“2–8 Nëntor. ‘Do të Shtie Brenda Jush një Shpirt të Ri’: Ezekiel 1–3; 33–34; 36–37; 47”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“2–8 Nëntor. ‘Do të Shtie Brenda Jush një Shpirt të Ri’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026
2–8 Nëntor: “Do të Shtie Brenda Jush një Shpirt të Ri”
Ezekiel 1–3; 33–34; 36–37; 47
Ezekieli ishte një profet në mërgim. Bashkë me izraelitë të tjerë, atë e kishin kapur dhe dërguar në Babiloni. Në Jerusalem, Ezekieli do të kishte qenë një prift që shërbente në tempull. Në Babiloni, ai ishte mes “at[yre] që ishin në robëri” dhe “u ndal atje ku ata banonin” (Ezekiel 3:15), qindra kilometra larg nga shtëpia e dashur e Perëndisë dhe me pak shpresë për t’u rikthyer. Më pas, një ditë Ezekieli pati një vegim. Ai pa “lavdi[në e] Zotit” (Ezekiel 1:28) – në atë kohë jo në tempullin në Jerusalem, por atje në Babiloni mes të mërguarve. Ai mësoi se ligësia në Jerusalem ishte shtuar aq shumë, sa atje nuk ishte më prania e Perëndisë (shihni tek Ezekiel 8–11; 33:21).
Prapëseprapë, ka diçka shpresëdhënëse rreth mesazhit të Ezekielit. Pavarësisht se sa shumë ishte larguar populli i besëlidhjes, Perëndia nuk i kishte braktisur ata tërësisht. Nëse ata do ta “dëgjoni[n] fjalën e Zotit” (Ezekiel 37:4), ajo që dikur ishte e vdekur, mund të kthehej në jetë. “Zemr[a e tyre] prej guri” mund të zëvendësohej me “një zemër të re” (Ezekiel 36:26). Dhe në të ardhmen Zoti do të ndërtonte një tempull të ri dhe një Jerusalem të ri dhe “emri i qytetit do të jetë: ‘Zoti është atje’” (Ezekiel 48:35).
Për një vështrim të përgjithshëm të librit të Ezekielit, shihni zërin “Ezekiel” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Ezekiel 3; 34
Zoti më fton t’i ushqej delet e Tij.
Tek Ezekiel 3 dhe 34, Zoti u drejtohet udhëheqësve të popullit të Tij si roje dhe barinj. Ndërsa i lexoni këta kapituj, merrni parasysh se çfarë sugjerojnë këta tituj lidhur me atë se çfarë do të thotë të jeni udhëheqës.
Kush janë “delet” që Zoti dëshiron që ju t’i ushqeni? Çfarë gjeni tek Ezekiel 34 që mund ta ndihmonte dikë për t’u përgatitur që të shërbejë në një mision, të rritë fëmijët apo të përmbushë një detyrë për dhënie shërbese? Si mund ta ndiqni shembullin e Shpëtimtarit si bariu ynë? (Shihni vargjet 11–31.)
Gjithashtu mund të përsiatni për simbolikën që gjeni në këtë kapitull. Çfarë mund të përfaqësojnë “kullota [e] mir[ë]” dhe “vatha” e mirë te vargu 14? Cili është ndryshimi midis një deleje që është e “humbur” dhe asaj që është e “hutuar”? (Vargu 16.) Çfarë simbolesh të tjera gjeni?
Shihni edhe te Gjoni 21:15–17; Gerit W. Gong, “Dhënia e Shërbesës”, Liahona, maj 2023, f. 16–19.
Ezekiel 33:10–19
Zoti dëshiron që të falë.
“Në rast se … mëkatet tona janë mbi ne”, – pyetën veten izraelitët e robëruar, “si do të mund të jetojmë?” (Ezekiel 33:10.) Si përgjigje, Zoti u mësoi atyre rreth pendimit dhe faljes. Këto pyetje mund t’ju ndihmojnë të përsiatni për atë që dha mësim Ai:
-
Çfarë mendoni se do të thotë të “k[esh] besim në drejtësinë [tënde]”? (Shihni tek Ezekiel 33:12–13.)
-
Çfarë do t’i thoshit dikujt që mendon se njerëzit të cilët përshkruhen tek Ezekiel 33:12–19, nuk po trajtohen në mënyrë të drejtë? (Shihni edhe te Mateu 21:28–31; Lluka 18:9–14.)
-
Çfarë gjeni në këto vargje që ju ndihmon të kuptoni se çfarë do të thotë të pendohesh? Çfarë pikëpamjesh të tjera gjeni tek Ezekiel 36:26–27 dhe Alma 7:14–16?
Ezekiel 37
Zoti po e mbledh popullin e Tij dhe po i jep atij jetë të re.
Mbledhja e Izraelit portretizohet tek Ezekiel 37 nëpërmjet dy simboleve. Ndërsa lexoni rreth simbolit të parë – kocka të vdekura që rikthehen në jetë (shihni vargjet 1–14) – përsiatni se çfarë ju sugjeron rreth mbledhjes së Izraelit në të dyja anët e velit (shihni edhe tek Ezekiel 36:24–30). Merrni parasysh pyetje si këto:
-
Çfarë po përpiqet të përmbushë Zoti nëpërmjet mbledhjes së Izraelit?
-
Si po e përmbush Ai këtë gjë?
Mund t’i bëni vetes po të njëjtat pyetje ndërsa lexoni rreth simbolit të dytë te vargjet 15–28. Simboli i dytë përfshin dy drurë, të cilët shumë studiues i interpretojnë si tabela druri për shkrim të bashkuara nga një menteshë. Druri i Judës mund të përfaqësojë Biblën (duke qenë se një pjesë e madhe e Biblës u shkrua nga pasardhësit e Judës) dhe druri i Jozefit mund të përfaqësojë Librin e Mormonit (duke qenë se pjesëtarët e familjes së Lehit ishin pasardhës të Jozefit të Egjiptit). Duke pasur këtë në mendje, çfarë ju mësojnë këto vargje rreth rolit të shkrimeve të shenjta në mbledhjen e Izraelit?
Mendoni se si Bibla dhe Libri i Mormonit kanë vepruar së bashku në jetën tuaj, veçanërisht për t’ju ndihmuar që të vini te Krishti. Cilat fragmente kanë qenë veçanërisht kuptimplota për ju?
Shihni edhe te 2 Nefi 3:11–13; 29:14; “Izrael, Per’ndia po Th’rret”, Himne, nr. 7; Tema dhe Pyetje, “Bible” [“Bibla”], “Book of Mormon” [“Libri i Mormonit”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “The Book of Mormon Gathers Scattered Israel” [“Libri Mormonit Mbledh Izraelin e Shpërndarë”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
The Book of Mormon Gathers Scattered Israel
Në një vegim, Ezekieli pa një lumë që rrodhi nga tempulli dhe shëroi Detin e Vdekur.
Ezekiel 47:1–12
Unë mund të gjej shërim shpirtëror në shtëpinë e Zotit.
Ndërsa lexoni tek Ezekiel 47:1–12, mund t’ju ndihmojë njohuria se Deti i Vdekur është kaq i kripur saqë peshqit dhe bimët nuk mund të jetojnë në të. Çfarë ju bën përshtypje rreth ujërave të përshkruara te vargjet 1–12? (Shihni edhe te Zbulesa 22:1.) Çfarë mund të simbolizojnë këta ujëra? Çfarë mund të përfaqësojnë pemët e përshkruara te vargu 12?
Çfarë kuptueshmërie shtesë merrni nga mesazhi i Plakut Dejll G. Renland “Historia Familjare dhe Puna në Tempull: Vulosja dhe Shërimi”? (Shihni te Liahona, maj 2018, f. 46–49.) Përsiatni se si keni gjetur jetë dhe shërim shpirtëror për shkak të tempullit.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Ezekiel 3:17; 33:1–5
Profetët janë si roje që na paralajmërojnë për rrezikun.
-
Fëmijëve të vegjël mund t’iu pëlqejë të bëjnë veprime që përshtaten me vargun tek Ezekiel 3:17. Për shembull, ata mund të tregojnë me gisht sytë, veshët dhe gojën e tyre kur të lexoni fjalët “roje”, “dëgjosh” dhe “goja”. Gjithashtu mund t’u pëlqejë të shkojnë për një shëtitje jashtë ose thjesht nëpër dhomë. Ndërkohë që ecin, paralajmërojini për gjërat përgjatë shtegut, si lumenj për t’i kapërcyer, degë për të kaluar nën to ose kafshë për t’i shmangur (të vërteta ose të imagjinuara). Kjo mund të çojë drejt një bashkëbisedimi rreth mënyrës se si profeti i Zotit na paralajmëron për rreziqe që nuk mund t’i shohim.
-
Këtu është një mënyrë tjetër për të ilustruar vargjet tek Ezekiel 3:17; 33:1–5. Njëri nga fëmijët tuaj mund të bëjë sikur është një “roj[ë]” duke parë nga dritarja dhe duke u treguar gjithë të tjerëve se çfarë po ndodh jashtë. Ju gjithashtu mund të shihni materialin filmik “Watchman on the Tower” [“Roja në Kullë”] (ChurchofJesusChrist.org). Si është profeti ynë i gjallë si një rojë për ne?
4:17Watchman on the Tower
The Prophet Ezekiel [Profeti Ezekiel], nga Lyle Beddes
Ezekiel 37:15–23
Bibla dhe Libri i Mormonit ndihmojnë të na “mbledh[in]” te Jezu Krishti.
-
Pasi të lexoni së bashku vargjet tek Ezekiel 37:15–23, ju dhe fëmijët tuaj mund të gjeni dy drurë dhe të shkruani tek njëri Për Judën (Biblën) dhe tek tjetri Për Jozefin (Librin e Mormonit). Më pas mund të tregoni histori ose shkrime të shenjta nga Bibla dhe Libri i Mormonit që ju ndihmojnë të ndiheni më afër Shpëtimtarit dhe të bëheni “populli [i Tij]” (vargu 23). Pse është mirë që t’i kemi të dy këta libra të shkrimit të shenjtë?
Mos u përpiqni të trajtoni gjithçka. Mund të mos jeni në gjendje ta shqyrtoni çdo të vërtetë tek Ezekieli me fëmijët tuaj. Me lutje merrni parasysh atë që u nevojitet të kuptojnë dhe kërkoni udhërrëfim shpirtëror për të përcaktuar se ku të përqendroheni. (Shihni te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 17.)
Ezekiel 47:1–12
Zemrat dhe familjet tona mund të gjejnë shërim në shtëpinë e Zotit.
-
Ezekiel 47 përshkruan vegimin e Ezekielit për ujin që rrjedh nga tempulli dhe shëron Detin e Vdekur, një det aq i kripur saqë peshqit dhe bimët nuk mund të jetojnë në të. Ndoshta secili nga fëmijët tuaj mund të vizatojë një ose dy sende nga vegimi, të tillë si një tempull, një lumë, një shkretëtirë, Detin e Vdekur, një mori peshqish apo një pemë me fruta. Më pas, ndërsa lexoni së bashku vargjet 1–12, ata mund të tregojnë vizatimin e tyre ku të përmendet ai send. Çfarë bekimesh erdhën prej lumit në këtë vegim? Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se si këto bekime janë si bekimet që Shpëtimtari ua ofron atyre që i mbajnë besëlidhjet e tempullit. Mund të ndihmojë materiali filmik “And the River Will Grow” [“Dhe Lumi do të Mbushet”].
3:43And the River Will Grow
-
Gjithashtu mund të këndoni së bashku një këngë që përshkruan bekimet e tempullit, të tillë si “Familjet Mund të Jen’ Bashk’ Përgjithmon’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 98). Çfarë na mëson kjo këngë për mënyrën se si Zoti na bekon në shtëpinë e Tij të shenjtë?
Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.