Seminari
Mësimi 23 – Doktrina e Besëlidhje 11:8–30: “Gjithë Atyre që Kanë Dëshira të Mira”


“Mësimi 23 – Doktrina e Besëlidhje 11:8–30: ‘Gjithë Atyre që Kanë Dëshira të Mira’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 11:8–30”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 23: Doktrina e Besëlidhje 10–11

Doktrina e Besëlidhje 11:8–30

“Gjithë Atyre që Kanë Dëshira të Mira”

Hajrëm Smithi

Ndërsa Rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit filloi të shpalosej, disa njerëz dëshironin të dinin se si mund të jepnin ndihmë. Këtu përfshiheshin pjesëtarët e vetë familjes së Jozef Smithit, si vëllai i tij Hajrëmi. Zoti e lavdëroi Hajrëmin për dëshirat e tij të mira dhe i mësoi si të përgatitej të ndihmonte për veprën. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kërkojnë ndihmën e Zotit që të përgatiten për të marrë pjesë në veprën e Tij.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

“Madje siç dëshiron”

Merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve të mendojnë një kohë kur dëshironin të bashkoheshin me një veprimtari ose kauzë me vlerë ose të merrnin pjesë në të. Idetë mund të përfshijnë planifikimin e një veprimtarie për rininë, pjesëmarrjen në një projekt shërbimi ose bashkimin me një klub ose organizatë. Ftojini nxënësit të diskutojnë gjërat që kishin nevojë të përgatitnin përpara kohe për ta kryer veprimtarinë ose për t’i shërbyer kauzës.

Merreni parasysh t’u tregoni informacione si ai në vijim për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë se pjesë e çfarë gjëje dëshironte të ishte Hajrëm Smithi, e cila çoi në zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 11.

Në maj 1829, dëshira më e madhe e Hajrëm Smithit ishte të merrte pjesë në Rivendosjen e Kishës së Shpëtimtarit. Ai bëri një udhëtim prej më shumë se 400 km nga Palmira e Nju-Jorkut për në Harmoni të Pensilvanisë, për të vizituar vëllanë e tij më të vogël, Jozefin, dhe për të mësuar atë që ai mund të bënte për të ndihmuar. Zoti zbuloi seksionin Doktrina e Besëlidhje 11 për shkak të dëshirave të drejta të Hajrëmit.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 11:8, duke kërkuar mënyrën se si do ta bekonte Zoti Hajrëm Smithin për shkak se ai dëshironte të ndihmonte për veprën. Më pas, lexo te Doktrina e Besëlidhje 11:27, duke kërkuar se kujt tjetër i foli Shpëtimtari në këtë zbulesë.

Ftojini nxënësit të përcaktojnë një të vërtetë nga këto vargje dhe ta shprehin atë me vetë fjalët e tyre. Ata mund të thonë diçka si kjo: Nëse dëshirojmë t’i shërbejmë Atij, Perëndia mund ta bëjë veprën e Tij nëpërmjet nesh.

Jepuni nxënësve një mundësi që ta vlerësojnë veten për përgatitjen e tyre për të bërë veprën e Perëndisë. Veprimtaria vijuese është një mënyrë se si ata mund ta vlerësojnë veten.

Duke përdorur shkallën vijuese, përzgjidh se sa i/e përgatitur ndien se je për të bërë punën e Perëndisë:

  • 1 = Shumë i/e papërgatitur

  • 2 = Disi i/e papërgatitur

  • 3 = Disi i/e përgatitur

  • 4 = Shumë i/e përgatitur

Mendo se çfarë mund të bësh për ta rritur përgatitjen tënde. Mund t’i shënosh disa nga mendimet e tua në ditarin tënd të studimit.

Duke u përgatitur për të shërbyer

Merreni parasysh t’i ndani nxënësit në grupe të vogla dhe t’i inkurajoni ta bëjnë me radhë leximin e vargjeve vijuese me zë të lartë.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 11:11–26, duke shenjuar fraza specifike të këshillave që Shpëtimtari i dha për ta ndihmuar Hajrëmin të përgatitej për të shërbyer me besnikëri. Pas studimit të këtyre vargjeve, përzgjidh një frazë që sugjeron si mund të përgatitemi ne. Mendo për dy deri në tri mënyra specifike se si dikush mund ta zbatojë atë këshillë në jetën e vet.

Merreni parasysh ta ftoni secilin grup të shkruajë në tabelë frazën që zgjodhi, dhe t’i tregojë klasës disa mënyra se si mund ta zbatojë atë. Mund të bëni një pyetje për ndjekjen e ecurisë të tillë si: “Si mund të ndikojë zbatimi i asaj këshille tani te njeriu që do të bëhesh më tej në jetë?” Dëgjoni me kujdes ndërsa nxënësit tregojnë, për të dalluar se me cilat fraza të shpenzoni më tepër kohë duke diskutuar. Tre seksionet vijuese mund të përdoren për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë, diskutojnë dhe të përgatiten për t’i vënë në zbatim frazat specifike.

“Vëre besimin tënd në atë Shpirt që drejton për të bërë mirë” (vargu 12)

Mendo për disa situata nga jeta reale ku një adoleshenti/eje mund t’i duhet të vendosë a do ta vërë besimin e tij ose të saj te Shpirti.

  • Pse besimi te Shpëtimtari kërkonte që të vihej mirëbesimi i plotë te Shpirti në këto situata?

  • Çfarë mund të bëjmë për të mësuar se si ta marrim dhe si të veprojmë më mirë sipas frymëzimit nga Fryma e Shenjtë?

Përgjigjet mund të përfshijnë marrjen e sakramentit me denjësi, të shkruarit dhe të vepruarit sipas nxitjeve që vijnë dhe përsiatjen si pjesë e lutjes vetjake ose studimit të shkrimeve të shenjta. Ftojini nxënësit të tregojnë përvoja kur mirëbesuan te Shpirti për të bërë mirë.

“Zbato[ji] urdhërimet e mia, po, me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tënde” (vargu 20)

Zgjidh tre deri në katër urdhërime që ndien se kanë veçanërisht lidhje me adoleshentët.

Për çdo urdhërim, shkruaj se si mund të jetë për një adoleshent që ta zbatojë atë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën e vet.

  • Pse orvatja për t’i zbatuar urdhërimet e Zotit është e domosdoshme që t’i shërbejmë më mirë Atij?

  • Si je bekuar ti ose dikush që e njeh, prej orvatjes me zell për t’i zbatuar urdhërimet e Shpëtimtarit?

“Kërko … së pari ta fitosh fjalën time” (vargu 21)

Bëj një listë gjërash që mund t’i bëjë dikush i cili po kërkon ta “fito[jë] fjalën” e Zotit në vend që thjesht të lexojë shkrimet e shenjta.

Përgjigjet mund të përfshijnë shenjimin e fragmenteve, mbajtjen shënim të mendimeve që vijnë, kërkimin e përgjigjeve për pyetjet dhe bërjen e lutjeve gjatë studimit.

  • Si mund ta ndryshojë përgatitja e qëllimtë për të qenë një misionar, mësues, udhëheqës, shërbestar, bashkëshort ose prind më i mirë në të ardhmen tënde mënyrën se si i qasesh studimit të ungjillit sot?

  • Çfarë është diçka specifike që mund të bësh për ta shtuar efektshmërinë e studimit tënd të përditshëm të shkrimeve të shenjta? (Mund të kesh vendosur më parë një synim të ngjashëm. Ky mund të jetë një rast i mirë për ta shqyrtuar përparimin tënd.)

Zbatoje atë që ke mësuar

Të kuptuarit e përshkrimit të Shpëtimtarit për Veten te seksioni 11 mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë shpresë se Ai do t’i ndihmojë ata t’i vënë në zbatim ftesat në këtë seksion. Ftojini nxënësit të lexojnë vargjet 11, 28–30 dhe të diskutojnë për pyetjet vijuese.

  • Si mund ta ndriçojë Shpëtimtari udhën tënde ndërsa orvatesh ta ndjekësh këshillën e Tij dhe përgatitesh për t’i shërbyer?

  • Si mund ta “prano[sh]” më mirë Shpëtimtarin dhe këshillën e Tij në jetën tënde?

  • Si mendon, çfarë do të thotë t’u japë fuqi të bëhen bijtë dhe bijat e Perëndisë?

Jepuni nxënësve ca kohë në heshtje për të përsiatur sa vijon dhe për të zbatuar atë që kanë mësuar. Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë që të mendojnë për ide, ftojini ata të zgjedhin një frazë të renditur në tabelë nga pjesa e mësimit më herët. Merreni parasysh të tregoni ndjenjat tuaja rreth mënyrës se si shërbimi ndaj Zotit i ka sjellë dobi dhe e ka bekuar jetën tuaj.

Ndalu një çast për të përfytyruar llojin e shërbëtorit që do të doje të ishe për Zotin tani, pas dy vjetësh, pas 10 vjetësh dhe gjatë gjithë jetës sate. Zgjidh së paku një frazë këshille nga studimi yt sot ku do të doje të përqendroheshe dhe krijo një plan për të vepruar sipas tij. Një mënyrë për ta bërë këtë, është të vizatosh një palë shkallë të thjeshta me tri ose katër shkallare. Në secilën shkallare, shkruaj diçka që mund të bësh për të të ndihmuar ta fitosh më shumë fjalën e Zotit, t’i zbatosh urdhërimet e Tij, ose të vësh në jetë cilëndo pjesë të këshillave ku vendose të përqendroheshe.