“Mësimi 121 – Ushtrimi 8 i Zotërimit Doktrinor: Zbatoji Parimet e Marrjes së Njohurisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Ushtrimi 8 i Zotërimit Doktrinor”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 121: Doktrina e Besëlidhje 106–108
Ushtrimi 8 i Zotërimit Doktrinor
Zbatoji Parimet e Marrjes së Njohurisë Shpirtërore
Zotërimi doktrinor mund t’i ndihmojë nxënësit të ndërtojnë themelin për jetën e tyre mbi Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Ky mësim do t’i ndihmojë nxënësit t’i zbatojnë të vërtetat që gjenden në fragmentet e zotërimit doktrinor, dhe t’i mësojnë e zbatojnë parimet hyjnore për marrjen e njohurisë shpirtërore.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Përsëritja e zotërimit doktrinor: Zbato
Merreni parasysh t’i jepni çdo nxënësi një copë të vogël letre. Ftojini nxënësit të shkruajnë në letrat e tyre një situatë të vështirë me të cilën po përballet dikush që ata e njohin, dhe ta vendosin letrën e tyre në një enë mbajtëse. Kërkojuni nxënësve të mos përfshijnë emra ose hollësi që janë tepër vetjake.
Vendosini nxënësit në dyshe dhe vëreni secilën dyshe të zgjedhë dy letra nga ena mbajtëse. Ftojini dyshet t’i shqyrtojnë fragmentet e zotërimit doktrinor te Doktrina e Besëlidhje duke përdorur listën te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor dhe të diskutojnë se si fragmentet e ndryshme mund të gjejnë zbatim në të paktën njërën prej situatave në letrat e tyre. Po të dëshirojnë, nxënësit mund të përdorin edhe fragmente nga libra të tjerë të shkrimit të shenjtë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini dyshet t’i tregojnë klasës mënyrën se si fragmentet që ata diskutuan, gjejnë zbatim në një situatë në një nga letrat e tyre.
Nëse nxënësve u nevojitet ndihmë për një situatë që nuk është e trajtuar qartësisht nga një fragment i zotërimit doktrinor, ju mund t’i drejtoni ata te një fragment që mund të gjejë zbatim në cilëndo situatë, si për shembull, Doktrina e Besëlidhje 8:2–3 ose 2 Nefi 32:3.
Kujdesuni që kjo veprimtari të zgjatë vetëm 10–15 minuta për të dhënë kohë të mjaftueshme për zbatimin e ushtrimit të zotërimit doktrinor më vonë në mësim.
Mësoji dhe zbatoji parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore
Pjesa e mbetur e mësimit ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit që t’i zbatojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në një situatë reale. Nëse është e nevojshme dhe nëse doni, mund t’i ftoni fillimisht nxënësit t’i shqyrtojnë parimet në paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor. Veprimtaritë e sugjeruara të përsëritjes përfshihen te “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor” në shtojcën e manualit të këtij seminari.
Merreni parasysh të paraqitni një figurë të një të reje si ajo në vijim. Ftojeni klasën të krijojë shkurtimisht hollësi për jetën e saj në bazë të anëtarëve të Kishës në zonën tuaj. Për shembull, nxënësit mund të tregojnë se si e imagjinojnë që janë familja, interesat dhe ndjenjat e saj për Kishën.
Paraqitni skenarin vijues. Kërkojuni nxënësve të tregojnë parime të marrjes së njohurisë shpirtërore që mund ta ndihmojnë një të re në këtë situatë dhe përse.
(Përndryshe, mund t’i lini bosh shqetësimet e nënvizuara në skenar dhe t’i ftoni nxënësit ta plotësojnë skenarin duke i shkruar në tabelë pyetjet ose shqetësimet që mund të ketë e reja rreth grave dhe priftërisë. Ftesa që nxënësit të shtojnë hollësi në skenarë, mund t’i lejojë ata t’i shprehin të sigurt shqetësimet vetjake që kanë lidhje me jetën e tyre.)
Ndërsa përgatitej për t’i dhënë mësim klasës së Të Rejave të dielën, Adela filloi të studionte te Doktrina e Besëlidhje 107. Pasi e lexoi vargun 8, ajo ndaloi dhe filloi të pyeste veten se si gjen zbatim priftëria për të rejat. Ajo u shqetësua dhe pyeste veten a u mirëbeson Perëndia bijve të Tij më shumë sesa bijave të Tij. Ajo kujtoi edhe se kohët e fundit kishte parë një material filmik në internet me mendime rreth trajtimit të grave në Kishën e Jezu Krishtit. Një person e kritikonte Kishën duke nënkuptuar se gratë mbeten mbrapa duke mos mbajtur detyra priftërie.
Jepuni nxënësve shumë kohë për t’i diskutuar parimet që ata e ndiejnë se mund ta ndihmojnë Adelën. Nisur nga diskutimi i tyre, ju mund të zgjidhni pjesë nga materiali i mbetur i mësimit që mund t’i ndihmojnë ata t’i kuptojnë më mirë parimet që nuk i diskutuan në mënyrë aq të thelluar.
Vepro me besim
Merreni parasysh t’i organizoni nxënësit në grupe të vogla, të paraqitni pyetjet vijuese dhe t’i ftoni ata t’i diskutojnë përgjigjet me grupet e tyre. Lëvizni nëpër klasë dhe dëgjojini diskutimet e tyre duke shtuar pikëpamje ose udhëzim sipas nevojës.
-
Si mund të jenë pyetjet dhe shqetësimet e Adelës një mundësi që ajo ta forcojë besimin e saj në Jezu Krishtin dhe zotimin ndaj Kishës së Tij?
-
Çfarë mund ta tundojë Satani të bëjë me pyetjet dhe shqetësimet e saj që mund ta drejtojë atë larg nga Jezusi?
-
Si do t’i sugjeroje që t’u qaset pyetjeve dhe shqetësimeve të saj me besim?
Shqyrtojini konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm
Ftojini nxënësit ta lexojnë paragrafin 8 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor, duke kërkuar të vërteta që mund të jenë të dobishme për Adelën.
Veprimtaria vijuese është një mënyrë se si nxënësit mund ta tregojnë atë që gjetën. Kërkojuni nxënësve ta plotësojnë hapin e parë më poshtë. Prisni derisa ta kenë plotësuar secilin hap përpara se t’u kërkoni atyre të plotësojnë hapin e radhës.
-
Shëno në ditarin tënd të studimit një të vërtetë nga paragrafi 8 që mendon se mund ta ndihmojë Adelën dhe përse.
-
Lëviz rreth dhomës dhe përpiqu të gjesh një nxënës tjetër që zgjodhi të njëjtën të vërtetë që zgjodhe ti. Diskutoni me njëri‑tjetrin se si ajo mund ta ndihmojë Adelën.
-
Shtoji në faqen e ditarit tënd të studimit pikëpamjet kuptimplota që t’i tregoi nxënësi tjetër.
-
Lëviz nëpër dhomë përsëri dhe gjej një nxënës tjetër që zgjodhi një të vërtetë të ndryshme nga ajo që zgjodhe ti. Tregojani njëri‑tjetrit pikëpamjet nga ditarët tuaj.
Pas veprimtarisë së mëparshme të shkëmbimit, disa nga pyetjet vijuese mund të ndihmojnë të krijohet një diskutim klase që mund të çojë në pikëpamje të mëtejshme.
-
Hamendëso sikur Adela nuk është në gjendje të gjejë një përgjigje të qartë se përse gratë nuk mbajnë detyra priftërie. Çfarë di ti rreth planit të Atit Qiellor dhe se si ndihet Ai për bijat e Tij që do të doje që ajo ta mbante mend?
-
Cilat fragmente të zotërimit doktrinor nga Doktrina e Besëlidhje (ose libra të tjerë të shkrimit të shenjtë) mund të ndihmojnë që Adela të kujtojë planin dhe ndjenjat e Perëndisë për të?
Kërkoni kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të diskutojnë për nxitjet në vijim me një partner. Më pas ftoni vullnetarë që t’ia tregojnë klasës atë që diskutuan.
-
Burimet që përdor Adela për të gjetur informacion, janë të rëndësishme për shkak se …
-
Do ta këshilloja Adelën të kërkojë përgjigje duke u drejtuar te … dhe të mos kërkojë përgjigje duke u drejtuar te …
Partnerët mund të kërkojnë dhe të tregojnë shembuj nga shkrimet e shenjta, historia e Kishës ose jeta e grave në kohën tonë që demonstrojnë dashurinë dhe mirëbesimin e Atit Qiellor në bijat e Tija besnike.
Partnerët mund të kërkojnë dhe tregojnë edhe thënie nga udhëheqësit bashkëkohorë të Kishës që mund ta ndihmojnë Adelën. Nëse është e nevojshme, mund të sugjeroni burime si ato në vijim:
-
Biseda të konferencës së përgjithshme të tilla si “Thesaret Shpirtërore” (Rasëll M. Nelson, Liahona, nëntor 2019, f. 76–79)
-
Mësime të Presidencës së Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, të tilla si “Relief Society General Presidency Addresses Four Key Questions about Women and the Priesthood” (Aubrey Eyre, Church News, 2 maj 2019, thechurchnews.com)
-
Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm i Kishës të tilla si “Parimet e Priftërisë” (kapitulli 3 te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ChurchofJesusChrist.org)
Përfundimi
Mund ta përfundoni orën mësimore duke i ftuar nxënësit t’i përgjigjen plot lutje njërës prej pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit:
-
Çfarë ndien se Ati Qiellor do të donte që të bëje me pyetjet ose shqetësimet e tua?
-
Si mund të ndikojë zgjedhja për të ndjekur parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në marrëdhënien tënde me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin kur dalin pyetje ose shqetësime?