“Mësimi 183 – Mbështetja te Vetja na Mundëson të Kujdesemi më Mirë për të Tjerët: Përgatitja për të Shërbyer si Shpëtimtari”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Mbështetja te Vetja na Mundëson të Kujdesemi më Mirë për të Tjerët”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 183: Ndërtimi i Mbështetjes te Vetja
Mbështetja te Vetja na Mundëson të Kujdesemi më Mirë për të Tjerët
Përgatitja për të Shërbyer si Shpëtimtari
Shpëtimtari u mësoi dishepujve të Tij të “ndihmo[nin] të dobëtit … dhe forco[nin] gjunjët e këputur” (Doktrina e Besëlidhje 81:5). Ne jemi më në gjendje ta zbatojmë këtë udhëzim kur bëhemi vetë më të mbështetur te vetja. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se si të bërit të mbështetur te vetja u mundëson atyre ta ndjekin më mirë shembullin e Shpëtimtarit për ndihmesën ndaj të tjerëve.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Aftësia për t’i ndihmuar të tjerët
Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë se arritja e mbështetjes te vetja ndikon në aftësinë tonë për t’i ndihmuar të tjerët, merreni parasysh t’i ftoni tre nxënës që të lexojë secili njërën nga situatat vijuese. Ndaloni pasi të lexohet çdo situatë dhe kërkojini klasës të tregojë faktorë të ndryshëm që mund të përcaktojnë se sa shumë janë në gjendje të ndihmojnë Maria, Nertili ose Xheni. (Po të dëshironi, mund të krijoni skenarë alternativë që kanë më tepër lidhje me nxënësit tuaj.)
-
Shoqja e Maries po mundohet të kuptojë detyrën e saj të matematikës dhe i kërkon ndihmë Maries.
-
Si një misionar i ri, Nertili takon dikë që ka shumë pyetje rreth Rivendosjes së Kishës së Shpëtimtarit.
-
Xheni mëson se një familje në lagjen e saj nuk është në gjendje të sigurojë veshje të ngrohta për fëmijët.
Merreni parasysh të paraqitni ose t’u siguroni nxënësve një kopje të thënies vijuese nga Plaku Robert D. Hejls (1932–2017), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojini ata të përcaktojnë dhe të diskutojnë në grupe të vogla të paktën një frazë nga secili paragraf që mund të gjejë zbatim në skenarët e mësipërm. (Nëse është e nevojshme, ndihmojini nxënësit të kuptojnë se fjala materiale siç përdoret në këtë thënie mund të përfshijë shumë fusha të mirëqenies, si ajo financiare, arsimore, emocionale dhe fizike.)
“Mbështetja te vetja është marrja e përgjegjësisë për mirëqenien tonë vetjake shpirtërore e materiale dhe për ata që Ati Qiellor ia ka besuar përkujdesjes sonë. Vetëm kur mbështetemi te vetja, mund ta ndjekim vërtet shembullin e Shpëtimtarit në shërbimin dhe bekimin e të tjerëve.
Është e rëndësishme për ta kuptuar se mbështetja te vetja është një mënyrë për të arritur një qëllim. Synimi ynë përfundimtar është që të bëhemi si Shpëtimtari dhe ai synim përmirësohet nga shërbimi ynë vetëmohues ndaj të tjerëve. Aftësia jonë për të shërbyer rritet ose zvogëlohet nga niveli i mbështetjes sonë te vetja.
Sikurse ka thënë një herë Presidenti Marion G. Romni: ‘Ushqimi për të uriturit nuk mund të vijë nga raftet bosh. Paratë për të ndihmuar nevojtarët nuk mund të vijnë nga një portofol bosh. Përkrahje dhe mirëkuptim nuk mund të vijnë nga dikush që është i uritur emocionalisht. Mësimdhënia nuk mund të vijë nga një i/e pamësuar. Dhe më e rëndësishmja nga të gjitha, udhërrëfimi shpirtëror nuk mund të vijë nga ai që është i dobët shpirtërisht’ (në Conference Report, tetor 1982, f. 135; ose Ensign, nëntor 1982, f. 93).” (Robert D. Hales, “A Gospel Vision of Welfare: Faith in Action”, te Basic Principles of Welfare and Self-Reliance [mbledhja e trajnimit të udhëheqjes mbarëbotërore, 2009], f. 1–2; shih edhe ChurchofJesusChrist.org)
-
Çfarë të vërtetash mësove nga Plaku Hejls?
Ndërsa nxënësit i përgjigjen pyetjes së mëparshme, sigurohuni që ata e kuptojnë se ndërsa zhvillojmë mbështetje te vetja, ne bëhemi më shumë si Shpëtimtari dhe mund t’i ndihmojmë dhe t’u shërbejmë më mirë të tjerëve.
Ju mund t’i ndihmoni nxënësit të shohin lidhjen vetjake te mësimi duke u kërkuar atyre t’i shënojnë mendimet dhe përgjigjet e tyre për pyetje si ato në vijim:
-
Në ç’mënyrë ke qenë në gjendje t’i ndihmosh të tjerët nëpërmjet aftësive ose mjeteve që Perëndia të ka ndihmuar t’i zhvillosh?
-
Në cilat fusha të mbështetjes te vetja mund të të vërë Ati Qiellor të punosh tani në mënyrë që të kujdesesh më mirë për veten dhe të tjerët në të ardhmen?
Të bëhemi më shumë si Shpëtimtari
Merreni parasysh t’i paraqitni udhëzimet dhe pyetjen vijuese. Ftojini nxënësit ta plotësojnë veprimtarinë dhe ta diskutojnë pyetjen me një partner.
Lexo te Lluka 2:40, 52 dhe shenjoji fushat e ndryshme të përparimit që Jezusi bëri në rininë e Tij.
-
Si mund të jetë ndikuar aftësia e Shpëtimtarit për t’u shërbyer të tjerëve nga rritja dhe zhvillimi i Tij gjatë rinisë së Tij?
Pasi partnerët të përfundojnë së foluri, ftojeni klasën të tregojë mënyrat se si një adoleshent sot mund të ndërtojë mbështetje te vetja në secilën fushë të përmendur te Lluka 2:40, 52.
Merreni parasysh t’u jepni nxënësve kohë për të përsiatur në heshtje pyetje si në vijim:
-
Kë mund të jesh në gjendje ta ndihmosh në të ardhmen nëse bëhesh më i/e mbështetur te vetja në njërën nga këto fusha? Si mund të ndihmosh?
-
Si na ndihmon puna për të arritur mbështetjen te vetja që të bëhemi më shumë si Shpëtimtari?
Shembuj të shërbimit si i Krishtit nëpërmjet mbështetjes te vetja
Jepni shembuj të njerëzve në historinë e Kishës që ishin në gjendje t’i shërbenin Perëndisë dhe të tjerëve. Ju mund ta bëni këtë duke e organizuar klasën në grupe studimi dhe duke i ofruar secilit grup njërin prej shembujve nga fletushka “Shembuj të Mbështetjes te Vetja nga Historia e Kishës”. Ftojini grupet t’i lexojnë vargjet e sugjeruara dhe ta diskutojnë pyetjen në fund të paragrafit të tyre.
Shembuj të Mbështetjes te Vetja nga Historia e Kishës
Martin Harrisi: Në vitin 1827, Jozef Smithi po përballej me përndjekje dhe varfëri ndërsa përpiqej të përkthente Librin e Mormonit nga fletët e arta. Martin Harrisi, një bujk i suksesshëm, mësoi për situatën e Jozefit. Lexo te Joseph Smith – Historia 1:61–62, duke kërkuar se si Martini qe në gjendje ta ndihmonte Jozef Smithin. Lexo te Doktrina e Besëlidhje 19:26, 34–35; 104:26 për të parë mënyrat e tjera se si Martin Harrisi qe në gjendje t’i shërbente Zotit dhe t’i bekonte të tjerët. Martini kishte zhvilluar mbështetjen financiare te vetja, të nevojshme për t’i shërbyer Zotit dhe të tjerëve në mënyra kuptimplota. Çfarë mund të bëjnë adoleshentët tani për të zhvilluar aftësitë, arsimimin dhe mjetet për t’i ndihmuar ata t’i shërbejnë Zotit dhe të tjerëve në të ardhmen?
Ema Hejl Smithi: Kur u takua me Jozef Smithin, Ema Hejli ishte një lexuese, shkrimtare, mësuese dhe muzikante e zonja. Lexo te Doktrina e Besëlidhje 25:5–7, 11, duke kërkuar përgjegjësitë që Zoti i besoi Emës. Ema kishte zhvilluar aftësitë dhe arsimimin që e ndihmuan t’i shërbente Zotit dhe të tjerëve në mënyra kuptimplota. Çfarë mund të bëjnë adoleshentët tani për të zhvilluar aftësitë, arsimimin dhe mjetet për t’i ndihmuar ata t’i shërbejnë Zotit dhe të tjerëve në të ardhmen?
Uilliam W. Felpsi: Zoti e udhëzoi Uilliam W. Felpsin, një të sapokthyer në besim në Kishë, që të zhvendosej në Misuri. Lexo te Doktrina e Besëlidhje 55:4 dhe 57:11–13, duke kërkuar detyrat e pashembullta që Zoti i dha Uilliamit për të shërbyer në Kishën e Tij. Uilliami kishte zhvilluar aftësitë dhe arsimimin që e ndihmuan atë t’i shërbente Zotit dhe të tjerëve në mënyra kuptimplota. Çfarë mund të bëjnë adoleshentët tani për të zhvilluar aftësitë, arsimimin dhe mjetet për t’i ndihmuar ata t’i shërbejnë Zotit dhe të tjerëve në të ardhmen?
Merreni parasysh ta ftoni secilin grup t’ia tregojë klasës atë që mësoi.
Ju mund t’i ndihmoni nxënësit të mendojnë për shembuj bashkëkohorë të njerëzve që zhvilluan mbështetje te vetja dhe më pas qenë në gjendje t’u shërbenin të tjerëve në një mënyrë si të Krishtit. Ju mund të shfaqni materialin filmik “Strengthen Thy Brethren” [“Forco Vëllezërit e Tu”] (3:50) ose “On the Lord’s Errand: The Life of Thomas S. Monson” [“Në Punën e Zotit: Jeta e Tomas S. Monsonit”] nga kodi kohor 19:54 deri në 24:18, të dyja në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org.
Merreni parasysh të tregoni se si u keni shërbyer të tjerëve ose se si të tjerët ju kanë shërbyer nëpërmjet aftësive, mjeteve dhe cilësive që ju ose të tjerët i zhvilluat gjatë jetës.
Për ta përmbyllur mësimin, ju mund të doni t’u jepni nxënësve kohë për të përsiatur me lutje ose për ta shkruar atë që mendojnë se Ati Qiellor do të donte të bënin me atë që ata mësuan ose ndien sot. Vullnetarët mund t’ia tregojnë klasës disa prej mendimeve të tyre.