Seminari
Mësimi 76 – Doktrina e Besëlidhje 63:57–64: Nderim për Emrin e Shenjtë të Jezu Krishtit


“Mësimi 76 – Doktrina e Besëlidhje 63:57–64: Nderim për Emrin e Shenjtë të Jezu Krishtit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 63:57–64”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 76: Doktrina e Besëlidhje 60–63

Doktrina e Besëlidhje 63:57–64

Nderim për Emrin e Shenjtë të Jezu Krishtit

Shpëtimtari duke dhënë mësim

Në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 63, Shpëtimtari shprehu dëshirën e Tij që ndjekësit e Tij të “ruhen se si e zënë në gojë emrin [e Tij]” (Doktrina e Besëlidhje 63:61). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndiejnë rëndësinë e përdorimit të emrit të Shpëtimtarit me nderim.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

I kujdesshëm dhe jo rastësor

Shkruajeni frazën I kujdesshëm dhe jo rastësor në tabelë. Më pas ftojini nxënësit t’i diskutojnë pyetjet vijuese:

  • Cilat janë disa situata në të cilat do të ishte e rëndësishme për dikë që të jetë i kujdesshëm dhe jo rastësor? Përse?

    Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë për të menduar ide, ju mund të përmendni disa shembuj, të tillë si ngarja e një makine, kërkimi në internet, prerja e flokëve ose kryerja e një procedure mjekësore.

  • Cilat janë disa gjëra për të cilat mendon se Shpëtimtari dëshiron që të tregohemi të kujdesshëm në jetën tonë?

Motra Rebeka L. Krejvën, e Presidencës së Përgjithshme të Të Rejave, shtroi pyetjen vijuese:

Motra Rebeka L. Krejvën

“A jemi të kujdesshëm me fjalorin tonë? Apo përqafojmë në mënyrë rastësore fjalorin e vrazhdë dhe vulgar?” (Rebeka L. Krejvën, “Të Qenit i Kujdesshëm Kundrejt të Qenit Rastësor”, Liahona, maj 2019, f. 10)

Cilat janë disa situata në të cilat mund të hasësh gjuhë që nuk tregon respekt ndaj Perëndisë ose gjërave të tjera të shenjta?

Ftojini nxënësit të mendojnë rreth mënyrës se si ndihen kur hasin gjuhë të tillë. Nxitini ata që, ndërsa studiojnë, të kërkojnë mësime që mund t’i ndihmojnë ta ndiejnë rëndësinë e të qenit të kujdesshëm në mënyrën se si flasin për gjërat e shenjta, sidomos se si i përdorin emrat e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Nderim për emrin e Jezu Krishtit

Shpjegimi vijues mund t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë kontekstin për vargjet që do t’i studiojnë nga Doktrina e Besëlidhje 63.

Në kohën e zbulesës së shënuar te Doktrina e Besëlidhje 63, disa nga shenjtorët në Kirtland të Ohajos, e kishin përdorur emrin e Zotit pa autoritetin e duhur të priftërisë (shih te Doktrina e Besëlidhje 63:62). Zoti i dënoi këto veprime dhe u dha mësim shenjtorëve të vërteta të rëndësishme rreth mënyrës se si duhet të përdoret emri i Tij.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 63:58–64, duke kërkuar atë që dëshiroi Zoti që të kuptonin shenjtorët rreth Tij.

  • Çfarë të ndihmojnë të kuptosh rreth Jezu Krishtit këto vargje?

  • Çfarë mësove nga vargjet 61–64 rreth mënyrës se si duhet ta përdorim emrin e Shpëtimtarit?

    Një e vërtetë që mund ta përmendin nxënësit nga këto vargje, është se emri i Jezu Krishtit është i shenjtë dhe duhet të përdoret me kujdes.

  • Si mendon, çfarë do të thotë ta përdorësh emrin e Shpëtimtarit me kujdes?

  • Çfarë pyetjesh ke rreth asaj që po mëson në këto vargje?

Nëse nxënësit kanë pyetje se çfarë do të thotë ta përdorësh “emrin e Zotit … më kot” (vargu 62), shpjegojeni se kjo mund të përfshijë të folurin pa respekt për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin (shihni te Dallin H. Ouks, “Reverent and Clean”, Ensign, maj 1986, f. 49–50). Kjo mund të përfshijë edhe përdorimin e autoritetit të priftërisë së Shpëtimtarit në mënyrë të padenjë (shihni te Nil L. Andersen, “Fuqi në Priftëri”, Liahona, nëntor 2013, f. 92). Sigurohuni që nxënësit ta kuptojnë se është e përshtatshme të flasin për Shpëtimtarin në bisedat e përditshme ose për ungjillin kur flasim për Të me dashuri dhe respekt.

Përpara se të bëni pyetjen vijuese, mund të jetë e dobishme t’i vini nxënësit të imagjinojnë sikur ata njohin dikë që nuk e kupton rëndësinë e përdorimit të emrit të Shpëtimtarit me nderim. Ata mund ta mbajnë këtë person në mendje ndërsa diskutojnë.

  • Si mendon, çfarë mund të na ndihmojë të ndiejmë një dëshirë më të madhe për ta përdorur emrin e Jezu Krishtit me nderim?

Të ndierit e dashurisë dhe nderimit më të madh për Jezu Krishtin

Shpjegoni se kuptueshmëria më e madhe se kush është Jezu Krishti dhe çfarë ka bërë Ai për ne mund të na ndihmojë të ndiejmë dashuri dhe nderim më të madh për Të.

Përpara se ta paraqitni veprimtarinë vijuese të studimit, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë përvojat që kanë pasur ose të vërtetat që dinë nga shkrimet e shenjta, që i nxitin ata të mendojnë dhe flasin me nderim rreth Jezu Krishtit. Mund të tregoni edhe një shembull nga jeta juaj.

Shpenzo ca kohë për të kërkuar te burime të caktuara në mënyrë hyjnore që mund të të ndihmojnë të ndiesh dashuri më të madhe për Jezu Krishtin dhe dëshirë për të folur për Të me nderim. Mund të kërkosh shkrime të shenjta, thënie nga udhëheqësit e Kishës, himne ose burime të tjera të dobishme që e përshkruajnë se kush është Ai ose çfarë ka bërë Ai. Shënoji idetë dhe ndjenjat e tua në ditarin tënd të studimit.

Nxënësit mund të kërkojnë vetë burime ose me një partner. Nëse është e nevojshme, mund t’u jepni atyre disa shembuj të burimeve të cilave mund t’u referohen, si himnet që japin mësim për natyrën e shenjtë të Jezu Krishtit ose disa nga shkrimet e shenjta vijuese: Mateu 8:23–27; 2 Nefi 25:13; Doktrina e Besëlidhje 18:23–25; 35:1–2; 110:1–5.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini nxënësit ta tregojnë atë që mësuan dhe ndien nga studimet e tyre. Nëse nxënësit gjetën himne kuptimplota, klasa mund ta këndojë një ose më shumë prej tyre së bashku. Mund t’i ftoni gjithashtu nxënësit ta lexojnë një shkrim të shenjtë që gjetën dhe të tregojnë përse ishte domethënës për ta.

Pyetjet vijuese mund t’i ndihmojnë nxënësit t’i tregojnë idetë e tyre:

  • Çfarë studiove që frymëzoi mirënjohje ose respekt për Shpëtimtarin?

  • Si mund të ndikojë në zgjedhjet e tua të kujtuarit e asaj që studiove?

Mund ta zgjeroni diskutimin e pyetjes së dytë duke i ndarë nxënësit në grupe të vogla dhe duke i ftuar ata të diskutojnë se çfarë ndikimi mund të ketë në aspekte të caktuara të jetës së tyre kur ndiejmë nderim më të madh për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Shembujt e aspekteve të jetës së tyre për të cilët mund të flasin, përfshijnë:

  • Zgjedhjet që bëjnë lidhur me përdorimin e mediave.

  • Ndërveprimet e tyre me të tjerët.

  • Gatishmërinë e tyre për ta shpërndarë ungjillin.

  • Mënyrën se si i luten Atit Qiellor.

Lidhja me jetën tënde

Për t’i ndihmuar nxënësit të reflektojnë mbi të mësuarit e tyre, ftojini ata t’i përgjigjen të paktën njërës prej pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit:

  • Nisur nga ajo që mësove sot nga Shpirti ose nga bashkëmoshatarët e tu, çfarë ndryshimesh vëren në ndjenjat ose këndvështrimin tënd për Shpëtimtarin?

  • Çfarë është diçka që ti ndien një dëshirë ta bësh më mirë ose ndryshe si rezultat i asaj që mësove sot?

Ftojini disa nxënës të gatshëm ta tregojnë atë që shkruan. Më pas përmbylleni mësimin duke dhënë dëshminë tuaj për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin dhe shpjegoni përse emrat e Tyre janë të shenjtë për ju.