Seminari
Mësimi 120 – Doktrina e Besëlidhje 107:21–100: Dëshmitarët e Veçantë të Jezu Krishtit


“Mësimi 120 – Doktrina e Besëlidhje 107:21–100: Dëshmitarët e Veçantë të Jezu Krishtit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 107:21–100”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 120: Doktrina e Besëlidhje 106–108

Doktrina e Besëlidhje 107:21–100

Dëshmitarët e Veçantë të Jezu Krishtit

një statujë e Krishtit

Ashtu siç bëri në kohët e Dhiatës së Re, Jezu Krishti ka thirrur profetë, apostuj dhe të tjerë për të udhëhequr Kishën e Tij sot dhe për të dhënë dëshmi për Të anekënd botës. Te Doktrina e Besëlidhje 107, Jezusi shpjegoi rolin e këtyre udhëheqësve të zgjedhur. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë siguri më të madhe që Apostujt janë dëshmitarë të veçantë të Jezu Krishtit.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Kisha e Jezu Krishtit

Merreni parasysh të sillni gjashtë gota në klasë dhe të ndërtoni me to një piramidë të vogël. Vendosini tre gota në fund, dy në mes dhe një në krye. Emërtojeni gotën në krye Shenjtorët dhe thuajuni nxënësve se ajo përfaqëson anëtarët e Kishës së Shpëtimtarit. Shpjegoni se në Dhiatën e Re, Jezusi e organizoi Kishën e Tij në një mënyrë që do t’i bekonte anëtarët e saj.

Lexoji vargjet vijuese. Kërkoji thirrjet që përdori Shpëtimtari për ta administruar Kishën e Tij dhe për të përkrahur shenjtorët në kohën e Tij.

  • Lluka 10:1

  • Efesianëve 2:19–20

  • 1 Timoteut 3:1–2

  • Çfarë gjete?

    Ndërsa nxënësit tregojnë, ju mund t’i emërtoni dy gotat në mes Të Shtatëdhjetët dhe Peshkopët dhe tre gotat në fund Jezu Krishti, Profetët dhe Apostujt. Shpjegoni se, megjithëqë të gjithë Apostujt konsiderohen profetë, shikues dhe zbulues, zakonisht ne e quajmë profet Apostullin më të vjetër në detyrë.

  • Përse është e rëndësishme që ne të kuptojmë se Jezu Krishti, profetët dhe apostujt janë themeli i Kishës? (shih tek Efesianëve 2:20).

    Ndihmojini nxënësit ta kuptojnë se në lashtësi, “guri i qoshes” (Efesianëve 2:20) ishte një gur i madh që vendosej në qoshen e themelit. Këndi dhe vendosja e të gjithë gurëve të tjerë llogaritej në bazë të gurit të qoshes.

  • Çfarë di ti rreth Jezu Krishtit që mund të krahasohet me një gur qosheje?

Ftojini nxënësit të mendojnë rreth bekimeve të të pasurit të këtyre udhëheqësve në Kishën e Shpëtimtarit. Nxënësit mund t’i bëjnë vetes pyetjen se çfarë po bëjnë për t’i marrë bekimet që mund të vijnë nëpërmjet atyre që Shpëtimtari i ka vendosur në këto pozicione.

Nxitini nxënësit të ftojnë ndikimin e Frymës së Shenjtë ndërsa kërkojnë të kuptojnë rolin që luajnë udhëheqësit e Kishës në forcimin e dëshmisë së tyre për Jezu Krishtin.

Mund ta përmblidhni ose lexoni kontekstin vijues për seksionin te Doktrina e Besëlidhje 107.

Nën drejtimin e Atit të Tij, Jezu Krishti e ka organizuar Kishën e Tij të rivendosur në kohën tonë mbi të njëjtin themel ku e organizoi gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri (shih te Nenet e Besimit 1:6). Zoti filloi t’ia zbulonte strukturën organizative Profetit Jozef Smith dhe vazhdon ta zbulojë atë sot. Deri në vitin 1835, Shpëtimtari kishte thirrur një Presidencë të Parë, Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, Të Shtatëdhjetët, peshkopët dhe drejtues të tjerë të priftërisë për t’u shërbyer shenjtorëve dhe për të administruar Kishën e Tij mbi tokë. Doktrina e Besëlidhje 107 përvijon disa nga përgjegjësitë që Shpëtimtari ua ka dhënë atyre që janë thirrur në këto pozicione.

Përgjegjësitë e udhëheqësve të zgjedhur të Zotit

Merreni parasysh ta shkruani secilën prej thirrjeve vijuese në copa letre të veçanta dhe t’i vendosni ato rreth dhomës. Ju mund t’u caktoni nxënësve të mblidhen në grupe për të studiuar thirrje të veçanta, ose mund t’i lejoni ata të shkojnë te thirrja që do të donin ta studionin.

Sigurohuni që të lini kohë të mjaftueshme për pjesën e fundit të mësimit.

Studioji fragmentet vijuese, duke kërkuar mënyrën se si Jezu Krishti i përdor ata që Ai i vendos në këto thirrje, për të përkrahur shenjtorët në Kishën e Tij:

Kur grupet ta kenë mbaruar studimin, ftojini ata t’ia tregojnë klasës se çfarë mësuan.

  • Si të ka bekuar Shpëtimtari nëpërmjet atyre që i mbajnë këto thirrje?

  • Cilat janë disa gjëra që mund t’i bëjmë për t’i përkrahur ata që i mbajnë këto thirrje të shenjta? (shih te Doktrina e Besëlidhje 107:22).

Dëshmitarët e veçantë të Jezu Krishtit

Kur grupet të kenë mbaruar së treguari, nxitini nxënësit t’i theksojnë fjalët ose frazat në vargun 23 që japin mësimin se Jezu Krishti thërret Apostuj për të dhënë dëshmi të veçantë për Të anekënd botës.

  • Në ç’mënyra japin dëshmi për Krishtin Apostujt anembanë botës në kohën tonë?

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se çfarë do të thotë “dëshmitarët e veçantë të emrit të Krishtit” (vargu 23).

Plaku Dejvid A. Bednar

“Roli i një Apostulli sot është i njëjtë siç ishte në lashtësi (shih te Veprat e Apostujve 1:22; 4:33). Porosia për ne është që të shkojmë në gjithë botën dhe të shpallim ‘Jezu Krishti[n], edhe atë të kryqëzuar’ (shih te Marku 16:15; 1 Korintasve 2:2). Një Apostull është një misionar dhe dëshmitar i veçantë i emrit të Krishtit. ‘Emri i Krishtit’ i referohet tërësisë së misionit, vdekjes dhe ringjalljes së Shpëtimtarit – autoritetit të Tij, doktrinës së Tij dhe cilësive të Tij unike si Biri i Perëndisë për të qenë Shëlbuesi ynë dhe Shpëtimtari ynë. Si dëshmitarë të veçantë të emrit të Krishtit, ne japim dëshmi për realitetin, hyjninë dhe ringjalljen e Jezu Krishtit, Shlyerjen e Tij të pafundme dhe të përjetshme dhe ungjillin e Tij.” (David A. Bednar, “Special Witnesses of the Name of Christ”, Religious Educator: Perspectives on the Restored Gospel, vëll. 12, nr. 2 [2011], f. 1)

  • Si mendon, përse Jezu Krishti ka dhënë Apostuj të gjallë si dëshmitarët e Tij të veçantë krahas dëshmitarëve të Tij në shkrimet e shenjta?

Merreni parasysh të shihni një material filmik të një Apostulli që jep dëshmi të veçantë për Jezu Krishtin, të tillë si “Neil L. Andersen: Special Witness of Christ” [“Nil L. Andersen: Dëshmitar i Veçantë i Krishtit”] (5:24; shikojeni nga kodi kohor 4:15 deri në 5:24). Ftojini nxënësit t’i kushtojnë vëmendje mënyrës se si ndihen ndërsa e dëgjojnë dëshminë e tij.

5:25

Nëse është e nevojshme për veprimtarinë vijuese, merreni parasysh t’u jepni nxënësve fjalimet e konferencës së përgjithshme më të fundit ose thënie të tjera të fundit nga Apostujt.

Kërko në fjalimet e konferencës së fundit ose në thënie të tjera të fundit për shembuj të Apostujve që japin dëshminë e tyre të veçantë për Jezu Krishtin. Ndërsa e bën, merre parasysh të përgjigjesh për një ose më shumë prej pyetjeve vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Si ndikojnë dëshmitë e veçanta të këtyre Apostujve në ndjenjat e tua ndaj Jezu Krishtit?

  • Cila është një gjë që tregoi një Apostull rreth Jezu Krishtit, që edhe ti e beson se është e vërtetë? Si e ke mësuar vetë atë të vërtetë?

  • Cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë gjatë gjithë jetës sonë, që të vazhdojmë të mësojmë nga dëshmitë e veçanta të Apostujve për Jezu Krishtin?

Ftojini disa nxënës ta tregojnë atë që studiuan së bashku me pikëpamjet që mund të kenë shkruar.

Nxitini nxënësit të vazhdojnë t’i përdorin dëshmitë e veçanta të Apostujve për Jezu Krishtin për ta forcuar besimin e tyre në Të. Për shembull, ju mund të sugjeroni që nxënësit të studiojnë një bisedë të konferencës së përgjithshme çdo javë, t’i ndjekin Apostujt në median shoqërore, ose të përqendrohen veçanërisht në dëshmitë dhe mësimet e Apostujve rreth Jezu Krishtit në konferencën e përgjithshme të ardhshme.