Seminari
Mësimi 128 – Doktrina e Besëlidhje 115: “Kështu do të Quhet Kisha Ime”


“Mësimi 128 – Doktrina e Besëlidhje 115: ‘Kështu do të Quhet Kisha Ime’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 115”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 128: Doktrina e Besëlidhje 115–120

Doktrina e Besëlidhje 115

“Kështu do të Quhet Kisha Ime”

përkthime të emrit Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Për t’i shpëtuar përndjekjes në Kontenë Xhekson të Misurit, mijëra shenjtorë u mblodhën rreth 80 km në veri dhe krijuan një vendbanim të ri të quajtur Far‑Uest. Në një zbulesë që iu dha Profetit Jozef Smith në Far‑Uest, Zoti zbuloi se Kisha e Tij duhet të quhet Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndiejnë rëndësinë e përdorimit të emrit të saktë të Kishës së Shpëtimtarit.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Të thirrur në emrin e gabuar

Merreni parasysh të flisni me disa nxënës përpara se të fillojë ora mësimore. Kërkojuni atyre t’ju thërrasin në emrin e gabuar përpara pjesëtarëve të tjerë të klasës para se të filloni ta jepni mësimin. Kjo mund të jetë një mënyrë zbavitëse për t’i ndihmuar nxënësit të mendojnë rreth rëndësisë së përdorimit të emrave të saktë.

  • Çfarë përvojash ke pasur me të qenit i thirrur me emrin e gabuar? Si të bëjnë të ndihesh këto lloje përvojash?

  • Cilët janë disa shembuj të emrave të pasaktë që i përdorin ndonjëherë njerëzit kur i referohen Kishës?

Ftojini nxënësit të mendojnë rreth arsyeve përse është e rëndësishme të përdorësh emrin e saktë të Kishës. Ju mund t’i ftoni disa nxënës të japin mendimet e tyre. Më pas nxitini ata ndërsa studiojnë që të kërkojnë të vërtetat që mund t’i ndihmojnë ata ta kuptojnë më mirë rëndësinë e përdorimit të emrit të saktë të Kishës së Shpëtimtarit.

Jezu Krishti shpall emrin e Kishës së Tij

Shpjegoni se, pasi përjetoi përndjekje të shtuar nga armiqtë e Kishës, Profeti Jozef Smith u largua nga Kirtlandi i Ohajos, në janar të vitit 1838. Ai dhe familja e tij u transferuan në Misuri, ku shenjtorët kishin krijuar një vendbanim të ri të quajtur Far‑Uest. Pak pasi u transferua, Profeti mori një zbulesë në të cilën Zoti dha udhërrëfim rreth ndërtimit të Kishës në Far‑Uest.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 115:1–4 duke kërkuar atë që u dha mësim Shpëtimtari udhëheqësve të Kishës në Far‑Uest.

  • Çfarë dha mësim Jezu Krishti rreth emrit të Kishës së Tij?

    Nëse është e nevojshme, ndihmojini nxënësit të përcaktojnë se Jezu Krishti shpalli se emri i Kishës së Tij është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ftojini nxënësit ta shenjojnë emrin e Kishës së Krishtit te Doktrina e Besëlidhje 115:4.

  • Çfarë të mëson ky emër rreth Kishës?

  • Përse mendon se Jezu Krishti dëshiron që ne t’i referohemi Kishës së Tij me emrin e saj të saktë?

Si pjesë e diskutimit tuaj për pyetjet e mëparshme, mund të jetë e dobishme t’i ftoni nxënësit të lexojnë te 3 Nefi 27:7–8. Nëse doni, mund t’i ftoni nxënësit t’i lidhin ose bëjnë referencë kryq këto vargje me vargun te Doktrina e Besëlidhje 115:4.

Rëndësia e përdorimit të emrit të saktë të Kishës

Nëse është e mundur, jepuni kohë nxënësve për ta studiuar bisedën e Presidentit Rasëll M. Nelson “Emri i Saktë i Kishës” (Liahona, nëntor 2018, f. 87–90). Shtypni kopje për nxënësit që nuk kanë qasje digjitale.

Ndërsa nxënësit studiojnë, ftojini të kërkojnë mësimet që i ndihmojnë ata ta kuptojnë rëndësinë e përdorimit të emrit të saktë të Kishës së Shpëtimtarit. Nxënësit mund ta studiojnë të gjithë bisedën individualisht, ose mund t’u caktoni grupeve të vogla të studiojnë pjesë të saj dhe më pas t’ia tregojnë atë që mësuan pjesës tjetër të klasës.

Për t’i ndihmuar nxënësit t’i diskutojnë gjetjet e tyre, merreni parasysh të bëni pyetje si: “Çfarë mësuat rreth arsyes përse përdorimi i emrit të saktë të Kishës është i rëndësishëm për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?” ose “Çfarë të bëri më shumë përshtypje nga mesazhi i Presidentit Nelson? Përse?”

Nëse nuk është e mundur që nxënësit të studiojnë drejtpërdrejt nga kjo bisedë, merreni parasysh ta përdorni thënien vijuese.

Presidenti Rasëll M. Nelson diskutoi rëndësinë e përdorimit të emrit të saktë të Kishës së Zotit:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Emri i Kishës nuk është i diskutueshëm. Kur Shpëtimtari e shpall qartë se cili duhet të jetë emri i Kishës së Tij dhe madje kur i paraprin deklaratës së Tij me fjalët: ‘Kështu do të quhet kisha ime’, Ai e ka seriozisht. …

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju premtoj që, nëse ne do të bëjmë më të mirën tonë për ta rivendosur emrin e saktë të Kishës së Zotit, Ai, Kisha e të cilit është kjo, do të derdhë fuqinë dhe bekimet e Tij mbi kokat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, në mënyra të cilat ne nuk i kemi parë kurrë. Ne do të kemi njohurinë dhe fuqinë e Perëndisë që të na ndihmojnë për t’i çuar bekimet e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit te çdo komb, fis, gjuhë e popull dhe për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Zotit.” (Rasëll M. Nelson, “Emri i Saktë i Kishës”, Liahona, nëntor 2018, f. 87, 89)

  • Çfarë bekimesh na premtoi Presidenti Nelson ndërsa e përdorim emrin e saktë të Kishës së Jezu Krishtit?

“Ngrihuni e shkëlqeni”

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 115:5–6, duke kërkuar mënyrën se si Zoti dëshiron që t’i bekojë njerëzit në mbarë botën nëpërmjet Kishës së Tij.

Për t’i ndihmuar nxënësit t’i kuptojnë ftesat e Zotit, merreni parasysh të shpenzoni kohë duke analizuar fjalë ose fraza të rëndësishme. Për shembull, mund t’u kërkoni nxënësve ta vizatojnë ose interpretojnë frazën “ngrihuni e shkëlqeni” (vargu 5). Mund të jetë e dobishme që nxënësit të kuptojnë se fjala standard që përdoret në vargun 5 i referohet një flamuri, që është “një shenjë … rreth së cilës njerëzit bashkohen në një unitet qëllimi ose identiteti” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Flamur”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).

  • Si mund të na ndihmojë përdorimi i emrit të saktë të Kishës së Zotit t’i nderojmë ftesat e Zotit në vargjet 5–6?

  • Si ke mundur ti ose një pjesëtar i familjes të jeni një dritë për të tjerët duke përdorur emrin e saktë të Kishës së Shpëtimtarit?

Si pjesë e diskutimit tuaj për pyetjen e mëparshme, merreni parasysh të tregoni përvojën vijuese, të përmbledhur nga Plaku Nil L. Andersen.

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi njërën prej shumë përvojave që po kalojnë njerëzit nëpër botë:

13:36
Plaku Nil L. Andersen

“Ka mijëra e mijëra shenjtorë të ditëve të mëvonshme që e kanë shpallur me guxim emrin e Kishës. Ndërsa bëjmë pjesën tonë, të tjerë do të na ndjekin. Më pëlqen shumë kjo histori nga Tahiti.

Dhjetëvjeçarja Iriura Xhini vendosi të ndiqte këshillën e Presidentit Nelson.

Në klasën e saj në shkollë ata diskutuan për fundjavën e tyre … dhe Iriura foli për … kishën.

Mësuesja e saj, Vaite Pifao, tha: ‘O, pra ti je një mormone?’

Iriura tha me guxim: ‘Jo, … unë jam anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme!’

Mësuesja e saj u përgjigj: ‘Po, … ti je një mormone’.

Iriura këmbënguli: ‘Jo mësuese, jam një anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme!’

Znj. Pifao u mahnit nga bindja e Iriurës dhe pyeti veten pse ishte kaq këmbëngulëse për të përdorur emrin e gjatë të kishës së saj. [Ajo vendosi që të mësonte më shumë për Kishën.]

[Më vonë, kur Motra] Vaite Pifao u pagëzua, [ajo shprehu mirënjohje] që Iriura i kushtoi vëmendje këshillës së Presidentit Nelson.” (Nil L. Andersen, “Emri i Kishës nuk Është i Diskutueshëm”, Liahona, nëntor 2021, f. 118–119)

ikona e trajnimitBëni pyetje që ftojnë zbulimin: Për t’ju ndihmuar të ushtroni bërjen e pyetjeve që i ndihmojnë të zbulojnë të vërteta, shihni trajnimin e titulluar “Krijoni pyetje kërkimore që nuk marrin përgjigje me ‘po’ ose ‘jo’, që i ndihmojnë nxënësit t’i zbulojnë vetë doktrinën dhe parimet e ungjillit dhe nuk i çojnë nxënësit drejt një përgjigjeje të caktuar” te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Jepni Mësim Doktrinën.

  • Çfarë të bie në sy nga kjo përvojë?

  • Çfarë ke mësuar ose ndier sot që të ndihmon t’i kuptosh më mirë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

Dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar. Nxitini nxënësit ta zbatojnë urdhërimin e Zotit për të përdorur emrin e saktë të Kishës në ndërveprimet e tyre me të tjerët.