Në vitin 1831, për shkak të përndjekjeve dhe përçarjeve, disa shenjtorë filluan një praktikë ku u lejonin vetëm anëtarët e Kishës t’i frekuentonin mbledhjet e adhurimit. I shqetësuar për këtë dhe çështje të tjera, Jozef Smithi u lut për udhërrëfim dhe mori zbulesën që shënohet te Doktrina e Besëlidhje 46. Në këtë zbulesë, Shpëtimtari i urdhëroi anëtarët e Kishës t’i mirëpresin të gjithë ata që “me zell po kërkojnë mbretërinë” (Doktrina e Besëlidhje 46:5) për të frekuentuar shërbimet e adhurimit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i përmirësojnë përpjekjet e tyre për krijimin e një mjedisi mikpritës në mbledhjet e Kishës.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Mirëpritja e të gjithëve
Merreni parasysh të paraqitni fotografinë e një ndërtese vendore të Kishës me një pllakë që ka fjalët “Mirë se Vini Vizitorë”. Ju gjithashtu mund t’i paraqitni këto fjalë në tabelë. Materiali filmik “Welcome” [“Mirë se Vini”] (1:05) mund të jetë i dobishëm dhe t’i përgatitë nxënësit për diskutimin e sotëm.
1:17
Merre parasysh pse mendon se kjo pllakë gjendet shpesh në shtëpitë e mbledhjeve që i përkasin Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Si mund të kontribuojë të ndierit i mirëpritur në Kishë te përvoja e adhurimit të një personi?
Merreni parasysh t’i paraqitni pyetjet vijuese dhe t’i ftoni nxënësit që ta vlerësojnë në heshtje veten në një shkallë nga 1 (Asnjëherë) deri në 5 (Gjithmonë). Ata mund t’i mbajnë shënim përgjigjet e tyre në ditarët e tyre të studimit.
Sa i/e mirëpritur ndihesh në lagjen, degën ose klasën tënde të seminarit?
Sa shpesh përpiqesh t’i njohësh të tjerët më mirë në mjediset e kishës?
A ndien se shokët e tu dhe njerëz të tjerë në lagjen tënde të banimit do të ndiheshin të mirëpritur në shërbimet e adhurimit në kishë?
Teksa studion sot, kërko mësimet e Shpëtimtarit që mund t’i përdorje për të të ndihmuar ty dhe të tjerët të ndiheni të mirëpritur në kishë.
Udhëzimet e Zotit rreth mirëpritjes së të tjerëve
Shpërndajeni përmbledhjen vijuese që t’i ndihmoni nxënësit ta kuptojnë kontekstin për vargjet që do të studiojnë te Doktrina e Besëlidhje 46.
Në vitin 1831, pati një shqetësim që disa anëtarë të Kishës nuk kishin pranuar të lejonin njerëz që nuk ishin anëtarë, të frekuentonin mbledhjet e adhurimit në Kishë. Kjo praktikë erdhi si rrjedhojë e armiqve të Kishës që prishnin shërbimet e adhurimit. Pasi Jozef Smithi u lut për udhëzim, Zoti zbuloi mësime të rëndësishme rreth mënyrës se si shenjtorët duhet t’i drejtonin mbledhjet e tyre.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 46:1–6, duke kërkuar udhëzimin e Shpëtimtarit në lidhje me ata që donin të frekuentonin mbledhjet e Kishës.
Çfarë mëson nga këto vargje rreth mënyrës se si Zoti do që ne t’i trajtojmë të tjerët në mbledhjet tona të Kishës?
Nxënësit mund të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Zoti na ka urdhëruar t’i mirëpresim të gjithë në mbledhjet tona të Kishës.
Për ta theksuar rëndësinë e kësaj të vërtete, mund të jetë e dobishme t’i vini nxënësit të lexojnë tek 3 Nefi 18:22–25. Mund t’i vini gjithashtu nxënësit të lexojnë paragrafin poshtë kreut “Trajtojeni çdo njeri si një fëmijë të Perëndisë” në pjesën “Duajeni Perëndinë, duajeni të afërmin tuaj” te broshura Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve ([2022], f. 12).
Si mendon, pse mirëpritja e të tjerëve është aq e rëndësishme për Shpëtimtarin në Kishën e Tij?
Cilat janë disa sfida në kohën tonë që mund t’ia bëjnë të vështirë dikujt të ndihet i mirëpritur në mbledhjet e Kishës?
Cilat janë disa gjëra specifike që mund të bëjmë për t’i ndihmuar të tjerët të ndihen të mirëpritur në mbledhjet tona të Kishës?
Jezu Krishti ishte një shembull i mirëpritjes së të gjithëve
Shpëtimtari është shembulli i përsosur i ftesës dhe mirëpritjes së gjithkujt. Gjej një ose më shumë shembuj nga shkrimet e shenjta ku Jezusi po tregohet mikpritës dhe i dashur ndaj të gjithëve.
Nëse nxënësit kanë nevojë për drejtim shtesë, mund t’i drejtoni ata në fragmentet e shkrimeve të shenjta si Mateu 9:9–13; 19:13–15; Lluka 19:1–10 ose 3 Nefi 11:12–15. Merrni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë atë që zbulojnë dhe të diskutojnë përgjigjet e tyre për pyetjet vijuese. Mund t’i ftoni nxënësit të bëjnë disa shënime në ditarët e tyre të studimit me ide se si mund ta ndjekin shembullin e Shpëtimtarit.
Theksojeni shembullin e Jezu Krishtit: Për më shumë ndihmë për t’i ftuar nxënësit të kuptojnë se si Shpëtimtari është shembulli për atë që ata po mësojnë, shihni trajnimin e titulluar “Theksojeni Shembullin e Jezu Krishtit”, që gjendet te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Përqendrohuni te Jezu Krishti.
Pyetjet vijuese mund të përdoren për t’i ndihmuar nxënësit të tregojnë atë që mësuan dhe ndien.
Ndërsa e studiove shembullin e Shpëtimtarit, në ç’mënyrë solli një ndryshim dashuria e Tij për njerëzit me të cilët ndërveproi Ai?
Cila është diçka që mësove rreth Shpëtimtarit nga ajo që studiove, që mund të përpiqesh ta imitosh në jetën tënde?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të mendojnë dhe të tregojnë përvojat që kanë pasur, ku e kanë parë të mirën që mund të vijë duke i ndihmuar të tjerët të ndihen të mirëpritur në mbledhjet tona të Kishës. Mund edhe të tregoni një përvojë nga vetë jeta juaj.
Zbatimi i mësimeve të Shpëtimtarit
Bëj një plan për ta zbatuar urdhrin e Shpëtimtarit që t’i ndihmosh të gjithë të ndihen të mirëpritur në mbledhjet e Kishës. Mbaje shënim planin tënd në ditarin tënd të studimit. Merri parasysh pyetjet vijuese që të të vijnë në ndihmë për planin tënd:
Cilat janë disa mënyra specifike se si mund ta vësh në zbatim këshillën e Shpëtimtarit që studiove sot?
Çfarë mund të bësh për t’u ndier më i mirëpritur në mbledhjet e Kishës edhe vetë?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të japin përpjekjet e tyre më të mira për të vepruar sipas nxitjeve që mund të kenë pasur dhe planin që bënë sot. Inkurajojini nxënësit të orvaten të jenë të ndjeshëm ndaj nevojave të atyre që janë përreth nesh. Mund të jetë e përshtatshme t’i ftoni nxënësit t’ia tregojnë klasës përvojën e tyre me mirëpritjen e të tjerëve gjatë një mësimi pasues.