“Doktrina e Besëlidhje 30–36, Pjesa 1: ‘Të Shpallësh Ungjillin Tim’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 30–36, Pjesa 1”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 47: Doktrina e Besëlidhje 30–36
Doktrina e Besëlidhje 30–36, Pjesa 1
“Të Shpallësh Ungjillin Tim”
Vetëm disa muaj pasi Kisha u organizua zyrtarisht, Shpëtimtari i udhëzoi disa anëtarë të rinj të shërbenin në misione. Pavarësisht nga pranimi i tyre kohët e fundit dhe kuptueshmëria e kufizuar për ungjillin e rivendosur, Zoti i thirri këta burra që ta shpallnin ungjillin e Tij me “zërin e një borie” (Doktrina e Besëlidhje 30:9). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë disa nga arsyet pse Shpëtimtari na urdhëroi ta predikojmë ungjillin e Tij.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ky është mësimi i parë nga dy mësimet që trajtojnë seksionet Doktrina e Besëlidhje 30–36. Pjesa e 1‑rë do të përqendrohet tek arsyet përse Zoti do që ne ta shpërndajmë ungjillin e Tij dhe pjesa e 2‑të do të përqendrohet te ndihma që Ai na jep dhe te mënyra se si mund t’u predikojmë të tjerëve. Nëse koha e orës mësimore është e kufizuar dhe mund të jepet vetëm një mësim për seksionet Doktrina e Besëlidhje 30–36, merreni parasysh se si të dy mësimet mund të ndërthuren në mënyrë të efektshme.
Detyra jonë për ta predikuar ungjillin
Merreni parasysh që ta filloni orën mësimore duke paraqitur një thirrje të kohëve të fundit për mision dhe ta lexoni me zë të lartë. Ftojini nxënësit të shprehin ndjenjat e tyre rreth asaj që është emocionuese dhe mbase shqetësuese për ta kur mendojnë rreth shërbimit në një mision.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha këshillën vijuese në lidhje me shërbimin misionar kohëplotë:
“Sot e ripohoj fuqishëm se Zoti i ka kërkuar çdo të riu të denjë dhe të aftë të përgatitet dhe të shërbejë në një mision. Për të rinjtë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, shërbimi misionar është një përgjegjësi priftërie. …
Për motrat e reja dhe të afta, misioni është gjithashtu një mundësi e fuqishme, por me dëshirë. Ne i duam motrat misionare dhe i mirëpresim me gjithë zemër. Ajo që ju jepni në këtë punë, është madhështore. Lutuni për të ditur a do të donte Zoti që të shërbeni në një mision dhe Fryma e Shenjtë do të përgjigjet në zemrën dhe mendjen tuaj.
Të dashur miq të rinj në moshë, secili prej jush është jetik për Zotin. Ai ju ka ruajtur deri më tani që të ndihmoni për të mbledhur Izraelin. Vendimi juaj për të shërbyer në një mision, qoftë një mision predikimi apo shërbimi, do t’ju bekojë ju dhe shumë të tjerë. …
Të gjithë misionarët japin mësim dhe dëshmojnë për Shpëtimtarin. Errësira shpirtërore në botë bën që drita e Jezu Krishtit të nevojitet më shumë se kurrë. Të gjithë e meritojnë mundësinë që të dinë për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Çdo njeri meriton të dijë se ku mund ta gjejë shpresën dhe paqen që ‘ia tejkalon çdo zgjuarësie’ [Filipianëve 4:7].” (Rasëll M. Nelson, “Predikimi i Ungjillit të Paqes”, Liahona, maj 2022, f. 6–7)
-
Çfarë mendimesh ose ndjenjash ke rreth thënies së Presidentit Nelson?
-
Çfarë prove sheh se drita e Jezu Krishtit nevojitet më shumë se kurrë në botë?
Shpjegoni se predikimi i ungjillit të Shpëtimtarit nuk është vetëm një detyrë e misionarëve kohëplotë por edhe një përgjegjësi e përbashkët për të gjithë anëtarët e Kishës. Thuajuni nxënësve se mësimi i sotëm do të përqendrohet te mësimet e Zotit rreth arsyes pse duhet ta shpërndajmë ungjillin e Tij. Merreni parasysh të bëni ftesat vijuese për t’i ndihmuar nxënësit të përgatiten për ta studiuar këtë mësim.
Përsiat atë që di tashmë rreth arsyes pse Zoti pret që ndjekësit e Tij ta predikojnë ungjillit, qoftë si misionarë kohëplotë ose në ndërveprimet e përditshme. Mund t’i shkruash këto arsye në ditarin tënd të studimit. Ndërsa studion sot, kërko mësime që të ndihmojnë ta kuptosh më mirë se pse Zoti ka kaq shumë dëshirë që ndjekësit e Tij ta shpërndajnë ungjillin e Tij.
“Prediko tani e tutje”
Përpara orës mësimore, paraqitini emrat vijues në tabelë ose në muret rreth e rrotull klasës: Piter Uitmer i Riu, Xhon Uitmer, Tomas B. Marsh, Parli P. Prat, Ziba Pitërson, Ezra Thajri, Northrop Suit, Orson Prat, Sidni Rigdon dhe Eduard Partrixh. Pyetini nxënësit a njohin ndonjë nga emrat. Shpjegoni se të gjithë këta burra u thirrën nga Zoti për të shërbyer në misione dhe për ta predikuar ungjillin pak pas organizimit të Kishës. Vini në dukje se disa prej tyre ishin pagëzuar prej më pak se një muaji përpara se t’u vinin thirrjet.
Veprimtaria vijuese e studimit mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë disa nga arsyet pse Shpëtimtari na kërkon ta predikojmë ungjillin e Tij. Merreni parasysh t’i ndani nxënësit në grupe dhe t’i jepni secilit nxënës fletushkën shoqëruese. Çdo grupi mund t’i caktohet një nga fragmentet e shkrimeve të shenjta për ta studiuar.
Këshilla e Zotit për Misionarët te Doktrina e Besëlidhje 30–36
Studiojeni këshillën e Shpëtimtarit për individët e renditur më poshtë dhe diskutojini pyetjet që vijojnë.
Doktrina e Besëlidhje 31:1–5 (Tomas B. Marshi)
-
Cilat janë disa të vërteta nga këto vargje që mund t’ju ndihmojnë të kuptoni pse Shpëtimtari na kërkon ta shpërndajmë ungjillin e Tij?
-
Si mendoni, pse Jezu Krishti iu referua ungjillit të Tij si “lajme të hareshme të gëzimit të madh”? (Vargu 3.) Në ç’mënyrë ju sjell gëzim ungjilli i Shpëtimtarit?
Doktrina e Besëlidhje 33:1–7, 10–12 (Ezra Thajri dhe Northrop Suiti)
-
Cilat janë disa të vërteta nga këto vargje që mund t’ju ndihmojnë të kuptoni pse Shpëtimtari na kërkon ta shpërndajmë ungjillin e Tij?
-
Pse Zoti mund të dojë që ungjilli i Tij të deklarohet me një zë të larë si “tingulli [i] një borie”? (Vargu 2.)
Doktrina e Besëlidhje 34:1–7 (Orson Prat-i)
-
Cilat janë disa të vërteta nga këto vargje që mund t’ju ndihmojnë të kuptoni pse Shpëtimtari na kërkon ta shpërndajmë ungjillin e Tij?
-
Si mendoni, pse ne jemi “më [të] bekuar” (vargu 5) ngaqë jemi thirrur të predikojmë ungjillin e Shpëtimtarit nga sa jemi thjesht sepse besojmë në të?
Doktrina e Besëlidhje 35:1–3, 6–8, 12–13 (Sidni Rigdoni)
-
Cilat janë disa të vërteta nga këto vargje që mund t’ju ndihmojnë të kuptoni pse Shpëtimtari na kërkon ta shpërndajmë ungjillin e Tij?
-
Si mendoni, pse Zoti thërret njerëz “të pamësuar” dhe të papërvojë që ta shpallin ungjillin e Tij në “kombet” e tokës? (Vargu 13.)
© 2025 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved.
Pasi nxënësit t’i kenë studiuar dhe diskutuar këto vargje, ftojini të tregojnë ato që mësuan. Një mënyrë për ta bërë këtë mund të jetë të shkruani frazën Arsyet pse Shpëtimtari do që ne ta shpërndajmë ungjillin e Tij në qendër të tabelës. Nxënës të shumtë mund të vijnë më pas në tabelë dhe të shkruajnë idetë që mësuan nga studimi i tyre. Inkurajojini nxënësit të japin sa më shumë arsye që të munden. Këtu janë disa shembuj të përgjigjeve që mund të japin ata:
-
Ungjilli i Tij mund t’i ndihmojë njerëzit të përjetojnë gëzim (shihni te Doktrina e Besëlidhje 31:3).
-
Ne nuk mund ta marrim jetën e përjetshme pa ushtruar besim tek Ai, pa u penduar dhe pa marrë ordinancat e ungjillit të Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 33:10–12).
-
Ai do që bota të përgatitet për Ardhjen e Dytë të Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 33:10; 34:6–7).
-
Ai na do dhe dha jetën e Vet për ne (shihni te Doktrina e Besëlidhje 34:3; 35:2).
Pasi nxënësit të tregojnë të vërtetat që mësuan, merreni parasysh të bëni pyetje si ato në vijim:
-
Si mund të na frymëzojë njohuria për këto të vërteta që ta shpërndajmë ungjillin e Shpëtimtarit tek të tjerët, qoftë si misionarë kohëplotë ose në ndërveprimet tona të përditshme?
-
Cilat janë disa nga arsyet më të rëndësishme pse ju duhet ta shpërndani ungjillin e Shpëtimtarit?
Dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar sot. Inkurajojini nxënësit të veprojnë sipas nxitjeve që kanë marrë. Merreni parasysh t’i ftoni ata të marrin parasysh me lutje si të reagojnë ndaj këshillës së Presidentit Nelson rreth shërbimit misionar kohëplotë.