“Mësimi 57– Doktrina e Besëlidhje 42:29–39: Përkushtuar Zotit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 42:29–39”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 57: Doktrina e Besëlidhje 41–44
Doktrina e Besëlidhje 42:29–39
Përkushtuar Zotit
Një grup anëtarësh të Kishës që jetonin në fermën e Ajzak dhe Lusi Morlit, kishin një dëshirë të madhe për ta jetuar ungjillin e Jezu Krishtit dhe për t’u kujdesur për njëri-tjetrin. Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Zoti zbuloi ligjin e përkushtimit për t’i ndihmuar shenjtorët të kujdeseshin për të varfrit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit që t’iu shtohet dëshira për ta jetuar ligjin e përkushtimit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
“Ju jeni duart e mia”
Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë i Presidencës së Parë, tregoi sa vijon:
“Tregohet një histori që, gjatë bombardimit të një qyteti në Luftën II Botërore, u dëmtua keqas një statujë e madhe e Jezu Krishtit. Kur njerëzit e qytetit e gjetën statujën mes rrënojave, ata u pikëlluan, sepse kishte qenë një simbol i dashur i besimit të tyre dhe i pranisë së Perëndisë në jetën e tyre.
Ekspertët qenë në gjendje ta riparonin pjesën më të madhe të statujës, por duart e saj ishin dëmtuar kaq keq saqë nuk mund të riparoheshin. Disa sugjeruan që të punësonin një skulptor që të bënte duar të reja, por të tjerë dëshir[uan] që ta linin siç ishte – një kujtues i përhershëm i tragjedisë së luftës. Së fundi, statuja mbeti pa duar. Megjithatë, njerëzit e qytetit vendosën tek bazamenti i statujës së Jezu Krishtit një tabelë me këto fjalë: ‘Ju jeni duart e mia’.” (Diter F. Uhtdorf, “Ju Jeni Duart e Mia”, Liahona, maj 2010, f. 68)
-
Çfarë të bëri përshtypje nga kjo histori?
-
Në çfarë mënyrash mund të jemi ne duart e Zotit?
Ftojini nxënësit të shkruajnë fjalët “duart e Tij” ose të vijëzojnë një nga duart e veta në ditarin e tyre. Ftojini ata të përsiatin dëshirën e tyre vetjake për të qenë duart e Zotit. Në fund të mësimit, ata do të kenë mundësinë t’i shënojnë mendimet dhe ndjenjat e tyre.
Ligji i përkushtimit
Në fillim të vitit 1831, anëtarët e Kishës që jetonin në Nju-Jork, migruan në Ohajo. Shumë prej këtyre shenjtorëve ishin të varfër dhe lanë pas shumë nga zotërimet e tyre. Në Ohajo, një grup i madh anëtarësh të rinj jetuan në fermën e Ajzak dhe Lusi Morlit. Ata kishin krijuar një grup të përbashkët që e quanin “Familja”. Një bindje që kishin të përbashkët, ishte që të gjitha zotërimet vetjake i përkisnin gjithkujt brenda grupit. Zoti i trajtoi praktikat e tyre kur ia zbuloi ligjin e Tij Jozef Smithit. Mes ligjesh të tjera, Zoti zbuloi parime të ligjit të përkushtimit. Të mësuarit dhe të jetuarit e këtyre parimeve ishte një mënyrë se si shenjtorët mund të ishin duart e Zotit.
Ftojini nxënësit të tregojnë atë që kanë dëgjuar rreth ligjit të përkushtimit, ose kërkojuni të thonë se çfarë pyetjesh mund të kenë. Nxënësit mund të kërkojnë një përkufizim të përkushtimit ose mund t’u jepni këtë nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.
“Të përkushtosh është të veçosh apo ta kushtosh diçka si të shenjtë, kushtuar qëllimeve të shenjta.” (D. Tod Kristoferson, “Mendime mbi një Jetë të Përkushtuar”, Liahona, nëntor 2010, f. 16)
Zoti u kërkoi shenjtorëve në Ohajo t’ia përkushtonin sendet e tyre personale Atij duke ia dhënë ato Kishës së Tij.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 42:29–38, duke kërkuar arsyet përse Zoti ua kërkoi këtë.
Nxënësit mund të përcaktojnë arsyet vijuese: që t’i tregojmë Zotit dashurinë tonë për Të (vargu 29), të kujdesemi për të varfrit (vargjet 30–31, 34), që të blihet tokë ku shenjtorët mund të mblidhen kur të kthehet Shpëtimtari (vargjet 35–36) dhe të ndërtohen shtëpi mbledhjesh dhe tempuj (vargu 35). Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se Jerusalemi i Ri që përmendet te vargu 35 i referohet “vendi[t] ku shenjtorët do të mblidhen dhe Krishti vetë do të mbretërojë me ta gjatë Mijëvjeçarit” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Jerusalem i Ri”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
-
Si mendon, pse Zoti i ftoi shenjtorët t’i kujtonin të varfrit dhe të kujdeseshin për ta?
-
Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga këto vargje?
Përveç të vërtetave që përcaktojnë nxënësit, ndihmojini ata të kuptojnë se ne i shërbejmë Shpëtimtarit duke u shërbyer të varfërve dhe se Zoti na kërkon t’ia përkushtojmë atë që kemi Atij, që të kujdesemi për të varfrit dhe të ndërtojmë mbretërinë e Tij.
Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë atë që lexojnë, mund t’iu kërkoni ta interpretojnë me role atë që iu kërkua të bënin anëtarëve të hershëm të Kishës së rivendosur të Zotit. Organizojini nxënësit në grupe me numra të ndryshëm njerëzish, si familjet. Shpërndani sende të vogla, si karamele ose monedha, mes grupeve, por mos i shpërndani sendet në mënyrë të barabartë. Jepuni disa grupeve më shumë se grupeve të tjera. Mund edhe t’i shpërndani sendet në mënyrë të tillë që disa grupe të mos marrin asnjë. Ftojini nxënësit ta demonstrojnë atë që duhet të ndodhë duke u bazuar tek udhëzimet e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 42:29–35. Ndihmojini nxënësit të përfytyrojnë nevojat e “familjeve” dhe mënyrën se si t’i plotësojnë ato nevoja. Merreni parasysh t’u jepni disa rrethana të mundshme që po përjeton familja e tyre, dhe mënyrën se si kjo mund t’i përcaktojë nevojat e tyre. Nëse është e dobishme, mund të përdoret një tas si shtëpia e ruajtjes së Zotit. Gjithashtu, një ose dy nxënës mund të luajnë pjesën e këshillit që përshkruhet te vargjet 31 dhe 34, të cilin Zoti e thirri për t’u siguruar që gjithkush të merrte atë që i nevojitej.
Ndërsa nxënësit japin përgjigjet e tyre për pyetjet vijuese, kërkoni mënyra për t’i ndihmuar ata të kuptojnë se parimet e përkushtimit janë njësoj për të gjithë fëmijët besëlidhës të Perëndisë në të gjitha periudhat ungjillore. Megjithatë, mënyrat specifike se si Perëndia e udhëzon popullin e Tij ta ushtrojë ligjin e përkushtimit, mund të ndryshojnë.
-
Në çfarë mënyrash na kërkon Zoti ta përkushtojmë atë që kemi sot?
-
Cilët janë disa shembuj të përdorimit të kohës sate, talenteve dhe bekimeve të tua nga Perëndia për të ndihmuar të tjerët?
-
Cilat janë disa mënyra se si mund të kujdesemi për nevojat e të varfërve?
Për shembuj bashkëkohorë të anëtarëve të Kishës që përkushtojnë kohën, talentet dhe paratë e tyre, mund të shfaqni një ose më shumë nga materialet filmike vijuese: “Fast Offerings: A Simple Commandment with a Marvelous Promise” [“Ofertat e Agjërimit: Një Urdhërim i Thjeshtë me një Premtim të Mrekullueshëm”] (3:01); “Syrian Refugee—‘The Moment I Was Shot I Knew I Would Never Walk Again’” [“Refugjatja Siriane – ‘Në Çastin kur më Qëlluan me Armë e Kuptova se Nuk do të Ecja më Kurrë’”] (2:39); “A Thousand Days” [“Një Mijë Ditë”] (4:32).
3:22:404:32 -
Çfarë di ti rreth Jezu Krishtit që mund të të japë shtysë t’ia përkushtosh kohën, talentet dhe mjetet e tua Atij?
-
Si mendon, pse Shpëtimtari do që ne t’i shërbejmë Atij duke u shërbyer njerëzve në nevojë? (Për ide shtesë, mund të kërkosh një ose më shumë nga këto fragmente të shkrimeve të shenjta: Jakobi [LiM] 2:17–19; Mosia 4:21–25; Doktrina e Besëlidhje 38:24–27; 104:14–17.)
-
Si mendon, në ç’mënyrë ndihma ndaj të tjerëve në nevojë na ndihmon që të bëhemi më shumë si Krishti?
Mund të jetë e dobishme t’i informoni nxënësit që në dhurimin në tempull, anëtarët besëlidhin ta mbajnë ligjin e përkushtimit duke ia dedikuar “kohën, talentet e tyre dhe gjithçka me të cilën Zoti i ka bekuar, ndërtimit të Kishës së Jezu Krishtit në tokë” (General Handbook: Serving in The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints [Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme], 27.2, ChurchofJesusChrist.org).
Nëse nxënësit bënë një vijëzim të dorës së tyre në ditarin e tyre të studimit, mund t’u kërkoni atyre ta plotësojnë atë gjatë veprimtarisë vijuese.
Ndalu një çast për të vlerësuar dëshirën tënde për të qenë duart e Zotit. Përsiatja dhe shkrimi në një ditar është një mënyrë se si mund të përpiqesh ta dëgjosh zërin e Shpëtimtarit dhe atë që Ai po të fton të bësh. Mund të reflektosh dhe të shkruash rreth njërës ose më shumë prej pikave vijuese:
Merreni parasysh të paraqitni nxitjet vijuese që nxënësit të reflektojnë dhe të shkruajnë për to.
-
Fjalë që i përshkruajnë ndjenjat e tua rreth të jetuarit të ligjit të përkushtimit
-
Mënyra në të cilat do të doje ta ndaje atë që Zoti të ka dhënë, për t’i ndihmuar të tjerët
-
Çfarëdo shqetësimi që ke rreth të jetuarit të ligjit të përkushtimit dhe mënyrën se si mund t’i drejtohesh Zotit për ta kapërcyer atë
Mund t’u kërkoni nxënësve t’ia tregojnë mendimet e tyre klasës dhe familjeve të tyre në shtëpi. Mund të jepni edhe mendimet dhe dëshminë tuaj vetjake.