“Mësimi 19 – Doktrina e Besëlidhje 8: Shpirti i Zbulesës”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 8”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 19: Doktrina e Besëlidhje 6–9
Doktrina e Besëlidhje 8
“Shpirti i Zbulesës”
Oliver Kaudërit i la mbresa aftësia e Jozef Smithit për ta përkthyer Librin e Mormonit. Ai donte që Perëndia t’i jepte të njëjtën dhunti. Zoti i premtoi Oliver Kaudërit dhuntinë për të përkthyer sipas besimit të tij. Në atë pikë, Jezu Krishti i mësoi Oliverit shumë parime të rëndësishme rreth zbulesës. Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit ta rritin aftësinë e tyre për ta dalluar se si u flet Perëndia nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Pyetjet rreth zbulesës
Për t’i ndihmuar nxënësit të fillojnë të studiojnë rreth zbulesës, merreni parasysh të tregoni sa vijon:
Perëndia dëshiron të na flasë neve dhe e bën këtë në mënyra të ndryshme. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, Perëndia synon “të na ndihmojë për nevojat, përgjegjësitë dhe pyetjet tona specifike dhe të na ndihmojë ta forcojmë dëshminë tonë” (Tema dhe Pyetje, “Revelation” [“Zbulesa”], topics.ChurchofJesusChrist.org).
-
Cilat janë disa pyetje që ti, ose të tjerë që njeh, keni rreth dallimit të zbulesës nga Perëndia?
Merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve që t’i shkruajnë pyetjet e tyre në tabelë ose në letër. Mund t’i ftoni nxënësit të kërkojnë përgjigje ndërsa studiojnë sot. Nuk është synuar që të gjitha pyetjet të marrin përgjigje në orën mësimore, por nxënësit mund të shkruajnë çfarëdo pikëpamje që zbulojnë. Mund t’i përdorni pyetjet vijuese për t’i ndihmuar nxënësit të mendojnë rreth arsyes pse njerëzit kanë pasiguri rreth zbulesës.
-
Pse mund të jetë e vështirë ta dallojmë kohën dhe mënyrën se si Perëndia komunikon me ne?
-
Si mendon, pse do të ishte e rëndësishme ta përmirësonim aftësinë tonë për ta dalluar dhe ndjekur zbulesën nga Perëndia?
Mund t’u kërkoni nxënësve të hapin një faqe në ditarin e tyre të studimit ose të krijojnë një shënim në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], ku mund ta shënojnë atë që mësojnë rreth zbulesës nga Zoti. Mund t’u jepni një shembull duke bërë të njëjtën gjë në tabelë. Merreni parasysh ta nisni me një titull të ngjashëm me: Si mund ta di se po marr zbulesë nga Perëndia?
Zoti i jep mësim Oliver Kaudërit rreth zbulesës
Ndërkohë që shërbente si shkrues, Oliver Kaudëri qe në gjendje të dëshmonte se Zoti i kishte dhënë Jozef Smithit fuqinë për të përkthyer Librin e Mormonit. Edhe Oliveri dëshironte të përkthente. Zoti ra dakord që t’ia jepte atij mundësinë (shih te Doktrina e Besëlidhje 6:25). Për ta ndihmuar Oliverin të ishte i suksesshëm, Zoti i mësoi parime të rëndësishme rreth marrjes së zbulesës.
Doktrina e Besëlidhje 8:2–3 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 8:1–3, duke kërkuar atë që Zoti dëshironte që Oliveri të dinte rreth marrjes së zbulesës.
-
Çfarë mësove nga këto vargje rreth mënyrës se si Zoti mund të na flasë nëpërmjet Frymës së Shenjtë?
Kërkojuni nxënësve ta raportojnë atë që gjetën. Mes të vërtetave të mundshme që nxënësit mund të përcaktojnë, ndihmojini ata të kuptojnë se Zoti komunikon me mendjen dhe zemrën tonë nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Përqendrohuni tek të vërtetat që çojnë drejt kthimit në besim: Për trajnim shtesë mbi pyetjet që i ndihmojnë nxënësit t’i përcaktojnë dhe pohojnë parimet që kthejnë në besim, shihni trajnimin e titulluar “Përqendrohuni tek të vërtetat që çojnë drejt kthimit në besim dhe ndërtojnë besimin te Jezu Krishti”, që gjendet te materiali Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Jepeni Mësim Doktrinën.
Merreni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë poshtë titullit në tabelë. Vizatimi i një diagrami si ai që vijon, mund t’i ndihmojë nxënësit edhe që t’i përfytyrojnë mësimet e Zotit në këto vargje.
-
Nisur nga studimi dhe përvoja jote vetjake, cilat janë disa mënyra se si Zoti komunikon me mendjen tonë? Si komunikon Ai me zemrën tonë?
Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi disa nga mënyrat se si Perëndia i flet mendjes dhe zemrës sonë nëpërmjet Frymës së Shenjtë:
“Unë jap dëshmi që Zoti, përmes Frymës së Shenjtë, mund t’ju flasë në mendje dhe në zemër. Ndonjëherë mbresat janë vetëm ndjenja të përgjithshme. Ndonjëherë drejtimi vjen aq qartë dhe aq i pagabueshëm, saqë ai mund të shënohet si një diktim shpirtëror.” (Riçard G. Skot, “Të Fitosh Udhëheqje Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2009, f. 9)
Mund t’i ndihmoni nxënësit të shohin një model komunikimi në mendje dhe në zemër në shembujt vijues që përfshijnë Oliver Kaudërin: Doktrina e Besëlidhje 6:22–24; 9:8–9. Nxënësit mund të kërkojnë fjalë dhe fraza që Zoti i përdori për të shpjeguar disa nga mënyrat se si Ai i flet mendjes dhe zemrës sonë.
Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se djegia e kraharorit, e përshkruar te Doktrina e Besëlidhje 9:8, mund t’i referohet “një ndjenje ngushëllimi dhe qetësie” (Dallin H. Oaks, “Teaching and Learning by the Spirit”, Ensign, mars 1997, f. 13).
Komunikimi nëpërmjet Frymës së Shenjtë
Shpjegoni se ka shumë mësime të tjera në shkrimet e shenjta dhe nga udhëheqësit bashkëkohorë të Kishës që na ndihmojnë të kuptojmë se si komunikon Perëndia me ne nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Jepuni kohë nxënësve për t’i gjetur, studiuar dhe diskutuar disa nga këto mësime.
Një mënyrë se si mund ta bëni këtë, është t’i ftoni të përdorin mjete si Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, ose funksioni i kërkimit në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për të gjetur shkrime të shenjta ose thënie nga udhëheqësit e Kishës që përshkruajnë disa nga mënyrat se si mund ta dallojmë zbulesën nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Një mundësi tjetër do të ishte t’i ftoni nxënësit t’i studiojnë shkrimet e shenjta vijuese për të parë atë që mund të mësojnë rreth zbulesës vetjake:
-
Gjoni 14:26
-
Galatasve 5:22–23
Mund t’u shfaqni nxënësve edhe materialin filmik “Patterns of Light: Spirit of Revelation” [“Modelet e Dritës: Shpirti i Zbulesës”] (2:12). Në këtë material filmik, Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha pikëpamje rreth mënyrës se si mund ta dallojmë ndryshimin mes mendimeve tona dhe nxitjeve nga Fryma e Shenjtë.
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të studiuar, merreni parasysh t’i ftoni ata që ta shtojnë atë që mësuan, te lista në tabelë.
Pyetje si vijueset mund t’i ndihmojnë nxënësit të diskutojnë atë që mësuan, dhe ta lejojnë Frymën e Shenjtë t’i dëshmojë klasës.
-
Çfarë mësove nga këto vargje rreth mënyrave të ndryshme se si Perëndia komunikon me ne nëpërmjet Frymës së Shenjtë?
-
Çfarë të ndihmojnë këto mësime të kuptosh për karakterin dhe dëshirat e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
-
Çfarë përvojash ke pasur me kuptueshmërinë se si komunikon Fryma e Shenjtë?
Kujtojuni nxënësve pyetjet që ngritën në fillim të orës mësimore. Ftojini nxënësit të tregojnë atë që mësuan, që i ndihmoi të përgjigjen për cilëndo nga këto pyetje. Përfundojeni orën mësimore me një ftesë që nxënësit të përpiqen ta dallojnë Zotin, që u flet zemrës dhe mendjes në një ose më tepër nga mënyrat e shumta rreth të cilave kanë mësuar. Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se si dallimi i zbulesës nga Zoti do të kërkojë përpjekje të vazhdueshme gjatë gjithë jetës së tyre.
Mësimi Përmendsh
Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni nxënësit t’i mësojnë përmendsh referencën dhe frazën kyç te Doktrina e Besëlidhje 8:2–3 dhe përsëritini ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë është: “Unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë”. Idetë për veprimtaritë me mësim përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.