Seminari
Mësimi 84 – Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 5: Doktrina e Besëlidhje 51–75


“Mësimi 84 – Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 5: Doktrina e Besëlidhje 51–75”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 5”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 84: Doktrina e Besëlidhje 71–75

Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 5

Doktrina e Besëlidhje 51–75

matja e gjatësisë së një fëmije

Reflektimi për të mësuarit shpirtëror dhe vlerësimi i tij mund të na ndihmojnë të vijmë më pranë Shpëtimtarit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kujtojnë dhe vlerësojnë se si përvojat e tyre të studimit të librit Doktrina e Besëlidhje i kanë ndihmuar të rriten shpirtërisht.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Shënim: Mund të mos keni kohë të mjaftueshme në orën mësimore për të kryer çdo mundësi vlerësimi të dhënë në këtë mësim. Zgjidhni seksionet që e ndieni se do të kishin dobinë më të madhe për nxënësit tuaj në vlerësimin e të mësuarit të tyre.

Vlerësoje rritjen tënde

Merreni parasysh t’u jepni nxënësve mundësi për t’ua treguar përgjigjet për pyetjet vijuese shumë shokëve të klasës. Kjo mund të bëhet duke u dhënë atyre një minutë për të gjetur një shok klase dhe secili të tregojë përgjigjet e veta. Kjo mund të përsëritet shumë herë.

(Nëse dëshironi, mund të jepni një shembull duke treguar një veprimtari që ju pëlqen. Merreni parasysh të paraqitni ose të tregoni në veprimtarinë tuaj një figurë të një mjeti që përdoret për të matur përparimin. Për shembull, nëse ju pëlqen vrapimi, mund të tregoni një kronometër dhe të shpjegoni se si ai mund të përdoret për të matur rritjen tuaj.)

  • Cila është një veprimtari ku të pëlqen të marrësh pjesë?

  • Nga e kupton nëse po përmirësohesh? A ka mjete të veçanta që i përdor për të matur përparimin tënd?

Ashtu si matja e përparimit tonë fizik na ndihmon ta shohim rritjen tonë, na nevojitet të shpenzojmë kohë për të vlerësuar rritjen tonë shpirtërore. Fryma e Shenjtë është i dobishëm për të na ndihmuar ta matim përparimin tonë shpirtëror. Një mënyrë se si mund ta ftojmë Frymën e Shenjtë të na ndihmojë ta shohim përparimin tonë, është duke reflektuar plot lutje mbi mësimet shpirtërore që kemi mësuar, dhe duke marrë parasysh se si jemi rritur shpirtërisht ndërsa i kemi zbatuar ato mësime në jetën tonë.

Ftojini nxënësit t’i lexojnë të gjitha shënimet e tyre dhe shkrimet e shenjta nga disa javë të fundit të seminarit (Doktrina e Besëlidhje 51–75), duke parë mësimet që kanë mësuar dhe synimet që kanë vendosur. Paraqitini pyetjet vijuese për t’i ndihmuar nxënësit të reflektojnë mbi rritjen e tyre shpirtërore. Nxënësit mund të zgjedhin t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në një ditar studimi ose t’i përsiatin përgjigjet e tyre.

  • Cilat janë disa nga gjërat që ke bërë për t’i zbatuar të vërtetat shpirtërore që ke mësuar në seminar? Si po të ndihmon zbatimi i këtyre të vërtetave të rritesh shpirtërisht?

  • Si i ke vënë re Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin të të ndihmojnë ndërsa e zbaton atë që mëson, në përpjekjet e tua për t’u bërë më shumë si Ata?

Siguroni një mundësi që nxënësit t’i tregojnë përgjigjet që nuk janë tepër vetjake. Nxitini nxënësit të jenë të ndjeshëm ndaj Shpirtit ndërsa kërkojnë mënyra për t’i zbatuar më tej këto mësime në jetën e tyre.

Shpjegoje qëllimin e urdhërimeve

Merreni parasysh të paraqitni fjalinë e parë të thënies vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson, duke e zëvendësuar fjalën “ligje” me një vend bosh. Nxënësit mund të sugjerojnë alternativa të mundshme për fjalën që mungon. Pasi nxënësit të jenë përpjekur ta përcaktojnë fjalën që mungon, paraqiteni thënien të plotë.

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Për shkak se Ati dhe Biri na duan me dashuri të pafundme e të përsosur dhe për shkak se Ata e dinë se ne nuk mund të shohim gjithçka që Ata shohin, Ata na dhanë ligje që do të na udhërrëfejnë dhe mbrojnë. Ka një lidhje të fortë ndërmjet dashurisë së Perëndisë dhe ligjeve të Tij.” (Russell M. Nelson, “The Love and Laws of God” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 17 shtator 2019], f. 2, speeches.byu.edu)

  • Cili është një urdhërim që të ka ndihmuar të ndihesh i mbrojtur dhe i dashur prej Perëndisë?

    Ftojini nxënësit t’i përdorin shkrimet e shenjta dhe shënimet e tyre për të gjetur përgjigje për pyetjen vijuese.

  • Cilat janë disa nga ligjet e Perëndisë që i kemi studiuar kohët e fundit te Doktrina e Besëlidhje?

Mund të vini një nxënës t’i shkruajë përgjigjet për pyetjen në tabelë. Ata mund të përmendin disa nga ato në vijim: pendimi (58:42–43), mbajtja e shenjtë e ditës së Shabatit (59:9–13), dëlirësia (63:13–16) dhe falja e të tjerëve (64:9–11).

Paraqitni një skenar si ai në vijim. Ftojini nxënësit të ushtrohen se si do t’ia shpjegonin qëllimin e urdhërimeve shokut të tyre. Pyetjet që vijojnë pas skenarit, mund të ndihmojnë në udhërrëfimin e përgjigjeve të tyre.

Imagjino sikur një nga shokët e tu ta shpreh acarimin e tij rreth një urdhërimi. Ai pyet veten se përse Perëndia madje do të merrte mundimin të na jepte urdhërime.

Zgjidh një urdhërim që e ke studiuar te Doktrina e Besëlidhje këtë vit dhe trego:

  • Se si ai urdhërim është një mbrojtje dhe udhërrëfim nga Ati ynë në Qiell.

  • Se si ai urdhërim është provë e dashurisë së Perëndisë.

Dhënia e zemrës dhe mendjes sate të gatshme Zotit

Si pjesë e studimit te Doktrina e Besëlidhje 64:20–43, nxënësit mund t’i keni ftuar të skicojnë figura si ato në vijim në ditarët e tyre të studimit. Merreni parasysh ta paraqitni këtë figurë dhe t’u kërkoni nxënësve të tregojnë atë që mbajnë mend rreth atij mësimi. Ata i ftuat të ngjyrosin aq sa e ndien se po ia jepnin Zotit nga mendja dhe zemra e tyre.

zemra dhe mendja

Ftojini nxënësit ta gjejnë vizatimin e tyre ose të përpiqen ta kujtojnë se si dukej ai. Ndihmojini nxënësit të kujtojnë se pjesa sa i ngjyrosën zemrën dhe mendjen ishte thjesht një përmbledhje e shkurtër në kohë. Kjo është e ndryshueshme, jo e përhershme. Ata mund të kërkojnë ndihmën e Shpëtimtarit për t’u bërë të gatshëm për t’i dhënë Atij më shumë nga mendja dhe zemra e tyre. Nxitini nxënësit të reflektojnë mbi përvojat e tyre duke iu përgjigjur disa prej pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit.

  • Çfarë bëre ose mund të bësh për ta rritur dëshirën tënde për t’ia dhënë zemrën dhe mendjen tënde Shpëtimtarit?

  • Çfarë ndryshimesh ke vënë re në dëshirën tënde për t’ia dhënë zemrën dhe mendjen tënde Shpëtimtarit?

  • Si kanë ndikuar mendimet dhe veprimet e tua në marrëdhënien tënde me të tjerët dhe me Jezu Krishtin?

Jepuni disa nxënësve mundësinë për të treguar se çfarë ishte kuptimplotë për ta rreth kësaj përvoje dhe se si ajo ndikoi tek ata.

Nxënësit mund të vizatojnë më pas një zemër dhe mendje të dytë në ditarin e tyre të studimit pranë vizatimit të tyre fillestar. Ftojini ata të ngjyrosin pjesën e zemrës dhe mendjes që po ia japin tani Shpëtimtarit si rezultat i përpjekjeve të tyre për t’u përmirësuar. Nxënësit mund t’i krahasojnë të dyja figurat dhe të përcaktojnë nëse gatishmëria e tyre për t’ia dhënë Shpëtimtarit mendjen dhe zemrën e tyre është përmirësuar.

Mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë

Merreni parasysh të paraqitni pjesën vijuese të pyetjes së rekomandimit të tempullit dhe t’i ftoni nxënësit të tregojnë se çfarë kanë mësuar rreth mbajtjes së shenjtë të ditës së Shabatit këtë vit. (Nëse është e nevojshme, ju mund t’u jepni kohë nxënësve për ta shqyrtuar shkurtimisht seksionin te Doktrina e Besëlidhje 59 ose shënimet në ditarët e tyre nga mësimi për atë seksion.)

A përpiqeni fort ta mbani të shenjtë ditën e Shabatit, si në shtëpi, edhe në kishë…

Si pjesë e mësimit për seksionin te Doktrina e Besëlidhje 59, nxënësit mund t’i keni ftuar të bëjnë një plan për ta nderuar Shpëtimtarin në ditën e Shabatit. Nëse po, ftojini ata të reflektojnë mbi atë që kanë bërë si rezultat i tij. Mund të jetë e dobishme që vullnetarët t’ia tregojnë klasës një pjesë të planit të tyre.

Merreni parasysh t’i paraqitni pyetjet vijuese për t’i ndihmuar nxënësit t’i vlerësojnë përpjekjet e tyre në mbajtjen të shenjtë të ditës së Shabatit. Ftojini nxënësit të përzgjedhin dy ose tri pyetje nga lista për t’iu përgjigjur në ditarët e tyre të studimit.

  • Mendo për diçka që ke bërë për ta mbajtur të shenjtë ditën e Shabatit. Si është përmirësuar përvoja jote e ditës së Shabatit për shkak të kësaj?

  • Si të kanë afruar përpjekjet e tua për ta mbajtur të shenjtë ditën e Shabatit më shumë me Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin?

  • Cilat janë disa sfida me të cilat përballesh në mbajtjen të shenjtë të ditës së Shabatit?

  • Cila është diçka që do të doje të filloje ta bëje për ta mbajtur të shenjtë ditën e Shabatit?

  • Përse është e rëndësishme ta mbash të shenjtë ditën e Shabatit?

  • Cila është diçka në listën tënde që nuk e ke bërë ende, për të cilën mund të fillosh të punosh këtë të diel për ta mbajtur të shenjtë ditën e Shabatit?

  • Si ke qenë në gjendje t’i nderosh më mirë Atin në Qiell dhe Jezu Krishtin ndërsa ke filluar ose ndaluar së bëri gjëra të caktuara në ditën e Shabatit?

Ndërkohë që qëllimi i këtyre pyetjeve është që nxënësit t’i vlerësojnë individualisht përpjekjet e tyre për ta mbajtur të shenjtë ditën e Shabatit, nëse është e përshtatshme, mund t’i ftoni nxënësit e gatshëm të tregojnë disa nga përgjigjet dhe përvojat e tyre.

Nxitini nxënësit në përpjekjet e tyre për të marrë bekimet e nderimit të ditës së Shabatit, sidomos ata që mund të mos kenë ndërmarrë ende ndonjë veprim. Mund t’i ftoni ata të vendosin një kujtues në telefonin e tyre për të bërë diçka për ta mbajtur më mirë të shenjtë ditën e ardhshme të Shabatit. Dëshmoni për dëshirën e Shpëtimtarit që ata të vijnë tek Ai dhe se mbajtja e ditës së Shabatit është një mënyrë se si mund të afrohemi më shumë me Të.