“Mësimi 96 – Doktrina e Besëlidhje 84:49–102: ‘Gjithë Botës, Çdo Krijese’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 84:49–102”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 96: Doktrina e Besëlidhje 84
Doktrina e Besëlidhje 84:49–102
“Gjithë Botës, Çdo Krijese”
Në vjeshtën e vitit 1832, misionarët, duke përfshirë Xhered Karterin dhe Stivën Burnetin, filluan të ktheheshin në Kirtland, Ohajo, pas predikimit të ungjillit të Jezu Krishtit. Ishte një kohë e gëzueshme ndërsa pleqtë sollën raporte të shërbimit ndaj Zotit në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara. Shumë veta shpejt do të pranonin thirrje të tjera për të vazhduar shërbimin. Në kohën tonë, edhe ne mund t’i shërbejmë Zotit duke e shpërndarë ungjillin e Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndiejnë dëshirën si e Krishtit për t’ia shpërndarë ungjillin kujtdo në botë.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit ta pyesin dikë rreth bekimeve të pranimit të Zotit Jezu Krisht dhe ungjillit të Tij të rivendosur. Nëse është e mundur, ftojini ata ta pyesin dikë që u pagëzua pasi mori mësimet nga misionarët.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
E gjithë bota
Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë se sa fëmijë të Perëndisë janë në tokë dhe në nevojë për ungjillin e Tij, ju mund ta filloni orën mësimore duke paraqitur një hartë të botës. Merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve të përmendin sa më shumë vende që ju vijnë në mendje në një minutë, ose mund t’i ftoni ata të tregojnë në hartë disa vende. Nxënësit mund të kërkojnë gjithashtu popullsinë e vendit tuaj ose të botës.
Kaloni tek të folurit rreth ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit nëpër botë. Ju mund të bëni pyetje si këto:
-
Ku janë duke shërbyer misionarët nëpër botë? Ku nuk janë ata?
-
Si krahasohet anëtarësia mbarëbotërore e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme me popullsinë e përgjithshme të botës? Si krahasohet anëtarësia e Kishës në zonën tënde me popullsinë e përgjithshme në zonën tënde?
Ju mund t’u kërkoni nxënësve të përsiatin për të mirën që mund të bëjnë duke zgjedhur të shërbejnë në një mision. Lexojeni thënien vijuese dhe ftojini nxënësit që t’i shprehin mendimet ose ndjenjat e tyre.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim sa vijon:
“Të gjithë e meritojnë mundësinë që të dinë për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Çdo njeri meriton të dijë se ku mund ta gjejë shpresën dhe paqen që ‘ia tejkalon çdo zgjuarsie’ [Filipianëve 4:7].” (Rasëll M. Nelson, “Predikimi i Ungjillit të Paqes”, Liahona, maj 2022, f. 7)
Kërkojuni nxënësve të shkruajnë disa mendime në përgjigje të nxitjes vijuese:
Ndalu një çast për të përsiatur se si ndihet Perëndia për të gjithë fëmijët e Tij nëpër botë. Çfarë po humbasin shumë njerëz duke mos pasur dijeni rreth Jezu Krishtit dhe Kishës së Tij të rivendosur? Çfarë di ti dhe çfarë bekimesh ke përjetuar që mund të sjellin një ndryshim në jetën e njerëzve të tjerë?
Kushtet e botës
Shtatori i vitit 1832 ishte një kohë gëzimi në Kirtland ndërsa misionarët u kthyen nga misionet e shërbimit dhe raportuan për përvojat e tyre në shtetet lindore të Amerikës. Gjatë kësaj kohe, Jozef Smithi mori udhëzime nga Zoti. Disa nga këto udhëzime trajtuan gjendjen dhe nevojat e botës.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 84:49–53, duke kërkuar fjalët dhe frazat që përdori Zoti për të përshkruar atë që po përjetonin njerëzit në botë.
Ftojini nxënësit t’i tregojnë fjalët dhe frazat që gjetën, dhe atë që mendojnë se nënkuptojnë ato. Me gjasë, do të vënë në dukje një temë për mëkatin dhe skllavërinë. Nxënësit mund të vënë re gjithashtu se njerëzit ishin në errësirë dhe rënkonin për shkak të këtyre kushteve. Kjo do të thotë se ata ndiheshin të dëshpëruar, të trishtuar dhe në dhembje. Nxënësit mund të tregojnë se si e kanë parë që mëkati shkakton dhembje dhe hidhërim dhe çon në skllavëri. Këshillojini nxënësit të mos japin hollësi që mund të tregojnë mungesë respekti ndaj privatësisë së dikujt.
Zoti vuri në dukje se edhe anëtarët e Kishës së Tij po përjetonin një shkallë errësire dhe dënimi në atë kohë.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 84:54–57 për të parë se çfarë po e shkaktonte errësirën dhe dënimin për anëtarët e Kishës.
-
Çfarë gjete?
-
Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje rreth rëndësisë së Librit të Mormonit dhe zbulesave te Doktrina e Besëlidhje?
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se si ndihen Jezu Krishti dhe dishepujt e Tij kur shohin njerëz që vuajnë në mëkat dhe errësirë. Ata mund të studiojnë një ose dy prej fragmenteve vijuese individualisht ose në grupe të vogla.
-
Moisiu 7:26, 28, 41 (vegimi i Enokut)
-
Mosia 28:3 (bijtë e Mosias)
-
Alma 31:2 (Alma i Riu)
-
3 Nefi 17:14 (Jezu Krishti)
-
Cilat fjalë të ndihmojnë t’i kuptosh ndjenjat e Shpëtimtarit për njerëzit në mëkat dhe në errësirë? Mendo se si mund të jetë të mundohesh nga mëkati dhe errësira.
-
Si mund të jetë e dobishme të kuptuarit e ndjenjave të Zotit?
-
Si mendon se Libri i Mormonit mund ta ndihmojë dikë ta kapërcejë errësirën shpirtërore?
Zëri i Shpëtimtarit
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 84:60–62, duke kërkuar atë që Jezu Krishti i drejtoi këta burra që të bënin. Mund të jetë e dobishme të dish se “këto gjëra” te vargu 60 dhe “ato gjëra” te vargu 61 i referohen asaj që zbuloi Zoti në seksionin 84, që përfshin të kujtuarit e Librit të Mormonit.
-
Çfarë i drejtoi Jezusi ata që të bënin?
-
Çfarë bekimesh do të merrnin ata duke iu bindur drejtimit të Tij?
Lejojini nxënësit ta tregojnë atë që mësuan. Një e vërtetë që ata mund të përcaktojnë, është se Jezu Krishti dëshiron që ne ta shpërndajmë Librin e Mormonit dhe t’ua japim dëshmitë tona të gjithë fëmijëve të Perëndisë nëpër botë.
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se përse Jezu Krishti dëshiron që ne ta shpërndajmë ungjillin e Tij tek të gjithë njerëzit. Ju mund të filloni duke i ndihmuar nxënësit t’i zbulojnë bekimet që dëshiron Zoti që të gjithë t’i kenë. Veprimtaria vijuese mund të jetë një mënyrë e kënaqshme për nxënësit për të punuar me një partner ndërsa studiojnë më shumë nga seksioni te Doktrina e Besëlidhje 84.
Paraqitini udhëzimet vijuese dhe ndihmojini nxënësit t’i ndjekin ato. Për hapin 2, ju mund të përzgjidhni paraprakisht misione të caktuara nga të cilët nxënësit të zgjedhin.
-
Zgjidh dikë si “shok/shoqe misioni” me të cilin/ën të punosh për pjesën e mbetur të mësimit.
-
Zgjidh një mision në botë ku do të doje të shërbeje. (Nëse njerëzit flasin një gjuhë të ndryshme në misionin që zgjodhe, shih nëse mund të mësosh shpejt ta përshëndetësh shokun/shoqen tënde në atë gjuhë.)
-
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 84:64–73 dhe bëj një listë të bekimeve që Jezu Krishti dëshiron t’ua japë të gjithë atyre që e pranojnë Atë dhe ungjillin e Tij.
-
Diskuto se si secili nga bekimet që rendite, mund ta ndihmojë dikë ta kapërcejë errësirën dhe skllavërinë e mëkatit.
Jepuni nxënësve një mundësi për të treguar bekimet e mëdha që vijnë nga ndjekja e Jezu Krishtit. Përveç se të bëni një pyetje si ajo në vijim, ju mund të shfaqni materialin filmik “A Change of Heart” [“Një Ndryshim i Zemrës”] (4:39).
-
Nëse do të mund t’i tregoje diçka rreth Jezu Krishtit dikujt i cili nuk e njeh apo ndjek Atë, cila do të ishte?
Miqtë e Shpëtimtarit
Ndalu një çast për të përsiatur se përse kaq shumë të reja dhe të rinj e kanë pranuar me gatishmëri një thirrje nga Zoti për të qenë një misionar/e me shërbim ose predikues.
Ndërkohë që nxënësit përsitatin, ju mund t’u kërkoni atyre të tregojnë se kë njohin që kohët e fundit ka marrë një thirrje nga Zoti për të shërbyer. Nëse është në dispozicion, ju mund të paraqitni një publikim në mediat shoqërore të dikujt që njofton për thirrjen e tij të misionit familjen ose miqtë. Ndihmojini nxënësit të shohin gëzimin që mund t’u vijë atyre që dëshirojnë t’i shërbejnë Zotit.
-
Cilat janë disa gjëra që mund të jenë të vështira ose të frikshme rreth shërbimit ndaj Zotit si misionar?
Merreni parasysh tʼi ftoni nxënësit që tʼi lexojnë vargjet vijuese me “shokun/shoqen e tyre të misionit”. Ju mund t’i ftoni ata të zgjedhin dy ose tre nga mësimet e Shpëtimtarit që u japin vetëbesim atyre që dëshirojnë ta shpërndajnë ungjillin tek të tjerët. Dyshet mund t’ua tregojnë më pas atë që mësuan, dysheve të tjera të nxënësve në klasë.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 84:77–88, duke kërkuar fjalët nxitëse të Zotit për ata që mund të jenë në ankth rreth pranimit të një thirrjeje për t’i shërbyer Atij.
Ju mund të jepni gjithashtu fjalë nxitëse nga udhëheqësit e Kishës. (Shihni te “Burime Shtesë”.)
-
Cilat nga fjalët e Zotit të bënë përshtypje?
-
Nga ajo që mësove sot, pse mendon se Jezu Krishti do t’i konsideronte ata që e predikojnë ungjillin e Tij, si miqtë e Tij? (Shih vargun 77.)
-
Çfarë ke mësuar sot që të ndihmon ta kuptosh më mirë se si ndihet Zoti rreth kujtdo në botë? Çfarë veprimesh mund të të nxitë Fryma e Shenjtë të ndërmarrësh për shkak të asaj që mësove?