Seminari
Mësimi 79 – Doktrina e Besëlidhje 65: “Përgatisni ju Udhën e Zotit … që Mbretëria e Qiellit të Mund të Vijë”


“Mësimi 79 – Doktrina e Besëlidhje 65: ‘Përgatisni ju Udhën e Zotit … që Mbretëria e Qiellit të Mund të Vijë’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 65”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 79: Doktrina e Besëlidhje 64–66

Doktrina e Besëlidhje 65

“Përgatisni ju Udhën e Zotit … që Mbretëria e Qiellit të Mund të Vijë”

Jezusi në Ardhjen e Tij të Dytë zbret mes një grupi njerëzish

Një përgjegjësi e rëndësishme e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe anëtarëve të saj është të ndihmojnë në përgatitjen e botës për kthimin e Shpëtimtarit. Te Doktrina e Besëlidhje 65, Zoti ua zbuloi këtë rol të rëndësishëm Profetit të Tij Jozef Smithit dhe shenjtorëve. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë rolin e Kishës në përgatitjen e botës për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Përgatitja e veprimtarisë

Një mënyrë për ta filluar këtë mësim mund të jetë t’i ndihmoni nxënësit të mendojnë për rrethanat në të cilat përgatitja është thelbësore. Pyetjet në vijim mund të ndihmojnë.

  • Cila është një veprimtari që të pëlqen, që kërkon përgatitje të madhe?

  • Nëse po e ndihmoje dikë të përgatitej për këtë veprimtari, çfarë do të doje që të dinte ai? Çfarë ndihme ose burimesh do t’i jepje atij?

Jepuni nxënësve mundësi për t’ua treguar përgjigjet e tyre nxënësve të tjerë.

Ndihmojini nxënësit të kalojnë tek të menduarit se për çfarë na ndihmon të përgatitemi Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të mëvonshme.

Ashtu si veprimtaria jote kërkon përgatitje në masë të madhe, ka ngjarje të ardhshme për të cilat është e nevojshme të përgatitemi. Zoti e ka themeluar Kishën e Tij për të na ndihmuar të përgatitemi.

  • Për çfarë na përgatit Kisha e Tij?

Shpjegojuni nxënësve se Kisha e Tij na përgatit për shumë gjëra dhe nxitini ata të tregojnë sa më shumë që u vijnë në mendje. Kërkojuni atyre të kërkojnë për njërën prej këtyre te Doktrina e Besëlidhje 65.

“Përgatisni ju udhën e Zotit”

Më 12 shtator 1831, Jozef Smithi dhe familja e tij u zhvendosën mbi 48 kilometra (30 milje) në juglindje të Kirtlandit në Ohajo, për në shtëpinë e Xhon dhe Elis Xhonsonit në Hajrëm të Ohajos. Të dielën, më 30 tetor 1831, në shtëpinë Xhonson u mbajt një shërbesë Kishe. Në po atë ditë, Profeti mori zbulesën që është e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 65.

pamje nga jashtë e shtëpisë së Xhon Xhonsonit

Nxënësit mund të ushtrojnë zotësinë e studimit të shkrimeve të shenjta të kërkimit të fjalëve dhe frazave të përsëritura ndërsa i lexojnë vargjet vijuese. Mund t’i nxitni ata ta theksojnë secilin rast të fjalës “përgatisni” në këto vargje. Ata mund të mbajnë shënim edhe frazën “bëhuni gati” te vargu 3.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 65:1, 3 dhe kërko ftesën e Shpëtimtarit.

  • Çfarë gjete?

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 65:2, duke kërkuar atë që Shpëtimtari na ka dhënë për të na ndihmuar të përgatitemi për Ardhjen e Tij të Dytë.

  • Për cilat fjalë ose fraza ke pyetje?

    Për t’i ndihmuar nxënësit t’i analizojnë dhe kuptojnë frazat te vargjet 2–3, pyetini ata se çfarë kuptimi mendojnë se kanë frazat. Ju mund të tregoni ose paraqitni një pjesë nga përmbajtja vijuese sipas nevojës:

    1. “Çelësat e mbretërisë” ose “çelësat e priftërisë”, janë “të drejtat e kryesimit ose fuqia e dhënë nga Perëndia njeriut për të drejtuar, kontrolluar dhe qeverisur priftërinë e Perëndisë në tokë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Çelësa të Priftërisë”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Shihni edhe te Mateu 16:18–19.

    2. “Gur[i] i vogël i ‘shkëput[ur] nga mali, jo nga dora e njeriut’” është “Kisha e Zotit [që] do të rritet në madhësi derisa të mbushë gjithë tokën dhe ‘nuk do të shkatërrohet kurrë … [por] do të ekzistojë përjetë’ [Daniel 2:44]” (Ronald A. Rasband, “Përmbushja e Profecisë”, Liahona, maj 2020, f. 75). Shihni edhe te Daniel 2:31–35, 44–45.

    3. “Bëhuni gati për Dhëndrin”, i referohet mënyrës se si “Jezu Krishti simbolizohet në shkrimet e shenjta si Dhëndri. Kisha është nusja e Tij simbolike” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Dhëndër”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Shihni edhe te Zbulesa 19:7–9.

    Për ide shtesë se si t’i ndihmoni nxënësit ta eksplorojnë rritjen e Kishës, shihni pjesën “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit” të këtij mësimi.

  • Si do ta përmblidhje atë që mund të mësojmë nga këto vargje si një pohim të vërtete?

Nxënësit mund të thonë diçka si Jezu Krishti e rivendosi Kishën e Tij për të na ndihmuar të përgatitim veten dhe të tjerët për Ardhjen e Tij të Dytë. Merreni parasysh t’i vini ata ta shkruajnë këtë të vërtetë pranë vargjeve 1–3.

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpalli:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është fuqizuar dhe autorizuar në mënyrë të pashoqe për të kryer përgatitjet e nevojshme për Ardhjen e Dytë të Zotit; me të vërtetë, ajo u rivendos për atë qëllim. … Kisha e Jezu Krishtit është e autorizuar ta përgatitë – dhe po e përgatit – botën për atë ditë.” (D. Tod Kristoferson, “Duke u Përgatitur për Kthimin e Zotit”, Liahona, maj 2019, f. 82, 84)

  • Çfarë mendon ose ndien për këtë thënie?

  • Në ç’mënyrë është Kisha në gjendje të pashoqe ta përgatitë botën për kthimin e Shpëtimtarit?

  • Çfarë përgatitjesh ndien se janë të nevojshme për atë ditë?

Nëse dëshironi, mund t’i renditni në tabelë mënyrat se si Kisha ndihmon që njerëzit të përgatiten për Ardhjen e Dytë. Nëse nxënësit e kanë të vështirë të gjejnë ide, ju mund t’u tregoni atyre katër përgjegjësitë e Kishës të caktuara në mënyrë hyjnore. Këto përfshijnë ndihmën në veprën e Perëndisë duke 1) e jetuar ungjillin e Jezu Krishtit, 2) duke u përkujdesur për njerëzit nevojtarë, 3) duke i ftuar të gjithë njerëzit që ta marrin ungjillin dhe 4) duke i bashkuar familjet për përjetësinë (shihni te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 1.2, ChurchofJesusChrist.org). Ju mund t’i renditni këto në tabelë dhe t’u kërkoni nxënësve të tregojnë më shumë mënyra të veçanta që përfshihen në secilin nga këta krerë, të cilat ndihmojnë të përgatiten njerëzit për Ardhjen e Dytë të Zotit.

“Lutjuni Zotit, që mbretëria e Tij të mund të përhapet”

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 65:4–6, duke kërkuar atë që dha mësim Shpëtimtari se mund ta bëjmë individualisht për të ndihmuar që bota të përgatitet për Ardhjen e Tij të Dytë.

  • Çfarë zbulove?

  • Cilat janë disa nga “veprat e … mrekullueshme” të Shpëtimtarit që përmbushen nëpërmjet Kishës së Tij? (Shih te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 1.2, 1.3, ChurchofJesusChrist.org.)

  • Në ç’mënyrë na ndihmojnë këto vepra që ta përgatitim veten dhe të tjerët për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit?

Mund të doni t’u jepni nxënësve një mundësi në klasë dhe jashtë saj për t’i “bë[rë] të njohura veprat e tij të mrekullueshme” (Doktrina e Besëlidhje 65:4). Ata mund të diskutojnë mënyra për të folur me familjet dhe shokët e tyre, ose të tjerë.

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësimin se një gjë që mund ta bëjmë, është t’i “lut[emi] Zotit, që mbretëria e tij të mund të përhapet mbi tokë” (Doktrina e Besëlidhje 65:5).

61:34
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Ftesa ime … është që të luteni përditë që të gjithë fëmijët e Perëndisë të mund t’i marrin bekimet e ungjillit të Jezu Krishtit. Ju dhe unë po jetojmë për ta parë dhe do të vazhdojmë ta shohim, Izraelin të mbledhur me fuqi të madhe. Dhe ju mund të jeni pjesë e fuqisë që do ta mundësojë atë mbledhje!” (Rasëll M. Nelson dhe Uendi W. Nelson, “Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], ChurchofJesusChrist.org)

Vërini nxënësit të përsiatin për ftesën e Presidentit Nelson. Pasi të kenë pasur mundësi për të përsiatur, ftojini ata të tregojnë përvojat që kanë pasur duke e ndjekur ftesën e tij.

Nëse dëshironi, mund ta përmbyllni me një dëshmi që Kisha, ose “mbretëria e Perëndisë”, po përgatit rrugën që “mbretëria e qiellit” të vijë kur të kthehet Shpëtimtari (shihni te Doktrina e Besëlidhje 65:6).