“Mësimi 77 – Doktrina e Besëlidhje 64:1–17: ‘Kërkohet t’i Falni’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 64:1–17”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 77: Doktrina e Besëlidhje 64–66
Doktrina e Besëlidhje 64:1–17
“Kërkohet t’i Falni”
Gjatë një udhëtimi nga Misuri për në Ohajo, Jozef Smithi dhe të tjerët përjetuan grindje dhe ndjenja të këqija ndaj njëri-tjetrit. Te Doktrina e Besëlidhje 64, Jezu Krishti i udhëzoi ata rreth nevojës së tyre për të falur. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndjekin shembullin e Jezu Krishtit dhe të bëhen më falës.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Reflektimi mbi faljen
Ftojini nxënësit të tregojnë një histori rreth faljes. Ose mund të tregoni një histori për faljen si “Falja: Barra Ime u Bë e Lehtë” (8:24), që gjendet në ChurchofJesusChrist.org. Ftojini nxënësit t’u përgjigjen pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit.
-
A e konsideron veten se je një person që fal? Përse po ose përse jo?
-
Përse mendon se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dëshirojnë që ti t’i falësh të tjerët?
-
Kush është dikush që është e nevojshme ta falësh?
Ftojini nxënësit të kërkojnë zbulesë vetjake për të ditur se kë mund të jetë e nevojshme ta falin dhe çfarë mund të bëjnë për ta dhënë faljen.
Jezu Krishti fal
Merreni parasysh të ftoni një nxënës që ta lexojë kontekstin vijues për seksionin te Doktrina e Besëlidhje 64.
Në gusht të vitit 1831, pasi e përkushtuan Sionin në Misuri, Jozef Smithi, Oliver Kaudëri, Isak Morli, Ezra Buthi dhe të tjerët po ktheheshin në shtëpi në Ohajo. Nxehtësia e skajshme, kushtet e vështira të udhëtimit dhe mosmarrëveshjet me udhëheqjen e shtynë grupin të kritikonin dhe grindeshin me njëri-tjetrin. Pasi arritën në shtëpi, mes tyre vazhdonte të kishte ende tension (shih te Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days [Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme], vëll. 1, The Standard of Truth [Standardi i së Vërtetës], 1815–1846 [2018], f. 133–134, 136–137). Në përgjigje të përvojës së tyre, Zoti dha zbulesën që tanimë njihet si Doktrina e Besëlidhje 64.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 64:1–7, duke kërkuar se si iu përgjigj Jezu Krishti atyre që kishin mëkatuar.
Merreni parasysh të paraqitni një figurë të Shpëtimtarit. Kërkojuni nxënësve t’i përsiatin pyetjet vijuese. Më pas, ftojini nxënësit që t’ia tregojnë mendimet e tyre klasës ose një partneri.
-
Çfarë cilësish të Jezu Krishtit gjen në këto vargje?
-
Për cilën prej këtyre cilësive je më shumë mirënjohës? Përse?
Neve na kërkohet të falim
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 64:9–11, duke kërkuar se si na fton Jezu Krishti ta ndjekim shembullin e Tij.
Doktrina e Besëlidhje 64:9–11 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
-
Çfarë të bën përshtypje rreth asaj që Shpëtimtari iu dha mësim Jozefit dhe të tjerëve?
Ndihmojini nxënësit ta përcaktojnë të vërtetën që Jezu Krishti kërkon që ne t’i falim të gjithë njerëzit. Merreni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë. Ju mund t’i ftoni gjithashtu nxënësit ta shkruajnë atë në shkrimet e tyre të shenjta.
Shpenzoni kohë të mjaftueshme për t’i ndihmuar nxënësit t’i kuptojnë vargjet 9–11. Disa nga pyetjet vijuese mund të ndihmojnë.
-
Përse mendon se Jezu Krishti na kërkon t’i falim të gjithë?
-
Si mendon, përse kemi “mëkati[n] më [të] madh” (vargu 9) kur zgjedhim të mos i falim të tjerët?
-
Si mendon se mund të na ndihmojë t’i falim të tjerët po të themi në zemrën tonë “Perëndia duhet të gjykojë midis meje dhe teje” (vargu 11)?
-
Cilat cilësi si të Krishtit do të të ndihmojë të zhvillosh falja e të tjerëve?
Të mësuarit se si t’i falim të tjerët
Merreni parasysh t’u jepni nxënësve kohë për të bërë pyetjet ose treguar sfidat që lidhen me faljen. Nxënësit mund t’u përgjigjen pyetjeve vijuese në tabelë, nëpërmjet një veçorie të anketimit anonim, ose në copa letrash që mund t’i shpërndahen klasës.
-
Çfarë pyetjesh mund të kenë njerëzit ndërsa përpiqen t’i falin të tjerët?
-
Me çfarë sfidash mund të përballen njerëzit ndërsa përpiqen ta ndjekin shembullin e Shpëtimtarit për të falur?
Nxënësit mund të bëjnë pyetje si: “Si mund të më ndihmojë Shpëtimtari t’i fal të tjerët?” ose “A do të thotë t’i falësh të tjerët se duhet të lëndohem sërish?”
Ftojini nxënësit të përzgjedhin një pyetje si klasë ose individualisht. Më pas vërini ata të kërkojnë te burime të caktuara në mënyrë hyjnore për përgjigjet.
Nxënësit mund t’i gjejnë përgjigjet duke kërkuar fjalë si “Jezusi”, “fal”, “Shpëtimtar” dhe “mëshirë” në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Mund t’u jepni gjithashtu shkrime të shenjta si Mateu 5:7, 18:21–35 dhe Mosia 26:30–31, si dhe thëniet profetike të renditura më poshtë.
Plaku Gerit W. Gong, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se si Jezu Krishti mund të na ndihmojë t’i falim të tjerët:
“Nganjëherë, gatishmëria jonë për t’i falur të tjerët, u mundëson si atyre ashtu edhe neve që të besojmë se mund të pendohemi dhe të falemi. Nganjëherë, një gatishmëri për t’u penduar dhe një aftësi për të falur vijnë në periudha të ndryshme. Shpëtimtari ynë është Ndërmjetësi ynë me Perëndinë, por Ai gjithashtu na ndihmon të na sjellë në vete dhe te njëri-tjetri ndërsa vijmë tek Ai. Sidomos kur lëndimi dhe dhembja janë të thella, riparimi i marrëdhënieve tona dhe shërimi i zemrave tona është i vështirë, ndoshta i pamundur për ne vetë. Por qielli mund të na japë forcë dhe urtësi përtej asaj që kemi, për të ditur se kur duhet të vazhdojmë dhe si të heqim dorë.” (Gerit W. Gong, “Të Lumtur dhe Përgjithmonë”, Liahona, nëntor 2022, f. 85)
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“‘Falni dhe do të jeni të falur’ [Lluka 6:37], dha mësim Krishti në kohën e Dhiatës së Re. Dhe në kohën tonë: ‘Unë, Zoti, do të fal kë do të fal, por nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit’ [Doktrina e Besëlidhje 64:10]. Megjithatë është e rëndësishme për disa prej jush që jetojnë në ankth të vërtetë, që të vëreni atë që Ai nuk tha. Ai nuk tha: ‘Nuk ju lejohet të ndieni dhembje të vërtetë ose brengë të vërtetë nga përvojat shkatërruese që i keni pasur për shkak të një personi tjetër’. Dhe as nuk tha: ‘Me qëllim që të falni plotësisht, ju duhet të hyni sërish në një marrëdhënie helmuese ose të ktheheni në një rrethanë keqtrajtuese dhe shkatërruese’. Por pavarësisht nga fyerjet më të tmerrshme që mund të na vijnë, ne mund të ngrihemi mbi dhembjen tonë vetëm kur i vendosim këmbët tona në shtegun e shërimit të vërtetë. Ai shteg është shtegu i faljes nëpër të cilin eci Jezusi i Nazaretit, që i bën thirrje secilit prej nesh: ‘Eja e më ndiq’ [Lluka 18:22].” (Xhefri R. Holland, “Shërbesa e Pajtimit”, Liahona, nëntor 2018, f. 78–79)
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i tregojnë përgjigjet që gjejnë ose mbresat që ndiejnë rreth faljes. Ata mund të tregojnë edhe shembuj se si janë bekuar duke e ndjekur shembullin e Shpëtimtarit për t’i falur të tjerët. Kujtojuni nxënësve të mos tregojnë asnjë përvojë ose hollësi që është tepër vetjake.
-
Çfarë veprimesh të veçanta mund të ndërmarrim që do të na ndihmojnë t’i falim të tjerët?
Përgjigjet e mundshme që mund t’i japin nxënësit, përfshijnë sa vijon:
-
Studiojini rrëfimet e Shpëtimtarit dhe të tjerëve që japin falje
-
Përsiatni se si jeta jonë do të ishte ndryshe nëse do të jepnim falje
-
Ofroni një lutje të sinqertë në të cilën ne ia japim barrën tonë Perëndisë dhe e kërkojmë ndihmën e Tij për t’i falur të tjerët
-
Pranoni se nëpërmjet Jezu Krishtit zemra jonë mund të ndryshojë me kalimin e kohës në mënyrë që ne të mund t’i falim përfundimisht të tjerët
Zbatimi në planin vetjak
Më herët në mësim, nxënësit u ftuan të mendojnë për dikë që është e nevojshme ta falin. Ftojini ata të reflektojnë mbi atë situatë dhe të kërkojnë frymëzim ndërsa u përgjigjen pyetjeve vijuese.
Përsiati pyetjet e mëposhtme dhe merre parasysh t’i shkruash mendimet ose ndjenjat e tua në ditarin tënd të studimit.
-
Çfarë mund të bësh për t’u mbështetur te Shpëtimtari për të falur?
-
Çfarë përpjekjesh do të bësh për ta ndjekur shembullin e Jezu Krishtit dhe për t’u bërë më falës?
Mësoni Përmendsh
Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni nxënësit t’i mësojnë përmendsh gjatë këtij mësimi referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë është: “Nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit”. Idetë për veprimtaritë me mësim përmendsh janë në shtojcë nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.