“Doktrina e Besëlidhje 29:9–29: Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 29:9–29”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 45: Doktrina e Besëlidhje 29
Doktrina e Besëlidhje 29:9–29
Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit
Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit do të jetë një ditë e mrekullueshme dhe e lemerishme. Ata që i refuzojnë lajmëtarët dhe mësimet e Jezu Krishtit do të vuajnë pasojat e zgjedhjeve të tyre. Ata që po përpiqen ta ndjekin Atë do të kenë gëzimin e të parit të Shëlbuesit të tyre të rikthehet në tokë. Ai do t’i shpëtojë ata nga ligësia dhe hidhërimi dhe do të banojë me ta për një mijë vjet. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë gëzim ndërsa presin rikthimin e Jezu Krishtit në tokë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
E frikshme apo e gëzueshme?
Merrni parasysh të paraqitni një figurë të Ardhjes së Dytë, si ajo në fillim të këtij mësimi. Në krah të figurës, krijoni një shkallë nga 1 deri në 10, ku 1 përfaqëson të “frikshmen” dhe 10 përfaqëson të “gëzueshmen”. Kërkojuni disa nxënësve të vendosin një shenjë mbi shkallë për të përfaqësuar se si mendojnë ata se ndihen shumë adoleshentë rreth Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Kërkojuni atyre ta shpjegojnë shenjën e tyre.
Më pas merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’u përgjigjen në heshtje pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit.
-
Si ndihesh kur mendon për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit? Përse?
-
Kur mendon rreth Ardhjes së Dytë, a priresh të përqendrohesh më shumë te Shpëtimtari apo te vështirësitë që i paraprijnë rikthimit të Tij? Si ndikon përqendrimi yt te ndjenjat e tua?
Shpenzoni kohën e nevojshme për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë përmbajtjen e paragrafit vijues.
Është e vërtetë që shumë sprova dhe një ligësi e madhe do të ekzistojnë në ditët e fundit dhe që “vuajtja dhe shkatërrimi” do të dërgohen mbi të ligjtë (shih te Doktrina e Besëlidhje 29:8). Është gjithashtu e rëndësishme të kuptosh se rikthimi i Shpëtimtarit nuk shkakton sprova dhe ligësi. Rikthimi i Tij do t’i çlirojë dishepujt e Tij prej tyre. Ardhja e Dytë do të jetë më e mrekullueshme për ndjekësit e Tij nga sa mund ta imagjinojmë! Ndërsa studion sot, kërko arsyet pse besnikët mund të ndiejnë gëzim dhe shpresë kur mendojnë rreth rikthimit të Jezu Krishtit.
Gëzohuni për ardhjen e Krishtit!
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 29:10–13, duke kërkuar fjalë dhe fraza që të japin arsye për t’u gëzuar.
Doktrina e Besëlidhje 29:10–11 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
Ftojini nxënësit të bëjnë një listë në tabelë me fjalët dhe frazat që gjetën. Pyetini disa nxënës pse ajo që gjetën i ndihmon ata të gëzohen.
Ndërsa flasin, mund t’i ndihmoni ta individualizojnë atë që gjetën duke u bërë pyetje për ndjekjen e ecurisë si ato në vijim:
-
Si mund të të ngushëllojë fakti që e di se, kur Jezusi të shfaqet, do të jetë me “fuqi e lavdi të madhe”? (Vargu 11.)
-
Si e përfytyron se do të ndryshojë jeta jote e përditshme kur Krishti të banojë “në drejtësi me njerëzit”? (Vargu 11.)
-
Cilin nga njerëzit e tu të dashur që kanë ndërruar jetë je më i/e emocionuar të shohësh kur Shpëtimtari t’i ringjallë të drejtët në ardhjen e Tij? (Shih vargun 13.)
-
Çfarë do të thotë për ty të “[jesh] me [Krishtin], që të mund të jemi një”? (Vargu 13.) Si mendon, pse Jezusi dëshiron të jetë një me ty?
Mund të sugjeroni që nxënësit ta shenjojnë frazën kyç të shkrimit të shenjtë te vargu 11: “Unë do të shfaqem nga qielli me fuqi e lavdi të madhe … dhe do të banoj në drejtësi me njerëzit në tokë për një mijë vjet”.
Pjesa e mbetur e këtij mësimi përqendrohet te kushtet e mrekullueshme që Shpëtimtari do t’i bekojë të drejtët gjatë dhe pas rikthimit të Tij.
Përpara se të vazhdoni më tej, nëse doni, mund t’i ndihmoni nxënësit të kuptojnë frazën e fundit te vargu 11, “të ligjtë nuk do të durojnë dot”. Nxënësit mund të lexojnë vargjet 9, 15 dhe 17 për të parë pasojat që do të vuajnë ata të cilët e refuzojnë Krishtin. Nëse i studioni këto vargje në klasë, kujtojuni nxënësve të shqetësuar rreth njerëzve të tyre të dashur që dëshira dhe fuqia e Shpëtimtarit është t’i falë dhe shërojë të gjithë ata që pendohen dhe vijnë tek Ai.
(Shënim: Mësimet te Doktrina e Besëlidhje 45 do të përqendrohen më në veçanti te shenjat e kohës dhe përgatitja vetjake për Ardhjen e Dytë të Krishtit.)
Krishti do të banojë me njerëzit një mijë vjet
Ftojini nxënësit të tregojnë atë që dinë rreth kushteve të tokës gjatë dhe pas mbretërimit mijëvjeçar të Jezu Krishtit. Mund t’i ftoni ata edhe që të tregojnë pyetjet që kanë rreth kësaj.
Shpenzo disa minuta për të kërkuar burime të caktuara në mënyrë hyjnore për përgjigje për pyetjet që mund të kesh rreth Mijëvjeçarit dhe kushteve të gëzueshme që do të ekzistojnë gjatë dhe pas mbretërimit mijëvjeçar të Krishtit. Sa vijon mund të të ndihmojë në studimin tënd:
Merreni parasysh t’i vendosni nxënësit në grupe të vogla, ku secili grup studion një nga burimet vijuese. Më pas, ose ftojeni secilin grup t’ia paraqesë klasës atë që mësoi, ose ftojini nxënësit të formojnë grupe të reja me nxënësit që studiuan secili burime të ndryshme dhe të tregojnë me radhë atë që mësuan.
Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mijëvjeçar”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org
Doktrina e Besëlidhje 29:23–27
Isaia 65:19–25
Zbulesa 20:1–3
Për t’i ndihmuar nxënësit t’i shohin qartë arsyet për t’u gëzuar për kushtet që pasojnë rikthimin e Shpëtimtarit, mund ta mbyllni këtë pjesë të mësimit duke treguar thënien e Plakut D. Tod Kristoferson në pjesën “Burime Shtesë”.
Përqendrimi te Shpëtimtari
Për t’i ndihmuar nxënësit të përfytyrojnë Shpëtimtarin e dashur duke zbritur nga qielli, merreni parasysh të shfaqni materialin filmik “Jezu Krishti Shfaqet në Kontinentin e Lashtë Amerikan”, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 11:20 deri në 16:31. Ftojini ata të kërkojnë ngjashmëri mes dashurisë së demonstruar nga vizita e Shpëtimtarit te nefitët dhe asaj që imagjinojnë se do të ndodhë kur Ai të rikthehet.
Merr parasysh t’i mbyllësh sytë dhe të përpiqesh ta imagjinosh Jezu Krishtin duke zbritur nga qielli për t’i shpëtuar, mbrojtur dhe shëruar ndjekësit e Tij. Kushtoju vëmendje mbresave nga Fryma e Shenjtë për të mësuar se si Ati Qiellor do të donte që të ndieje rreth rikthimit të Birit të Tij.
-
Çfarë shprehie përfytyron në fytyrën e Tij ndërsa Ai i vështron ata që po përpiqeshin ta ndiqnin?
-
Çfarë imagjinon se po u thotë Ai besnikëve pas zbritjes së Tij?
-
Si mendon se dëshiron Shpëtimtari të ndihen dishepujt e Tij rreth rikthimit të Tij në tokë?
Merreni parasysh të shprehni ndjenjat tuaja ndërsa prisni me padurim rikthimin e Jezu Krishtit në tokë. Nëse doni, mund ta përfundoni orën mësimore me një himn mbylljeje që flet për gëzimin e ardhjes së Krishtit dhe mbretërimit të Tij mijëvjeçar, të tillë si “Shpirti i Per’ndis’” (Himne, nr. 2), “Tani Le t’Gëzojmë” (Himne, nr. 3) ose “Botës Gëzim” (Himne, nr. 120).
Mësoni Përmendsh
Nëse doni, mund t’i ndihmoni gjithashtu nxënësit ta mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë gjatë këtij mësimi dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë është: “Unë do të shfaqem nga qielli me fuqi e lavdi të madhe … dhe do të banoj në drejtësi me njerëzit në tokë për një mijë vjet”. Idetë për veprimtaritë e të mësuarit përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.