Seminari
Mësimi 18 – Përkthimi i Librit të Mormonit: Dhurata dhe Fuqia e Perëndisë


“Mësimi 18 – Përkthimi i Librit të Mormonit: Dhurata dhe Fuqia e Perëndisë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Përkthimi i Librit të Mormonit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 18: Doktrina e Besëlidhje 6–9

Përkthimi i Librit të Mormonit

“Dhurata dhe Fuqia e Perëndisë”

duke përkthyer Librin e Mormonit

Me Oliver Kaudërin që po shërbente si shkruesi i tij, Jozef Smithi bëri përparim të mrekullueshëm në përkthimin e Librit të Mormonit gjatë pranverës së vitit 1829. Ndërkohë që nuk dimë hollësi specifike rreth mënyrës se si Jozef Smithi e përktheu Librin e Mormonit, ne vërtet e dimë se ai e bëri atë me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit ta forcojnë dëshminë e tyre që Perëndia siguroi mjetet dhe fuqinë që Jozef Smithi ta përkthente Librin e Mormonit për ne.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Origjina e Librit të Mormonit

Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke treguar skenarin vijues. Mund t’u jepni nxënësve një mundësi për të interpretuar me role me një partner ose përpara klasës.

Imagjino sikur një ditë i tregove njërës nga shoqeve të tua të mira bindjen tënde se Libri i Mormonit është shkrim i shenjtë si Bibla. Shoqja jote duket paksa e befasuar dhe thotë se asaj i kanë mësuar se Jozef Smithi e shkroi Librin e Mormonit nga imagjinata e vet.

  • Cilat janë disa nga mënyrat se si mund të reagoje në këtë situatë?

Shpjegoni se ky mësim do t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë për disa nga hollësitë në lidhje me përkthimin e Librit të Mormonit nga Jozef Smithi. Ftojini nxënësit të kërkojnë të vërteta ndërsa studiojnë që mund t’i ndihmojnë në situata si kjo dhe t’ua forcojnë dëshminë e tyre se Libri i Mormonit është nga Perëndia.

Oliver Kaudëri ndihmon për përkthimin

Merreni parasysh t’i pyesni nxënësit se çfarë mbajnë mend për rrethanat që lidhen me ndihmën e Oliver Kaudërit ndaj Jozef Smithit për përkthimin e Librit të Mormonit. Nëse është e nevojshme, referojuni mësimit “Doktrina e Besëlidhje 6” ose librit Shenjtorët, vëll. 1, Standardi i së Vërtetës, f. 58–60.

Oliver Kaudëri

Brenda dy ditësh pas ardhjes në Harmoni të Pensilvanisë për të takuar Jozef Smithin, Oliver Kaudëri nisi të punonte si shkruesi i Jozefit. Jozefi dhe Oliveri shpejt bënë përparim të mrekullueshëm në përkthimin e Librit të Mormonit. Përllogaritet se, me Oliverin si shkruesin e tij, Jozef Smithi e përfundoi përkthimin e Librit të Mormonit për përafërsisht 65 ditë pune (shih te Russell M. Nelson, “A Treasured Testament”, Ensign, korrik 1993, f. 61).

Përshkrimet e Jozef Smithit për përkthimin

Merreni parasysh t’i pyesni nxënësit se çfarë dinë rreth mënyrës se si Jozef Smithi e përktheu Librin e Mormonit në një mënyrë kaq çudibërëse.

Fragmenti vijues nga eseja mbi Temat e Ungjillit me titull “Përkthimi i Librit të Mormonit” mund t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë se çfarë donte Jozef Smithi që të dinte bota rreth përkthimit.

“Në parathënien e botimit të 1830‑ës të Librit të Mormonit, Jozef Smithi shkroi: ‘Do të doja t’ju informoja se unë [e] kam përkthyer [librin], me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë’. Kur u nxit që të jepte hollësi rreth procesit të përkthimit, Jozefi e përsëriti në disa raste se përkthimi ishte bërë ‘nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë’ dhe njëherë shtoi: ‘Nuk ishte qëllimi që t’i tregoheshin botës të gjitha detajet e daljes në dritë të Librit të Mormonit’.” (Ese mbi Temat e Ungjillit, “Përkthimi i Librit të Mormonit”, ChurchofJesusChrist.org)

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga deklarata e Jozef Smithit rreth përkthimit të Librit të Mormonit?

    Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë të vërtetën që Jozef Smithi e përktheu Librin e Mormonit me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.

  • Pse është e rëndësishme ta dimë se Libri i Mormonit u përkthye me anë të fuqisë së Perëndisë dhe jo nga Jozef Smithi?

Mjetet e përkthimit

Sa vijon mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë paksa rreth mjeteve që Perëndia i vuri në dispozicion Jozef Smithit për ta ndihmuar për përpjekjet e tij për të përkthyer Librin e Mormonit.

Kur engjëll Moroni iu shfaq Jozef Smithit në vitin 1823, ai i dha udhëzime Profetit rreth mënyrës se si do të dilte në dritë Libri i Mormonit.

Lexo te Joseph Smith – Historia 1:34–35 dhe kërko çfarë mjetesh kishte përgatitur Perëndia për përkthimin e Librit të Mormonit.

Po të dëshironi, mund t’i ftoni gjithashtu nxënësit që të lexojnë te Mormoni 9:34 dhe Ethëri 3:23–24 për t’i ndihmuar ata të kuptojnë se profetët e Librit të Mormonit e kuptuan se Perëndia do të përgatiste një mënyrë që fjalët e tyre të përktheheshin.

  • Në çfarë mënyrash e përgatiti Zoti Librin e Mormonit për përkthim?

Për t’i ndihmuar nxënësit që t’i kuptojnë më mirë hollësitë rreth përdorimit të mjeteve fizike nga Jozef Smithi për të përkthyer Librin e Mormonit, merreni parasysh të shfaqni materialin filmik “Guri Shikues” (3:47), në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org. Përndryshe, mund ta përmblidhni informacionin vijues ose ta ftoni një nxënës t’ia lexojë atë klasës.

3:48

Rrëfime të mëvonshme historike vënë në dukje se krahas përdorimit të Urimit dhe Thumimit (që nganjëherë quheshin interpretuesit ose gjyzlyket nefite) për të përkthyer Librin e Mormonit, Jozef Smithi përdori një mjet tjetër që quhej guri shikues. Profeti e kishte zbuluar këtë mjet disa vjet përpara se të merrte fletët e arta.

Ne nuk dimë shumë hollësi rreth mënyrës se si Jozefi i përdori këto mjete që kishte përgatitur Perëndia. Por dëshmitarët thanë se Jozefi nganjëherë i vendoste ose Urimin dhe Thumimin ose gurin shikues brenda një kapeleje për të penguar dritën, gjë që e lejonte t’i shihte më mirë fjalët që shfaqeshin mbi mjetet fizike (shih tek Ese mbi Temat e Ungjillit, “Përkthimi i Librit të Mormonit”, ChurchofJesusChrist.org).

Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se, ndërkohë që ne dimë disa hollësi në lidhje me përkthimin e Librit të Mormonit nga Jozef Smithi, ka shumë gjëra që nuk i dimë rreth procesit të përkthimit. E vërteta më e rëndësishme është se fuqia e Perëndisë mundësoi që fjala e Tij t’u sillej fëmijëve të Tij.

Merreni parasysh të përdorni një ose më shumë nga burimet vijuese për t’i ndihmuar nxënësit të ndiejnë se Libri i Mormonit u përkthye me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.

  • Pjesa “Zëra të Rivendosjes” e mësimit “Doktrina e Besëlidhje 6–9: Ky Është Shpirti i Zbulesës”, Eja Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025

  • Days of Harmony” [“Ditët në Harmoni”] nga kodi kohor 7:18 deri në 11:33

    25:1
  • Përshkrimi i Oliver Kaudërit për procesin e përkthimit siç shënohet te Joseph Smith – Historia (gjendet te paragrafi i parë pas vargut 75)

    Nëse dëshironi, mund t’i ftoni nxënësit t’i diskutojnë pyetjet vijuese në grupe të vogla ose në dyshe përpara se t’i ftoni t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.

  • Cilat fjalë ose fraza nga Ema ose Oliveri e përkrahin dëshminë e Jozef Smithit se Libri i Mormonit u përkthye me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë?

  • Çfarë mëson ose ndien për Perëndinë pasi mësove se si Jozef Smithi ishte një mjet në duart e Tij për të përkthyer Librin e Mormonit?

Fuqia e Librit të Mormonit në jetën tënde

Shpjegoni se një nga mënyrat më të mira se si mund ta dimë se Libri i Mormonit u përkthye me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë, është duke e studiuar atë dhe duke e përjetuar fuqinë e Perëndisë nëpërmjet të jetuarit të mësimeve të tij.

Jepuni kohë nxënësve për të gjetur një varg ose tregim nga Libri i Mormonit që ka ndikuar në jetën e tyre. Nëse nxënësit e kanë të vështirë të gjejnë diçka, merreni parasysh t’u jepni ndihmë ose udhërrëfim, të tillë si t’i ftoni ata të studiojnë disa nga fragmentet e zotërimit doktrinor për Librin e Mormonit. Mund t’u sugjeroni gjithashtu disa vargje që ata mund t’i studiojnë.

  • Cili është një varg ose tregim nga Libri i Mormonit që ka ndikuar në jetën tënde?

  • Si ka ndikuar ky varg ose tregim te ndjenjat e tua kundrejt Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?

Merreni parasysh t’u dëshmoni nxënësve që forca që mund të marrin nga studimi i Librit të Mormonit, është vërtetim i fuqisë së Perëndisë për nxjerrjen në dritë të Librit të Mormonit.