Seminari
Mësimi 60 – Doktrina e Besëlidhje 45:9–75, Pjesa 2: Përgatitja për Ardhjen e Dytë


“Mësimi 60 – Doktrina e Besëlidhje 45:9–75, Pjesa 2: Përgatitja për Ardhjen e Dytë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 45:9–75, Pjesa 2”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 60: Doktrina e Besëlidhje 45

Doktrina e Besëlidhje 45:9–75, Pjesa 2

Përgatitja për Ardhjen e Dytë

Krishti me rrobë të kuqe

Jezu Krishti do të vijë përsëri në tokë “mbuluar me fuqi dhe lavdi të madhe”, që të përmbushë premtimet që Ai ka bërë (Doktrina e Besëlidhje 45:44; shih edhe vargun 16). Te Doktrina e Besëlidhje 45, Shpëtimtari jep mësim me dashuri se si mund të përgatitemi për Ardhjen e Tij të Dytë. Qëllimi i këtij mësimi është t’i ndihmojë nxënësit të përgatiten për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Përgatitja për ngjarje të rëndësishme

Merreni parasysh të shkruani në tabelë (ose të paraqitni figura për) disa ngjarje që kërkojnë përgatitje në të cilat nxënësit po marrin ose do të marrin pjesë. Shembujt mund të përfshijnë provimet e shkollës, diplomimin, një mision kohëplotë ose një ngjarje sportive. Pyetini nxënësit se çfarë kanë të përbashkët këto ngjarje.

Mendo për ngjarjet, detyrat ose përgjegjësitë në jetën tënde që kërkojnë përgatitje. Ndërsa e bën, mendo për një përvojë kur nuk ishe përgatitur dhe një përvojë kur ishe përgatitur.

  • Si ndikoi shkalla e përgatitjes sate te mënyra se si u ndjeve ndërkohë që veprimtaria afrohej? Si ndikoi kjo te rezultati?

Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit do të jetë një ngjarje ndryshe nga çdo gjë që kemi përjetuar ndonjëherë. Përgatitja jonë për atë ngjarje mund të përcaktojë se si ndihemi ndërsa e presim kthimin e Tij dhe do të përcaktojë përvojën që do të kemi kur Ai të kthehet.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të diskutojnë për dy pyetjet vijuese në dyshe ose në grupe të vogla. (Mund t’u kujtoni atyre shenjat që studiuan te “Doktrina e Besëlidhje 45:9–75, Pjesa 1”.)

  • Çfarë di rreth ngjarjeve që do t’i paraprijnë Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit?

  • Nga ajo që di rreth Ardhjes së Tij të Dytë, pse do të doje të ishe i/e përgatitur për të?

Ndërkohë që ju ose një vullnetar e lexon vargun dhe thënien vijuese, vërini nxënësit të mbyllin sytë dhe të përfytyrojnë se si do të jetë kthimi i Shpëtimtarit.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 45:44 dhe thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke kërkuar se si do të jetë Ardhja e Dytë e Shpëtimtarit.

Plaku Nil L. Andersen

“Asgjë nuk e nxit dëshirën time për të folur për Krishtin më shumë sesa përfytyrimi i kthimit të Tij. Ndonëse nuk e dimë se kur do të vijë Ai, ngjarjet e kthimit të Tij do të jenë mahnitëse! Ai do të vijë në retë e qiellit, në madhështi dhe lavdi, me të gjithë engjëjt e Tij të shenjtë. Jo thjesht disa engjëj por të gjithë engjëjt e Tij të shenjtë.” (Nil L. Andersen, “Ne Flasim për Krishtin”, Liahona, nëntor 2020, f. 91)

  • Si mund të ndihmojë kuptueshmëria se si do të jetë Ardhja e Dytë të Shpëtimtarit, që të të japë shtysë të përgatitesh për të?

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta lidhin vargun te Doktrina e Besëlidhje 45:44 me referencën e zotërimit doktrinor te Doktrina e Besëlidhje 29:10–11.

Nëse dëshironi mund të vizatoni shkallën vijuese në tabelë dhe t’i ftoni nxënësit të shkruajnë në ditarët e tyre të studimit çdo mendim ose ndjenjë që u vjen ndër mend ndërsa përsiatin në heshtje se si do ta vlerësonin veten.

Për larmi, merreni parasysh t’i zëvendësoni numrat në shkallë me simbole grafike [emoji] ose figura të tjera që përshkruajnë emocione.

Duke përdorur këtë shkallë, ku do ta vlerësoje nivelin e sigurisë sate te vetja për pohimet vijuese?

  • Unë e di si të përgatitem për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

  • Ndihem i/e mirëpërgatitur për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

shkalla 1 deri 5

Përgatitja për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit

Mund të jetë e dobishme t’u tregoni nxënësve që te Doktrina e Besëlidhje 38:30 jepet mësim: “Nëse jeni të përgatitur, ju s’do të frikësoheni”. Mësimi i sotëm mund të na ndihmojë ta kapërcejmë frikën duke u përqendruar në dy mënyra se si mund ta përgatitim veten për Ardhjen e Dytë. Merreni parasysh të shkruani “Ne mund të përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit duke ” në tabelë. Teksa nxënësit i studiojnë vargjet vijuese, ftojini ata të shkruajnë fraza që e përfundojnë pohimin në tabelë.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 45:9, 32, 39, 57, 71 duke kërkuar mënyra se si Shpëtimtari na fton të përgatitemi për Ardhjen e Tij të Dytë.

Mund të jetë e dobishme të vini në dukje rëndësinë e mbajtjes së besëlidhjeve tona me Shpëtimtarin, te përgatitja për kthimin e Tij (shihni vargun 9).

Ndërkohë që seksioni 45 përfshin mënyra të shumta se si Shpëtimtari na fton të përgatitemi për ardhjen e Tij, pjesa e mbetur e këtij mësimi do të përqendrohet tek e vërteta se ne mund të përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit duke qëndruar në vende të shenja dhe duke e marrë Shpirtin e Shenjtë si udhërrëfyesin tonë. Ndihuni i/e lirë të përqendroheni në mënyra të tjera për t’u përgatitur sipas interesave dhe nevojave të nxënësve.

Qëndrimi në vende të shenjta dhe marrja e Shpirtit të Shenjtë si udhërrëfyesin tonë

ikona e fletushkës Merreni parasysh t’i ndani nxënësit në grupe dhe t’i siguroni çdo grupi fletushkën shoqëruese. Grupet mund të studiojnë një ose të dy pjesët e fletushkës. Ndërsa grupet po punojnë, merreni parasysh t’u kërkoni disa prej tyre të përgatiten për t’ia treguar klasës atë që gjetën, kur të kenë mbaruar të gjithë.

Përgatitja për Ardhjen e Dytë

Qëndroni në vende të shenjta

Lexoji referencat e shkrimeve të shenjta dhe thënien vijuese, duke kërkuar mënyra se si mund të zgjedhim të qëndrojmë në vende të shenjta.

Psalmeve 24:3–4; Isaia 58:13; Helamani 5:12; 3 Nefi 18:24; Doktrina e Besëlidhje 27:15; 115:5–6

Motra En M. Dib, e Presidencës së Përgjithshme të Të Rejave, shpjegoi:

Motra En M. Dib

“Presidenti Ezra Taft Benson këshilloi: ‘Vendet e shenjta përfshijnë tempujt tanë, kishat tona, shtëpitë tona dhe kunjet e Sionit të cilat janë … “për mbrojtje e për strehim” [Doktrina e Besëlidhje 115:6]’ [“Prepare Yourself for the Great Day of the Lord”, New Era, maj 1982, f. 50]. Përveç këtyre, besoj se secila prej nesh mund të gjejë shumë më tepër vende. Ne, së pari, mund ta mendojmë fjalën vend si mjedis fizik ose vendndodhje gjeografike. Megjithatë, një vend mund të jetë ‘një rrethanë, kusht apo gjendje e caktuar e mendjes’ [Merriam-Webster Online, ‘place’, merriam-webster.com/dictionary/place]. Kjo do të thotë që vendet e shenjta mund të përfshijnë edhe çaste në kohë – çaste kur Fryma e Shenjtë na dëshmon, çaste kur ndiejmë dashurinë e Atit Qiellor ose çaste kur marrim një përgjigje për lutjet tona. Për më tepër, besoj se çdo herë që keni kurajë të mbroni atë që është e drejtë, veçanërisht në rrethana ku askush tjetër nuk është i gatshëm të veprojë kështu, ju po krijoni një vend të shenjtë.” (En M. Dib, “Vendet Tuaja të Shenjta”, Liahona, maj 2013, f. 115)

Ta marrim Shpirtin e Shenjtë si udhërrëfyesin tonë

Lexoji referencat e shkrimeve të shenjta dhe thënien vijuese, duke kërkuar mënyra se si mund ta marrim Shpirtin e Shenjtë si udhërrëfyesin tonë.

Fjalët e Urta 3:5–6; Psalmeve 118:8–9; 1 Nefi 4:6; 2 Nefi 32:5; Moroni 10:5; Doktrina e Besëlidhje 11:12–14

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim:

Presidenti Dallin H. Ouks

“Si e marrim Shpirtin e Shenjtë për udhërrëfyesin tonë? Ne duhet të pendohemi për mëkatet tona çdo javë dhe t’i ripërtërijmë besëlidhjet tona duke marrë sakramentin me duar të pastra e zemër të kulluar, sikurse urdhërohemi të bëjmë [shih te Doktrina e Besëlidhje 59:8–9, 12]. Vetëm në këtë mënyrë ne kemi premtimin hyjnor që do ‘të ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]’ [Doktrina e Besëlidhje 20:77]. …

… Ne duhet t’i bëjmë gjithmonë gjërat e domosdoshme për ta mbajtur atë Shpirt. Ne duhet të zbatojmë urdhërimet, të lutemi për udhërrëfim dhe të frekuentojmë kishën dhe ta marrim sakramentin çdo të diel. Dhe nuk duhet të bëjmë kurrë asgjë për ta larguar atë Shpirt. Në mënyrë specifike, duhet të shmangim pornografinë, alkoolin, duhanin dhe drogat dhe gjithmonë, gjithmonë t’i shmangim shkeljet e ligjit të dëlirësisë.” (Dallin H. Oaks, “Be Not Deceived”, Liahona, nëntor 2004, f. 46)

  • Çfarë mendimesh ose mbresash të bënë përshtypje ndërsa studiove?

  • Si do të na përgatiste bërja e këtyre gjërave për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit?

Zgjidh një nga dy pjesët nga fletushka. Në anën e prapme të fletushkës, shkruaj dy ose tri mënyra specifike se si të rinjtë dhe të rejat mund t’i zbatojnë mësimet e kësaj pjese në jetën e tyre.

Merreni parasysh t’u kërkoni grupeve t’i vendosin fletushkat e tyre në të gjithë klasën në mënyrë që të duket ana e prapme. Ftojini nxënësit të ecin rrotull klasës duke lexuar idetë e ndryshme për zbatim. Përndryshe, grupet mund të shkëmbejnë letrat me njëri-tjetrin.

Përzgjidh një veprim që ndien se do të ishte dobiprurës për ty për ta zbatuar në jetën tënde.

  • Çfarë mund të bësh për ta zbatuar këtë veprim në jetën tënde?

  • Si do të të ndihmojë bërja e kësaj që të përgatitesh për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit?

Ftojini nxënësit të tregojnë atë që mësuan dhe ndien gjatë mësimit. Ftojini ata të veprojnë sipas mendimeve dhe ndjenjave të tyre. Për ta mbyllur, merreni parasysh të tregoni përsëri shkallën e vlerësimit nga pjesa më e hershme e mësimit. Ftojini nxënësit ta rivlerësojnë sigurinë e tyre te vetja lidhur me përgatitjen për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.