“Mësimi 86 – Doktrina e Besëlidhje 76:19–24: ‘Kjo Është Dëshmia … që Ne Japim për Të’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 76:19–24”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 86: Doktrina e Besëlidhje 76
Doktrina e Besëlidhje 76:19–24
“Kjo Është Dëshmia … që Ne Japim për Të”
Ndër vegimet e shënuara te Doktrina e Besëlidhje 76, Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni panë Vetë Jezu Krishtin. Ata mësuan se si Shpëtimtari është qendror për shpëtimin tonë dhe më pas dhanë dëshmi për Të. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë dashuri më të madhe për Jezu Krishtin dhe rolin e Tij në planin e Atit Qiellor.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Jezu Krishti është i rëndësishëm për mua
Siguroni një mundësi që nxënësit të diskutojnë përse Jezu Krishti është i rëndësishëm për ta. Mund të merrni parasysh të përdorni skenarin vijues ose mund t’i ftoni nxënësit të krijojnë një të ndryshëm.
Abi dhe Sara kanë disa orë mësimi të përbashkëta në shkollë. Një ditë për drekë, Sara e shikon Abin dhe i thotë: “Gjithë jetën time kam dëgjuar njerëz që flasin për Jezusin. Të kam dëgjuar të thuash se ke besim tek Ai. Nuk kam mësuar kurrë me të vërtetë rreth Jezusit dhe jam kureshtare. Çfarë mund të më thuash rreth Tij, ose përse është Ai i rëndësishëm për ty?”
-
Po të ishe Abi, çfarë do t’i thoshe Sarës?
Para se t’u kërkoni disa nxënësve që të përgjigjen, merreni parasysh t’u jepni atyre kohë për të reflektuar mbi atë që mund të thonë. Mund të jetë e dobishme që nxënësit të krijojnë një listë në ditarët e tyre të studimit për atë që mendojnë se duhet të dinë të gjithë njerëzit rreth Jezusit.
Mendo se si ndihesh për Jezu Krishtin dhe se sa rehat ndihesh për të folur rreth Tij me të tjerët. Ndërsa studion sot, kërko mësimet që të ndihmojnë të ndiesh më shumë dashuri për Jezu Krishtin.
Një vegim rreth Birit të Perëndisë
Mund të jetë e dobishme t’i ftoni nxënësit ta tregojnë atë që mbajnë mend për rrethanat që bënë që Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni të shihnin vegimin e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 76. Nëse është e nevojshme, kujtojuni atyre se, ndërsa Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni i përsiatën shkrimet e shenjta, Zoti “preku sytë e të kuptuarit [të tyre]” (Doktrina e Besëlidhje 76:19) dhe ata përjetuan një vegim madhështor.
Doktrina e Besëlidhje 76:22–24 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 76:1–6, 19–24, duke kërkuar atë që shpallën Jozefi dhe Sidni rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.
Nxitini nxënësit të shënojnë se çfarë zbulojnë në shkrimet e tyre të shenjta. Për shembull, ata mund të krijojnë një listë të gjetjeve të tyre në ditarët e tyre të studimit.
Përndryshe, merreni parasysh të siguroni disa tabakë të mëdhenj letre ku nxënësit mund ta shënojnë atë që mësojnë. Kur nxënësit të mbarojnë, ju mund t’i vendosni letrat në muret e klasës. Nxënësit mund të lëvizin nëpër dhomë për të lexuar atë që zbuluan të tjerët dhe më pas të vizatojnë një zemër pranë diçkaje që u pëlqen ose rreth së cilës duan të dinë më shumë. Jepuni kohë nxënësve për ta diskutuar atë që gjetën.
-
Cilat të vërteta nga këto vargje të bënë përshtypje? Përse?
Ti mund të kesh gjetur shumë të vërteta në këto vargje. Ndër to, ti mund të kesh vënë re:
-
Jezu Krishti është i mëshirshëm dhe kënaqet të na bekojë kur ne e nderojmë dhe i shërbejmë Atij (vargu 5).
-
Jezu Krishti është një qenie e gjallë, e përlëvduar (vargu 22).
-
Jezu Krishti është i Vetëmlinduri i Atit (vargu 23).
-
Nën drejtimin e Atit Qiellor, Jezu Krishti është Krijuesi i të gjitha gjërave (vargu 24).
-
Çfarë të ndihmojnë këto të vërteta të kuptosh rreth mënyrës se si Jezu Krishti mund të të ndihmojë ty dhe të tjerët?
Veprimtaritë vijuese mund t’i ndihmojnë nxënësit ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre dhe të ndiejnë rëndësinë e dy prej të vërtetave që japin mësim këto vargje. Ju mund të përzgjidhni njërën ose të dyja veprimtaritë për t’i studiuar së bashku si klasë. Ose mund t’i paraqitni udhëzimet e veprimtarisë dhe të caktoni grupe të vogla ose dyshe për ta plotësuar njërën ose të dyja veprimtaritë së bashku.
Veprimtaria A: Jezu Krishti jeton!
Nëse është e nevojshme, siguroni një kopje të shtypur të fjalëve të himnit “E Di, Jeton Shëlbuesi Im” (Himne, nr. 74) që nxënësit ta përdorin. Nëse po e bëni këtë veprimtari së bashku si klasë, mund ta këndoni himnin gjatë kësaj pjese të mësimit.
Përveçse t’i vini nxënësit ta studiojnë himnin te hapi 3, mund t’i ftoni gjithashtu të gjejnë shkrime të shenjta ose thënie nga udhëheqësit e Kishës që përshkruajnë atë që Shpëtimtari mund të bëjë për ne për shkak se Ai jeton. Shembujt e shkrimeve të shenjta që mund të sugjeroni përfshijnë vargjet te Gjoni 6:40; Filipianëve 4:13; Doktrina e Besëlidhje 58:42; 84:88.
Merreni parasysh gjithashtu të përdorni njërën nga materialet filmike nën kreun “Materiale filmike shtesë: Ai jeton!” te “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit”.
-
Merre parasysh t’i shenjosh fjalët “ai jeton!” te vargu 22 në një mënyrë që i bën ato të dallohen qartë në shkrimet e tua të shenjta.
-
Shkruaje frazën Për shkak se Jezu Krishti jeton … në ditarin tënd të studimit.
-
Lexoji fjalët e himnit “E Di, Jeton Shëlbuesi Im” (Himne, nr. 74), duke kërkuar shembuj të mënyrës se si Jezu Krishti mund të të ndihmojë për shkak se Ai jeton.
-
Shkruaj të paktën pesë mënyra se si mund ta përfundosh atë frazë, të cilat janë më të rëndësishmet për ty.
Veprimtaria B: Jezu Krishti është Krijuesi i të gjitha gjërave
Për t’i ndihmuar nxënësit të përgatiten më mirë për t’u përgjigjur për hapin 4, merreni parasysh të tregoni thënien nga Presidenti Bojd K. Paker te pjesa “Burime Shtesë”.
-
Merre parasysh ta shenjosh frazën “nëpërmjet tij dhe prej tij, dhe përmes tij, botët janë e u krijuan” (vargu 24) në një mënyrë që e bën këtë frazë të dallohet qartë në shkrimet e tua të shenjta.
-
Gjej shkrime të shenjta ose thënie nga udhëheqësit e Kishës që e thellojnë kuptueshmërinë tënde për rolin e Jezu Krishtit si Krijuesi. Shembuj të shkrimeve të shenjta që mund t’i studiosh, përfshijnë vargjet te Gjoni 1:1–3; 3 Nefi 9:15; Doktrina e Besëlidhje 93:9–10; Moisiu 1:33; 7:30.
-
Diskutoji disa nga krijimet e Shpëtimtarit që të ndihmojnë ta ndiesh dashurinë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Shpjegoje përse.
-
Shkruaj të paktën tri mënyra që ti e ndien se Jezu Krishti mund të të ndihmojë për shkak se Ai është Krijuesi i të gjitha gjërave.
Kur nxënësit ta kenë përfunduar veprimtarinë ose veprimtaritë, lërini ata ta tregojnë atë që kanë mësuar dhe ndier. Sigurohuni që t’i ftoni ata ta tregojnë atë që mësuan rreth mënyrës se si Jezu Krishti mund t’i ndihmojë ata për shkak se Ai jeton dhe për shkak se Ai është Krijuesi. Nxënësit mund t’i tregojnë idetë e tyre që nga karrigia, ose mund t’i ftoni nxënësit e gatshëm të vijnë përpara klasës për t’i dhënë dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin.
Mësoni Përmendsh
Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni nxënësit t’i mësojnë përmendsh gjatë këtij mësimi referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë është “Nëpërmjet [Jezu Krishtit] botët janë e u krijuan”. Idetë për veprimtaritë me mësim përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.