“Mësimi 55 – Doktrina e Besëlidhje 41:1–12: Zoti Kënaqet të na Bekojë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 41:1–12”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 55: Doktrina e Besëlidhje 41–44
Doktrina e Besëlidhje 41
Zoti Kënaqet të na Bekojë
Ndërsa Profeti u bashkua me shenjtorët e munduar në Ohajo, Zoti dëshmoi se Ai kënaqet duke i bekuar ata që e dëgjojnë Atë. Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë siguri se Zoti do t’i bekojë ata ndërsa e dëgjojnë dhe i binden Atij.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Sa i sigurt je që …?
Vizatoni një grafik si ai që vijon në tabelë:
Tregoni me gisht nga ana e djathtë e shkallës. Ftojini nxënësit të tregojnë diçka për të cilën janë të sigurt dhe pse.
Shkruajeni thënien vijuese në tabelë: Zoti do të na bekojë nëse e dëgjojmë Atë dhe i bindemi Atij. Kërkojuni nxënësve ta përdorin shkallën për të vlerësuar sigurinë e tyre në këtë pohim në një shkallë nga 1 te 5 (1 = jo i sigurt dhe 5 = shumë i sigurt). Ftojini nxënësit të mendojnë rreth arsyes pse e vlerësuan sigurinë e tyre në atë mënyrë.
-
Çfarë ndryshimi mund të sjellë të ndierit shumë i/e sigurt që Zoti do të të bekojë?
Ftojini nxënësit të kërkojnë ndihmë nga Zoti për ta shtuar sigurinë e tyre se Ai do t’i bekojë ndërsa përpiqen fort ta dëgjojnë Atë dhe t’i binden Atij.
Qëndrimi i Zotit kundrejt dhënies së bekimeve për ne
Në dhjetor të vitit 1830, Zoti i urdhëroi shenjtorët të shpërnguleshin në Ohajo (shih te Doktrina e Besëlidhje 37:3). Pak kohë më vonë, në janar dhe shkurt të vitit 1831, Profeti Jozef Smith dhe bashkëshortja e tij, Ema, përshkuan qindra kilometra drejt Kirtlandit në Ohajo. Profeti më pas mori zbulesë ku i jepeshin disa udhëzime ndërkohë që shenjtorët nga zonat e tjera filluan të zinin vend në Kirtland.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 41:1, duke kërkuar qëndrimin e Zotit rreth bekimit të atyre që e dëgjojnë Atë.
Ndihmojini nxënësit të dallojnë ndikimin e Zotit: Për më shumë trajnim për t’i ndihmuar nxënësit të dallojnë ndikimin e Zotit në shkrimet e shenjta dhe në vetë jetën e tyre, shihni zotësinë “Bëni pyetje që përqendrohen te lidhja e dashurisë, fuqisë dhe mëshirës së Zotit me të vërtetat që jepen mësim”, në trajnimin me titull: “Ndihmojini nxënësit t’i dallojnë dashurinë, fuqinë dhe mëshirën e Zotit në jetën e tyre” që gjendet te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Përqendrohuni te Jezu Krisht. Ndërkohë që nxënësit tregojnë atë që gjetën, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Zoti kënaqet t’i bekojë ata që e dëgjojnë Atë. Ju mund t’i inkurajoni nxënësit që ta shenjojnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta.
-
Çfarë mendon se do të thotë të kënaqesh me diçka?
-
Cilat mendon se janë “më [të mëdhatë] nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”? (Doktrina e Besëlidhje 14:7.)
-
Cilat janë disa mënyra se si mund ta dëgjojmë Atë?
Dëgjojini përgjigjet e nxënësve. Nëse do të ishte e dobishme, ftojini nxënësit të lexojnë thënien vijuese, duke kërkuar mënyra se si mund ta dëgjojmë Zotin.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Kërkon përpjekje të ndërgjegjshme dhe të vazhdueshme që ta mbushim jetën tonë të përditshme me fjalët e Tij, mësimet e Tij, të vërtetat e Tij. …
Ne mund të shkojmë te shkrimet e shenjta. Ato na japin mësim rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij, madhështisë së Shlyerjes së Tij dhe planit të madhërishëm të Atit tonë për lumturi dhe shëlbim. … Teksa ushqehemi me bollëk përditë me fjalët e Krishtit, fjalët e Krishtit do të na thonë se si të reagojmë ndaj vështirësive me të cilat kurrë nuk menduam se do të përballeshim.
Ne gjithashtu mund ta dëgjojmë Atë në tempull. Shtëpia e Zotit është një shtëpi mësimi. Atje Zoti jep mësim në vetë mënyrën e Tij. …
… Dhe, së fundi, ne e dëgjojmë Atë kur u kushtojmë vëmendje fjalëve të profetëve, shikuesve dhe zbuluesve. Apostujt e shuguruar të Jezu Krishtit gjithmonë dëshmojnë për Të. Ata tregojnë udhën teksa ne çajmë udhën tonë nëpër labirintin zemërndrydhës të përvojave tona në vdekshmëri.” (Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 89, 90)
Merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve ta rishikojnë vargun 1 për të parë se çfarë u ndodh atyre që refuzojnë ta dëgjojnë Zotin. Mund të jetë e dobishme të vini në dukje se fjala “mallkime”, siç përdoret në këtë varg, u referohet gjykimeve ose pasojave.
-
Pse është e rëndësishme të dimë se refuzimi për ta dëgjuar Zotin mund të çojë në pasoja negative?
Shembuj të Zotit duke i bekuar ata që e dëgjojnë Atë
Inkurajoni disa nxënës të japin përgjigjet e tyre për pyetjet vijuese. Të treguarit për entuziazmin dhe dashurinë e tyre mund t’i ndihmojë ata ta bëjnë lidhjen me kënaqësinë e Zotit. Kjo mund të jetë gjithashtu një mundësi e mirë për t’i njohur më mirë nxënësit tuaj.
-
Çfarë të pëlqen shumë ose nga çfarë kënaqesh?
Shpjegoni se ka shumë shembuj kur Zoti vërtet kënaqet duke i bekuar ata që e dëgjojnë Atë.
Lexoji vargjet vijuese duke kërkuar mënyrën se si Zoti i bekon shenjtorët e Tij teksa ata e dëgjojnë Atë.
Merreni parasysh ta ndani klasën në grupe për të lexuar vargjet dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve shoqëruese. Më pas nxënësit mund t’i tregojnë njëri‑tjetrit atë që mësuan.
-
Në ç’mënyrë mund të jetë një bekim marrja e ligjit ose drejtimit nga Zoti? (Shih vargun 3.)
-
Si mund të na ndihmojë bindja ndaj ligjit të Zotit dhe bërja dishepuj më të mirë të Krishtit? (Shih vargun 5.)
Për një shembull bashkëkohor, shih Presidentin Gordon B. Hinkli (1910–2008) të tregojë se si Zoti e bekoi dikë që e dëgjoi dhe iu bind Atij, në materialin filmik “We Walk by Faith” [“Ne Ecim me Anë të Besimit”], që gjendet në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 7:30 deri në 12:39.
Shembuj të tjerë
Ftojini nxënësit të kërkojnë ose të mendojnë për të paktën dy shembuj të tjerë që krijojnë sigurinë e tyre se Zoti do t’i bekojë ata që e dëgjojnë Atë. Inkurajojini ata të kërkojnë udhërrëfimin e Zotit për të gjetur shembuj që do t’i bekojnë ata dhe klasën.
-
Gjej një shembull nga shkrimet e shenjta. Shembulli mund të jetë:
-
Një tregim për kohën kur Zoti i bekoi ata që e dëgjuan dhe iu bindën Atij. (Disa shembuj janë si këta në vijim: Noeu që ndërtoi arkën dhe u shpëtua nga përmbytja [shih te Zanafilla 6–8]; Debora që iu bind urdhrit të Zotit për ta çliruar Izraelin nga robëria [Gjyqtarët 4:1–8, 13–15]; Maria që e pranoi rolin për të qenë nëna e Shpëtimtarit dhe që ndjeu bekimet e Zotit [Lluka 1:38, 46–49]; Nefi që mori fletët prej tunxhi [shih te 1 Nefi 3–5]; Jozef Smithi që qe në gjendje t’i mbronte fletët [shih te Joseph Smith – Historia 1:46, 60]; Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri që pagëzuan njëri‑tjetrin pasi morën Priftërinë Aarone dhe më pas morën një shpërfaqje të Frymës së Shenjtë [shih te Joseph Smith – Historia 1:68–74].)
-
Një varg ose vargje që dëshmojnë se Zoti do të na bekojë ndërsa e dëgjojmë Atë dhe i bindemi Atij. (Disa shembuj janë Malakia 3:10; 1 Gjon 3:22; Jaromi 1:9; Mosia 2:41; Doktrina e Besëlidhje 19:38; 82:10; 89:1, 18–21; 130:21.)
-
-
Mendo për një shembull tjetër. Shembulli mund të jetë:
-
Një përvojë vetjake kur Zoti të ka bekuar.
-
Një përvojë nga një shok apo shoqe ose njeri i dashur.
-
Një bisedë nga konferenca e përgjithshme.
-
Një material filmik në ChurchofJesusChrist.org.
-
Ftojini nxënësit t’i shkruajnë shembujt e tyre në copa të ndara letre. Thuajuni nxënësve që ajo që ata shkruajnë, mund t’i tregohet pjesës tjetër të klasës. Mblidhini letrat, shkartisini ato dhe më pas zgjidhni disa ose ftoni një nxënës ta bëjë këtë. Nëse doni, mund të lexoni nga një shembull çdo herë dhe të pyesni nëse nxënësi që e shkroi, do të ishte i gatshëm të tregonte pse e zgjodhi atë shembull. Pyesni se si shembulli mund ta shtojë sigurinë e nxënësit se Zoti do ta bekojë atë ndërsa ai ose ajo e dëgjon Atë. Ndërsa nxënësit tregojnë, falënderojini ata për përpjekjen e tyre dhe përpiquni t’i ndihmoni që të ndiejnë rëndësinë e shprehjes së mendimeve dhe përvojave të tyre në klasë.
Për ta mbyllur këtë mësim, shënoji mendimet dhe ndjenjat e tua rreth faktit që Zoti na bekon ndërsa e dëgjojmë Atë. A ndihesh i/e sigurt që Ai do të të bekojë? Çfarë mund të bësh për ta shtuar sigurinë tënde?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë atë që mësuan dhe ndien në klasë sot. Shprehni dëshminë dhe sigurinë tuaj se Zoti do të na bekojë ndërsa e dëgjojmë Atë.