Seminari
Mësimi 97 – Ushtrimi 6 i Zotërimit Doktrinor: Të Kuptuarit e Doktrinës dhe Marrja e Njohurisë Shpirtërore


“Mësimi 97 – Ushtrimi 6 i Zotërimit Doktrinor: Të Kuptuarit e Doktrinës dhe Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Ushtrimi 6 i Zotërimit Doktrinor”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 97: Doktrina e Besëlidhje 84

Ushtrimi 6 i Zotërimit Doktrinor

Të Kuptuarit e Doktrinës dhe Marrja e Njohurisë Shpirtërore

një e re duke shenjuar shkrimet e shenjta

Zotërimi doktrinor mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndërtojnë themelin për jetën e tyre mbi Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i kuptojnë të vërtetat që jepen mësim te fragmentet e zotërimit doktrinor, dhe mund t’i ndihmojë ata t’i mësojnë dhe zbatojnë parimet hyjnore për marrjen e njohurisë shpirtërore.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit ta pyesin një pjesëtar më të madh në moshë të familjes ose një udhëheqës të Kishës se përse zgjodhi të qëndronte aktiv në Kishë dhe të ishte besnik ndaj ungjillit të Jezu Krishtit.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Përsëritja e zotërimit doktrinor: Kupto

Për t’i ndihmuar nxënësit të njihen me fragmentet e zotërimit doktrinor për seksionet e mbetura të librit Doktrina e Besëlidhje, merrni parasysh t’u jepni atyre disa minuta për t’i shenjuar këto fragmente në shkrimet e tyre të shenjta në një mënyrë të dallueshme. Nxënësit mund t’i gjejnë listën e referencave të zotërimit doktrinor dhe frazat kyç të shkrimit të shenjtë te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023).

Ju mund t’i ftoni më pas nxënësit që të bëjnë veprimtarinë vijuese në grupe të vogla për ta rritur kuptueshmërinë e tyre për doktrinën që jepet mësim në këto fragmente. Sigurohuni që shenjimi i shkrimeve të shenjta dhe kryerja e kësaj veprimtarie të zgjatë vetëm 10 deri në 15 minuta. Kjo do të lejojë kohë të mjaftueshme që nxënësit ta ushtrojnë zbatimin e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore më vonë në mësim.

Bëj një listë të vështirësive të zakonshme me të cilat përballen adoleshentët në jetën e tyre të përditshme.

Kërko te Doktrina e Besëlidhje fragmente të zotërimit doktrinor që mund të ndihmojë në ato situata. Lexoji fragmentet që zgjodhe, dhe përgatitu për t’ia dhënë klasës përgjigjet e tua për pyetjet vijuese:

  • Si do ta shpjegoje me fjalët e tua atë që japin mësim këto fragmente?

  • Si mund t’i ndihmojnë mësimet e Jezu Krishtit në këto fragmente adoleshentët me vështirësitë e zakonshme që rendite?

Mësoji dhe zbatoji parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore

Përpara se ta paraqitni situatën vijuese, mund të jetë e dobishme për nxënësit t’i përsëritin shpejt parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. (Veprimtaritë e sugjeruara të përsëritjes përfshihen te “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor” në shtojcën e këtij manuali.)

Një mënyrë për përsëritjen është ta shkruani secilin parim në tabelë si një titull të veçantë me hapësirë nën të për të shkruar. Ftoni numra afërsisht të barabartë nxënësish t’i përsëritin parimet e ndryshme të marrjes së njohurisë shpirtërore nga paragrafët 5–12 te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023). Më pas ftoni në tabelë tre vullnetarë, një për secilin parim. Kërkojuni atyre të shkruajnë nën titullin përkatës një frazë ose koncept të rëndësishëm nga paragrafët që përsëritën. Këto fraza ose koncepte do të përdoren më vonë në mësim.

Lexoje skenarin vijues dhe mendo se si parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore mund të ndihmojnë:

Krisi ndihet i pështjelluar. Motra e tij më e madhe, që është e martuar, i tha atij kohët e fundit se është larguar nga Kisha dhe nuk dëshiron më të jetë anëtare. Krisi ka pjesëtarë të tjerë të familjes dhe miq që dikur ishin të fortë në ungjill, por nuk e frekuentojnë më kishën rregullisht. Ata janë njerëz të mrekullueshëm dhe duken të lumtur dhe të suksesshëm në jetën e tyre. Krisi ka planifikuar gjithmonë që të qëndrojë aktiv në Kishë, por fillon të vrasë mendjen nëse të qëndruarit aktiv në Kishë gjatë gjithë jetës së tij do të ketë vërtet rëndësi.

Ftojini nxënësit të formojnë grupe me nga tri veta, nëse është e mundur, me nxënës që i përsëritën parimet e ndryshme të marrjes së njohurisë shpirtërore. Kërkojuni grupeve të diskutojnë se si secila nga frazat ose konceptet në tabelë mund të jetë e dobishme për Krisin.

Në bazë të kohës, ju mund ta përsëritni shumë herë veprimtarinë e mëparshme duke ftuar vullnetarë të tjerë të shkruajnë fraza ose koncepte të ndryshme në tabelë nën secilin parim. Për më shumë larmishmëri, gjatë çdo radhe, nxënësit mund të formojnë grupe të ndryshme me tri veta për të diskutuar frazat ose konceptet e reja në tabelë.

Për ta përmbyllur këtë veprimtari, nxënësit mund të formojnë grupe të reja edhe një herë për të diskutuar sa vijon:

  • Cilat fragmente të zotërimit doktrinor te Doktrina e Besëlidhje mund ta ndihmonin Krisin ta kuptonte më mirë atë që u ofron Jezu Krishti atyre që qëndrojnë besnikë ndaj Kishës së Tij?

  • Cilat fragmente të zotërimit doktrinor nga librat e tjerë të shkrimit të shenjtë mund ta ndihmojnë atë gjithashtu?

Pasi nxënësit të kenë pasur kohë për të kërkuar dhe diskutuar në grupet e tyre, ftojini ata t’i tregojnë klasës se cilat fragmente e ndien se do të ishin më të dobishme dhe përse. Nxitni grupe të shumta që të flasin. (Disa fragmente që mund t’i zgjedhin nxënësit, përfshijnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 1:30; 84:20–22; Helamani 5:12; Jozueut 24:15; Isaia 58:13–14; Lluka 22:19–20; Efesianëve 2:19–20.)

Ju mund ta përmbyllni mësimin duke u kërkuar nxënësve t’u përgjigjen disa ose të gjitha nxitjeve në vijim në ditarët e tyre të studimit:

Nga një këndvështrim i përjetshëm, Ati Qiellor dëshiron që unë të qëndroj besnik/e ndaj Jezu Krishtit dhe aktiv/e në Kishën e Tij sepse .

Një fragment i shkrimit të shenjtë që më ndihmon të dua të qëndroj besnik/e ndaj Jezu Krishtit dhe aktiv/e në Kishën e Tij është, .

Një gjë që mund të bëj për të qëndruar besnik/e ndaj Jezu Krishtit dhe aktiv/e në Kishën e Tij gjatë gjithë jetës sime, është .