Seminari
Mësimi 95 – Doktrina e Besëlidhje 84:33–44: Betimi dhe Besëlidhja e Priftërisë


“Mësimi 95 – Doktrina e Besëlidhje 84:33–44: Betimi dhe Besëlidhja e Priftërisë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 84:33–44”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 95: Doktrina e Besëlidhje 84

Doktrina e Besëlidhje 84:33–44

Betimi dhe Besëlidhja e Priftërisë

zonjushë duke marrë një bekim priftërie

Te Doktrina e Besëlidhje 84:20, Shpëtimtari zbuloi se “në ordinancat [e priftërisë], fuqia e perëndishmërisë manifestohet”. Kjo fuqi e priftërisë është në dispozicion të të gjithë anëtarëve të Kishës që i lidhin dhe i mbajnë besëlidhjet e pagëzimit dhe të tempullit. Te Doktrina e Besëlidhje 84:33–44, Shpëtimtari dha mësim një betim dhe besëlidhje që e drejtojnë përdorimin e fuqisë së Tij të priftërisë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit që ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për betimin dhe besëlidhjen e priftërisë.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë rreth mënyrës se si janë bekuar duke bërë dhe mbajtur besëlidhje me Perëndinë. Kërkojuni atyre të përgatiten për të treguar se si përpjekja e fortë për t’i mbajtur besëlidhjet e tyre e ka rritur fuqinë e Perëndisë në jetën e tyre.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ati Qiellor i bekon mbajtësit e besëlidhjeve me fuqinë e Tij

Ju mund ta filloni orën mësimore duke vizatuar një shteg në tabelë që përfaqëson shtegun e besëlidhjeve. Mund ta emërtoni fillimin e shtegut “lindja” dhe fundin “jeta e përjetshme me Atin Qiellor”. Ftojini nxënësit të vijnë në tabelë dhe t’i emërtojnë besëlidhjet që bëjmë përgjatë shtegut nëpër ordinancat si pagëzimi, konfirmimi, shugurimi në priftëri për burrat, dhurimi dhe vulosja.

Nëse nxënësve u nevojitet ndihmë për të kuptuar se besëlidhjet me Perëndinë janë premtime dypalëshe, merreni parasysh të diskutoni pyetje si ato në vijim përpara se të lexoni thënien e mëposhtme nga Presidenti Rasëll M. Nelson:

  • Cilat janë disa nga premtimet që i bëjmë Atit Qiellor kur e pranojmë ordinancën e pagëzimit? (Shih te Mosia 18:8–10 dhe Doktrina e Besëlidhje 20:77–79.)

  • Çfarë na premton Ati Qiellor kur ne përpiqemi fort t’i bindemi kësaj besëlidhjeje?

Studioje thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson, duke kërkuar një bekim që Ati Qiellor ua jep atyre që i bëjnë dhe i mbajnë besëlidhjet me Të.

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Çdo person që bën besëlidhje në vaskat e pagëzimit dhe në tempuj dhe i mban ato, ka qasje më të madhe te fuqia e Jezu Krishtit. Ju lutem, përsiateni atë të vërtetë mahnitëse!

Shpërblimi për mbajtjen e besëlidhjeve me Perëndinë është fuqi qiellore, fuqi që na forcon t’u bëjmë ballë më mirë sprovave, tundimeve dhe pikëllimeve tona. Kjo fuqi na e lehtëson udhën. Ata që i jetojnë ligjet më të larta të Jezu Krishtit, kanë qasje te fuqia e Tij më e lartë.” (Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Liahona, nëntor 2022, f. 96)

  • Përse janë bekimet e besëlidhjes që përshkroi Presidenti Nelson, të nevojshme përgjatë shtegut tonë për t’u kthyer tek Ati Qiellor?

Betimi dhe besëlidhja e priftërisë

Te Doktrina e Besëlidhje 84, Jezu Krishti i dha “një zbulesë për priftërinë” Jozef Smithit (shih te kreu i seksionit). Si pjesë e kësaj zbulese, Ai përshkroi “betimi[n] dhe besëlidhje[n]” (vargjet 39–40) e priftërisë. (Një betim është një premtim solemn.)

Në ditarin tënd të studimit, shkruaj “Betimi dhe Besëlidhja e Priftërisë” në krye të një faqeje. Bëj dy kolona nën këtë titull. Emërtoje njërën kolonë “Premtimet e Atit Qiellor” dhe tjetrën “Premtimet tona”.

Nxënësit mund ta plotësojnë veprimtarinë e studimit më poshtë individualisht. Ata mund të tregojnë më pas në grupe të vogla atë që gjetën.

Përndryshe, ju mund t’i vendosni nxënësit në dyshe, ku njëri partner kërkon premtimet e Atit Qiellor dhe tjetri kërkon premtimet tona. Më pas, ata mund t’ia thonë njëri-tjetrit dhe ta shënojnë atë që diskutojnë, në ditarin e tyre të studimit.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 84:33–44. Merre parasysh t’i shenjosh në një mënyrë premtimet që Ati Qiellor na fton të bëjmë dhe t’i shenjosh në mënyrë të ndryshme bekimet që Ai ua ofron atyre që i mbajnë besëlidhjet e tyre. Shkruaje atë që gjen në kolonat përkatëse në ditarin tënd të studimit.

Kjo do të ishte koha e duhur për t’i vënë nxënësit të ushtrojnë përcaktimin e parimeve. Ata mund të përcaktojnë një sërë parimesh. Mund t’i vini ata t’i përcaktojnë parimet duke përdorur thënie që fillojnë me atë që ne premtojmë të bëjmë dhe përfundojnë me atë që premton Perëndia të bëjë. Për shembull, nxënësit mund të gjejnë parimet vijuese:

  • Nëse i lartësojmë thirrjet dhe përgjegjësitë tona në Kishë, Perëndia do të na shenjtërojë me anë të Shpirtit të Tij dhe do t’i ripërtërijë trupat tanë.

  • Nëse i fitojmë me besnikëri Priftërinë Aarone dhe Melkizedeke dhe i pranojmë shërbëtorët e zgjedhur të Perëndisë, Ati Qiellor do të na bekojë me gjithçka që Ai ka.

Jepuni kohë nxënësve për të mësuar me lutje rreth premtimeve për të cilat janë më shumë të interesuar t’i kuptojnë më mirë. Nxënësit mund të punojnë në grupe të vogla me nxënësit e tjerë që zgjedhin t’i studiojnë të njëjtat premtime, ose ata mund të studiojnë individualisht.

ikona e fletushkës Fletushka jep burime të studimit që mund t’i ndihmojnë nxënësit t’i kuptojnë më mirë disa nga premtimet në betimin dhe besëlidhjen e priftërisë. Ju mund t’ua jepni nxënësve këtë fletushkë nëse dëshironi.

Nëse nxënësit janë të interesuar në studimin e një fraze që nuk përfshihet në fletushkë, ftojini ata të mësojnë gjithçka që munden duke bërë kërkim për temën ose temat e tyre të zgjedhura në burime si këto:

Thellojeni Kuptueshmërinë Tuaj për Betimin dhe Besëlidhjen e Priftërisë

Shenjtëruar me anë të Shpirtit në ripërtëritjen e trupit (shihni vargun 33)

Duke folur për premtimin e Atit Qiellor, Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, shpjegoi:

Presidenti Henri B. Ajring

“Unë e kam parë këtë premtim të përmbushet në jetën time dhe në jetën e të tjerëve. Një miku im shërbeu si president misioni. Ai më tregoi se në fund të çdo dite kur shërbente, ai me vështirësi mund t’u ngjitej shkallëve për në krevat në darkë duke menduar a do të kishte fuqi për të përballuar një ditë tjetër. Pastaj në mëngjes, ai i gjente forcën dhe kuraj[ë]n e tij të rivendosura. Ju keni parë në jetën e profetëve të moshuar që dukeshin të përtërirë sa herë që qëndronin për të dëshmuar për Zotin Jezu Krishti dhe për ungjillin e rivendosur. Ai është një premtim për ata që shkojnë përpara me besim në shërbimin e tyre priftëror.” (Henri B. Ajring, “Besimi dhe Betimi e Besëlidhja e Priftërisë”, Liahona, maj 2008, f. 62)

Jini besnikë në marrjen e Priftërisë Aarone dhe Melkizedeke (shihni vargun 33)

Të jesh besnik në “marrjen e këtyre dy priftërive” (Doktrina e Besëlidhje 84:33) përfshin marrjen e fuqisë dhe bekimeve që vijnë nga pranimi i ordinancave të Priftërisë Aarone dhe Melkizedeke dhe mbajtjen me besnikëri të besëlidhjeve që lidhen me to. Profeti Jozef Smith dha mësim se një person e merr plotësinë e priftërisë “nga mbajtja e gjithë urdhërimeve e duke iu bindur gjithë ordinancave të shtëpisë së Zotit” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 447).

Për burrat, kjo përfshin gjithashtu dhënien e priftërisë dhe të qenit të shuguruar në detyrat e priftërisë.

Lartësojmë thirrjet tona (vargu 33)

Doktrina e Besëlidhje 58:27–28; 107:99–100

Mundësi për t’i marrë thirrjet dhe për të marrë pjesë në punën e Zotit për shpëtimin

Presidenti M. Rasëll Ballard [1928–2023], i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Presidenti M. Rasëll Ballard

“Ndërsa punojmë që të lartësojmë thirrjet tona, ne duhet të kërkojmë frymëzimin e Shpirtit për t’i zgjedhur problemet në mënyra që do t’i ndihmojnë sa më mirë njerëzit të cilëve u shërbejmë. Ne kemi manualet e udhëzimeve dhe [orientimet] e tyre duhen ndjekur. Por [në atë kuadër ka] mundësi [konkrete] për të menduar, krijuar dhe përdorur talentet individuale. Udhëzimi për t’i lartësuar thirrjet tona nuk është një urdhër për t’i zbukuruar dhe ndërlikuar ato. Të [sjellësh risi] nuk do të thotë domosdoshmërish të zgjerosh; shumë shpesh do të thotë të thjeshtësosh.” (M. Rasëll Ballard, “O, Jini të Urtë”, Liahona, nëntor 2006, f. 19; Konferenca e Pergjithshme, tetor 2006, f. 23)

Gjithçka që Ati Qiellor ka (shihni vargun 38)

Doktrina e Besëlidhje 76:55–60; 81:6

Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi:

Plaku Ronald A. Rasband

“Të dimë se kemi një Atë në Qiell dhe se Jezu Krishti është Biri i Tij i Vetëmlindur do të thotë se po shohim më tutje në shtegun e besëlidhjeve sesa thjesht aty ku qëndrojmë sot. Kjo do të thotë se ne e vlerësojmë që jemi trashëgimtarë të gjithçkaje që Ati ka; mbretëri të panumërta janë mbretëria e Tij dhe mund të jenë tonat. Shpëtimtari ka premtuar: ‘Dhe nëse je besnik deri në fund, ti do të kesh një kurorë pavdekësie dhe jete të përjetshme në banesat që unë kam përgatitur në shtëpinë e Atit tim’.” (Ronald A. Rasband, “The Divine Destiny of His Daughters” [Konferenca e Grave e UBJ‑së, 30 prill 2021], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org)

Pas një kohe të përshtatshme për të studiuar, ftojini nxënësit t’ia tregojnë një partneri ose grupi të vogël atë që mësuan. Mund të përdorni nxitje si ato në vijim për të ndihmuar në udhërrëfimin e diskutimit:

  • Përse do të ishte i rëndësishëm për ty ky bekim sot?

  • Çfarë të mëson ky bekim rreth Atit Qiellor?

Trego një shembull (nga shkrimet e shenjta ose jeta jote) të dikujt që e ke parë ta demonstrojë mbajtjen e premtimit që përzgjodhe.

Për ta përmbyllur orën mësimore, ju mund të tregoni se si jeni bekuar nga fuqia e priftërisë ndërsa jeni përpjekur t’i mbani me besnikëri besëlidhjet që keni bërë me Atin Qiellor. Ftojini anëtarët e klasës të kërkojnë mundësi për ta përdorur fuqinë e priftërisë që Perëndia ua ka premtuar fëmijëve të Tij të besëlidhjes.