“Mësimi 16 – Doktrina e Besëlidhje 6: ‘Shihni tek Unë në Çdo Mendim; Mos Dyshoni, Mos Kini Frikë’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 6”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 17: Doktrina e Besëlidhje 6–9
Doktrina e Besëlidhje 6
“Shihni tek Unë në Çdo Mendim; Mos Dyshoni, Mos Kini Frikë”
Më 5 prill 1829, Oliver Kaudëri e takoi Jozef Smithin për herë të parë. Dy ditë më vonë, ai u bë shkruesi i Jozefit për përkthimin e Librit të Mormonit. Doktrina e Besëlidhje 6 përfshin këshillë nga Zoti që trajton shumë nga pyetjet dhe shqetësimet që kishte Oliveri rreth pjesëmarrjes në veprën e Zotit. Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit ta vënë mirëbesimin e tyre te Shpëtimtari kur të përballen me dyshimet dhe frikën.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Dyshimet dhe frika
Merreni parasysh ta shkruani pyetjen vijuese në tabelë dhe t’i ftoni nxënësit t’i shkruajnë përgjigjet e tyre poshtë saj. Kjo mund të bëhet përpara se të fillojë ora mësimore ose në fillim të mësimit.
-
Cilat janë disa gjëra që shkaktojnë frikë, apo dyshimet, ose shqetësimet që mund të kenë adoleshentët?
Pasi të diskutoni pyetjen e mëparshme, ftojini nxënësit të mendojnë rreth gjërave që shkaktojnë frikë, apo dyshimeve ose shqetësimeve që mund të kenë në jetën e tyre. Shpjegoni se seksioni Doktrina e Besëlidhje 6 përmban të vërteta që mund t’i ndihmojnë ata gjatë kohëve të tilla. Ftojini nxënësit t’i kërkojnë këto të vërteta teksa studiojnë.
Oliver Kaudëri fillon t’i vijë në ndihmë Jozef Smithit
Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 6 përmban një zbulesë që iu dha Oliver Kaudërit. Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë se si u takua Oliveri fillimisht me Jozef Smithin, mund të shfaqni materialin filmik “Days of Harmony” [“Ditët në Harmoni”] nga kodi kohor 3:07 deri në 7:18. Ky material filmik është në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org. Përndryshe, klasa mund të lexojë Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme, vëll. 1, Standardi i së Vërtetës, 1815–1846 (2018), faqet 58–60, ose mund të përmblidhni paragrafin vijues.
Oliver Kaudëri ishte një mësues shkolle i cili filloi të jetonte me prindërit e Jozef Smithit në vjeshtën e vitit 1828. Ndërkohë që qëndronte në familjen Smith, Oliveri mësoi rreth thirrjes hyjnore të Jozefit dhe përkthimit në punë e sipër të Librit të Mormonit. Oliveri u ndje i nxitur të pyeste a mund ta ndihmonte Jozefin për përkthimin. Në pranverën e vitit 1829, Oliveri shoqëroi vëllanë e Jozefit, Samuelin, në Harmoni të Pensilvanisë, për të takuar Profetin për herë të parë.
-
Po të ishe në situatën e Oliver Kaudërit, çfarë pyetjesh ose shqetësimesh mund të kishe pasur gjatë kësaj kohe?
Shpejt pasi mbërriti në Harmoni, Oliveri u bë shkruesi i Jozef Smithit. Megjithëse Oliveri kishte marrë më parë një vërtetim hyjnor për dhuratën profetike të Jozefit për të përkthyer, ai ende kishte pyetje rreth pjesëmarrjes së tij vetjake në veprën e Zotit. Jozef Smithi mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 6 gjatë kësaj kohe.
Njohja e Shpëtimtarit dhe mirëbesimi tek Ai
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 6:14–24, 32–37, duke kërkuar disa nga këshillat e Zotit drejtuar Oliverit. Kushtoji vëmendje të veçantë asaj që dha mësim Zoti rreth Vetes, që mund të na ndihmojë gjatë kohëve të pasigurisë ose frikës.
Krahas leximit të këtyre vargjeve, nxënësit mund të shikojnë edhe materialin filmik “Days of Harmony” [“Ditët në Harmoni”] nga kodi kohor 15:02 deri në 17:49.
Për t’i ndihmuar nxënësit ta përvetësojnë atë që po lexojnë, merreni parasysh të paraqitni një figurë të Jezu Krishtit në tabelë. Ndërsa nxënësit i përcaktojnë mësimet e Shpëtimtarit nga këto vargje, ata mund t’i shkruajnë ato mësime përreth figurës në tabelë.
-
Çfarë mësove për Jezu Krishtin që mund të të ndihmojë ta vësh mirëbesimin tënd tek Ai kur përballesh me frikë, dyshime ose shqetësime?
-
Si mund të të ndihmojnë këto të vërteta rreth Shpëtimtarit gjatë kohëve të tilla?
Shihni te Jezu Krishti
Doktrina e Besëlidhje 6:36 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 6:36–37 përsëri, duke kërkuar ftesat e Shpëtimtarit për Oliverin.
-
Si do ta përmblidhje të vërtetën që jepet mësim te vargu 36?
Nëse dëshironi, mund të theksoni se ndërsa shohim te Jezu Krishti, ne mund t’i mposhtim dyshimin e frikën.
Çfarë mendon se do të thotë të shihni te Jezu Krishti në çdo mendim?
Për t’i ndihmuar nxënësit ta shohin marrëdhënien mes mësimeve të Shpëtimtarit në vargjet 36 dhe 37, merreni parasysh të paraqitni figurën që nga fillimi i mësimit. Shpjegoni që, të vësh re diçka, do të thotë ta shohësh dhe vëzhgosh. Pastaj bëni pyetjet vijuese:
-
Si mendon, përse Shpëtimtari dëshiron që ne t’i “vëmë re” plagët e Tij? (Doktrina e Besëlidhje 6:37.)
-
Çfarë efekti mund të ketë te ne të kujtuarit e Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij?
Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë më mirë se si mund të shohin te Jezu Krishti, merreni parasysh të paraqitni skenarët vijues. Mund të krijoni edhe skenarë të tjerë që kanë lidhje me rrethanat e nxënësve tuaj.
Ana ka disa pyetje pa përgjigje rreth ungjillit. Nganjëherë ajo ndien se dëshmia e saj nuk është e fortë mjaftueshëm sa për ta ndihmuar t’i kapërcejë dyshimet e saj.
Eriku po lufton me ndjenjat e vlerësimit të vetes. Ai ndien sikur askush nuk e vë re atë në shkollë.
Prindërit e Sofies e kanë të vështirë të sigurojnë të ardhura për familjen e tyre. Ajo shqetësohet se prindërit e saj mund të mos kenë para të mjaftueshme për të plotësuar të gjitha nevojat e familjes.
Merreni parasysh t’i ndani nxënësit në grupe të vogla dhe t’i caktoni secilit grup njërin nga skenarët ku të përqendrohen ndërsa diskutojnë pyetjet vijuese.
-
Cilat janë të paktën tri mënyra se si këta njerëz mund të shohin te Krishti në situatat e tyre?
-
Si mund të sjellë një ndryshim bërja e atyre gjërave në jetën e këtyre individëve?
Kur nxënësit të kenë diskutuar me grupet e tyre, ftojini ata t’ia tregojnë disa nga përgjigjet e tyre klasës. Si pjesë e këtij diskutimi, mund të jetë e dobishme t’i pyesni nxënësit se si veprimet që përcaktuan ata, janë shembuj të të parit te Krishti.
Gjithashtu merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të japin shembuj të mënyrave se si ata janë bekuar ndërsa kanë parë te Jezu Krishti në jetën e tyre.
Zbatimi i kësaj në jetën tënde
Për t’i ndihmuar nxënësit të zbatojnë këshillën e Shpëtimtarit që të shohin tek Ai, ftojini ata të mendojnë rreth frikës, dyshimeve ose shqetësimeve të tyre që përcaktuan në fillim të mësimit. Paraqitini pyetjet vijuese dhe jepuni kohë nxënësve që t’iu përgjigjen në ditarët e tyre të studimit.
-
Çfarë ke mësuar ose ndier rreth Jezu Krishtit sot që mund të të ndihmojë për frikën, dyshimet ose shqetësimet që ke?
-
Cilat janë disa mënyra specifike në të cilat do të orvatesh ta zbatosh këshillën e Shpëtimtarit që të “sh[ohim] tek [Ai] në çdo mendim; [të] mos dysho[jmë], [të] mos k[emi] frikë”?
Mësimi Përmendsh
Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni nxënësit t’i mësojnë përmendsh referencën dhe frazën kyç te Doktrina e Besëlidhje 6:36 dhe përsëritini ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë është i gjithë vargu: “Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë”. Idetë për veprimtaritë me mësim përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.