“Mësimi 82 – Doktrina e Besëlidhje 71: Përgjigjja ndaj Atyre të Cilët e Kritikojnë Kishën e Shpëtimtarit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 71”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 82: Doktrina e Besëlidhje 71–75
Doktrina e Besëlidhje 71
Përgjigjja ndaj Atyre të Cilët e Kritikojnë Kishën e Shpëtimtarit
Në dimrin e vitit 1831, në zonën e Kirtlandit po shpërndaheshin letra që përmbanin informacione të rreme rreth Jozef Smithit dhe Kishës. Te Doktrina e Besëlidhje 71, Shpëtimtari i udhëzoi Jozef Smithin dhe Sidni Rigdonin të udhëtonin nëpër të gjithë rajonin, duke i ndrequr gënjeshtrat (shih vargjet 1–2). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se si Shpëtimtari do të donte që të përgjigjeshim kur njerëzit i kritikojnë bindjet tona.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Përgjigjja ndaj kritikëve të Kishës së Shpëtimtarit
Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë kontekstin historik të seksionit te Doktrina e Besëlidhje 71, jepni paragrafin vijues ose përmblidheni atë me fjalët tuaja.
Përndjekja u rrit ndjeshëm për Jozef Smithin dhe shenjtorët në Kirtland në dimrin e vitit 1831. Disa shenjtorë filluan ta linin Kishën, duke përfshirë Ezra Buthin dhe Simonds Rajderin. Buthi filloi të botonte letra duke e sulmuar Jozefin dhe duke u përpjekur ta rrëzonte veprën e Zotit (shih te History, 1838–1856 [Manuscript History of the Church], vëllimi A-1, f. 153–154, josephsmithpapers.org). Jozefi iu lut Zotit për këshillë dhe mori seksionin te Doktrina e Besëlidhje 71.
-
Si mund të kesh dashur t’u përgjigjesh sulmeve ndaj Kishës së Shpëtimtarit dhe Jozef Smithit?
Ftojini nxënësit të tregojnë shembuj të rasteve kur ata kanë dëshmuar kritika ndaj Kishës ose ungjillit. Kërkojuni nxënësve të përsiatin se si mendojnë se Shpëtimtari dëshiron që ata të përgjigjen kur njerëzit janë të pasjellshëm rreth bindjeve të tyre. Ftoni një diskutim të shkurtër ndërsa nxënësit u përgjigjen pyetjeve vijuese.
-
Si mund ta dimë mënyrën më të mirë për t’i trajtuar situatat kur të tjerët i kritikojnë bindjet tona ose shpërndajnë informacion të rremë rreth Kishës së Shpëtimtarit?
-
Kur mendon se është më mirë ta shpërfillësh kritikën?
Përsiat se sa i sigurt ndihesh rreth dijes se si do të donte Jezusi që të përgjigjeshe ti. Ndërsa studion, kërko mënyra të ndryshme që Shpëtimtari na jep mësim se si të përgjigjemi.
Shpëtimtari na mëson të flasim hapur dhe ta shpërndajmë ungjillin e Tij
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 71:1–3 dhe kërko se si Shpëtimtari donte që Jozefi dhe Sidni t’u përgjigjeshin gënjeshtrave që po përhapeshin për Kishën në atë kohë.
-
Çfarë të bëri përshtypje?
-
Sipas vargut 1, çfarë kishte siguruar Shpëtimtari për ta ndihmuar Jozefin dhe Sidnin të dinin si të përgjigjeshin?
-
Si mund të na ndihmojë këshilla e Shpëtimtarit në kohën tonë?
Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë të vërtetën që Shpëtimtari do të na japë mësim nëpërmjet shkrimeve të shenjta dhe Shpirtit se si t’u përgjigjemi atyre që e kritikojnë Kishën e Tij.
-
Si mendon, përse përdorimi i shkrimeve të shenjta dhe ndjekja e nxitjeve vijuese të Shpirtit janë mënyrat më të mira për t’iu përgjigjur kritikave?
-
Në ç’mënyra mund të veprojë ndikimi i Shpirtit në atë se si u përgjigjemi kritikave?
Merreni parasysh ta ftoni një nxënës të shkruajë “Përgjigjja sipas mënyrës së Shpëtimtarit” në gjithë pjesën e sipërme të tabelës. Mund ta vini gjithashtu klasën ta shkruajë këtë titull në një faqe të ditarëve të vet të studimit. Nxënësit mund të nisin një listë duke shkruar “përdorimi i shkrimeve të shenjta” dhe “ndjekja e Shpirtit” nën këtë titull. Duke përdorur listën që krijuan, nxënësit do të kenë mundësi për të ushtruar dhënien e përgjigjeve ndaj situatave sipas mënyrës së Shpëtimtarit.
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përdori simbolin e shigjetave të zjarrta nga shkrimi i shenjtë për t’i përshkruar kritikat e të tjerëve ndaj bindjeve tona. Ndërsa e studion këtë thënie, mendo për atë që mund të shtosh te lista “Përgjigjja sipas mënyrës së Shpëtimtarit”.
“Me anë të mburojës së besimit tonë te Jezu Krishti, ne bëhemi paqebërës, duke i shuar … të gjitha shigjetat e zjarrta të kundërshtarit [shihni tek Efesianëve 6:16; Doktrina e Besëlidhje 3:8]. …
Si mund t’i venitë dhe t’i ftohë shigjetat e zjarrta një paqebërës? Sigurisht, jo duke ngurruar përpara atyre që na diskreditojnë. Përkundrazi, ne qëndrojmë të sigurt në besimin tonë, duke i shprehur bindjet tona me siguri të plotë, por gjithnjë pa zemërim apo dashakeqësi. …
Paqebërësit nuk janë pasivë; ata janë bindës sipas mënyrës së Shpëtimtarit.
Çfarë na e jep forcën e brendshme për t’i ftohur, venitur dhe shuar shigjetat e zjarrta që synojnë drejt të vërtetave që i duam? Forca vjen nga besimi ynë te Jezu Krishti dhe besimi ynë te fjalët e Tij.” (Nil L. Andersen, “Ndjekja e Jezusit: Të Qenit Paqebërës”, Liahona, maj 2022, f. 17–18)
Ftojini nxënësit të diskutojnë se çfarë do të shtonin në listë pasi të shqyrtojnë thënien e Plakut Andersen. Mund të bëni një pyetje si:
-
Si mund të jeni paqebërës kur u përgjigjeni të tjerëve?
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 71:4–7 dhe kërko atë që Zoti i dha mësim Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit në këtë situatë të veçantë për të trajtuar informacionin e rremë që po botohej.
-
Çfarë zbulove?
-
Çfarë lidhje shikon me këshillën e Shpëtimtarit në këto vargje dhe mësimet e Plakut Andersen?
Theksojeni shembullin e Jezu Krishtit: Veprimtaria vijuese është një mundësi për ta theksuar shembullin e Jezu Krishtit. Për t’u ushtruar më shumë me këtë, shihni trajnimin e titulluar “Theksojeni shembullin e Jezu Krishtit” te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Përqendrohuni te Jezu Krishti. Merreni parasysh ta ushtroni zotësinë “Ndihmojini studentët që ta lidhin atë që po mësojnë, me mënyrën se si Krishti është shembulli për atë parim”.
Për t’i ndihmuar nxënësit të përcaktojnë përgjigje të shumta si të Krishtit që mund t’i ndihmojnë ata t’i mbrojnë bindjet e tyre, merreni parasysh ta organizoni klasën në grupe për veprimtarinë vijuese.
Nxitini nxënësit t’i përdorin shkrimet e shenjta për të gjetur shembuj ose mësime që tregojnë mënyra të ndryshme se si Shpëtimtari dhe dishepujt e Tij u përgjigjën ndaj kritikave. Nëse nxënësit kanë nevojë për udhërrëfim shtesë, ju mund të paraqitni disa nga fragmentet vijuese që përshkruajnë përvojat dhe mësimet e Shpëtimtarit që ata t’i studiojnë.
Ftojini nxënësit ta diskutojnë atë që zbulojnë, me grupin e tyre dhe më pas të përzgjedhin një udhëheqës diskutimi për t’ia dhënë informacionin klasës.
-
Mateu 4:3–11 (Jezusi u përgjigjet tundimeve të Satanit me shkrimet e shenjta.)
-
Lluka 23:8–10 (Jezusi del para Herodit, duke qëndruar i heshtur.)
-
Gjoni 8:2–11 (Jezusi, në përballje me udhëheqësit judeas, i shpëton jetën një gruaje.)
-
Doktrina e Besëlidhje 100:5–7 (Zoti premton se Ai do të na japë fjalët për t’i thënë nëse flasim në emrin e Tij.)
-
Doktrina e Besëlidhje 121:41–45 (Zoti ofron këshillë mbi mënyrën se si të jepet ndreqje.)
Merreni parasysh t’i ftoni udhëheqësit e grupit t’ia tregojnë klasës atë që diskutuan, dhe ta shtojnë në listën e përgjigjeve të duhura në tabelë. Kujtojuni nxënësve se ka raste kur Shpirti mund të na nxitë të qëndrojmë të heshtur në vend që ta ndreqim haptazi atë që është thënë.
Ushtrohu në dhënien e përgjigjeve sipas mënyrës së Shpëtimtarit
Për t’i ndihmuar nxënësit ta demonstrojnë kuptueshmërinë e tyre për parimin e studiuar sot, mund të jepni ose paraqitni skenarët vijues. Ndërsa nxënësit diskutojnë mënyra të ndryshme se si mund të përgjigjemi, nxitini ata të kërkojnë ide në listën që krijuan më herët. Ndihmojini ata të kuptojnë se mund të ketë shumë mënyra të sakta për t’iu përgjigjur secilës situatë. Shpirti mund të na ndihmojë të dimë se çfarë dëshiron Ati Qiellor që të bëjmë ose themi kur paraqiten situatat.
Ju mund të krijoni situata të ndryshme që i trajtojnë më mirë nevojat e klasës suaj ose të shtoni hollësi në skenarët më poshtë për të rritur interesin e nxënësve. Mund ta vini gjithashtu klasën të krijojë skenarët e vet nga përvojat vetjake. Mund të jetë e përshtatshme t’i ftoni nxënësit të tregojnë përvojat që kanë pasur në të kaluarën.
Trego disa mënyra të ndryshme se si mund t’i përgjigjesh secilës prej situatave vijuese në një mënyrë si e Krishtit:
-
Ti publikon një figurë të tempullit në mediat shoqërore dhe dikush përgjigjet duke e kritikuar Kishën sepse ka standarde të larta për hyrjen në tempull.
-
Në një mbledhje familjare, një ungj thotë gjëra të këqija rreth Profetit Jozef Smith.
-
Një shok pretendon se është marrëzi të besosh te një Perëndi që nuk mund ta provosh se ekziston.
-
Dikush në punën tënde u thotë kolegëve të tu se shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk janë të krishterë.
Në kohën e duhur të Shpëtimtarit
Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni iu bindën zbulesës që morën. Ata udhëtuan nëpër të gjithë zonën, duke e predikuar ungjillin e Shpëtimtarit dhe duke ndrequr gënjeshtrat që ishin përhapur.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 71:8–11 dhe kërko sigurinë që u jep Shpëtimtari të gjithë atyre që e mbrojnë Kishën e Tij dhe ungjillin e Tij.
-
Çfarë të mësojnë këto vargje rreth Jezu Krishtit dhe veprës së Tij?
-
Çfarë mendon se do të thotë se asnjë zë ose armë nuk do të përparojë kundër nesh (shih te vargjet 9–10)?
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se edhe nëse nuk e kanë përgjigjen e përsosur ndaj dikujt, Shpëtimtari nuk do t’i lejojë armiqtë e Kishës së Tij të përparojnë përgjithmonë. Shpëtimtari premton se kritikat do të “ngatërrohe[n] në kohën [e Tij]” (vargu 10).
-
Çfarë mësove sot që mund të të ndihmojë t’i trajtosh situatat kur dikush që ti e njeh, kritikon Kishën ose mësimet e Shpëtimtarit?
Mund ta përmbyllni orën mësimore duke i nxitur nxënësit ta ndjekin këshillën e Shpëtimtarit kur përballen me situata në të cilat të tjerët janë kritikë ndaj Kishës dhe ungjillit. Mund të jepni dëshminë tuaj për fuqinë që u është dhënë atyre që do t’i mbrojnë bindjet e tyre siç do të bënte Shpëtimtari.