Seminari
Mësimi 49: Doktrina e Besëlidhje 35: Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith-it


“Doktrina e Besëlidhje 35: Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith-it”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 35”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 49: Doktrina e Besëlidhje 30–36

Doktrina e Besëlidhje 35

Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith‑it

Përkthimi i Biblës prej Jozef Smithit

Në verën e vitit 1830, Profeti Jozef Smith filloi të punonte për një rishikim të frymëzuar, ose përkthim, të Biblës të Variantit të Mbretit Xhejms. Ai e konsideroi këtë projekt një pjesë të rëndësishme të thirrjes së tij si profet i Perëndisë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë mirënjohje për atë që Zoti ka zbuluar nëpërmjet Përkthimit të Biblës prej Joseph Smith-it.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith‑it

Për t’i njohur nxënësit me Përkthimin e Biblës prej Joseph Smith-it, merreni parasysh t’u jepni atyre pohimet vijuese. Ftojini nxënësit të gjejnë se cili pohim është i vërtetë ose i rremë.

  1. Shpejt pasi Libri i Mormonit u botua në vitin 1830, Zoti e drejtoi Jozef Smithin të fillonte përkthimin e Biblës.

  2. Jozef Smithi pa shkrimet origjinale në hebraisht dhe greqisht për të bërë një përkthim të ri në anglisht të Biblës.

  3. Zoti zbuloi librin e Moisiut dhe Joseph Smith – Mateun te Perla me Vlerë të Madhe si pjesë të Përkthimit të Biblës prej Joseph Smith-it.

  4. Zoti zbuloi disa nga të vërtetat doktrinore që iu dhanë mësim Jozef Smithit nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme teksa ai përktheu Biblën.

  5. Zoti e ka bekuar jetën tënde nëpërmjet Përkthimit prej Joseph Smith-it.

Ftojini nxënësit të kërkojnë përgjigje për këto pohime dhe për pyetje të tjera që kanë mbi temën gjatë gjithë mësimit. Vërini të përsiatin veçanërisht për faktin a është i vërtetë pohimi i pestë për ta.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të vizatojnë një libër në ditarin e tyre të studimit dhe ta titullojnë atë “Përkthimi prej Jozef Smithit”. Gjatë gjithë mësimit, inkurajojini nxënësit të shkruajnë përreth anës së jashtme të vizatimit të tyre arsyet pse janë mirënjohës për Përkthimin e Biblës prej Joseph Smith-it ose ide që iu duken kuptimplota.

Bekimet nga Përkthimi prej Joseph Smith-it

Pasi u pagëzua nga Oliver Kaudëri në Kirtland të Ohajos, një ish-predikues me emrin Sidni Rigdon udhëtoi për në Fajet të Nju-Jorkut, që të takonte Profetin Jozef Smith. Doktrina e Besëlidhje 35 është një zbulesë nga Zoti drejtuar Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit.

Lexoje kreun e seksionit Doktrina e Besëlidhje 35 dhe vargjet 17–20, duke kërkuar atë që mund të mësojmë për sa i përket Përkthimit prej Joseph Smith-it.

  • Çfarë mësove nga këto vargje?

  • Çfarë qëllimi dha Zoti për ndryshimet e frymëzuara në Bibël (shih vargun 20)?

Një e vërtetë që dha mësim Zoti në këto vargje është se nëpërmjet Përkthimit të Biblës prej Joseph Smith-it, Jezu Krishti zbuloi të vërteta të tjera për të na ndihmuar të na çojnë drejt shpëtimit. Nëse doni, mund t’ua rrëfeni nxënësve informacionin vijues për t’i ndihmuar të përgjigjen për pyetjen e dytë.

Duke treguar bindje ndaj kësaj zbulese, Sidni Rigdoni filloi të shërbente si shkrues ndërsa Zoti zbuloi korrigjime dhe shtesa të frymëzuara për Biblën nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Puna nuk ishte një përkthim fjalë për fjalë nga një gjuhë tek tjetra. Jozefi përdori një kopje të Biblës të Variantit të Mbretit Xhejms si një pikënisje ndërsa kërkoi zbulesë dhe diktoi korrigjime dhe shtesa të frymëzuara.

ikona e fletushkësVeprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë më mirë parimin e theksuar me të zezë dhe të familjarizohen me Përkthimin prej Joseph Smith-it. Merreni parasysh të shpërndani fletushkën e titulluar “Përkthimi prej Joseph Smith-it”. Ftojini nxënësit të zgjedhin një ose më shumë seksione për t’i studiuar në mënyrë të pavarur dhe për t’u përgatitur që t’ua mësojnë shokëve të klasës atë që mësuan vetë. Ndërsa nxënësit studiojnë, kujtojuani atyre të shkruajnë ide ose arsye kuptimplota pse janë mirënjohës për Përkthimin prej Joseph Smith-it rreth vizatimit që krijuan në ditarët e tyre të studimit.

Përkthimi prej Joseph Smith-it

Zoti rivendosi mësime shtesë nëpërmjet Përkthimit të Biblës prej Joseph Smith-it.

A mund ta gjesh librin e Moisiut në shkrimet e tua të shenjta? Zoti rivendosi njohuri shtesë nëpërmjet Përkthimit prej Joseph Smith-it, përfshirë vegimet dhe mësimet e Moisiut dhe të tjerëve. Ato përmbahen në Librin e Moisiut te Perla me Vlerë të Madhe.

Lexo te Moisiu 1:3–4, 6, 8, 39. Kërko atë që mësoi Moisiu rreth vetes dhe Zotit gjatë vegimeve të tij. (Mund të kërkosh edhe vargjet e parapëlqyera në Librin e Moisiut.)

  • Si mund të na ndihmojnë mësimet në këto vargje ndërsa përpiqemi ta ndjekim Shpëtimtarin?

  • Pse dikush mund të ndihet mirënjohës për atë që zbuloi Zoti në këto vargje?

Zoti rivendosi të vërteta “të qarta dhe të çmueshme” nëpërmjet Përkthimit prej Joseph Smith-it.

A e ke dëgjuar ndonjëherë që disa të vërteta të rëndësishme mund të mungojnë ose të jenë të paqarta në Bibël? Bibla është një libër i mirëbesueshëm dhe i frymëzuar. Megjithatë, Nefi dha mësim se disa “gjëra të qarta dhe të çmueshme” mungojnë ose janë të paqarta (1 Nefi 13:28–29). Për shembull, pagëzimi nuk përmendet drejtpërsëdrejti në Bibël deri në Dhiatën e Re dhe tregimi biblik për Noeun nuk shpjegon se Zoti i paralajmëroi njerëzit dhe u dha atyre një mundësi për t’u penduar përpara se të dërgonte përmbytjen.

Lexo te Moisiu 6:64–66; 8:16–17, 20 për të parë se si Zoti i rivendosi të vërtetat e çmueshme në Përkthimin prej Joseph Smith-it.

  • Si mund të na ndihmojë sot njohuria që pagëzimi ishte një urdhërim që nga koha e Adamit?

  • Si mund të na ndihmojë njohuria se Zoti gjithmonë na fton të pendohemi dhe është i gatshëm të na falë?

  • Si ndihmojnë këto të vërteta për të na çuar drejt shpëtimit nëpërmjet Jezu Krishtit?

Zbulesat e Zotit në Përkthimin prej Joseph Smith-it çuan në zbulesa të mëtejshme te Doktrina e Besëlidhje.

A të ka ndihmuar ndonjëherë studimi i shkrimeve të shenjta të marrësh zbulesë shtesë? Jozefin e ndihmoi. Shpejt pasi mësoi në përkthimin e frymëzuar rreth faktit që Enoku dhe populli i tij themeluan Sionin (shih te Moisiu 7:18–21), Zoti i zbuloi Jozefit udhëzime për t’i ndihmuar shenjtorët të bëheshin populli i Sionit (shih te Doktrina e Besëlidhje 38, 42, 45).

Një shembull tjetër i kësaj ndodhi kur Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni po përkthenin vargun te Gjoni 5:29. Ata kishin pyetje rreth parajsës dhe ferrit që çuan në një vegim mbresëlëns që tani shënohet te Doktrina e Besëlidhje 76. Ky vegim përfshinte të vërteta rreth tri shkallëve të lavdisë që njerëzit mund të trashëgojnë pas kësaj jete.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 76:22–24, 50–53 dhe 58–62 dhe shenjoje atë që mëson rreth Jezu Krishtit dhe mënyrës se si mund të kthehemi të jetojmë me Të dhe Atin Qiellor.

  • Cilat fjalë ose fraza shenjove? Përse?

  • Pse dikush mund të ndihet mirënjohës që i di këto të vërteta?

Zoti dha qartësi doktrinore dhe ide shtesë për vargjet e Biblës nëpërmjet Përkthimit prej Joseph Smith-it.

Përveçse te Perla me Vlerë të Madhe, a e di se ku të gjesh Përkthime të Biblës prej Joseph Smith‑it? Shumë ndodhen te Përzgjedhje nga Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith-it prapa shkrimeve të shenjta ose te Shtojca për Përkthimin prej Joseph Smith-it që gjendet në pjesën Study Helps [Ndihma për Studimin] në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Mëso si t’i përdorësh këto burime duke parë shembullin dhe shpjegimin më poshtë.

Përkthimi prej Joseph Smith-it

Në disa gjuhë, fragmentet e Përkthimit prej Joseph Smith-it mund të gjenden në poshtëshënimet e botimit të Biblës së shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në anglisht ose te “Related Content” [“Përmbajtje e Përafërt”] në pajisjet digjitale.

Lexoji fragmentet vijuese në Bibël, më pas përdor Përkthimin prej Joseph Smith-it për të përcaktuar ndryshimet e frymëzuara.

Gjoni 1:16–18 (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:16–19)

Gjoni 4:24 (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 4:26)

Gjoni 6:44

  • Çfarë të mësojnë këto ndryshime të frymëzuara rreth Jezu Krishtit?

  • Përse është bekim që t’i kuptojmë më mirë këto gjëra?

Ftojini nxënësit të tregojnë atë që mësuan dhe ndien ndërkohë që studiuan. Sipas nevojës, jepuni nxënësve përgjigje për katër pohimet e parë të veprimtarisë së hapjes (1. I vërtetë, 2. I rremë, 3. I vërtetë, 4. I vërtetë). Merreni parasysh t’u jepni nxënësve edhe disa minuta të tjera për të shkruar në ditarin e tyre të studimit ndonjë ide që u ka ardhur ose arsyen pse janë mirënjohës për Përkthimin prej Joseph Smith-it. Ftoni disa vullnetarë të tregojnë atë shkruan ose arsyen pse pohimi i pestë nga fillimi i orës mësimore është i vërtetë për ta. Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për Profetin Jozef Smith dhe për mënyrën se si vepra e tij na ndihmon të arrijmë ta njohim Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.