“Mësimi 22 – Doktrina e Besëlidhje 11:1–7: ‘Mbl[idh] si Thesar … Shpëtim të Përjetshëm në Mbretërinë e Perëndisë’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 11:1–7”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 22: Doktrina e Besëlidhje 10–11
Doktrina e Besëlidhje 11:1–7
“Mbl[idh] si Thesar … Shpëtim të Përjetshëm në Mbretërinë e Perëndisë”
Ata që zgjedhim t’i ndjekim, gjërat të cilave u vihemi pas, dhe mënyra se si e shpenzojmë kohën mund të ndikojnë shumë te personi që do të bëhemi përfundimisht. Si pjesë e Rivendosjes, Shpëtimtari ynë i dashur dha këshilla bujare se ku duhet të jetë përqendrimi i jetës sonë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë një dëshirë më të madhe për të synuar dhuratën e jetës së përjetshme që Jezu Krishti ua ofron të gjithë atyre që do ta pranojnë atë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Mesazhe që ia vlejnë të përsëriten
Për ta filluar mësimin, mund t’i ftoni nxënësit të mendojnë rreth mesazheve që përsëriten herë pas here. Ata mund të përmendin mesazhet që vënë re në reklama, muzikë ose meme. Ftojini ata të mendojnë rreth arsyes pse disa nga këto mesazhe përsëriten shpesh. Kjo mund të ndihmojë për t’i përgatitur ata të mendojnë rreth mesazheve që Zoti i përsërit shpesh dhe pse.
-
Cilat janë disa mesazhe specifike që Jezu Krishti i ka frymëzuar profetët e Tij të gjallë t’i përsëritin herë pas here?
-
Çfarë mesazhesh të përsëritura ke vënë re deri tani në studimin tënd të librit Doktrina e Besëlidhje?
-
Çfarë mund të mësojmë rreth Shpëtimtarit nëpërmjet këtyre mesazheve të përsëritura?
Në vitin 1829, shumë njerëz – si Oliver Kaudëri, Hajrëm Smithi, Jozef Najt Plaku dhe Dejvid Uitmeri – dëshironin të mësonin atë që Jezu Krishti do të donte që ata të dinin e të bënin. Disa nga përgjigjet e dashura të Shpëtimtarit përfshijnë të vërtetat e përsëritura që Ai do që ne të gjithë t’i kuptojmë dhe sipas të cilave të jetojmë.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të formojnë grupe me nga katër veta dhe ta ftoni çdo nxënës të drejtohet te njëri nga seksionet vijuese. Një nxënës/e mund t’i lexojë vargjet nga seksioni i tij ose saj me zë të lartë. Ata mund të ndalen pas çdo vargu që partnerët e tyre të tregojnë ngjashmëritë dhe ndryshimet që vënë re nga vargjet përkatëse në seksionet e tyre.
Lexo gjashtë vargjet e para të çdo seksioni vijues nga Doktrina e Besëlidhje: 6; 11; 12; dhe 14. Krahaso mesazhin e Shpëtimtarit te secili prej tyre.
-
Si mendon, pse Zoti do të zgjidhte të përsëriste fraza dhe mësime specifike që gjenden në këto vargje?
“Ai që ka jetë të përjetshme është i pasur”
Lexo vargun 7 në seksionet 6 dhe 11, duke kërkuar këshillën e Shpëtimtarit për të gjithë ata që dëshirojnë t’i shërbejnë Atij.
-
Çfarë fjalësh apo frazash të bënë përshtypje nga ky varg? Përse?
-
Çfarë të ndihmon ky varg të kuptosh rreth Jezu Krishtit dhe dëshirave të Tij për ne?
Nxënësit mund të tregojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Jezu Krishti dëshiron të na japë jetë të përjetshme, e cila është dhurata më me vlerë nga të gjitha.
Jepuni nxënësve një mundësi për ta thelluar kuptueshmërinë e tyre rreth kuptimit të jetës së përjetshme dhe arsyes pse ajo është një dhuratë kaq me vlerë për t’u marrë nga ne. Mund ta bëni këtë duke i ftuar nxënësit të studiojnë disa nga burimet vijuese individualisht ose në grupe. Përndryshe, mund t’i shkruani këto referenca në copa të vogla letre rreth e qark klasës dhe t’i lejoni nxënësit të ecin nëpër klasë dhe t’i studiojnë ato në heshtje, duke mbajtur shënime në mënyrë të pavarur.
-
Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Eternal Life” [“Jeta e Përjetshme”], topics.ChurchofJesusChrist.org
-
Gjoni 17:3
-
Zbulesa 21:3–4
Ftojini nxënësit të tregojnë atë që mësuan dhe ndien gjatë studimit të tyre.
Të mendosh për atë që mësove
Shpenzoni disa çaste duke diskutuar me nxënësit shpërqendrime të mundshme ndaj synimit të jetës së përjetshme. Ftojini ata të përsiatin në heshtje se sa mirë po i përgatitin ata vendimet e tyre të tanishme për të marrë jetën e përjetshme. Merreni parasysh të bëni veprimtarinë vijuese për t’i ndihmuar nxënësit të ndiejnë një dëshirë më të madhe për të synuar jetën e përjetshme:
Rendit sa më shumë arsye që të mundesh për faktin pse një person me jetë të përjetshme është i pasur (shih te Doktrina e Besëlidhje 11:7).
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shkruajnë në tabelë përgjigjet e tyre për nxitjen e mëparshme. Ftoni vullnetarë që të përshkruajnë pse është me vlerë për ta ajo që shkruan. Kjo mund të jetë një pjesë domethënëse e mësimit. Mund të jetë diçka e urtë që t’u lini nxënësve kohë të bollshme për të shkruar, përsiatur dhe treguar.
Mbylleni mësimin duke i ftuar nxënësit të mendojnë se si mund të ndikohet jeta e tyre nga ajo që kanë mësuar dhe ndier sot. Pyetjet vijuese mund t’u japin nxënësve një mundësi për t’i shënuar mendimet dhe mbresat e tyre në ditarët e tyre të studimit.
-
Çfarë ke mësuar sot që ta shton dëshirën për t’u ndier pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
-
Cilat janë disa mënyra se si mund ta shmangësh lejimin që veprimtaritë e botës të marrin përparësi mbi përparimin drejt jetës së përjetshme?