“Mësimi 58 – Doktrina e Besëlidhje 45:1–8: ‘Avokati … me Atin’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 45:1–8”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 58: Doktrina e Besëlidhje 45
Doktrina e Besëlidhje 45:1–8
“Avokati … me Atin”
Duke u folur anëtarëve të Kishës gjatë një pandemie botërore, Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Ati ynë e di se, kur jemi të rrethuar nga pasiguria dhe frika, ajo që do të na ndihmojë më tepër se çdo gjë tjetër, është ta dëgjojmë Birin e Tij” (“Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 89). Për të ndihmuar të qetësohej frika dhe pasiguria e shenjtorëve në fillim të vitit 1831, Zoti i ftoi ata ta dëgjonin zërin e Tij dhe të besonin në emrin e Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë më mirë misionin dhe karakterin e Jezu Krishtit ndërsa ata arrijnë të kuptojnë disa nga emrat dhe titujt e Tij.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Domethënia e emrave
Merreni parasysh t’i ndani nxënësit në grupe të vogla dhe t’i ftoni ata të japin hollësi rreth kuptimit ose domethënies së emrave ose mbiemrave të tyre. Nëse nxënësit janë të pasigurt rreth hollësive ose kuptimeve, ata mund të shpjegojnë atë që u pëlqen tek emri i tyre. Pasi nxënësit të kenë folur në grupe, kërkojuni disave t’i tregojnë klasës diçka që mësuan rreth emrit të një shoku apo shoqeje të klasës.
Lexoje thënien vijuese nga Plaku Xhonathan S. Shmit, i Të Shtatëdhjetëve:
“Një mënyrë e thjeshtë për ta njohur dikë është duke i mësuar emrin. …
Jezusi i njihte dhe i thërriste njerëzit në emër. Izraelit të lashtë, Zoti i tha: ‘Mos ki frikë, sepse unë të kam çliruar, të kam thirrur me emër; ti më përket mua’ [Isaia 43:1; theksimi i shtuar]. …
Ashtu si Jezusi e njeh secilin prej nesh me emër, një mënyrë se si mund të arrijmë ta njohim më mirë Jezusin është duke i mësuar emrat e Tij të shumtë. … Shumë nga emrat e Jezusit janë tituj që na ndihmojnë të kuptojmë misionin, qëllimin, karakterin dhe cilësitë e Tij. Ndërsa arrijmë t’i dimë emrat e shumtë të Jezusit, ne do të arrijmë ta kuptojmë më mirë misionin e Tij hyjnor dhe karakterin e Tij vetëmohues. Njohja e emrave të Tij të shumtë gjithashtu na frymëzon që të bëhemi më shumë si Ai.” (Xhonathan S. Shmit, “Të të Njohin Ty”, Liahona, nëntor 2022, f. 104–105)
Ftojini nxënësit të tregojnë atë që iu duk kuptimplotë te thënia e Plakut Shmit.
Merreni parasysh t’i renditni në tabelë përgjigjet e nxënësve për pyetjen vijuese.
-
Cilët janë disa emra ose tituj të Jezu Krishtit që të mësojnë më shumë rreth karakterit, misionit dhe cilësive të Tij?
-
Si mund të ta shtojë dëshirën për ta ndjekur Atë të kuptuarit më shumë rreth emrave dhe titujve të Tij?
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë për ta diskutuar pyetjen e mëparshme, paraqiteni të vërtetën vijuese: Njohja e emrave dhe titujve të Jezu Krishtit mund të na ndihmojë ta kuptojmë më mirë misionin hyjnor dhe karakterin e Tij vetëmohues.
Ftojini nxënësit të vlerësojnë dëshirën e tyre vetjake për të mësuar më shumë rreth Jezu Krishtit. Merreni parasysh të përdorni idenë vijuese ose të mendoni një tuajën: Inkurajojini nxënësit të reflektojnë në heshtje dhe të përgjigjen në ditarët e tyre të studimit.
Përdore vlerësimin vijues që të vlerësosh dëshirën dhe përpjekjet e tua për të kuptuar më shumë rreth Shpëtimtarit.
1 = rrallë; 2 = nganjëherë; 3 = shpesh
-
Dëshiroj ta kuptoj më mirë misionin hyjnor të Jezu Krishtit.
-
Ndërsa i studioj shkrimet e shenjta, kërkoj qëllimisht emra dhe tituj të Jezusit.
-
Është e rëndësishme për mua që ta njoh karakterin e Jezusit në mënyrë që të mund ta ndjek më mirë Atë.
Ndërsa mëson më shumë rreth faktit se kush është Shpëtimtari duke i studiuar emrat dhe titujt e Tij, kërkoji plot lutje Atit Qiellor që të ndihmojë të të shtohet dëshira për ta ndjekur Birin e Tij.
Avokati dhe miku ynë
Nxënësit mund ta kuptojnë më mirë misionin dhe karakterin e Jezusit duke studiuar një nga emrat e Tij të shumtë. Pasi të diskutojnë rolin e Tij si Avokati ynë me Atin, nxënësit do të kenë mundësi për të studiuar emra dhe tituj të ndryshëm të Jezusit në mënyrë të pavarur.
Merreni parasysh të paraqitni një figurë të Jezusit në Gjetseman ndërsa nxënësit marrin pjesë në veprimtarinë vijuese:
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 45:3–5 duke kërkuar një titull dhe rol të Jezu Krishtit.
Reflektoni për titujt e Jezu Krishtit: Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit ta njohin Shpëtimtarin më mirë nëpërmjet të kuptuarit të titullit të Tij si Avokati ynë me Atin. Për më shumë trajnim mbi mënyrën se si t’i ndihmoni nxënësit të përqendrohen tek titujt e Jezu Krishtit, shihni trajnimin “Jepni mësim për titujt, rolet dhe cilësitë e Jezu Krishtit” që gjendet te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Përqendrohuni te Jezu Krishti. Ky trajnim mund të ndihmojë të zhvillohet zotësia e “Krijimit të pyetjeve kërkimore për t’i ndihmuar nxënësit të përcaktojnë rolet, titujt, simbolet, cilësitë dhe karakteristikat e Jezu Krishtit”.
Merreni parasysh të bëni pyetje si vijueset për t’i ndihmuar nxënësit ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për rolin e Jezu Krishtit si Avokati ynë me Atin. Mund të vini në dukje se një përkufizim i fjalës avokat është dikush që ofron përkrahje dhe mbron kauzën e atyre në nevojë.
-
Cila është kuptueshmëria jote për fjalën avokat?
-
Sipas këtyre vargjeve, si po e përmbush Jezu Krishti rolin e Tij si Avokati ynë me Atin?
-
Çfarë mund të mësojmë për karakterin e Shpëtimtarit nga këto vargje?
Merreni parasysh të lexoni me nxënësit thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson: Ftojini nxënësit të tregojnë se si këto mësime shtesë nga Presidenti Nelson e shtojnë dashurinë dhe vlerësimin e tyre për Jezu Krishtin.
“Jezusi është Avokati ynë me Atin (shih te 1 Gjon 2:1; DeB 29:5; 32:3; 45:3; 110:4). Fjala avokat vjen nga rrënjët latine që kanë kuptimin një ‘zë për’ ose ‘dikush që mbron anën e dikujt tjetër’. Terma të tjerë të lidhur me të përdoren në shkrimet e shenjta, të tilla si ndërhyrës ose ndërmjetës (shih edhe te 1 Timoteut 2:5; 2 Nefi 2:28; DeB 76:69). …
… Të kuptuarit e Tij si avokati dhe ndërmjetësi ynë me Atin na jep siguri për mirëkuptimin, drejtësinë dhe mëshirën e Tij të pashoqe (shih tek Alma 7:12).” (Russell M. Nelson, “Jesus the Christ—Our Master and More” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 2 shkurt 1992], f. 4, speeches.byu.edu)
Kjo mund të jetë një pikë e mirë në mësim për t’u dhënë nxënësve kohë që të përsiatin ndjenjat e tyre rreth Shpëtimtarit. Merreni parasysh t’i shkruani pyetjet vijuese në tabelë dhe t’i ftoni nxënësit t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në ditarët e tyre të studimit. Si të jetë e përshtatshme, kërkojuni disa nxënësve që t’ia tregojnë disa nga ndjenjat e tyre klasës.
-
Si ndihesh ndërsa përpiqesh ta përfytyrosh Shpëtimtarin duke të mbajtur anën dhe duke të mbrojtur?
-
Si mund ta forcojë njohuria se Jezu Krishti është avokat për ty, vendosmërinë tënde për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve?
Mëso për Jezu Krishtin
Ndërsa nxënësit i studiojnë vargjet vijuese, nëse kanë nevojë për ndihmë për të përcaktuar një titull të Jezu Krishtit te vargu 1, mund t’ju duhet të shpjegoni se Ai e përmendi rolin e Tij hyjnor si Krijuesi i të gjitha gjërave.
Jezu Krishti ka shumë emra dhe tituj të tjerë. Lexo te Doktrina e Besëlidhje 45:1, 7, 59 duke kërkuar më shumë prej tyre.
Vendosni a do të kishin dobi nxënësit nga të punuarit me të tjerë ose në mënyrë të pavarur për veprimtarinë vijuese.
Inkurajojini nxënësit të mendojnë për një mënyrë krijuese se si ta organizojnë atë që po mësojnë. Për shembull, nxënësit mund të krijojnë një skicë në ditarët e tyre të studimit duke shkruar një emër ose titull të Krishtit në qendër të një faqeje. Ndërsa ata zbulojnë shkrime të shenjta dhe fraza të tjera që i ndihmojnë ata ta kuptojnë më mirë titullin që kanë zgjedhur, mund t’i shkruajnë këto në drejtime dhe madhësi të ndryshme nëpër faqe. Më pas ata mund të heqin vija për t’i lidhur shkrimet e shenjta dhe frazat me emrin ose titullin.
Zgjidh një emër ose titull nga studimi yt për të cilin dëshiron të mësosh më shumë. Përdori burimet për studim që ke në dispozicion, të tillë si programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] dhe ndihmat për studimin e shkrimeve të shenjta, për të mësuar atë që na mëson emri ose titulli rreth Jezu Krishtit. Mund edhe të studiosh fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme për të mësuar më shumë. Kur të mbarosh së studiuari, përgjigju për pyetjet vijuese:
-
Cila është një gjë që mësove ose ndjeve sot, që ta shtoi dashurinë dhe dëshirën për ta ndjekur Shpëtimtarin?
-
Si mund ta bekojë jetën tënde vazhdimi i të studiuarit dhe të mësuarit më shumë rreth emrave të Jezu Krishtit?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të japin hollësi dhe ide kuptimplota nga studimi i tyre. Mund të ketë mundësi në mësimet e ardhshme që ta diskutoni më tej atë që nxënësit mësuan sot rreth emrave dhe titujve të Jezu Krishtit.