Seminari
Mësimi 78 – Doktrina e Besëlidhje 64:20–43: “Zoti Kërkon Zemrën dhe një Mendje të Gatshme”


“Mësimi 78 – Doktrina e Besëlidhje 64:20–43: ‘Zoti Kërkon Zemrën dhe një Mendje të Gatshme’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 64:20–43”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 78: Doktrina e Besëlidhje 64–66

Doktrina e Besëlidhje 64:20–43

“Zoti Kërkon Zemrën dhe një Mendje të Gatshme”

ferma e Isak Morlit

Ndërsa shenjtorët e hershëm u përpoqën ta ndërtonin Sionin, Jezu Krishti u kërkoi atyre të sakrifikonin dhe të kontribuonin në mënyra të ndryshme. Në përpjekjet tona të vazhdueshme për ta ndjekur Jezu Krishtin, Ai kërkon që t’i japim Atij zemrën dhe mendjen tonë të gatshme. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë një dëshirë më të madhe për t’ia dhënë Zotit zemrën dhe mendjen e tyre të gatshme.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Zotërimet vetjake

Mund ta filloni orën mësimore duke u kërkuar nxënësve të mendojnë për zotërime vetjake që ata i konsiderojnë me vlerë. Merreni parasysh të jepni pyetje që mund ta lehtësojnë bisedën me klasën ose në grupe të vogla. Për shembull:

  • Cila është diçka që ti e zotëron, që ke punuar fort për ta fituar?

  • Cila është diçka që e zotëron, që do ta kishe të vështirë që t’ia falje dikujt tjetër? Përse do të ishte e vështirë?

Ferma e Isak Morlit

Ju mund tregoni figurën në fillim të këtij mësimi dhe ta ftoni një nxënës ta lexojë informacionin vijues me zë të lartë.

Isak dhe Lusi Morli punuan fort për të ndërtuar një fermë të begatë prej 32 hektarësh pranë Kirtlandit në Ohajo. Si pjesë e bindjeve të tyre fetare, ata i ftuan njerëzit të jetonin në pronën e tyre, t’i ndanin zotërimet e tyre dhe t’i kishin të gjitha gjërat të përbashkëta me njëri-tjetrin. Kur misionarët shenjtorë të ditëve të mëvonshme ndaluan në Kirtland, ata predikuan mesazhin e Rivendosjes për ata që jetonin në fermën e familjes Morli. Ndër ata që u kthyen në besim ishin Isak dhe Lusi Morli. Pak pas pagëzimit të tyre, çifti Morli mirëpriti Jozef dhe Ema Smithin të jetonin në fermën e tyre. (Shih te Susan Easton Black, Who’s Who in the Doctrine and Covenants [1997], f. 198.)

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 64:20 dhe kërko udhëzimet e Zotit për Isak Morlin.

  • Si mendon, si do të ishe përgjigjur po të ishe në situatën e Isakut? Përse?

  • Si mund të të ndihmojë ty të bindesh dijenia se kërkesa erdhi nga Shpëtimtari?

Shpjegoni se Isakut i ishte kërkuar më parë ta shiste fermën e tij dhe kishte refuzuar. Por kur e mori këtë zbulesë, Isaku e shiti me bindje fermën e tij, ia dha paratë Kishës dhe u zhvendos me familjen e tij në Misuri për të ndihmuar në ndërtimin e Sionit. Ju mund të vini në dukje gjithashtu se burrave të tjerë iu tha në këtë zbulesë të mos i shisnin pronat e tyre (shihni te Doktrina e Besëlidhje 64:21, 26). Këta burra i shenjtëruan pronat e tyre për Zotin duke i përdorur ato për të mbështetur Kishën dhe shenjtorët në Kirtland. Kjo mund të jetë një kohë e përshtatshme për t’u kujtuar nxënësve të vërtetat që mësuan rreth Shpëtimtarit dhe ligjit të përkushtimit te Doktrina e Besëlidhje 42:29–39.

Zoti kërkon zemrën dhe mendjen tonë të gatshme

Shpjegoni se, megjithëse Zoti mund të mos na kërkojë që t’i shesim pronat tona, ka gjëra që Ai i kërkon nga ne ndërsa përpiqemi fort ta ndjekim Atë.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 64:22, 34. Kërko kërkesat që ka Zoti ndaj nesh.

  • Çfarë gjete?

Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë se Zoti na kërkon që t’ia japim Atij zemrën dhe mendjen tonë të gatshme.

Mendoni për mënyra për t’i ndihmuar nxënësit tuaj ta kuptojnë më mirë se çfarë do të thotë t’ia japim Zotit zemrën dhe mendjen tonë të gatshme. Një mënyrë është t’i ftoni nxënësit të imagjinojnë sikur iu kërkua të ndihmonin për të shkruar një mësim të programit Eja, Më Ndiq për seksionin te Doktrina e Besëlidhje 64. Nxënësit mund t’i studiojnë më vete ose në grupe të vogla shkrimet e shenjta vijuese ose të tjera që i gjejnë vetë, më pas të shkruajnë një shpjegim se çfarë do të thotë t’ia japim Zotit zemrën dhe mendjen tonë të gatshme. Lejojini nxënësit ta tregojnë dhe diskutojnë atë që shkruan.

Nxitini nxënësit të kërkojnë zbulesë vetjake për të ditur se si ata mund t’ia japin personalisht Zotit zemrën dhe mendjen e tyre të gatshme.

Lexoji fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta dhe kërko ide që mund të të ndihmojnë ta kuptosh se çfarë do të thotë t’ia japim Zotit zemrën dhe mendjen tonë të gatshme. Mund të shkruash një shpjegim në ditarin tënd të studimit.

Mësime në Shkrimet e Shenjta

Shembuj nga jeta e Shpëtimtarit

  • Në ç’mënyrë është Jezu Krishti një shembull i mirë i dhënies së zemrës dhe mendjes së Tij të gatshme Atit Qiellor?

  • Në përpjekjet e tua për ta ndjekur Jezu Krishtin, në ç’mënyrë ka sjellë një ndryshim në jetën tënde dhënia e zemrës dhe mendjes sate të gatshme Atij?

Ju mund të shpenzoni kohë për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë se ka një ndryshim ndërmjet thjesht të bërit të asaj që Zoti kërkon prej nesh, dhe bindjes ndaj Tij me zemrën dhe mendjen tonë të gatshme.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të renditin në tabelë shumë urdhërime që Zoti na kërkon t’i zbatojmë ose sakrifica që Ai mund të na kërkojë t’i bëjmë. Kërkojuni nxënësve të diskutojnë në dyshe ose në grupe të vogla se si ne mund t’ia japim Zotit zemrën dhe mendjen tonë të gatshme ndërsa i bëjmë këto gjëra. Për shembull, ata mund të diskutojnë se si ne mund t’ia japim mendjen dhe zemrën tonë të gatshme Zotit ndërsa përpiqemi fort ta mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit.

Reflektimi vetjak

Nëse keni zgjedhur të shkruani urdhërime ose sakrifica në tabelë, ftojini nxënësit ta shohin listën dhe të reflektojnë për gatishmërinë e tyre për t’i bërë këto gjëra. Merreni parasysh t’i udhëzoni nxënësit të skicojnë një zemër dhe një mendje në ditarin e tyre të studimit. Mund ta paraqitni figurën më poshtë si një model. Ftojini ata të reflektojnë se sa shumë po i japin Shpëtimtarit nga zemra dhe mendja e tyre dhe më pas të ngjyrosin aq sa e ndiejnë se po ia japin Atij. Mund t’i ftoni më pas të përsiatin dhe t’i shkruajnë përgjigjet e tyre për pyetjet vijuese.

mendja dhe zemra
  • Çfarë ke mësuar sot që mund ta shtojë dëshirën tënde për t’ia dhënë Zotit zemrën dhe mendjen tënde të gatshme?

  • Në ç’mënyrë mendon se dhënia e zemrës dhe mendjes sate Shpëtimtarit mund të të ndihmojë të bëhesh më i ngjashëm me Të?

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë se çfarë kanë ndier dhe mësuar. Ju mund të jepni gjithashtu dëshmi ose të tregoni një përvojë kur e keni vëzhguar dikë t’ia japë Zotit zemrën dhe mendjen e tij të gatshme.