“9–15 Nëntor. ‘Nuk Ka Asnjë Perëndi që Mund të të Shpëtojë’: Daniel 1–7”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“9–15 Nëntor. ‘Nuk Ka Asnjë Perëndi që Mund të të Shpëtojë’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026
Daniel Interprets Nebuchadnezzar’s Dream [Danieli Interpreton Ëndrrën e Nebukadnetsarit], nga Grant Romney Clawson
9–15 Nëntor: “Nuk Ka Asnjë Perëndi që Mund të të Shpëtojë”
Daniel 1–7
Ka shumë të ngjarë që askush nuk do t’ju kërcënojë për t’ju hedhur në një furrë me zjarr ose në një gropë luanësh për shkak të besimit tuaj te Jezu Krishti. Por asnjëri prej nesh nuk do ta kalojë këtë jetë pa një sprovë besimi. Prandaj ne të gjithë mund të përfitojmë nga shembujt e njerëzve si Danieli, Shadraku, Meshaku dhe Abed‑negoja, të cilët kur ishin djem të rinj u morën robër nga perandoria e fuqishme babilonase (shihni te 2 Mbretërve 24:10–16). Të rrethuar nga një kulturë e panjohur me vlera të ndryshme, ata u përballën me tundime të mëdha për t’i braktisur bindjet e tyre dhe traditat e tyre të drejta. Megjithatë ata qëndruan të vërtetë ndaj besëlidhjeve të tyre. Si e bënë ata këtë? Duke bërë ato gjëra të vogla dhe të thjeshta që Perëndia i kërkon nga të gjithë ne – lutjen, agjërimin, zgjedhjen e miqve të mirë, mirëbesimin tek Ai dhe të qenit një dritë për të tjerët. Ashtu si Jozefi në Egjipt dhe Esteri në Persi, Danieli dhe miqtë e tij në Babiloni e ruajtën besimin e tyre te Perëndia dhe Perëndia bëri mrekulli që edhe sot e kësaj dite ende i frymëzojnë besimtarët.
Për një vështrim të përgjithshëm të librit të Danielit, shihni zërin “Daniel” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Daniel 1; 3; 6
Unë mund të mirëbesoj te Zoti kur besimi im vihet në provë.
Në njëfarë mënyre, ne të gjithë jetojmë në Babiloni. Ne shpesh përballemi me tundime për t’i kompromentuar standardet tona dhe për t’u larguar nga besimi te Krishti. Ndërsa lexoni te Daniel 1, 3 dhe 6, vini re mënyrat sipas të cilave Danielit, Shadrakut, Meshakut dhe Abed‑negos iu bë presion për të bërë gjëra që e dinin se ishin të gabuara. Si u përgjigjën ata në këto situata? (Shihni te Daniel 1:10–13; 3:15–18; 6:10.) Cilat ishin rrjedhojat e besimit të tyre? Çfarë mësoni nga këto përvoja që mund t’ju ndihmojnë të mirëbesoni te Zoti kur përballeni me kundërshtimin? Gjithashtu merrni parasysh pyetjet e mëposhtme:
-
Kur jeni ndier nën presion për të bërë diçka që e dinit se ishte e gabuar? Si ju ka bekuar Zoti për zbatimin e urdhërimeve të Tij?
-
Po sikur besimi juaj të mos çojë drejt mrekullive që kërkoni? (Për një shembull, shihni tek Alma 14:8–13.) Bazuar tek ajo që lexuat te Daniel 3:13–18, si mendoni se do t’i ishin përgjigjur kësaj pyetjeje Shadraku, Meshaku dhe Abed-negoja? Si mund të ndikojë shembulli i tyre në mënyrën se si ju qaseni sprovave tuaja?
-
Si mund t’i udhëheqin zgjedhjet tuaja të drejta njerëzit e tjerë drejt besimit më të madh te Zoti? (Shihni te Daniel 2:47; 3:28–29.) Përsiatni për efektet që zgjedhjet tuaja mund të kenë tek të tjerët.
Shihni gjithashtu te Diter F. Uhtdorf, “Mos Ki Frikë, Vetëm Ki Besim”, Liahona, nëntor 2015, f. 76–79.
Përpiquni të përfshini çdo njeri. Shpëtimtari “i fton të gjithë të vijnë tek ai dhe të marrin pjesë në mirësinë e tij” (2 Nefi 26:33). Nëse po i jepni mësim familjes suaj ose një klase, përsiatni mënyrat se si mund t’i jepni çdo njeriu mundësi për të marrë pjesë në njëfarë mënyre. Për shembull, mund t’i jepni çdo personi një fragment të shkrimit të shenjtë, një pjesë nga një mesazh konference, ose një strofë nga një himn për ta përsiatur dhe për të bërë një koment. Mos e detyroni askënd që të marrë pjesë, por jepuni atyre mundësi.
Shadrach, Meshach, and Abednego in the Fiery Furnace [Shadraku, Meshaku dhe Abed‑negoja në Furrën e Zjarrit], nga William Maughan
Daniel 2
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Perëndisë në tokë.
Nëpërmjet zbulesës, Danieli pa se ëndrra e Nebukadnetsarit parashikoi mbretëritë e ardhshme të botës, si dhe mbretërinë e ardhshme të Perëndisë, e cila “nuk do të shkatërrohet kurrë” (Daniel 2:44). “Kisha është ajo mbretëri e profetizuar e ditëve të mëvonshme”, – dha mësim Plaku D. Tod Kristoferson, – “jo e krijuar nga njeriu, por e ngritur nga Perëndia i qiellit dhe që rrokulliset si guri që ‘shkëputet nga mali, jo nga dora e njeriut’ për të mbushur tokën” (“Përse Kisha”, Liahona, nëntor 2015, f. 111). Mendoni për mbretërinë e Perëndisë të ditëve të mëvonshme ndërsa lexoni përshkrimet për gurin te Daniel 2:34–35, 44–45. Cili është roli juaj për të ndihmuar që të përmbushet kjo profeci?
Shihni edhe te “Dëgjoni Kombe!”, Himne, nr. 171; “God Gave Them Knowledge” [“Perëndia Ju Dha Njohuri”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.
God Gave Them Knowledge
Daniel 2:1–30
Marrja e zbulesës kërkon përgatitje shpirtërore.
Ndërsa shqyrtoni vargjet te Daniel 2:1–15, merreni parasysh se si do të ndiheshit po të gjendeshit në vendin e Danielit. Çfarë bëri Danieli? (Shihni te Daniel 2:16–18.) Çfarë mund të mësoni nga Daniel 1:17 rreth mënyrës se si Perëndia e përgatiti Danielin? Çfarë mund të mësoni nga fjalët dhe veprimet e Danielit pasi e mori ndihmën e Zotit? (Shihni te Daniel 2:19–30.)
Daniel 7:13–14
Jezu Krishti është Biri i Atit të Përjetshëm.
Gjatë shërbesës së Shpëtimtarit në tokë shumë judenj menduan se titulli “Biri [i] njeriu[t]” nga Daniel 7:13 i drejtohej Mesias që do të vinte. Çfarë mësoni për Mesian nga Daniel 7:13–14? (Shihni edhe te Moisiu 6:57.)
Shpëtimtari shpesh iu referua vetes së Tij si “Biri [i] njeriu[t]”. Merreni parasysh që të shqyrtoni disa shembuj: Mateu 25:31; Marku 9:31; 10:45. Çfarë po na mëson Ai rreth vetes së Tij në këto vargje? Te Marku 14:61–64, Jezusi e përdori këtë titull në ditën e fundit të jetës së Tij në vdekshmëri. Vërini re reagimin e njerëzve që e dëgjuan deklaratën e Tij. Si ndikon profecia e Danielit rreth Birit të Njeriut në ndjenjat tuaja për atë që i ndodhi Atij te Marku 15?
Ashtu si Jezusin e urrenin ngaqë shpalli se Ai ishte “Biri [i] njeriu[t]”, edhe ju mund të përballeni me përndjekje sepse shpallni të vërtetën. Krahasojeni profecinë te Daniel 7:13–14 me premtimet te Doktrina e Besëlidhje 121:29, 46.
Shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 49:6; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Bir i Njeriut”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Daniel 1; 3; 6
Jezusi do të më ndihmojë që të bëj atë që është e drejtë edhe kur është e vështirë.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj që të mësojnë nga tregimet frymëzuese në librin e Danielit, mund të gjeni figura të ngjarjeve te Daniel 1, 3 dhe 6 (shihni faqen e veprimtarisë së kësaj jave ose te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 23, 25, 26). Më pas mund t’i vendosni figurat përmbys dhe të ftoni një fëmijë që të kthejnë njërën dhe të flasë për tregimin që paraqet ajo. (Për ndihmë, shihni mësimet “Danieli dhe Miqtë e Tij”, “Shadraku, Meshaku dhe Abed-negoja” dhe “Danieli dhe Gropa e Luanëve” tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 154–156, 160–162, 163–165.)
1:39Daniel and His Friends
1:39Shadrach, Meshach, and Abed-nego
1:45Daniel and the Lions’ Den
-
Ndihmojini fëmijët tuaj të mendojnë për situata kur mund të jenë në presion për të bërë një zgjedhje të gabuar, siç ishin Danieli dhe miqtë e tij te Daniel 1, 3 dhe 6. Tregojini njëri‑tjetrit se si jeni bekuar për bërjen e zgjedhjes së drejtë edhe kur ishte e vështirë. Gjithashtu mund të këndoni së bashku një këngë që lidhet me këtë temë, të tillë si “T’Drejtën Zgjidh” (Himne, nr. 150).
Daniel and the King’s Meat [Danieli dhe Mishi i Dhënë nga Mbreti], nga Brian Call
Daniel 1:1–17
Ati Qiellor dëshiron që unë të kujdesem për trupin tim.
-
Leximi i tregimit rreth Danielit dhe miqve të tij që refuzuan mishin dhe verën e mbretit, mund të frymëzojë një bashkëbisedim rreth ligjit të shëndetit që Ati Qiellor na e ka dhënë sot (shihni te Doktrina e Besëlidhje 89). Ndoshta mund t’i kërkoni bekimet që morën Danieli dhe miqtë e tij dhe t’i krahasoni ato me bekimet e premtuara në Fjalën e Urtësisë (shihni te Daniel 1:15–17 dhe Doktrina e Besëlidhje 89:18–21).
Daniel 2
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Perëndisë në tokë.
-
Ndërsa lexoni me fëmijët tuaj te Daniel 2:31–35, 44–45, mund t’i ftoni të bëjnë një vizatim të ëndrrës së Nebukadnetsarit. Ndihmojini të kuptojnë se guri në ëndërr përfaqëson Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Çfarë mësojmë për Kishën nga kjo ëndërr? Fëmijët tuaj mund të përmendin disa gjëra që i bëri Ati Qiellor për të ngritur Kishën e Tij në ditët e mëvonshme. Nëse ju nevojitet ndihmë, mund të tregoni figura të ngjarjeve për Rivendosjen e Kishës (shihni te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 90–95).
Daniel 6
Ati Qiellor dëshiron që unë të lutem shpesh.
-
Përse ishte lutja ndaj Atit Qiellor kaq e rëndësishme për Danielin? Ndoshta ju dhe fëmijët tuaj mund të flisni rreth asaj pyetjeje ndërsa lexoni së bashku te Daniel 6. Më pas mund t’i tregoni njëri‑tjetrit se përse lutja është e rëndësishme për ju. Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë të vizatojnë veten duke u lutur në situata të ndryshme. Ata mund t’i përdorin vizatimet e tyre për t’i dhënë mësim njëri‑tjetrit se ne mund t’i lutemi Atit Qiellor pavarësisht se ku jemi ose çfarë na nevojitet.
Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.