“Mësimi 180 – Ndërtimi i Mbështetjes te Vetja Sipas Mënyrës së Zotit: Ndërtimi i Mbështetjes te Vetja na Bekon Materialisht dhe Shpirtërisht”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Ndërtimi i Mbështetjes te Vetja Sipas Mënyrës së Zotit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 180: Ndërtimi i Mbështetjes te Vetja
Ndërtimi i Mbështetjes te Vetja Sipas Mënyrës së Zotit
Ndërtimi i Mbështetjes te Vetja na Bekon Materialisht dhe Shpirtërisht
Shpëtimtari shpalli: “Është qëllimi im për të siguruar për shenjtorët e mi. … Por duhet të bëhet sipas mënyrës sime” (Doktrina e Besëlidhje 104:15–16). Jezu Krishti i ndihmon shenjtorët e Tij të ndërtojnë mbështetjen te vetja në mënyrë që ata të sigurojnë për veten dhe të mësojnë t’i bekojnë të tjerët siç bën Ai. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë nevojën për të ndërtuar mbështetjen te vetja sipas mënyrës së Zotit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Mbështetja te vetja
Merreni parasysh ta filloni mësimin duke zbuluar se çfarë kanë kuptuar tashmë nxënësit rreth mbështetjes te vetja. Ju mund të shkruani Mbështetja te vetja në tabelë dhe t’u kërkoni nxënësve të përshkruajnë se çfarë kuptimi ka ajo dhe përse është e rëndësishme të përpiqemi për të.
Mund t’i ndihmoni ata të diskutojnë se çfarë dinë rreth mbështetjes te vetja duke paraqitur figura të një vakti me peshq dhe të disa mjeteve për peshkim. Kërkojuni nxënësve të diskutojnë se cila figurë përmban sendet më të dobishme që dikush të ndërtojë mbështetje te vetja në sigurimin e ushqimit për familjen e tij. Nëse doni mund t’i paraqitni dy thëniet më poshtë si pjesë të diskutimit.
Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) shpjegoi vlerën e të mësuarit për të siguruar për veten:
“Ka një thënie të vjetër që, nëse i jep një njeriu një peshk, ai do të ketë një vakt për një ditë. Por, nëse e mëson të peshkojë, ai do të ketë ushqim për tërë jetën.” (Gordon B. Hinckley, “The Perpetual Education Fund”, Ensign, maj 2001, f. 52)
Presidenca e Parë dha mësim sa vijon rreth mbështetjes te vetja:
“Zoti ka shpallur: ‘Është qëllimi im për të siguruar për shenjtorët e mi’ [Doktrina e Besëlidhje 104:15]. Kjo zbulesë është një premtim nga Zoti se Ai do të sigurojë bekime materiale dhe do ta hapë derën e mbështetjes te vetja, e cila është aftësia jonë që t’i sigurojmë nevojat e jetës për veten dhe pjesëtarët e familjes sonë. …
Ju lutemi, jini i sigurt se ju jeni një fëmijë i Atit tonë në Qiell. Ai ju do dhe nuk do t’ju braktisë asnjëherë. Ai ju njeh dhe është gati t’ju japë bekimet shpirtërore dhe materiale të mbështetjes te vetja.” (Presidenca e Parë, në My Foundation for Self-Reliance [2016], f. 3)
-
Çfarë mëson nga këto thënie rreth mbështetjes te vetja?
Pasi klasa të ketë diskutuar për thëniet e mëparshme, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’ia përmbledhin kuptueshmërinë e tyre për mbështetjen te vetja një partneri. Mund të jetë e dobishme të vazhdoni të paraqitni thënien e mëparshme nga Presidenca e Parë për referencë. Më pas ftoni vullnetarë t’ia tregojnë përmbledhjet e tyre klasës.
Sigurohuni që nxënësit të kuptojnë se me ndihmën e Zotit, ne mund të krijojmë mbështetje te vetja për të siguruar nevojat e jetës për veten dhe familjet tona.
-
Përse mendon se ndërtimi i mbështetjes te vetja është i rëndësishëm për t’u kuptuar sa je i ri/e re?
-
Nëse dikush ndihet i mbingarkuar nga mendimi i mbështetjes te vetja, çfarë mund t’i kujtosh atij rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që mund t’i japë atij shpresë?
Për t’i ndihmuar nxënësit të shohin mënyrat praktike se si parimet e mbështetjes te vetja gjejnë zbatim për ta, merreni parasysh t’i shkruani temat vijuese në tabelë: arsimim, shëndet, punësim, financa, forcë shpirtërore. Ndajini nxënësit në grupe dhe caktojini një temë secilit grup. Ftojini nxënësit ta diskutojnë sa vijon në grupet e tyre dhe më pas t’ia tregojnë klasës atë që diskutuan.
Përgjigju për pyetjet vijuese nisur nga njëra prej këtyre temave: arsimim, shëndet, punësim, financa ose forcë shpirtërore:
-
Si do ta përshkruaje dikë që ka mbështetje te vetja në këtë fushë?
-
Si mund të nisë një adoleshent të krijojë mbështetje te vetja në atë fushë? Si mund ta ftojë ai Zotin për ta ndihmuar?
-
Cilat janë dobitë e të mësuarit për të bërë më shumë gjëra për veten në këtë fushë?
Nxitini nxënësit t’u kushtojnë vëmendje nxitjeve nga Fryma e Shenjtë rreth mënyrës se si ata mund të sigurojnë të ardhura për veten. Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se edhe kur mund të bëjnë gjëra vetë, është gjithsesi e nevojshme që ata të mbështeten te Zoti. Gjithashtu, mund të jetë e përshtatshme të kërkojnë ndihmë nga të tjerët ndonjëherë.
Mbështetja te vetja sipas mënyrës së Zotit
Për t’i ndihmuar nxënësit t’i kuptojnë parimet rreth mbështetjes te vetja që mund t’i mësojmë nga Zoti dhe shërbëtorët e Tij, merreni parasysh njërën nga mundësitë vijuese:
-
Ndajini nxënësit në grupe të vogla dhe shpërndani fletushkën “Ndërtimi i Mbështetjes te Vetja Sipas Mënyrës së Zotit”. Çdo grup mund t’i ndajë referencat nga shkrimet e shenjta dhe thëniet ndërmjet anëtarëve të grupit për t’i studiuar. Më pas ata mund t’ia tregojnë njëri-tjetrit atë që mësuan dhe t’u përgjigjen pyetjeve së bashku.
-
Nëse nxënësit kanë burimet dhe përvojën për t’i gjetur vetë referencat nga shkrimet e shenjta dhe thëniet nga udhëheqësit e Kishës, paraqitini pyetjet nga fletushka në tabelë. Ftojini nxënësit të kërkojnë në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve për përgjigje për secilën pyetje. Një burim që mund ta studiojnë nxënësit është pjesa “Self-Reliance” [“Mbështetja te Vetja”] tek Tema dhe Pyetje. Ky është në dispozicion në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] dhe te ChurchofJesusChrist.org.
Ndërtimi i Mbështetjes te Vetja Sipas Mënyrës së Zotit
Studioji referencat nga shkrimet e shenjta dhe thëniet më poshtë duke kërkuar për përgjigje për të dyja pyetjet vijuese:
-
Çfarë mësimi ka dhënë Zoti në shkrimet e shenjta dhe nëpërmjet profetëve të Tij që mund të na ndihmojë të ndërtojmë mbështetje te vetja?
-
Çfarë pengesash mund të hasë dikush për të cilat do t’i nevojitet ndihma e Atit Qiellor për ta kapërcyer?
Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) dha mësim:
“Zoti vepron nga brenda jashtë. Bota vepron nga jashtë brenda. Bota synon t’i nxjerrë njerëzit prej skamjes që i rrethon. Krishti e nxjerr skamjen shpirtërore nga njerëzit dhe pastaj ata e nxjerrin veten nga skamja që i rrethon. Bota synon t’i brumosë njerëzit duke ndryshuar mjedisin e tyre. Krishti i ndryshon njerëzit, të cilët më pas e ndryshojnë mjedisin e tyre. Bota synon t’i japë formë sjelljes njerëzore, por Krishti mundet ta ndryshojë natyrën njerëzore.” (Ezra Taft Benson, “Born of God”, Ensign, nëntor 1985, f. 6)
Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, shpjegoi:
“Mënyra e Zotit nuk është të ulemi buzë përroit të problemeve dhe të presim sa të thahet uji përpara se të kalojmë. Mënyra e Zotit është që të mblidhemi së bashku, të përveshim mëngët, të shkojmë të punojmë dhe të ndërtojmë një urë ose një barkë që të kalojmë ujërat e sfidave tona.” (Diter F. Uhtdorf, “Ndihma sipas Mënyrës së Zotit”, Liahona, nëntor 2011, f. 54)
Siguroni një mundësi që grupet t’ia tregojnë klasës përgjigjet dhe pikëpamjet që patën gjatë studimit të tyre. Ata gjithashtu mund të tregojnë shembuj të mënyrës se si Zoti i ka bekuar ata në përpjekjet e tyre për t’i jetuar parimet e mbështetjes te vetja.
Shpëtimtari u zhvillua nga hiri në hir
Nxënësit mund të dallojnë se mund të jetë mbingarkuese të përpiqesh të krijosh mbështetje te vetja në shumë fusha të ndryshme njëherazi. Shpjegoni se ne mund të mësojmë nga shembulli i Shpëtimtarit që ndërtimi i mbështetjes te vetja kërkon kohë. Merreni parasysh ta paraqitni figurën vijuese ndërsa nxënësit e lexojnë fragmentin vijues nga shkrimet e shenjta.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 93:11–13, duke kërkuar atë që dha mësim Gjon Pagëzori rreth zhvillimit të Shpëtimtarit. (Një pjesë e shkrimeve të Gjon Pagëzorit iu zbulua Jozef Smithit dhe u shënua te seksioni 93.)
Nëse nxënësve u nevojitet ndihmë për t’iu përgjigjur pyetjeve vijuese, nëse doni mund të shpjegoni se vazhdimi nga hiri në hir do të thotë përmirësim pak e nga pak me ndihmën hyjnore. Mund t’i vini nxënësit të lexojnë te 2 Nefi 28:30 për t’i ndihmuar ata të shohin se si edhe nevojitet të përparojmë “rresht pas rreshti”.
-
Çfarë mendon se do të thotë që Shpëtimtari “vazhdoi nga hiri në hir”? (vargu 13).
-
Si mund të të ndihmojë shembulli i Shpëtimtarit i vazhdimit nga hiri në hir në përpjekjet e tua për të ndërtuar mbështetje shpirtërore dhe tokësore te vetja?
Ndërtimi i mbështetjes te vetja në jetën tënde
Ftojini nxënësit të reflektojnë mbi atë që Fryma e Shenjtë mund t’u ketë dhënë mësim atyre rreth ndërtimit të mbështetjes te vetja. Për t’i ndihmuar ata të reflektojnë, ju mund të paraqitni pyetjet vijuese. Ftojini nxënësit të vlerësojnë gjendjen e tyre të tanishme të mbështetjes te vetja duke përsiatur ose duke u përgjigjur për pyetjet vijuese në ditarët e tyre të studimit.
-
Sa i/e sigurt ndihem për ndërtimin e mbështetjes te vetja në fusha të ndryshme të jetës sime?
-
Përse është e dobishme të filloj zhvillimin e aftësisë për të siguruar të ardhura për veten në këto fusha?
-
Si mund ta përfshij Zotin në ndërtimin e një mbështetjeje më të madhe te vetja në jetën time?
Ftojini nxënësit të marrin parasysh mënyrat e veçanta se si mund të fillojnë të ndërtojnë mbështetje te vetja në jetën e tyre. Ju mund të jepni edhe mendimet dhe dëshminë tuaj rreth fuqisë së arritjes së mbështetjes te vetja dhe se si ajo e ka bekuar jetën tuaj.