“26 Tetor – 1 Nëntor. ‘Do ta Shndërroj Zinë e Tyre në Gëzim’: Jeremia 31–33; 36–39; Vajtimeve 1; 3”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“26 Tetor – 1 Nëntor. Do ta Shndërroj Zinë e Tyre në Gëzim’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026
Jeremiah Lamenting the Destruction of Jerusalem [Jeremia duke Vajtuar për Shkatërrimin e Jerusalemit], nga Rembrandt van Rijn
26 Tetor – 1 Nëntor: “Do ta Shndërroj Zinë e Tyre në Gëzim”
Jeremia 31–33; 36–39; Vajtimeve 1; 3
Kur Zoti e thirri fillimisht Jeremian që të ishte profet, Ai i tha se misioni i tij do të ishte “për të çrrënjosur dhe për të rrënuar” (Jeremia 1:10) – dhe në Jerusalem kishte shumë ligësi për t’u çrrënjosur dhe për t’u rrënuar. Por kjo ishte vetëm një pjesë e misionit të Jeremias – ai u thirr gjithashtu “për të ndërtuar dhe për të mbjellë” (Jeremia 1:10). Çfarë mund të ndërtohej ose mbillej në rrënojat e shkretuara, të lëna nga rebelimi i popullit të besëlidhjes? Po ta bëjmë pyetjen në një mënyrë tjetër, kur mëkati ose fatkeqësia e ka lënë të rrënuar jetën tonë, si mund të rindërtojmë dhe mbjellim përsëri? Përgjigjja gjendet te “filiz[i i] drejtësi[së]” (Jeremia 33:15), Mesia i premtuar. Ai sjell “një besëlidhje të re” (Jeremia 31:31) – një besëlidhje që kërkon më shumë sesa një shfaqje të jashtme të përkushtimit. Ligji i Tij duhet të jetë “në mendjen [tonë]”, i shkruar “mbi zemrën [tonë]”. Kjo është çfarë nënkupton Zoti me frazën të “je[të] Zoti [ynë]” dhe për ne të “je[mi] populli [i Tij]” (Jeremia 31:33). Është një proces që zgjat gjithë jetën, dhe ne prapë do të bëjmë gabime dhe do të kemi arsye për të mbajtur zi herë pas here. Por kur e bëjmë këtë, Zoti premton: “Do ta shndërroj zinë e tyre në gëzim” (Jeremia 31:13).
Për një vështrim të përgjithshëm të librit të Vajtimeve, shihni zërin “Vajtime(ve), Libër i” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Jeremia 31; 33
Zoti do ta nxjerrë popullin e Tij të besëlidhjes nga robëria.
Te Jeremia 31; 33 Zoti e pranoi “vajtim[in] dhe [të] qarë[n] e hidhur” (Jeremia 31:15) që do të përjetonin izraelitët në robëri. Megjithatë, Ai gjithashtu ofroi fjalë ngushëllimi dhe shprese. Kërkojini ato fjalë teksa i lexoni këta kapituj. Çfarë premtimesh zbuloni që gjejnë zbatim për ju?
Jeremia 31:31–34; 32:37–42
“Ata do të jenë për mua populli im dhe unë do të jem për ta Perëndia i tyre.”
Edhe pse izraelitët i kishin shkelur besëlidhjet e tyre, Jeremia profetizoi se Zoti do të vendoste sërish një “besëlidhje të re” dhe “të përjetshme” me ta (Jeremia 31:31; 32:40). Cila është ajo besëlidhje? Merreni parasysh të kërkoni ide tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Besëlidhje e Re dhe e Përjetshme”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Ndërsa lexoni te Jeremia 31:31–34; 32:37–42, përsiatni:
-
Çfarë do të thotë për ju që të jeni pjesë e popullit të besëlidhjes së Perëndisë.
-
Çfarë do të thotë ta keni ligjin e Tij të shkruar në zemrën tuaj.
-
Çfarë premton Zoti kur bëni besëlidhje me Të.
-
Si ju ndryshon marrëdhënia juaj besëlidhëse me Zotin.
Çfarë premtimesh i keni bërë Perëndisë teksa keni marrë pjesë në ordinanca të shenjta? Si po i përmbush Ai premtimet e Tij për ju?
Shihni gjithashtu te Dejvid A. Bednar, “Ti do të Qëndrosh në Mua dhe Unë në Ty; Prandaj Ec me Mua”, Liahona, maj 2023, f. 123–126.
Jeremia 36
Shkrimet e shenjta kanë fuqi për të më larguar nga e keqja.
Sipas vargjeve te Jeremia 36:2–3, përse e urdhëroi Zoti Jeremian që t’i shënonte profecitë e tij? Ndërsa lexoni kapitullin te Jeremia 36, vini re se si u ndien njerëzit më poshtë rreth këtyre profecive:
-
Zoti (shihni vargjet 1–3, 27–31)
-
Jeremia (shihni vargjet 4–7, 32)
-
Baruku (shihni vargjet 4, 8–10, 14–18)
-
Jehudi dhe mbreti Jehojakim (shihni vargjet 20–26)
-
Elnathani, Delajahu dhe Gemariahu (shihni vargun 25)
Përsiatni rreth mënyrës se si ndiheni për shkrimet e shenjta. Si ju kanë ndihmuar ato që të largoheni nga e keqja?
Jeremia 37–39
Jini të palëkundur në ndjekjen e profetëve të Perëndisë.
Te Jeremia 37:1–3, 15–21; 38:1–6, 14–28, çfarë prove shihni që mbreti Sedekia besonte se Jeremia ishte profeti i vërtetë i Zotit? Çfarë provash shihni që Sedekia nuk besonte? Çfarë mësoni nga ky krahasim? Ndërsa lexoni te Jeremia 39, përsiatni ndryshimin që do të kishte ndodhur nëse Sedekia dhe populli i tij do ta kishin ndjekur profetin dhe do t’i kishin zbatuar urdhërimet e Zotit. (Krahasojeni atë që i ndodhi Sedekias, me atë që i ndodhi familjes së Lehit te 1 Nefi 1–2.)
Jeremia 38:6–13; 39:15–18
Unë mund të jem i/e guximshëm/me që ta mbroj atë që është e drejtë.
Zyrtarët e mbretit e ndienin se profecitë e Jeremias po i bënin ushtarët e tyre më pak të gatshëm për të luftuar, prandaj e hodhën Jeremian në një sternë të ndyrë (shihni te Jeremia 38:1–4). Te Jeremia 38:6–13, çfarë ju bën përshtypje rreth përgjigjes së etiopasit Ebed‑meleku? Vini re gjithashtu bekimin që Zoti i dha Ebed‑melekut te Jeremia 39:15–18.
Si mund ta ndiqni shembullin e Ebed‑melekut?
The Cry of Jeremiah the Prophet [Vajtimi i Jeremias, Profetit], prej një punimi me gdhendje nga Nazarene School
Vajtimeve 1; 3
Zoti mund ta lehtësojë dhembjen që përjetoj për shkak të mëkatit.
Libri i Vajtimeve është një përmbledhje e poemave të shkruara pas shkatërrimit të Jerusalemit dhe tempullit të tij. Si mendoni, përse është e rëndësishme që ato të ruheshin? Merrni parasysh se cilat metafora te Vajtimeve 1 dhe 3 ju ndihmojnë të kuptoni dhembjen e madhe që ndjeu Izraeli. Çfarë mesazhesh të shpresës te Krishti gjeni? (Shihni veçanërisht vargjet te Vajtimeve 3:20–33; shihni edhe te Mateu 5:4; Jakob [Bibël] 4:8–10; Alma 36:17–20).
Presidenti M. Rasëll Ballard përmendi disa situata që mund t’i bëjnë disa njerëz të humbasin shpresën dhe ai ofroi këshillë se ku të gjejmë shpresë:
“Disa prej nesh e gjejnë jetën e vet të ngarkuar me mërzitje, zhgënjim dhe hidhërim. Shumë njerëz ndihen të pafuqishëm për ta përballuar kaosin që duket se mbizotëron në botë. Të tjerët janë në ankth lidhur me pjesëtarë të familjes që po tërhiqen nga një rrymë e shpejtë dhe e tërbuar e dobësimit të vlerave dhe rënies së standardeve morale. … Shumë njerëz madje i janë dorëzuar vetë pranimit të ligësisë dhe egërsisë së botës duke menduar se janë të pariparueshme. Ata e kanë humbur shpresën. …
… Disa mes nesh mund ta kenë humbur gjithë shpresën për shkak të mëkatit dhe shkeljes. Një njeri mund të bëhet kaq i zhytur thellësisht në mënyrat e botës, sa nuk sheh asnjë rrugëzgjidhje dhe e humbet tërë shpresën. Përgjërimi im për të gjithë ata që kanë rënë në këtë kurth të kundërshtarit, është që kurrë të mos dorëzoheni! Pavarësisht nga sa të dëshpëruara mund të duken gjërat ose sa të dëshpëruara mund të bëhen ende ato, ju lutem të më besoni, gjithmonë mund të keni shpresë. Gjithmonë” (“The Joy of Hope Fulfilled”, Ensign, nëntor 1992, f. 31–32).
Shihni edhe te “Come, Ye Disconsolate”, Hymns, nr. 115.
Ndihmojini të tjerët të marrin përgjegjësi për të mësuarit e tyre. Nganjëherë duket sikur mënyra më e lehtë për të dhënë mësim është që thjesht t’u thoni nxënësve se çfarë mendojmë se duhet të dinë. Sidoqoftë, mënyra më e thjeshtë nuk është gjithmonë mënyra më e mirë. Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Synimi ynë nuk duhet të jetë ‘Çfarë t’u them?’ Në vend të kësaj, pyetjet që duhet t’i bëjmë vetes, janë: ‘Çfarë mund t’i ftoj të bëjnë?’ Çfarë pyetjesh të frymëzuara mund të bëj, të cilat, nëse ata janë të gatshëm të përgjigjen, do të fillojnë ta ftojnë Frymën e Shenjtë në jetën e tyre?’” (Mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm, 7 shkurt 2020, broadcasts.ChurchofJesusChrist.org; shihni edhe te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25). Ka shumë mënyra për t’i ndihmuar nxënësit të mbajnë përgjegjësi për të mësuarit e tyre. Për shembull, në këtë përvijim nxënësit ftohen të kërkojnë, përsiatin, bëjnë lista, shohin figurat, marrin pjesë në mësimet me sende, vizatojnë, tregojnë dhe t’i vënë në zbatim gjërat që mësojnë.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Jeremia 31:3
Ati Qiellor dhe Jezusi më duan “me një dashuri të përjetshme”.
-
Ndërsa lexoni te Jeremia 31:3 me fëmijët tuaj, ata mund t’ju ndihmojnë që të gjeni sende (ose figura të sendeve) që zgjasin për një kohë të gjatë, të tilla si një monedhë metalike, dhe disa që nuk zgjasin, të tillë si një copë frute. Mund të flisni për atë se çfarë do të thotë fjala “[e] përjetshme” dhe t’i tregoni njëri‑tjetrit se si e keni ndier “dashuri[në e] përjetshme” të Atit Qiellor. Gjithashtu mund të këndoni së bashku një këngë si “God Is Watching Over All” [“Per’ndia po Kujdeset për t’Gjith’”] (Children’s Songbook, f. 229).
Jeremia 31:31–34; 32:38–41
Perëndia do të më ndihmojë që t’i mbaj besëlidhjet e mia.
-
Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë të vizatojnë një zemër në një fletë letre dhe më pas të shkruajnë brenda zemrës gjërat që mësojnë nga Jeremia 31:31–34 rreth bërjes së besëlidhjeve me Perëndinë. Nëse doni, mund të rishikoni besëlidhjen që bënë në pagëzim (shihni te Mosia 18:10, 13) dhe diskutoni se çfarë do të thotë t’i kesh këto premtime të shkruara në zemër.
Jeremia 36:1–4
Shkrimet e shenjta janë fjala e Perëndisë.
-
Faqja e veprimtarisë së kësaj jave mund t’i ndihmojë fëmijët tuaj që të mësojnë rreth Jeremias, Barukut dhe mbretit (shihni te Jeremia 36). Ata gjithashtu mund të bëjnë veprime që përputhen me fjalët te Jeremia 36:4–10, të tillë si të shkruarit në një libër (shihni vargun 4) dhe të lexuarit e shkrimeve të shenjta njerëzve (shihni vargjet 8, 10).
-
Ju dhe fëmijët tuaj mund të shihni një libër për fëmijë dhe një kopje të shkrimeve të shenjta dhe të flisni rreth asaj se si këta libra janë të ndryshëm. Çfarë i bën të veçanta shkrimet e shenjta? Mund të jetë frymëzuese që t’i tregoni njëri‑tjetrit disa fragmente të shkrimeve të shenjta që janë të veçanta për ju.
Jeremia 38:6–13
Unë mund ta mbroj atë që është e drejtë.
-
Ju mund të përdorni figurën në fund të këtij përvijimi për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të përfytyrojnë historinë e Ebed‑melekut në vargjet te Jeremia 38:6–13. Ndoshta mund t’i ndihmoni të gjejnë një varg ku Ebed‑meleku bëri diçka të guximshme për ta ndihmuar profetin e Zotit. Çfarë mund të bëjmë për të treguar që e dimë se profeti ynë sot thirret nga Perëndia?
Vajtimeve 1:1–2, 16; 3:22–26
Shpëtimtari bëri të mundur që unë të falem për mëkatet e mia.
-
Për të paraqitur librin e Vajtimeve, nëse doni, mund t’u shpjegoni fëmijëve tuaj se ngaqë izraelitët nuk ishin penduar, Jerusalemi dhe tempulli u shkatërruan. Mund t’i tregoni njëri‑tjetrit se si mund të ishit ndier po të jetonit atje në atë kohë (shihni te Vajtimeve 1:1–2, 16). Si mund t’ju ketë dhënë shpresë mesazhi te Vajtimeve 3:22–26?
-
Gjithashtu mund t’i tregoni njëri‑tjetrit rreth rasteve kur u ndiet të trishtuar për një zgjedhje të keqe që bëtë. Çfarë gjejmë te Vajtimeve 3:22–26 që na ndihmon të kuptojmë faljen që ofron Jezu Krishti?
Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.