtë intervistë.

  • Rekomandon një anëtar/e të shërbejë si misionar/e kohëplotë (shihni te 24.4.2).

  • Thërret një anëtar të shërbejë si president i një organizate të lagjes.

  • Thërret një prift që të shërbejë si ndihmës në kuorumin e priftërinjve.

  • Ndihmon një anëtar të pendohet për një mëkat të rëndë (shihni te kapitulli 32).

  • Jep miratimin që një anëtar të marrë hua nga Fondi i Qarkullueshëm Arsimor, atje ku është në dispozicion.

  • Lejon një anëtar të deklarojë gjendjen e tij ose të saj si pagues i së dhjetës (shihni te 34.3.1.2).

  • Autorizon përdorimin e fondeve të ofertave të agjërimit (shihni te 22.6.1).

Kush mund ta kryejë intervistën

Peshkopi ose një këshilltar që ai cakton

Qëllimi i intervistës

  • Rinovon një rekomandim tempulli (shihni te 26.3.1).

  • Lëshon një rekomandim tempulli për të marrë pjesë në pagëzimet dhe konfirmimet si mëkëmbës (shihni te 26.4.3).

  • Lëshon një rekomandim tempulli për t’u vulosur te prindërit ose për të dëshmuar vulosjen e vëllezërve apo motrave te prindërit (shihni te 26.4.4).

  • Thërret një anëtar që të shërbejë në një thirrje të lagjes siç tregohet te 30.8.

  • Autorizon pagëzimin dhe konfirmimin e një fëmije 8-vjeçar që është anëtar prej dokumentit ose ka një prind apo kujdestar që është anëtar i Kishës (shihni te 31.2.3.1).

  • Autorizon shugurimin e një të riu në detyrën e dhjakut ose mësuesit (shihni te 18.10.2).

  • Lëshon Rekomandimin për një Bekim Patriarkal (shihni te 18.17).

  • Autorizon një mbajtës të priftërisë që të kryejë një ordinancë të priftërisë në një lagje tjetër, nëse ai nuk ka një rekomandim tempulli. (Shihni te formulari Rekomandim për të Kryer një Ordinancë.)

31.2.3

Intervistat për Pagëzim dhe Konfirmim

31.2.3.1

Fëmijët që Janë Anëtarë prej Dokumentit

Peshkopi mban çelësat e priftërisë për pagëzimin e anëtarëve prej dokumentit të moshës 8‑vjeçare në lagjen e tij. Për këtë arsye, ai ose një këshilltar i caktuar intervistojnë personat në vijim për pagëzim:

  • Fëmijë të moshës 8 vjeç që janë anëtarë prej dokumentit.

  • Fëmijë të moshës 8 vjeç që nuk janë anëtarë prej dokumentit, por kanë një prind ose kujdestar që është anëtar.

  • Anëtarët prej dokumentit të moshave 9 vjeç e lart, pagëzimi i të cilëve u vonua për shkak të aftësive të kufizuara intelektuale.

Në intervistë, anëtari i peshkopatës sigurohet që fëmija i kupton qëllimet e pagëzimit (shihni te 2 Nefi 31:5–20). Ai gjithashtu sigurohet që fëmija e kupton besëlidhjen e pagëzimit dhe zotohet që të jetojë sipas saj (shihni te Mosia 18:8–10). Ai nuk ka nevojë të përdorë një listë të specifikuar me pyetje. Kjo nuk është një intervistë për të përcaktuar denjësinë, pasi “fëmijët … [e] vegjël nuk kanë nevojë për pendim” (Moroni 8:11).

31.2.3.2

Të Kthyerit në Besim

Presidenti i misionit mban çelësat e priftërisë për pagëzimin e të kthyerve në besim. Për këtë arsye, një misionar kohëplotë interviston:

  • Persona të moshave 9 vjeç e lart të cilët kurrë nuk janë pagëzuar dhe konfirmuar. Shihni te 31.2.3.1 për një përjashtim për personat me aftësi të kufizuar intelektuale.

  • Fëmijët e moshave 8 vjeç e lart, prindërit e të cilëve nuk janë anëtarë të Kishës.

  • Fëmijët e moshave 8 vjeç e lart të cilët kanë një prind që gjithashtu po pagëzohet dhe konfirmohet.

31.2.4

Intervistat për Shugurimin në një Detyrë në Priftërinë Aarone

Për më shumë informacion, shihni te 18.10.2.

31.2.5

Intervistat për Rekomandime Tempulli

Tempulli është shtëpia e Zotit. Hyrja në tempull dhe marrja pjesë në ordinanca atje është një privilegj i shenjtë. Ky privilegj rezervohet për ata që janë të përgatitur shpirtërisht dhe përpiqen fort t’i jetojnë standardet e Zotit, siç përcaktohen nga udhëheqësit e autorizuar të priftërisë.

Për ta marrë këtë vendim, udhëheqësit e priftërisë e intervistojnë anëtarin duke përdorur pyetjet te BUN [LCR] (shihni edhe orientimet te 26.3).

31.2.6

Intervistat për Shugurimin në një Detyrë në Priftërinë Melkizedeke

Presidenti i kunjit mban çelësat e priftërisë për dhënien e Priftërisë Melkizedeke. Ai mban edhe çelësat për shugurimin në detyrat e plakut dhe të priftit të lartë.

Me miratimin e presidencës së kunjit, peshkopi e interviston anëtarin duke përdorur pyetjet e dhëna te Dokumenti i Shugurimit në Priftërinë Melkizedeke.

31.3

Mundësi të Tjera për Udhëheqësit që të Takohen me Anëtarët

  • Anëtarëve mund t’u kërkohet të takohen me një udhëheqës të Kishës kur kanë nevojë për udhërrëfim shpirtëror ose kanë probleme të rënda personale.

  • Peshkopi ose dikush që ai cakton, takohet me anëtarët që kanë nevoja materiale (shihni te 22.6).

  • Një anëtar i peshkopatës takohet me çdo fëmijë 11‑vjeçar ndërsa ai ose ajo kalon nga Fillorja në kuorumin e dhjakëve ose në një klasë të Të Rejave.

31.3.1

Takimi me Të Rinjtë dhe Të Rejat

Peshkopi ose një nga këshilltarët e tij takohet me çdo të ri dhe të re dy herë në vit. Të paktën njëri nga këto takime çdo vit duhet të jetë me peshkopin. Duke filluar nga viti kur i riu ose e reja mbush 16 vjeç, të dyja takimet gjatë vitit duhet të jenë me peshkopin, nëse është e mundur.

Presidentja e Të Rejave gjithashtu ka përgjegjësi për t’i dhënë shërbesë secilës prej të rejave. Ajo mund ta bëjë këtë duke u takuar me të rejat një e nga një (ose me një person tjetër në moshë madhore të pranishëm).

31.3.1.2

Temat për t’u Diskutuar

Qëllimi kryesor i takimeve me të rinjtë e të rejat është të ndërtohet besimi tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe t’i ndihmojë të rinjtë e të rejat t’i ndjekin Ata. Këto takime duhet të jenë përvoja shpirtërore lartësuese.

31.3.2

Takimi me Të Rinjtë në Moshë Madhore Beqarë

Peshkopi i jep përparësi të lartë përparimit shpirtëror të të rinjve e të rejave në moshë madhore beqare në lagjen e tij. Ai ose një këshilltar i caktuar takohet me çdo të ri ose të re në moshë madhore beqare të paktën një herë në vit.

31.3.3

Takimi me Anëtarët për të Diskutuar për Thirrjet dhe Përgjegjësitë e Tyre

Presidencat e kunjeve, peshkopatat dhe udhëheqës të tjerë takohen individualisht me anëtarët që u raportojnë atyre për thirrjet e tyre.

Udhëheqësi shpreh mirënjohje për shërbimin e anëtarit dhe jep inkurajim.

31.3.6

Këshillimi dhe Terapia nga Profesionistët

Udhëheqësit e Kishës nuk thirren për të qenë këshillues profesionistë ose për të dhënë terapi. Ndihma që ata ofrojnë, është shpirtërore, përqendrohet te fuqia forcuese, ngushëlluese dhe shëlbuese e Jezu Krishtit. Përveç kësaj ndihme të rëndësishme dhe frymëzuese, disa anëtarë mund të përfitojnë nga këshillimi profesional, atje ku është në dispozicion.

31.4

Takimi me Anëtarët në Mënyrë Virtuale

Zakonisht, udhëheqësit takohen me anëtarët me prani fizike për intervistat dhe për të ofruar ndihmë shpirtërore dhe për të dhënë shërbesë. Megjithatë, si përjashtim, ata mund të takohen në mënyrë virtuale kur takimi me prani fizike nuk është i mundshëm.