“Mësimi 63 – Doktrina e Besëlidhje 46:7–33, Pjesa 2: ‘Kërkoni me Zell Dhuntitë më të Mira’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 46:7–33, Pjesa 2”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 63: Doktrina e Besëlidhje 46–48
Doktrina e Besëlidhje 46:7–33, Pjesa 2
“Kërkoni me Zell Dhuntitë më të Mira”
Teksa përpiqemi të bëhemi si Jezu Krishti, mund ta gjejmë veten të shkurajuar nga dobësitë tona. Për shkak të Jezu Krishtit, mund të marrim Frymën e Shenjtë dhe dhuntitë shpirtërore që të na ndihmojnë të bëhemi më shumë si Shpëtimtari. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të bëhen më shumë si Jezu Krishti ndërsa kërkojnë dhuntitë e Shpirtit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Kërkimi për t’u bërë si Perëndia
Mund ta filloni orën mësimore duke i ftuar nxënësit të mendojnë për dobësitë ose papërsosuritë që mund të shkaktojnë acarim ose të na pengojnë të bëhemi si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Ftoni nxënës të shumtë që t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në tabelë.
Imagjino sikur një person e pranon se ai ose ajo përjeton disa nga dobësitë në tabelë dhe mendon: “Unë nuk mund t’i mposht këto gjëra. Kështu jam gatuar.”
-
Çfarë di ti rreth Jezu Krishtit që do të ishte e dobishme të kuptohet nga ky person?
Dhuntitë e Shpirtit
Një nga mënyrat se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të na ndihmojnë t’i kapërcejmë dobësitë tona është duke na dhënë dhunti shpirtërore.
-
Çfarë di ose mban mend rreth dhuntive shpirtërore?
Nxënësit mund të përgjigjen me të vërteta që i mësuan nga mësimi i mëparshëm (“Doktrina e Besëlidhje 46:7–33, Pjesa 1”). Nëse nuk e keni dhënë këtë mësim, mund të familjarizoheni me të në mënyrë që të mund t’i ndihmoni nxënësit t’i kuptojnë dhuntitë shpirtërore sipas nevojës.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 46:8 dhe theksoje me ngjyrë ftesën e Shpëtimtarit në lidhje me dhuntitë shpirtërore.
Çfarë mendon se do të thotë t’i kërkojmë dhuntitë shpirtërore?
-
Si mund të na ndihmojë kërkimi i dhuntive shpirtërore në përpjekjet tona për t’u bërë si Perëndia?
Vëllai Ted R. Kelister, ish‑President i Përgjithshëm i Shkollës të së Dielës, shpjegoi se si këto dhunti shpirtërore na ndihmojnë të bëhemi më shumë si Perëndia:
“Për shkak të Shlyerjes së Krishtit, ne kemi të drejtë të marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe dhuratat e saj shoqëruese shpirtërore. Këto dhurata janë tipare të perëndishmërisë; prandaj, sa herë që marrim një dhuratë nga Shpirti, ne bëhemi më shumë si Perëndia. Pa dyshim, kjo është arsyeja pse shkrimet e shenjta na këshillojnë në raste të shumta që t’i kërkojmë këto dhurata.
Presidenti Xhorxh Q. Kenon dha mësim: ‘Askush nuk duhet të thotë: “Oh, nuk mund të rresht së bëri këtë; është natyra ime”. Atë nuk e shfajëson kjo, për arsyen se Perëndia ka premtuar të … japë dhurata që do t’i çrrënjosin [dobësitë tona]. … Nëse çdonjëri prej nesh është i papërkryer, është detyra jonë që të lutemi për dhuratën që do të na bëjë të përkryer.’” (Ted R. Kelister, “Shlyerja e Jezu Krishtit”, Liahona, maj 2019, f. 87)
-
Çfarë mëson nga kjo thënie për dhuntitë shpirtërore?
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se Ati Qiellor na fton të kërkojmë dhuntitë e Shpirtit që të mund të bëhemi më shumë si Ai.
-
Cilat janë disa dhunti shpirtërore që një person mund t’i kërkojë për të mposhtur dobësitë e përcaktuara më herët në mësim?
Mund t’i ftoni nxënësit të shkruajnë dhuntitë shpirtërore në krah të një dobësie përkatëse në tabelë. Për shembull, nëse zemërimi u shkrua në tabelë, nxënësit mund të përcaktojnë dhuntinë e durimit. Nëse nxënësit shkruan mungesë vetëbesimi, ata mund të kërkojnë dhuntinë e guximit ose besimit.
Për t’i ndihmuar nxënësit për këtë veprimtari, mund t’i ftoni ata të rishikojnë dhuntitë shpirtërore te Doktrina e Besëlidhje 46:13–25. Mund të përdorni edhe thënien nga Vëllai Kelister për t’u kujtuar nxënësve që cilësitë e ngjashme me të Krishtit, të tilla si ato që renditen te Moroni 7:45 ose Doktrina e Besëlidhje 4:5–6, mund të konsiderohen gjithashtu dhunti shpirtërore. Kujtojuni nxënësve që dhunti të tjera shpirtërore nuk renditen në shkrimet e shenjta.
Reflekto mbi përpjekjet e tua për t’u bërë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:
-
Cila është një dobësi ose papërsosuri që do të doje ta mposhtje?
-
Çfarë dhuntish shpirtërore mund të kërkosh për ta mposhtur atë dobësi?
Si i kërkojmë dhuntitë shpirtërore?
Inkurajojini nxënësit t’i përdorin veprimtaritë vijuese për studim që të kërkojnë mënyra se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund t’i ndihmojnë ata teksa i kërkojnë dhuntitë shpirtërore që kanë renditur në ditarët e tyre të studimit.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 46:7–10, 30–33. Kërko udhërrëfim që do të të ndihmojë të kërkosh dhuntitë shpirtërore.
-
Si mendon, pse veprimet që përcaktove mund të të ndihmojnë në përpjekjet e tua për të kërkuar dhuntitë shpirtërore?
Mund të jetë e dobishme t’u kujtoni nxënësve që kërkimi i dhuntive shpirtërore është një proces gjatë gjithë jetës dhe Zoti i jep ato sipas vullnetit dhe kohës së Tij (shihni te Moroni 10:17).
Plaku Mervin B. Arnold, dikur i Të Shtatëdhjetëve, tregoi një mënyrë tjetër se si mund të kërkojmë dhunti shpirtërore nga Perëndia:
“Kur kërkojmë të marrim një dhunti shpirtërore, mund të studiojmë shembujt dhe mësimet e Shpëtimtarit që i përkasin asaj dhuntie të veçantë, dhe më pas të përpiqemi t’i përfshijmë ato mësime në jetën tonë”. (Mervyn B. Arnold, “Messages from the Doctrine and Covenants: Seek Ye the Best Gifts”, Ensign, mars 2005, f. 66)
Për t’i ndihmuar nxënësit të përgatiten ta zbatojnë këshillën nga thënia e mëparshme, mund t’i ftoni ata të mendojnë për një dhunti shpirtërore dhe të bëni modelin për mësimet e Plakut Arnold me klasën. Për shembull, nëse nxënësit përzgjedhin dhuntinë e guximit, ju mund të pyesni:
-
Si ishte Jezu Krishti shembull për guximin gjatë gjithë jetës së Tij? (Shihni te Mateu 26:47–56.)
-
Çfarë na ka mësuar Shpëtimtari për guximin në shkrimet e shenjta? (Shihni te Jozueut 1:9.)
-
Çfarë mund të bëjë dikush që të ushtrohet për ta përdorur guximin në jetën e vet?
-
Çfarë veprimesh mund të ndërmarrë një person për ta ftuar ndihmën e Shpëtimtarit ndërsa kërkon dhuntinë e guximit?
Pas këtij diskutimi, paraqitini udhëzimet vijuese dhe ftojini nxënësit të studiojnë një dhunti shpirtërore në mënyrë të pavarur.
Hidhi një sy në ditarin tënd dhuntisë që shkrove se do të doje ta kërkoje. Plotësoji hapat vijues:
-
Hulumto shkrimet e shenjta për një shembull ku Shpëtimtari e demonstron atë dhunti.
-
Gjej fragmente të shkrimeve të shenjta që përmbajnë mësime të tjera rreth asaj dhuntie.
-
Rendit dy ose tri gjëra që mund të bësh për ta ushtruar përdorimin e asaj dhuntie në jetën tënde.
-
Shkruaj diçka që do të bësh për të ftuar ndihmën e Shpëtimtarit ndërsa vazhdon ta kërkosh atë dhunti. Nëse është e nevojshme, drejtohu te Doktrina e Besëlidhje 46:7–10, 30–33.
Mund ta mbyllni duke i ftuar nxënësit të tregojnë dhuntinë që po kërkojnë, dhe atë që mësuan nga shembulli i Shpëtimtarit. Porositini që të mos tregojnë dobësi të cilat po përpiqen t’i mposhtin, që janë tepër personale sa të flasin për to. Inkurajojini nxënësit të veprojnë me besnikëri sipas mbresave që kanë marrë, dhe të vazhdojnë të ftojnë ndihmën nga Ati Qiellor ndërsa kërkojnë dhunti shpirtërore.