“Mësimi 130 – Dëbimi nga Misuri: Të Drejtuarit te Perëndia në Mundimet Tona”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Dëbimi nga Misuri”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 130: Doktrina e Besëlidhje 115–120
Dëbimi nga Misuri
Të drejtuarit te Perëndia në mundimet tona
Vjeshta dhe dimri i viteve 1838–1839 ishin një kohë e vështirësive të skajshme për shenjtorët në Misuri. Ndërsa tensionet ndërmjet anëtarëve të Kishës dhe banorëve të tjerë të Misurit u përshkallëzuan, guvernatori Lilbërn W. Bogs urdhëroi që shenjtorët të dëboheshin nga shteti. Gjatë këtyre vështirësive, shumë veta u drejtuan te Perëndia dhe morën ndihmën e Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë një dëshirë më të madhe për t’u drejtuar te Perëndia kur përballen me situata të vështira.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ku drejtohesh?
Merreni parasysh ta paraqitni thënien vijuese dhe ta ftoni një nxënës ta lexojë atë me zë të lartë.
Plaku Xhozef B. Uirthlin (1917–2008), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Mënyra si reagojmë ndaj fatkeqësisë, mund të jetë një faktor madhor në atë se sa të lumtur dhe të suksesshëm do të jemi në jetë”. (Jozef B. Uirthlin, “Le të Ndodhë Ç’të Ndodhë, Duaje Atë”, Liahona, nëntor 2008, f. 26)
-
Cilët janë disa shembuj që të vijnë në mend, të cilët e ilustrojnë atë që jepet mësim në këtë thënie?
Ftojini nxënësit të mendojnë rreth situatave të vështira me të cilat po përballen ose i kanë përjetuar në të kaluarën. Më pas ftojini ata të mendojnë për mënyrën se si reagojnë zakonisht ose kanë reaguar ndaj situatave të tyre të vështira. Mund t’u kërkoni disa nxënësve të gatshëm t’i tregojnë klasës përgjigje që nuk janë tepër vetjake.
Nxitini nxënësit ndërsa studiojnë që t’u kushtojnë vëmendje nxitjeve të Shpirtit. Nxitjet shpirtërore mund t’i ndihmojnë ata të dinë se si do të donte Perëndia që ata të reagonin në situatat e tyre të vështira.
Vështirësi në Misuri
Shpjegoni se në vitin 1839, rreth 8 000 deri në 10 000 shenjtorë jetonin në Misurin verior. Nga janari deri në mars shumica u detyruan t’i braktisnin tokat dhe shtëpitë e tyre. Përmbledhjet vijuese mund t’i ndihmojnë nxënësit ta kuptojnë kontekstin që çoi në këto rrethana. Ju mund t’i paraqitni përmbledhjet ose t’i shtypni ato dhe të caktoni disa nxënës që t’ua tregojnë ato klasës.
Në vend që të përdorni përmbledhjet, ju mund të shihni materialin filmik “1838: The Year the Saints Were Driven Out of Missouri” (5:15), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
-
Pesë vjet pasi shenjtorët u dëbuan nga Konteja Xhekson e Misurit, ata kishin themeluar komunitete të reja në zona të tjera të shtetit. Shumë banorë të Misurit u zemëruan nga numrat gjithnjë e në rritje të shenjtorëve, si edhe nga deklaratat që kishin bërë udhëheqësit e Kishës se shenjtorët do ta mbronin veten kundër turmave të ardhshme. Për t’i ndërlikuar çështjet, një grup i vogël i anëtarëve të Kishës filloi të bënte kërcënime ndaj armiqve të Kishës (shih te Shenjtorët, 1:313–315).
-
Tensionet në rritje ndërmjet shenjtorëve dhe banorëve të Misurit çuan përfundimisht në përballje fizike. Shenjtorët në pak vendbanime të vogla u detyruan t’ia mbathnin ndërsa shtëpitë dhe pronat e tyre shkatërroheshin nga turmat. Më 25 tetor 1838, tre burra nga shenjtorët e ditëve të Mëvonshme dhe një anëtar i milicisë së Misurit mbetën të vrarë në atë që u bë e njohur si Beteja e Lumit Krukid (shih te Shenjtorët, 1:323–328, 330–334, 335–345).
-
Guvernatori Lilburn W. Bogs i Misurit mori raporte tejet të zmadhuara ku pretendohej se 50 deri në 60 banorë të Misurit ishin vrarë në betejë. Guvernatori mori gjithashtu deklarata të bëra nën betim nga ish‑udhëheqës të zemëruar të Kishës që kishin dëshmuar në mënyrë të rreme kundër Jozef Smithit. Më 27 tetor 1838, guvernatori Bogs lëshoi një urdhër ekzekutiv, ku shpallte: “Mormonët duhet të trajtohen si armiq dhe duhet të shfarosen ose dëbohen nga shteti” (shih te Shenjtorët, 1:345–346).
-
Pasi guvernatori Bogs e lëshoi këtë urdhër, Profeti Jozef Smith dhe udhëheqës të tjerë të Kishës u arrestuan nga anëtarët e milicisë së Misurit. Turmat e sulmuan qytetin Far‑Uest dhe vendbanime të tjera të shenjtorëve të ditëve të Mëvonshme (shih te Shenjtorët, 1:347–358, 359–367).
-
Nëse do të kishe qenë një anëtar i Kishës gjatë kësaj kohe, si do t’i përshkruaje ndjenjat ose pyetjet që mund të kishe pasur?
-
Çfarë veprimesh mund të kishe dashur të ndërmerrje?
-
Gjatë këtyre kohëve të vështira, shumë shenjtorë e demonstruan besimin e tyre duke u drejtuar te Perëndia.
Rrëfimi vijues mund t’i ndihmojë nxënësit të shohin një shembull të mënyrës se si një anëtare e Kishës zgjodhi t’i drejtohej Perëndisë gjatë mundimeve të saj. Merreni parasysh të shpërndani fletushkën e titulluar “Rrëfimi i Amanda Smithit te Hons Mill”.
Ju mund ta studioni këtë rrëfim së bashku si klasë, ku disa nxënës i lexojnë me radhë pjesë të ndryshme të këtij rrëfimi. Nxënësit mund ta studiojnë gjithashtu rrëfimin me një grup të vogël.
Rrëfimi i Amanda Smithit te Hons Mill
“Më 30 tetor 1838, turmat në Misuri sulmuan një vendbanim të shenjtorëve të ditëve të Mëvonshme të njohur si Mulliri i Honit. Turma qëlloi mbi burrat dhe djemtë që hynë në dyqanin e një farkëtari për të kërkuar strehim dhe për të mbrojtur njerëzit e tyre. Shtatëmbëdhjetë shenjtorë të ditëve të Mëvonshme mbetën të vrarë gjatë sulmit dhe më shumë se dhjetëra të tillë mbetën të lënduar.
Ndër të lënduarit ishte gjashtëvjeçari Alma Smith, i gjithë kyçi i ijës së të cilit u shkatërrua pasi atë e qëlluan. E ëma e Almës, Amanda Barns Smith, u trondit kur e gjeti atë. Ajo vajtonte edhe për bashkëshortin dhe djalin e saj 10‑vjeçar, që mbetën të dy të vrarë gjatë sulmit.
Pa askënd në dispozicion për ta ndihmuar, Amanda i mblodhi së bashku fëmijët që i kishin mbetur dhe u lut për udhërrëfim. ‘Oh, Ati im Qiellor’, – u lut ajo, – ‘Ti e sheh të shkretin djalin tim të plagosur dhe e di mungesën time të përvojës. Oh, Atë Qiellor më drejto se çfarë të bëj!’
Ndërsa Amanda e përfundoi lutjen e saj, ajo dëgjoi një zë që e drejtonte të përziente hi me ujë. Ajo e përdori tretësirën për të larë plagën e Almës derisa të pastrohej. Më pas, Amanda ndjeu nxitjen për të marrë rrënjë nga një pemë vidhi dhe për t’i grirë për të bërë një pure. Ajo e vendosi purenë mbi plagën e Almës dhe e mbështolli atë me të linjta.
‘Tani ti rri shtrirë kështu e mos lëviz’, – i tha ajo të birit, – ‘dhe Zoti do të të bëjë një këllk tjetër.’
Plaga e Almës u bë pengesë që Amanda dhe familja e saj të largoheshin nga shtëpia pas sulmit. Me kalimin e javëve, turma caktoi një afat për të dhe shenjtorët e tjerë që kishin mbetur për t’u larguar. Frika e Amandës shtohej me afrimin e afatit. Ajo u fsheh në një grumbull kallinjsh misri në mënyrë që të lutej me zë të lartë pa u dëgjuar. Ajo dëgjoi më pas një zë që i përsëriti këto fjalë:
-
Shpirtin që te Jezusi kërkon t’pushoj’
-
Në duar t’armiqve Un’ kurr’ s’e lëshoj.
-
Atë shpirt, gjith’ ferri t’përpiqet t’trondis’,
-
Un’ kurrë, jo kurrë, jo kurr’ s’e braktis!
Këto fjalë nga himni “Sa i Fort’ një Themel” (Himne, nr. 41) e ndihmuan Amandën të ndiente një ndjesi të re force dhe kuraje.
Jo shumë kohë më pas, Amanda ishte jashtë kur i dëgjoi fëmijët e saj të thërrisnin brenda shtëpisë së saj. Ajo nxitoi për te shtëpia dhe e pa Almën duke vrapuar rreth dhomës. ‘Jam mirë, ma, jam mirë!’, – thirri ai. Amanda dhe fëmijët e saj u larguan nga Hons Mill pak kohë pas kësaj.”
(Cituar dhe përmbledhur nga Saints, 1:347–350, 353–355, 378–379)
-
Çfarë të bëri përshtypje nga ky tregim?
-
Çfarë mësove ose ndjeve rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit ndërsa e lexove këtë rrëfim?
Ndërsa nxënësit i tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjen e mëparshme, merreni parasysh t’i ftoni ata t’i tregojnë të vërtetat që po mësojnë, të cilat mund t’i ndihmojnë ata në sprovat e tyre. Një e vërtetë që nxënësit mund të përcaktojnë, është kjo: Ndërsa drejtohemi te Perëndia në mundimet tona, ne mund të përjetojmë udhërrëfimin, ngushëllimin dhe forcën e Tij.
Merreni parasysh ta këndoni ose ta dëgjoni himnin “Sa i Fort’ një Themel” (Himne, nr. 41) së bashku si klasë. Fjalët që e forcuan Amanda Smithin, gjenden në strofën 7.
Shkrime të Shenjta që na ndihmojnë të drejtohemi te Perëndia
Shpenzo ca kohë për të gjetur shkrime të shenjta që mund ta rritin dëshirën tënde për t’u drejtuar te Perëndia kur përballesh me vështirësi. Mund të studiosh disa ose të gjitha fragmentet vijuese ose të gjesh të ndryshëm.
-
Fjalët e Urta 3:5–6
-
Çfarë t’u duk kuptimplotë në vargjet që studiove? Përse?
-
Kur të ka bekuar Perëndia ty ose të tjerët që ti i njeh, ndërsa jeni drejtuar tek Ai në një situatë të vështirë?
Si pjesë e diskutimit tuaj për pyetjen e mëparshme, merreni parasysh të jepni një shembull nga vetë jeta juaj.
Mendo për jetën tënde
Për t’i ndihmuar nxënësit të reflektojnë mbi atë që kanë mësuar dhe ndier, ftojini ata t’i përgjigjen të paktën njërës prej pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit.
-
Çfarë ke mësuar ose ndier sot që mund të të forcojë herën e ardhshme kur të përballesh me një situatë të vështirë?
-
Çfarë je ndier i/e nxitur të bësh ndërsa ke studiuar sot?
Merreni parasysh t’i ftoni disa nxënës të gatshëm ta tregojnë atë që shkruan. Dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar, dhe nxitini nxënësit të veprojnë sipas çdo nxitjeje që ata mund të kenë marrë.