“Mësimi 205 – Bërja e Adhurimit në Tempull një Kërkim për Gjithë Jetën: Frekuentimi i Tempullit Gjatë Gjithë Jetës Sonë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Bërja e Adhurimit në Tempull një Kërkim për Gjithë Jetën”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 205: Përgatitja për në Tempull
Bërja e Adhurimit në Tempull një Kërkim për Gjithë Jetën
Frekuentimi i Tempullit Gjatë Gjithë Jetës Sonë
Ne jetojmë në një kohë emocionuese të ndërtimit të pashembullt të tempullit. Zoti po i bën bekimet e shtëpisë së Tij të shenjtë më të arritshme se kurrë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë rëndësinë e adhurimit të Zotit në tempuj gjatë gjithë jetës.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Më shumë kohë në tempull
Gjatë gjithë këtij mësimi përdoret një studim rasti për t’i ndihmuar nxënësit të shohin se si adhurimi në tempuj mund t’i bekojë gjatë gjithë jetës. Ftojini nxënësit të mendojnë për jetën e tyre ndërsa e marrin parasysh studimin e rastit. Përshtateni studimin e rastit sipas nevojës për ta bërë atë të lidhet me nxënësit tuaj. Një mënyrë për ta bërë këtë është duke i ftuar nxënësit ta zëvendësojnë atë që është në kllapa me atë që ka lidhje me nxënësit.
(Flori) është (gjashtëmbëdhjetë vjeç). Ai ka qenë një anëtar i Kishës prej (pesë vjetësh). Ai ka pasur përvoja shpirtërore, por do të donte një dëshmi më të fortë për Shpëtimtarin dhe Kishën e Tij të rivendosur. (Flori) ndonjëherë ndihet (i dërrmuar nga presioni për të dalë mirë në shkollë). Ai shqetësohet për (të ardhmen e tij dhe se si të jetojë me drejtësi në një botë të ligë).
-
Imagjino sikur (Flori) të kërkoi këshillë për një nga shqetësimet e tij. Pse mund të jetë adhurimi i Zotit në tempullin e Tij këshillë e dobishme?
Lexoji thëniet vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson, duke kërkuar ndihmën që na siguron Zoti:
“Le të mos e humbasim kurrë nga sytë atë që Zoti po bën për ne tani. Ai po i bën tempujt e Tij më të arritshëm. Ai po e përshpejton ritmin me të cilin po ndërtojmë tempuj. Ai po e rrit aftësinë tonë për të ndihmuar në mbledhjen e Izraelit. Ai gjithashtu po e bën më të lehtë që secili prej nesh të përmirësohet shpirtërisht. Ju premtoj se kalimi i më shumë kohe në tempull do ta bekojë jetën tuaj në mënyra të tilla që asgjë tjetër nuk mundet ta bëjë. …
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, u përqendrofshi tek tempulli në mënyra siç nuk jeni përqendruar kurrë më parë! Ju bekoj që të vini çdo ditë më pranë Perëndisë dhe Jezu Krishtit.” (Rasëll M. Nelson, “Përqendrimi tek Tempulli”, Liahona, nëntor 2022, f. 121)
-
Çfarë të bën përshtypje nga kjo thënie?
-
Çfarë premtimesh dha Zoti nëpërmjet profetit të Tij?
Ndërsa nxënësit përgjigjen, ndihmojini ata të përcaktojnë një të vërtetë të tillë si vijuesja: Zoti premton të na bekojë në mënyra që nuk mund t’i përjetojmë ndryshe ndërsa shpenzojmë më shumë kohë në tempullin e Tij.
Nëse nxënësit tuaj kanë të drejtë të kufizuar hyrjeje në një tempull, mund të flisni rreth mënyrave se si ata mund të përqendrohen te tempulli. Për shembull, nxënësit mund të përpiqen fort të jenë të denjë për tempullin dhe të marrin pjesë në punën për historinë familjare.
-
Si mendon se shpenzimi i më tepër kohe në tempullin e Zotit mund të na bekojë në mënyra që asgjë tjetër nuk mundet?
Pyetjet vijuese janë menduar për vetëreflektim. Nxënësit mund të kenë dobi nga të shkruarit në ditarët e tyre të studimit. Nxënësit e gatshëm mund t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.
-
Sa gjasa ka që ta frekuentosh vazhdimisht tempullin gjatë gjithë jetës? Përse?
-
Çfarë pengesash mund të të nevojitet të kapërcesh për të frekuentuar tempullin gjatë gjithë jetës?
Bekimet e premtuara
Mendoni se si mund t’i ndihmoni nxënësit që t’iu shtohet dëshira për ta adhuruar Zotin në tempujt e Tij. Një mënyrë për ta bërë këtë mund të jetë t’i ndihmoni nxënësit të përcaktojnë bekimet e shumta të adhurimit të Zotit në tempujt e Tij. Nxënësit mund të bëjnë në tabelë një listë të asaj që gjejnë në shkrimet e shenjta dhe thëniet vijuese.
Lexoji shkrimet e shenjta dhe thëniet vijuese, duke kërkuar bekimet që u premton Zoti atyre që e adhurojnë Atë në shtëpinë e Tij:
Presidenti Rasëll M. Nelson shpalli:
“Ju lutem, gjeni kohë për Zotin në shtëpinë e Tij të shenjtë. Asgjë nuk do ta forcojë themelin tuaj shpirtëror si shërbimi në tempull dhe adhurimi në tempull.” (Rasëll M. Nelson, “Gjeni Kohë për Zotin”, Liahona, nëntor 2021, f. 121)
“Ju lutem, më besoni kur them se, kur themeli juaj shpirtëror është ndërtuar në mënyrë të qëndrueshme mbi Jezu Krishtin, nuk duhet të keni frikë. Ndërsa jeni të vërtetë ndaj besëlidhjeve tuaja të bëra në tempull, ju do të forcoheni nga fuqia e Tij. Më pas, kur ndodhin tërmete shpirtërore, ju do të jeni në gjendje të qëndroni të fortë sepse themeli juaj shpirtëror është i qëndrueshëm dhe i patundur.” (Rasëll M. Nelson, “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”, Liahona, nëntor 2021, f. 96)
Presidenti Henri B. Ajring dha mësim:
“Shumë të rinj kanë zbuluar se dhënia e kohës së tyre për kërkime mbi historinë familjare dhe punën në tempull e ka thelluar dëshminë e tyre për planin e shpëtimit. Ajo e ka rritur ndikimin e Shpirtit në jetën e tyre dhe e ka ulur ndikimin e kundërshtarit. Ajo i ka ndihmuar ata të ndihen më afër familjeve të tyre dhe më afër Zotit Jezu Krisht. Ata kanë mësuar se kjo punë nuk shpëton vetëm të vdekurit; ajo na shpëton të gjithë ne (shih D&eB 128:18).” (Henri B. Ajring, “Të Mbledhësh Familjen e Perëndisë”, Liahona, maj 2017, f. 22)
-
Çfarë të mësojnë këto bekime rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
-
Si të ka bekuar Zoti për pjesëmarrjen në punën në tempull dhe për historinë familjare?
-
Si mund të të japin shtysë këto bekime që ta adhurosh Zotin në tempull tani? Gjatë gjithë jetës?
Adhurimi në tempull gjatë gjithë jetës
Studimi vijues i rastit mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë rëndësinë e adhurimit të Zotit në tempuj gjatë gjithë jetës. Gjatë studimit të rastit, inkurajojini nxënësit të mendojnë rreth të ardhmes së tyre dhe se si mund ta adhurojnë Zotin në tempuj gjatë gjithë jetës.
Mund të përdorni mundësi të ndryshme studimi me pjesë të ndryshme të studimit të rastit. Nxënësit mund të studiojnë pjesë si klasë, individualisht dhe në grupe.
Pas çdo pjese, ndaloni për të diskutuar pyetjet vijuese:
-
Çfarë justifikimesh mund të nxjerrin (Flori) dhe (Izabela) që nuk e bënë adhurimin e tempullit një përparësi?
-
Cilat bekime nga adhurimi i Zotit në shtëpinë e Tij mund ta ndihmojnë (Florin) dhe (Izabelën)?
-
Çfarë sakrificash mund të nevojitet të bëjnë (Flori) dhe (Izabela) për ta adhuruar vazhdimisht Zotin në tempull?
Mosha 20 vjeç
Pasi kthehet në shtëpi nga shërbimi në një mision kohëplotë, (Flori) kërkon ta çojë më tej arsimimin e tij në (një shkollë vendore profesionale). Ndërkohë që (frekuenton institutin), ai njihet me një të re të quajtur (Izabela) dhe ata martohen. Pas diplomimit, (Flori) (hap biznesin e tij). Ai shqetësohet (për të siguruar të ardhura për familjen e tij). Ai dhe (Izabela) krijojnë familje dhe bekohen me (tre) fëmijë të bukur. (Flori) dhe (Izabela) bëjnë më të mirën për të administruar kohën me familjen e tyre, (sipërmarrjen e tyre) dhe thirrjet në Kishë. Në moshën (katër vjeç), njëri nga fëmijët e tyre (plagoset rëndë në një aksident).
Mosha 30 vjeç
(Flori) dhe (Izabela) punojnë shumë për të siguruar për familjen e tyre duke (drejtuar sipërmarrjen). Ata përballen me sfidat e rritjes së fëmijëve të tyre dhe të ndihmës ndaj tyre (marrin dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin). (Flori) përpiqet të ekuilibrojë kohën e shpenzuar me familjen e tij, (sipërmarrjen e tij) dhe thirrjen e tij (një këshilltar në kuorumin e mësuesve). Izabela shërben si (presidente e Fillores), përpiqet të ndihmojë (me sipërmarrjen e familjes) dhe përpiqet të jetë e pranishme për fëmijët e saj.
Mosha mbi 60 vjeç
Fëmijët e (Florit) dhe Izabelës (kanë familjet e tyre). (Flori) dhe (Izabela) e duan familjen e tyre por ende shqetësohen për (nipërit dhe mbesat e tyre që të ndjekin Jezu Krishtin dhe të marrin vendime të mira). Ndërsa plaken, (shëndeti i Florit bie).
Merreni parasysh të lexoni thënien nga Presidenti Rasëll M. Nelson te “Burime Shtesë” që i japin përgjigje pyetjes: “Si mund t’i japim përparësi adhurimit në tempull tani dhe në të ardhmen?” Diskutoni se si kjo thënie gjen zbatim në studimin e rastit dhe në jetën tonë.
Një letër për veten
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shkruajnë një letër inkurajimi vetes së tyre në të ardhmen rreth rëndësisë së adhurimit të Zotit në tempujt e Tij. Nxënësit nëse duan, mund të shkruajnë një datë për të hapur letrën mbi një zarf dhe ta ruajnë letrën në atë zarf për ta hapur në atë datë.
Ata mund të shkruajnë për:
-
Përvojat e tyre të tanishme në tempull.
-
Mënyrën se si vendimi për të frekuentuar vazhdimisht tempullin mund të ndikojë në jetën e tyre.
-
Mënyrën se si vendimi për të frekuentuar vazhdimisht tempullin mund të ndikojë në marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
-
Mënyrat se si mund ta bëjnë adhurimin në tempull një përparësi tani dhe në të ardhmen.
Kujtojuni nxënësve të veprojnë sipas çdo nxitjeje që mund të kenë marrë nga Fryma e Shenjtë dhe të shkruajnë rreth mendimeve të tjera që kanë.