“Doktrina e Besëlidhje 37; 38:1–9, 28–33: Mblidhuni ‘në Ohajo’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 37; 38:1–9, 28–33”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 51: Doktrina e Besëlidhje 37–40
Doktrina e Besëlidhje 37; 38:1–9, 28–33
Mblidhuni “në Ohajo”
Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mblidhen së bashku në shumë mënyra. Hera e parë për anëtarët e Kishës që të mblidheshin në një grup ndodhi kur Zoti e urdhëroi popullin e Tij të mblidhej “në Oh[aj]o” (Doktrina e Besëlidhje 37:1). Anëtarët e Kishës në Nju-Jork dhe zona të tjera bënë sakrifica të mëdha për t’u mbledhur në Ohajo. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë pse Shpëtimtari i urdhëron njerëzit e Tij të mblidhen.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
“Shkoni në Ohajo”
Për të paraqitur fuqinë e mbledhjes, merreni parasysh veprimtarinë vijuese. Jepini një nxënësi vetëm një shkop të vogël dhe ftojeni atë ta thyejë. Pastaj, jepini nxënësit një grumbull shkopinjsh të vegjël dhe ftojeni atë ta thyejë grumbullin. Kjo detyrë duhet të jetë e vështirë por e mundur që të arrihet. Në fund, jepini nxënësit një grumbull të ngjashëm shkopinjsh të vegjël por shtoni një shkop të madh. Ftojeni nxënësin ta thyejë këtë grumbull. Ky grumbull duhet të jetë i pathyeshëm. Ftojini nxënësit të imagjinojnë se kë mund të përfaqësojnë shkopinjtë e vegjël (individët) dhe kë mund të përfaqësojë shkopi i madh (Jezu Krishtin). Merrni parasysh pyetje si në vijim për t’i ndihmuar nxënësit të zbulojnë fuqinë e mbledhjes te Shpëtimtari.
-
Çfarë mund të na mësojë kjo rreth fuqisë së mbledhjes? Rreth fuqisë së mbledhjes te Shpëtimtari?
Vlerësimi vijues i vetes mund t’i ndihmojë nxënësit të mendojnë për rrethanat e tyre vetjake gjatë mësimit. Ftojini ata të mendojnë se si do t’i përgjigjeshin secilës pyetje. Diskutojeni pyetjen e fundit si klasë dhe shkruajini përgjigjet e nxënësve në tabelë për referencë.
-
Si mendon, pse Shpëtimtari e urdhëron popullin e Tij të mblidhet bashkë?
-
Çfarë bekimesh të nevojiten në jetën tënde që mund të vijnë nga mbledhja me anëtarë të tjerë të Kishës?
-
Cilët janë disa vende ku mblidhemi sot për të ndier fuqinë e Shpëtimtarit?
Shumë njerëz në Ohajo iu përgjigjën mesazhit të Rivendosjes dhe u bashkuan me Kishën e Shpëtimtarit. Mes tyre qe një shërbestar që quhej Sidni Rigdoni. Sidni dhe e shoqja, Feba, e kuptuan se po ta pranonin Librin e Mormonit dhe të bashkoheshin me Kishën, do të humbisnin shtëpinë dhe mjetet e tyre të jetesës. Ata e morën në shqyrtim çështjen me lutje dhe u pagëzuan. Shumë anëtarë të bashkësisë së Rigdonit u bashkuan gjithashtu me Kishën.
Në Nju-Jork, shumë anëtarë të Kishës po përballeshin me përndjekje të rëndë. Në disa raste, armiqtë e tyre po kërcënonin jetën e udhëheqësve të Kishës dhe po mblidheshin në fshehtësi për të komplotuar shkatërrimin e tyre (shih te Doktrina e Besëlidhje 38:13, 28–29). Kur Sidni Rigdoni erdhi në Nju-Jork për të takuar Jozef Smithin, ai përhapi fjalën për mënyrën se si po pranohej ungjilli i Shpëtimtarit në Ohajo. Jozef Smithi mori një zbulesë me udhëzime që mund t’i ndihmonin shenjtorët në Nju-Jork në vështirësitë me të cilët u përballën.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 37:1–4, duke kërkuar atë që Zoti i urdhëroi të bënin anëtarët e Kishës së Tij.
Harta vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit të shohin largësinë që do t’u duhej disave të përshkonin për t’u mbledhur në Ohajo.
-
Si mund të kenë reaguar anëtarët e Kishës ndaj këtij urdhërimi? Përse?
-
Çfarë di ti rreth Shpëtimtarit që mund të të ndihmojë të veprosh me besim kur urdhërimet e Tij duken të vështira për t’iu bindur?
Pak pasi morën urdhrin për të shkuar në Ohajo, udhëheqësit e Kishës u mblodhën për një konferencë dhe diskutuan shpërnguljen. Bindja ndaj urdhrit nënkuptonte të linin pas pronat dhe për disa shenjtorë, familjen. Jozef Smithi mori seksionin Doktrina e Besëlidhje 38 në këtë konferencë. (Shih Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 1, The Standard of Truth, 1815–1846 [2018], f. 109–111.)
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 38:1–7, duke kërkuar atë që Shpëtimtari dha mësim rreth Vetes.
-
Si mund t’i ketë ndihmuar të kuptuarit e këtyre gjërave rreth Shpëtimtarit shenjtorët që të bënin sakrificat që kërkoheshin për t’u mbledhur?
Zoti i bekon shenjtorët e Tij kur ata mblidhen tek Ai
Nxënësit mund ta ushtrojnë aftësinë e studimit të shkrimeve të shenjta të bërjes së listave duke shenjuar bekimet e mbledhjes në fragmentin vijues.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 38:28–33, duke kërkuar mënyrat se si shenjtorët do të bekoheshin nga zbatimi i urdhrit të Shpëtimtarit për t’u mbledhur në Ohajo.
-
Si do t’i bekonte Shpëtimtari anëtarët e Kishës ngaqë u mblodhën në Ohajo?
-
Cilat janë disa arsye pse Shpëtimtari e urdhëron popullin e Tij të mblidhet?
Nxënësit mund të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me këtë: Zoti e mbledh popullin e Tij që ta mbrojë atë dhe ta forcojë shpirtërisht.
-
Cilat janë disa mënyra se si Shpëtimtari na mbron dhe na forcon shpirtërisht kur i bindemi urdhrit të Tij për t’u mbledhur?
Merreni parasysh të ftoni dy nxënës që t’ia lexojnë tregimet vijuese klasës, ose ta ndani klasën në dyshe dhe t’i ftoni ata t’ia lexojnë tregimet njëri-tjetrit. Këto tregime mund t’i ndihmojnë nxënësit të shohin se si Zoti i përmbushi premtimet e Tij që të ishte mes shenjtorëve dhe t’i udhëhiqte ata në vitin 1831 (shih te Doktrina e Besëlidhje 38:7,33). Nëse doni, mund të përmendni se këto tregime mund të na japin siguri se Zoti do të na bekojë ndërsa i bindemi urdhrit të Tij për t’u mbledhur në kohën tonë.
Dega e Fajetit
Lusi Mek Smithi e udhëhoqi Degën e Fajetit. Ata udhëtuan me varkë përgjatë Kanalit të Irit dhe matanë Liqenit të Irit. Kur arritën në liqen, akulli i trashë në liman i pengoi të shkonin më tej. Shenjtorët e shkurajuar kishin ftohtë dhe qenë të uritur dhe filluan të grindeshin. Lusi u thirri me të madhe:
“Ku është besimi juaj? Ku e keni sigurinë tuaj te Perëndia? Nëse ju të gjithë do t’i ngrini dëshirat tuaja drejt qiellit, që akulli të mund të thyhet dhe ne të çlirohemi, me aq sigurti sa Zoti jeton, kjo do të bëhet.”
Menjëherë Lusi dëgjoi një zhurmë bubullime. Akulli në liman qe thyer mjaftueshëm sa ta lejonte varkën e tyre të kalonte. Shenjtorët mirënjohës u mblodhën së bashku në lutje. Ata udhëtuan të sigurt drejt Kirtlandit në Ohajo (Shih te Saints, 1:121–123).
Dega e Kollsvillit
Njull Najti e udhëhiqte Degën e Kollsvillit. Ndërkohë që Njulli ishte larg, tetoja e tij, Elekta Peku, ra dhe theu shpatullën. Një kirurg u përpoq t’ia lehtësonte dhembjen dhe tha se do të ishte një mrekulli nëse ajo do të mundej të udhëtonte brenda pak javësh. Elekta pa në ëndërr sikur Njulli u kthye dhe i vuri duart e tij mbi të dhe ajo u shërua. Kur Njulli u kthye, ai dëgjoi se çfarë i kishte ndodhur tetos së tij dhe shkoi ta shihte. Ajo kërkoi që ai ta bekonte. Njulli iu afrua shtratit, e qortoi dhembjen në emër të Jezu Krishtit dhe urdhëroi që Elekta të shërohej. Të nesërmen në mëngjes, Elekta u ngrit, u vesh dhe vazhdoi udhëtimin. (Shih Newel Knight, The Rise of the Latter-day Saints: The Journals and Histories of Newel Knight, red. Michael Hubbard MacKay dhe William G. Hartley [2019], f. 32–33.)
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të mblidhen në grupe për të diskutuar pyetjet vijuese. Për larmi, ata mund të mblidhen bazuar në një tipar të tillë si gjatësia e tyre ose koha e vitit kur kanë lindur. Kujtojuni nxënësve t’i referohen listës së vendeve të mbledhjes në tabelë.
-
Çfarë të mësojnë këto tregime rreth mënyrës se si Shpëtimtari mund të na mbrojë dhe forcojë shpirtërisht ndërsa mblidhemi tek Ai?
-
Si je bekuar ti vetë nga pranimi i ftesës së Shpëtimtarit për t’u mbledhur tek Ai?
Mbledhja jonë vetjake
Ftojini nxënësit t’u përgjigjen pyetjeve vijuese në ditarin e tyre të studimit. Nxënësit e gatshëm mund të ftohen t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës. Merreni parasysh të tregoni se si jeni bekuar nga mbledhja me shenjtorët siç urdhëroi Shpëtimtari.
-
Si mendon se po të fton Shpëtimtari që të mblidhesh tek Ai?
-
Shenjtorët sakrifikuan fermat e tyre për t’iu bindur urdhrit të Zotit për t’u mbledhur (shih te Doktrina e Besëlidhje 38:37). Çfarë sakrificash kërkon Zoti nga ne që të marrim bekimet e mbledhjes?
-
Çfarë ke mësuar rreth Shpëtimtarit që do të të ndihmonte ta pranoje ftesën e Tij për t’u mbledhur tek Ai?