Seminari
Mësimi 75 – Doktrina e Besëlidhje 63:1–23: Ligji i Zotit për Dëlirësinë


“Mësimi 75 – Doktrina e Besëlidhje 63:1–23: Ligji i Zotit për Dëlirësinë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 63:1–23”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 75: Doktrina e Besëlidhje 60–63

Doktrina e Besëlidhje 63:1–23

Ligji i Zotit për Dëlirësinë

grua duke studiuar shkrimet e shenjta

Në verën e vitit 1831, Profeti Jozef Smith u kthye nga Misuri dhe mësoi se disa nga shenjtorët në Kirtland kishin kryer mëkate të rënda, duke përfshirë shkelje të ligjit të dëlirësisë. Në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 63, Zoti i paralajmëroi shenjtorët për seriozitetin e mëkateve të tyre. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndiejnë rëndësinë e bindjes vetjake ndaj ligjit të Zotit për dëlirësinë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Rëndësia e virtytit

Jezusi duke buzëqeshur

Për të nisur orën mësimore, merreni parasysh të shfaqni një figurë që paraqet Shpëtimtarin. Ftojini nxënësit t’i shkruajnë në tabelë përgjigjet e tyre për pyetjen e parë nga pyetjet vijuese. Mund t’i ftoni disa nxënës ta shpjegojnë atë që shkruan dhe të tregojnë se si do t’i përgjigjeshin pyetjes së dytë.

  • Cilat janë disa fjalë ose fraza që i përshkruajnë cilësitë që Shpëtimtari dëshiron që ne t’i kemi?

    Shtojeni fjalën i virtytshëm në tabelë nëse nuk është tashmë aty. Shpjegoni se të jesh i virtytshëm përfshin të pasurit e integritetit moral, të qenit seksualisht i pastër dhe të pasurit e fuqisë dhe forcës shpirtërore (shihni tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Virtyt”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).

  • Si mendon, përse të qenit i virtytshëm është një karakteristikë e rëndësishme që ne ta kemi?

  • Si sulmohet në kohën tonë urdhërimi i Shpëtimtarit për të qenë të virtytshëm?

Ftojini nxënësit të mendojnë se sa e rëndësishme është që ata të jenë të virtytshëm dhe seksualisht të pastër. Ata mund të mendojnë gjithashtu për pyetje që kanë ose pengesa me të cilat përballen personalisht, të lidhura me këtë urdhërim. Nxitini nxënësit t’u kushtojnë vëmendje nxitjeve shpirtërore që mund t’i ndihmojnë ata të ndiejnë një dëshirë më të madhe për të jetuar jetë të pastër dhe të virtytshme.

Shpëtimtari e dënon mëkatin seksual

Sfondi kontekstual vijues mund t’i ndihmojë nxënësit të përgatiten për të studiuar seksionin te Doktrina e Besëlidhje 63.

Në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 63, Shpëtimtari trajtoi sjelljet mëkatare të disa prej shenjtorëve në Kirtland të Ohajos. Ai paralajmëroi për seriozitetin e këtyre mëkateve (shih te Doktrina e Besëlidhje 63:1–6) dhe tregoi të vërteta rreth rëndësisë së të qenit seksualisht i pastër.

Studio te Doktrina e Besëlidhje 63:13–16, duke kërkuar ftesat dhe paralajmërimet e Zotit.

Nëse është e nevojshme, ndihmojini nxënësit ta kuptojnë domethënien e fjalëve ose frazave kyç në këto vargje. Për shembull, mund të jetë e dobishme të shpjegoni se “shkel[ja e] besnikëri[s]ë bashkëshortore” i referohet marrëdhënieve seksuale ndërmjet një individi të martuar dhe dikujt që nuk është bashkëshorti/ja i saj/e tij. Të “dëshir[osh]” dikë do të thotë ta shikosh një person në një mënyrë që zgjon ndjesi seksuale. Kjo përfshin shikimin e pornografisë. “Ligji i dëlirësisë thotë se Perëndia e miraton aktivitetin seksual vetëm midis një burri dhe një gruaje që janë të martuar” (Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve [2022], f. 23).

  • Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth ndikimit që mëkatet seksuale mund të kenë mbi ne?

  • Çfarë mund të mësosh rreth Shpëtimtarit nga fjalët e Tij në këto vargje?

Një e vërtetë që do të ishte e përshtatshme për t’u theksuar gjatë këtij diskutimi, është se Shpëtimtari e dënon epshin dhe të gjitha format e tjera të mëkatit seksual.

Thellimi i kuptueshmërisë rreth ligjit të dëlirësisë

Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se urdhërimi i Shpëtimtarit për të qenë seksualisht të pastër shpesh quhet ligji i dëlirësisë. Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre rreth rëndësisë së bindjes ndaj këtij ligji.

Ftojeni klasën të mbledhë disa pyetje që mund të kenë adoleshentët rreth ligjit të Zotit për dëlirësinë. Nxënësit mund të ndihen më rehat t’i bëjnë pyetjet në mënyrë anonime duke i shkruar pyetjet e tyre. Zgjidhni disa pyetje të përshtatshme dhe renditini ato në tabelë.

Për të të ndihmuar të përgatitesh për t’iu përgjigjur pyetjeve që ke ti ose të tjerët rreth ligjit të Zotit për dëlirësinë, studioji pjesët vijuese te materiali Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (2022): “Ecni në dritën e Perëndisë” (faqet 16–21) dhe “Trupi juaj është i shenjtë” (faqet 22–29).

Nxënësit mund të punojnë me një partner ose në grupe të vogla për t’i gjetur përgjigjet për pyetjet ku zgjodhën të përqendroheshin. Krahas studimit të pjesëve nga materiali Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve  (2022), nxënësit mund t’i ftoni gjithashtu të kërkojnë burime të tjera nga ungjilli.

Disa burime shtesë që mund t’ua tregoni nxënësve, mund të gjenden te pjesa “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit” në fund të mësimit.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini nxënësit ta diskutojnë atë që zbuluan ndërsa studiuan. Ftoni nxënës të shumtë të japin idetë e tyre. Një pyetje si ajo në vijim, mund të ndihmojë që ta udhërrëfeni diskutimin.

  • Çfarë gjete që e thelloi kuptueshmërinë tënde rreth arsyes përse ne jemi të urdhëruar ta jetojmë ligjin e dëlirësisë?

Bekimet për bindjen ndaj ligjit të dëlirësisë

Pasi i paralajmëroi shenjtorët rreth natyrës serioze të shkeljes së ligjit të dëlirësisë, Shpëtimtari i nxiti ata t’i zbatojnë urdhërimet e Tij dhe Ai premtoi bekime për bindjen.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 63:19–20, 23, duke kërkuar atë që dha mësim Shpëtimtari.

  • Çfarë bekimesh u premton Shpëtimtari atyre që i zbatojnë urdhërimet e Tij?

  • Si mund të na shtyjë të kujtuarit e këtyre bekimeve të jetojmë jetë të virtytshme?

Mund të ketë disa nxënës që kanë kryer mëkate, që lidhen me ligjin e dëlirësisë. Kujtojini klasës se kur ne përpiqemi fort me sinqeritet që të pendohemi për mëkatet tona, Shpëtimtari bën të mundur faljen dhe shërimin e plotë. Për ta ndihmuar cilindo që shqetësohet se ka bërë gabime tashmë, mund të theksoni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 58:42–43.

Kujtoje atë që ke mësuar

Jepuni nxënësve kohë për të reflektuar për atë që kanë mësuar dhe ndier gjatë studimeve të tyre sot. Një mënyrë për ta bërë këtë është t’i ftoni ata t’i shkruajnë përgjigjet e tyre për një ose më shumë nga pyetjet vijuese në ditarët e tyre të studimit.

  • Çfarë përshtypjesh ose ndjenjash pate ndërsa studiove sot?

  • Çfarë ke mësuar rreth rëndësisë së të qenit i dëlirë dhe ndikimit që mund të ketë ajo zgjedhje në jetën tënde?

  • Çfarë është diçka që ti ndien mbresën për ta bërë ose ndryshuar?

Përmbylleni mësimin duke u kujtuar nxënësve premtimin e Shpëtimtarit për t’i bekuar të gjithë ata që përpiqen fort me besnikëri për t’iu bindur ligjit të Zotit për dëlirësinë.