“Mësimi 85 – Doktrina e Besëlidhje 76:1–19: ‘Sytë e të Kuptuarit Tonë … u Hapën’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 76:1–19”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 85: Doktrina e Besëlidhje 76
Doktrina e Besëlidhje 76:1–19
“Sytë e të Kuptuarit Tonë … u Hapën”
Në janar të vitit 1832, Profeti Jozef Smith dhe Sidni Rigdoni përsiatën për kuptimin e vargut te Gjoni 5:29 ndërkohë që punonin për përkthimin e frymëzuar të Biblës. Ndërsa përsiatnin, ata përjetuan një seri vegimesh ku Zoti zbuloi të vërteta të rëndësishme rreth planit të Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë ndërsa gjejnë kohë për t’i përsiatur fjalët e Shpëtimtarit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Kërkimi i zbulesës vetjake
Merreni parasysh t’i paraqitni pyetjet vijuese në tabelë. Nxënësit mund t’i shënojnë përgjigjet e tyre për pyetjet në ditarët e tyre të studimit. Merreni parasysh t’u kërkoni disa nxënësve të gatshëm të tregojnë përgjigje që nuk janë tepër vetjake.
-
Cilat janë disa rrethana ose situata me të cilat po përballesh, ose mund të përballesh, ku do të doje të merrje udhërrëfim nga Zoti nëpërmjet Frymës së Shenjtë?
-
Përse e dëshiron ndihmën e Zotit për këto gjëra?
Sot do të mësosh rreth një mënyre se si mund ta ftosh Zotin të të flasë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Ndërsa studion, kushtoju vëmendje nxitjeve nga Shpirti që mund të të ndihmojnë për njërën nga situatat ose pyetjet që përcaktove.
Vegimi
Përmbledhja vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit të përgatiten për ta studiuar seksionin te Doktrina e Besëlidhje 76. Merreni parasysh nëse do të ishte më mirë ta lexoni apo përmblidhni atë vetë ose ta ftoni një nxënës që ta bëjë atë. Përndryshe, mund t’i ftoni nxënësit të lexojnë nga libri Saints [Shenjtorët], 1:147 për të mësuar për rrethanat që çuan në këtë zbulesë.
Më 16 shkurt 1832, Jozef Smithi, Sidni Rigdoni dhe rreth 12 burra të tjerë ishin në dhomën e sipërme të shtëpisë së Xhon dhe Elsa Xhonsonit në Hajrëm të Ohajos. Ndërkohë që Jozefi dhe Sidni punuan për përkthimin e frymëzuar të Biblës, ata po studionin vargun te Gjoni 5:29, një shkrim i shenjtë që përshkruante qiellin, dhe deshën të dinin më shumë. Ndërsa përsiatën, ata panë një vegim, që është i shënuar te Doktrina e Besëlidhje 76. Shpëtimtari iu tregoi Jozefit dhe Sidnit një seri vegimesh të dallueshme që u mësuan atyre të vërteta të rëndësishme rreth planit të Atit Qiellor për shpëtimin.
Shpjegoni se, ndërsa nxënësit e studiojnë seksionin te Doktrina e Besëlidhje 76 gjatë gjithë javës, ata do të kenë mundësi të mësojnë rreth shumë pjesëve të ndryshme të këtij vegimi. Mësimi i sotshëm do të përqendrohet në mësimet dhe përvojat e Shpëtimtarit të shënuara në fillim të seksionit 76.
Doktrina e Besëlidhje 76 fillon me Zotin që tregon të vërteta të rëndësishme rreth Vetes së Tij.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 76:1–10, duke kërkuar fjalët ose frazat që ti e ndien se tregojnë atë që Jezu Krishti dëshiron që ne të kuptojmë rreth Tij. Vër re se të kesh frikë nga Perëndia (vargu 5) do të thotë ta adhurosh, duash dhe ta nderosh Atë thellësisht.
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’i studiuar këto vargje, ftojini ata t’i tregojnë idetë e tyre. Pyetje si ato në vijim mund t’i ndihmojnë nxënësit ta diskutojnë dëshirën e Shpëtimtarit për t’ua zbuluar të vërtetën atyre nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
-
Çfarë të ndihmojnë të kuptosh më mirë rreth Shpëtimtarit këto vargje?
-
Si mund të ndikojë tek ti njohja e këtyre gjërave rreth Shpëtimtarit?
Përsiatja e shkrimeve të shenjta çon në zbulesë
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 76:11–19, duke kërkuar atë që bënë Jozefi dhe Sidni përpara se ta përjetonin vegimin e tyre.
-
Çfarë veprimesh mendon se e çuan Jozefin dhe Sidnin ta përjetonin atë që përjetuan?
Merreni parasysh të shpjegoni se, megjithëse ne mund të mos e përjetojmë llojin e vegimit që patën Jozefi dhe Sidni, përvoja e tyre mund të na japë mësim një parim rreth përgatitjes së vetes sonë për të marrë zbulesë nga Zoti nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
-
Cila është një e vërtetë që e mëson nga këto vargje rreth një mënyre se si mund ta përgatitim veten tonë për të marrë zbulesë nëpërmjet Frymës së Shenjtë?
Nxënësit mund të përmendin një të vërtetë të ngjashme me atë në vijim: Ndërsa i studiojmë dhe përsiatim shkrimet e shenjta plot lutje, ne e përgatitim veten tonë për të marrë kuptueshmëri nga Zoti nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi se si ne mund t’i studiojmë dhe përsiatim shkrimet e shenjta në një mënyrë që çon në zbulesë nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
“Kur unë them ‘studioni’, e kam fjalën për diçka më shumë se leximi. … Ju përfytyroj ndonjëherë duke lexuar pak vargje, duke ndaluar për t’i përsiatur, duke i lexuar me kujdes vargjet sërish dhe, ndërsa mendoni rreth kuptimit të tyre, duke u lutur për t’i kuptuar, duke bërë pyetje në mendjen tuaj, duke pritur për mbresa shpirtërore dhe duke i hedhur në letër mbresat dhe idetë që ju vijnë, që ju të mund t’i kujtoni dhe të mësoni më shumë. Duke studiuar në këtë mënyrë, ju mund të mos lexoni shumë kapituj ose vargje në gjysmë ore, por ju do t’i bëni vend në zemrën tuaj fjalës së Perëndisë dhe Ai do t’ju flasë juve.” (D. Todd Christofferson, “When Thou Art Converted”, Liahona, maj 2004, f. 11)
-
Cilat janë disa pengesa që mund të na pengojnë ndonjëherë të përsiatim? Çfarë mund të na ndihmojë t’i kapërcejmë këto pengesa?
Merreni parasysh të tregoni një përvojë ku i keni studiuar dhe përsiatur plot lutje shkrimet e shenjta dhe keni marrë zbulesë. Ftojini nxënësit të tregojnë edhe ndonjë përvojë që kanë pasur.
Ushtroje plot lutje studimin dhe përsiatjen
Merreni parasysh t’u jepni kohë nxënësve në orën mësimore, mbase 7–10 minuta, që të ushtrojnë plot lutje studimin dhe përsiatjen e shkrimeve të shenjta. Tregojini udhëzimet vijuese:
Shpenzo ca kohë për të ushtruar studimin dhe përsiatjen e shkrimeve të shenjta. Mendo për rrethanën ose situatën që përcaktove më herët, për të cilën dëshiron ndihmën e Zotit. Lutu për udhërrëfim, përsiat për atë që po lexon dhe kushtoju vëmendje nxitjeve të Shpirtit që mund të të sigurojnë drejtimin ose ndihmën që të nevojitet. Shënoji mendimet dhe mbresat e tua në ditarin tënd të studimit.
Jepuni nxënësve mundësi t’i zgjedhin shkrimet e shenjta që do t’i studiojnë gjatë kësaj veprimtarie. Për nxënësit që do të donin udhërrëfim se cilat fragmente të përzgjedhin, merreni parasysh të jepni disa mundësi, si ato në vijim:
-
Enosi 1:1–17 (Enosi i lutet Perëndisë.)
-
Mosia 3:1–20 (Mbreti Beniamin profetizon për Jezu Krishtin.)
-
Alma 36:1–30 (Alma përshkruan heqjen e mëkateve të tij.)
-
Moisiu 1:1–39 (Moisiu flet me Perëndinë dhe i bën ballë Satanit.)
Pas një kohe të mjaftueshme, paraqitini pyetjet vijuese dhe ftojini nxënësit t’i shënojnë përgjigjet e tyre në ditarët e tyre të studimit.
-
Si të ndihmuan studimi dhe përsiatja e shkrimeve të shenjta të përgatitesh për të marrë zbulesë nëpërmjet Frymës së Shenjtë?
-
Çfarë të mësoi kjo përvojë rreth Atit Qiellor, Jezu Krishtit dhe Frymës së Shenjtë?
-
Çfarë mund të bësh ose të vazhdosh të bësh për të marrë ndihmë dhe zbulesë shtesë nga Zoti?
Dëshmoni se si përsiatja dhe studimi i shkrimeve të shenjta në mënyrë më të qëllimshme dhe më shpesh mund t’i sjellë nxënësit më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Nxitini nxënësit të vazhdojnë të kërkojnë plot lutje zbulesë duke studiuar dhe përsiatur rregullisht për shkrimet e shenjta.