“Mësimi 146 – Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 9: Doktrina e Besëlidhje 115–134”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 9”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 146: Doktrina e Besëlidhje 133–134
Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 9
Për t’u bërë më shumë si Krishti duhet përpjekje e vazhdueshme dhe ai është një proces që zgjat gjithë jetën. Vlerësimi periodik i rritjes sonë shpirtërore mund të na ndihmojë ta shohim përparimin që po bëjmë dhe të vijmë më pranë Shpëtimtarit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të vlerësojnë se si studimi i librit Doktrina e Besëlidhje i ka ndihmuar të rriten shpirtërisht.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Përparim i ngadaltë dhe i qëndrueshëm
Merreni parasysh t’u tregoni nxënësve figurat e fazave të ndryshme të ndërtimit të Tempullit të Solt‑Lejkut. Pyetini nxënësit a e dinë se sa kohë u desh për ta përfunduar këtë tempull (40 vjet). Mund t’u kërkoni nxënësve të tregojnë a ndiejnë se ia vlejti koha dhe përpjekja që u deshën për ta përfunduar tempullin dhe arsyen përse.
Përdorur me leje, Shoqëria Historike Shtetërore e Jutës
Ndihmojini nxënësit ta krahasojnë rritjen e tyre shpirtërore me ndërtimin e tempullit. Një mënyrë për ta bërë këtë është t’i ftoni të mendojnë se si do të kishte qenë puna e ndërtuesve ndërsa punonin për këtë projekt të gjatë. Ju mund të bëni pyetjet vijuese:
-
Si mund të ishe ndier pasi të punoje për 10 ose 20 vjet në tempull ndërkohë që shihje se ishte ende gjithë ajo punë për t’u bërë?
-
Po të ishe njëri nga punëtorët, çfarë do të të kishte dhënë shtysë që të vazhdoje të punoje?
-
Si mendoni se mund të gjejë zbatim përvoja e punëtorëve te përpjekjet tona për t’u rritur shpirtërisht dhe për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari?
Ndalu një çast duke përsiatur jetën tënde dhe atë që ke bërë për t’u përpjekur të jesh më shumë si Jezu Krishti. Mendo rreth mënyrës se si po përparon, edhe në mënyra të vogla, për t’u bërë më i ngjashëm me Krishtin.
-
Ndonëse procesi është i gjatë, çfarë po mëson rreth vlerës së përpjekjes për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti çdo ditë?
Kërkojuni nxënësve të tregojnë atë që kanë mësuar, dhe pyetini sa ndiejnë se kanë përparuar gjatë pak javëve të fundit. Për t’i ndihmuar nxënësit të tregojnë, mund t’i ftoni ata të përsëritin atë që kanë mësuar kohët e fundit nga studimi i librit Doktrina e Besëlidhje. Ju mund t’i inkurajoni të shikojnë nëpër ditar ose të shohin atë që kanë shenjuar në shkrimet e shenjta së fundi.
Veprimtaritë vijuese mund t’u sigurojnë nxënësve mundësinë për të shpjeguar atë që po mësojnë, t’i vlerësojnë dhe shprehin ndjenjat e tyre dhe të raportojnë mbi përparimin e tyre për të jetuarit e parimeve të ungjillit. Nëse studimi i klasës suaj i seksioneve te Doktrina e Besëlidhjes 115–134 u përqendrua në të vërteta të ndryshme nga ato në veprimtaritë vijuese, mund t’i përshtatni veprimtaritë që t’i përfshini ato të vërteta.
Shpjegoje rëndësinë e pagëzimit për të vdekurit
Për t’u dhënë nxënësve një mundësi që të shpjegojnë doktrinën e pagëzimit për të vdekurit, merreni parasysh të paraqitni figurën vijuese të një vaske pagëzimi në tempull dhe të jepni një skenar si ai më poshtë.
Arba dhe shoqet e saj janë entuziaste që do të shkojnë në tempull. Një shoqe që nuk i njeh tempujt, vë re entuziazmin e saj dhe më vonë e pyet Arbën se çfarë bëjnë ata në tempuj. Arba kërkon një figurë të një vaskë pagëzimi në tempull në telefonin e saj dhe fillon të shpjegojë rreth pagëzimeve për të vdekurit.
Jepuni nxënësve një mundësi për të treguar atë që do të thoshin po t’u kërkohej t’ia shpjegonin një shoku ose shoqeje pagëzimet për të vdekurit. Mund t’i ftoni nxënësit të interpretojnë me role në dyshe ose grupe të vogla.
Pasi nxënësit të kenë pasur një mundësi për të interpretuar me role, ftojini ata të përsëritin atë që mësuan te Doktrina e Besëlidhje 124, 127 dhe 128 që të shohin a ka ndonjë gjë që do t’ia shtonin shpjegimit të tyre. Mund t’u kërkoni nxënësve të përsëritin së bashku në grupe me pyetjet vijuese në mendje.
-
Cilat janë disa gjëra që Arba mund të tregojë për ta ndihmuar shoqen e saj ta kuptojë këtë ordinancë të shenjtë si pjesë të planit të Perëndisë?
-
Me ndihmën e Arbës, çfarë mund të kuptojë shoqja rreth Atit Qiellor ose Jezu Krishtit?
Pasi nxënësit ta kenë përsëritur dhe diskutuar doktrinën e pagëzimeve për të vdekurit, mund t’u jepni atyre një mundësi tjetër për ta interpretuar me role skenarin dhe për të përfshirë atë që mësuan.
Merr pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare
Kjo veprimtari ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të tregojnë se si kanë marrë pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare. Ju mund t’i ndihmoni fillimisht nxënësit që të kujtojnë disa nga bekimet e mëdha që lidhen me bërjen e punës së Zotit duke u treguar thënien vijuese.
Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dha mësim:
“Shumë të rinj kanë zbuluar se dhënia e kohës së tyre për kërkime mbi historinë familjare dhe punën në tempull e ka thelluar dëshminë e tyre për planin e shpëtimit. Ajo e ka rritur ndikimin e Shpirtit në jetën e tyre dhe e ka ulur ndikimin e kundërshtarit. Ajo i ka ndihmuar ata të ndihen më afër familjeve të tyre dhe më afër Zotit Jezu Krisht. Ata kanë mësuar se kjo punë nuk shpëton vetëm të vdekurit; ajo na shpëton të gjithë ne” (shihni te DeB 128:18).” (Henri B. Ajring, “Të Mbledhësh Familjen e Perëndisë”, Liahona, maj 2017, f. 22)
-
Çfarë bekimesh ke zbuluar teksa je përfshirë në punën në tempull dhe për historinë familjare?
Në mësimet për seksionet Doktrina e Besëlidhje 127–128, nxënësit mund të kenë marrë ftesën për të bërë një plan që të marrin pjesë në këtë punë në ndonjë farë mënyre. Jepuni nxënësve kohë për të reflektuar për planin e tyre dhe inkurajojini ata të tregojnë atë që kanë bërë.
Nëse është e nevojshme, mund t’u kujtoni nxënësve disa nga mënyrat që mund të zgjedhin për të marrë pjesë. Ata mund të përfshijnë veprimtari të ndryshme në FamilySearch.org ose në programin Family Tree [Pema Familjare]. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të përshkruajnë ose, nëse është e mundur, t’ia demonstrojnë klasës atë që kanë bërë ose mësuar. Nxënësit mund të kenë frekuentuar tempullin për të marrë pjesë në ordinanca të shenjta për pjesëtarë të vdekur të familjes. Merreni parasysh t’i ftoni ata të shprehin ndjenjat e tyre rreth kësaj përvoje.
Ndiej mirëbesim më të madh te Perëndia gjatë sprovave
Ju mund të keni përdorur gurë të ashpër dhe të lëmuar si një mësim me sende kur dhatë mësimin Doktrina e Besëlidhje 122; nëse po, merreni parasysh t’i paraqitni ata përsëri. Këta gurë mund t’u kujtojnë nxënësve atë që kanë mësuar, dhe t’i lejojnë nxënësit të diskutojnë ndjenjat e tyre rreth qëllimit të sprovave dhe mirëbesimit te Perëndia ndërsa i përjetojmë ato. Nëse mendoni se do të ishte e dobishme, merreni parasysh t’u kujtoni nxënësve disa nga mësimet rreth kësaj teme. Nxënësit mund të kenë mësuar rreth sprovave te Doktrina e Besëlidhje 98, 101, 105, 111, 121–123 dhe seksione të tjera. Nxënësit mund edhe të kujtojnë mësime me vlerë rreth mirëbesimit te Perëndia nga mësimi rreth dëbimit të shenjtorëve nga Misuri.
Mund t’i ftoni nxënësit të rishikojnë çdo shkrim të shenjtë të dobishëm dhe të diskutojnë atë që mësuan.
-
Si të kanë ndihmuar gjërat që ke mësuar, që të ndihesh ndryshe rreth sprovave të tua?
-
Çfarë ke mësuar rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit ndërsa ke përjetuar kohë të vështira?
Ftojini nxënësit t’i shkruajnë në ditar ndjenjat e tyre rreth mënyrës se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i kanë përkrahur ata në sprovat e tyre. Kërkojuni atyre të marrin parasysh se çfarë ndikimi ka pasur te besimi i tyre te Jezu Krishti ajo që kanë mësuar dhe përjetuar. Ju mund t’u kërkoni nxënësve që ndihen rehat, të tregojnë atë që shkruan. Sigurojuni atyre mundësi që të japin dëshmi për ndihmën hyjnore që kanë marrë.