“Doktrina e Besëlidhje 39–40: ‘Një Bekim Kaq të Madh, sa Kurrë Nuk e Ke Njohur’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 37–40”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
Mësimi 53: Doktrina e Besëlidhje 37–40
Doktrina e Besëlidhje 39–40
“Një Bekim Kaq të Madh, sa Kurrë Nuk e Ke Njohur”
Xhejms Koveli kishte punuar si shërbestar metodist në zonën e Nju-Jorkut prej 40 vjetësh. Kur e dëgjoi mesazhin e Rivendosjes, ai premtoi t’i bindej çdo urdhërimi që do t’i jepej nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Shpëtimtari e urdhëroi Xhejmsin të pagëzohej dhe të mblidhej me shenjtorët në Ohajo dhe i premtoi atij fuqi të madhe nëse ai do t’i bënte dhe mbante besëlidhjet e shenjta. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë një dëshirë për t’i bërë dhe mbajtur besëlidhjet me Jezu Krishtin për të pasur qasje më të madhe në fuqinë e Tij.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve me Perëndinë
Merreni parasysh t’u tregoni nxënësve një artikull të tillë si një llambë tavoline, e cila mund ta arrijë potencialin e saj të plotë vetëm kur futet në prizë në një burim energjie. Pyetini nxënësit se çfarë mund të bëjë vetë një llambë tavoline krahasuar me atë kur futet në prizë. Ftojini nxënësit të diskutojnë se si mund të përfaqësojë kjo besëlidhjet tona me Perëndinë.
Lexo fjalën “Besëlidhje” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta dhe thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson, duke kërkuar një përkufizim për besëlidhjet.
“Një besëlidhje është … një premtim i shenjtë me Perëndinë. Ai i vendos kushtet. Çdo person mund të zgjedhë t’i pranojë ato kushte. Nëse një person i pranon kushtet e besëlidhjes dhe i bindet ligjit të Perëndisë, ai ose ajo pranon bekimet që [e] shoqërojnë atë besëlidhje.” (Rasëll M. Nelson, “Besëlidhjet”, Liahona, nëntor 2011, f. 86)
-
Si do ta përshkruaje ose përkufizoje një besëlidhje?
-
Çfarë besëlidhjesh ke bërë ti me Zotin?
-
Si kanë ndikuar në jetën tënde këto besëlidhje?
Jezu Krishti më fton të bëj besëlidhje me Të
Xhejms Koveli ishte një shërbestar metodist. Kur mësoi rreth Profetit Jozef Smith, Koveli i premtoi Zotit “se do t’i bindej çdo urdhërimi që Zoti do t’i jepte atij nëpërmjet Joseph Profetit” (Doktrina e Besëlidhje 39, kreu i seksionit).
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 39:1–9 dhe kërko atë që mësove rreth Jezu Krishtit që mund t’i japë shtysë dikujt që të hyjë në një marrëdhënie besëlidhëse me Të.
-
Çfarë gjete rreth Shpëtimtarit?
-
Çfarë na fton Shpëtimtari të bëjmë për ta marrë fuqinë e Tij?
Për t’i ndihmuar nxënësit të përcaktojnë një parim, ata mund të plotësojnë në tabelë ose në ditarët e tyre të studimit pohimin vijues: “Nëse ne __________, ne marrim ___________”.
Nxënësit mund të përcaktojnë një parim të ngjashëm me këtë: Nëse ne i bëjmë dhe i mbajmë besëlidhjet e shenjta me Perëndinë, ne marrim fuqinë e Tij.
Nëse po përdorni mësimin me sende, futeni në prizë llambën e tavolinës për të demonstruar se bërja e besëlidhjeve na ndihmon të marrim fuqinë e Shpëtimtarit. Merreni parasysh t’i pyesni nxënësit se si mund ta demonstrojë kjo parimin që identifikuan ata.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 39:10–15 dhe kërko atë që Zoti e ftoi Xhejms Kovelin të bënte në mënyrë që të hynte në një besëlidhje me Të.
-
Çfarë i premtoi Jezu Krishti Xhejms Kovelit po ta bënte këtë besëlidhje?
-
Si gjen zbatim për ne sot këshilla e Zotit për Xhejms Kovelin?
-
Si e ke parë fuqinë e Shpëtimtarit në jetën tënde ose në jetën e dikujt që e njeh?
Frikë, përndjekje dhe përkujdesjet e botës
Xhejms Koveli kishte një familje të madhe, miq dhe një komunitet të ngushtë në Nju-Jork. Shpëtimtari e urdhëroi atë të pagëzohej dhe të shpërngulej me shenjtorët në Ohajo. Bashkimi me Kishën do të kishte qenë një sakrificë për Xhejms Kovelin.
Lexo kreun e seksionit për Doktrina e Besëlidhje 40 si dhe vargjet 1–3 dhe kërko vendimin që mori Xhejms Koveli.
Kjo mund të jetë një mundësi e mirë për të ushtruar përdorimin e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore. Mund të diskutoni se si mund të kishte vepruar Xhejms Koveli me besim. Gjithashtu, merreni parasysh të diskutoni se si mund t’i kishte parë zgjedhjet e veta dhe këshillën e Zotit me një këndvështrim të përjetshëm.
-
Si mund të shkaktojë “frika e përndjekjes” (vargu 2) që dikush t’i refuzojë ose shkelë besëlidhjet e veta me Perëndinë?
-
Cilat janë disa “përkujdesje [të] botës” (vargu 2) që i shtyjnë njerëzit t’i refuzojnë besëlidhjet me Perëndinë sot?
Lexo thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson ose shiko materialin filmik “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje” (18:31), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 4:21 deri në 5:39. Ndërsa lexon ose shikon, kërko fuqinë që u premtohet atyre të cilët i bëjnë dhe i mbajnë besëlidhjet me Perëndinë:
“Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve, në fakt e bën jetën më të lehtë! Çdo person që bën besëlidhje në vaskat e pagëzimit dhe në tempuj dhe i mban ato, ka qasje më të madhe te fuqia e Jezu Krishtit. Ju lutem, përsiateni atë të vërtetë mahnitëse!
Shpërblimi për mbajtjen e besëlidhjeve me Perëndinë është fuqi qiellore, fuqi që na forcon t’u bëjmë ballë më mirë sprovave, tundimeve dhe pikëllimeve tona. Kjo fuqi na e lehtëson udhën. Ata që i jetojnë ligjet më të larta të Jezu Krishtit, kanë qasje te fuqia e Tij më e lartë. Pra, mbajtësit e besëlidhjeve kanë të drejtën e një lloji të veçantë prehjeje që u vjen nëpërmjet marrëdhënies së tyre besëlidhëse me Perëndinë.” (Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Liahona, nëntor 2022, f. 96)
-
Çfarë të bën përshtypje nga thënia e Presidentit Nelson?
Jepuni nxënësve mundësi për të reflektuar mbi dëshirën e tyre për të bërë dhe mbajtur besëlidhje me Shpëtimtarin për ta marrë fuqinë e Tij. Nxënësit mund të shkruajnë në ditarët e tyre ose në copa letre. Ata mund të diskutojnë edhe për atë që mësuan ose ndien në grupe të vogla ose si klasë.
Për ta mbyllur mësimin, mund të tregoni se si e keni parë fuqinë e Shpëtimtarit në jetën tuaj ndërsa keni bërë besëlidhje me Perëndinë. Inkurajojini nxënësit të vazhdojnë të përpiqen t’i bëjnë dhe mbajnë besëlidhjet e tyre dhe të mirëbesojnë te premtimi i Zotit për t’i bekuar ata në përpjekjet e tyre.