Eja, Më Ndiq
19–25 Tetor. “Para se Unë të të Formoja në Barkun e Nënës Sate, të Kam Njohur”: Jeremia 1–3; 7; 16–18; 20


“19–25 Tetor. ‘Para se Unë të të Formoja në Barkun e Nënës Sate, të Kam Njohur’: Jeremia 1–3; 7; 16–18; 20”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)

“19–25 Tetor. ‘Para se Unë të të Formoja në Barkun e Nënës Sate, të Kam Njohur’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026

Jeremia duke vështruar një burrë tjetër

Jeremiah [Jeremia], nga Walter Rane

19–25 Tetor: “Para se Unë të të Formoja në Barkun e Nënës Sate, të Kam Njohur”

Jeremia 1–3; 7; 16–1820

Në fillim, Jeremia nuk mendonte se do të bëhej një profet i mirë. “Unë nuk di të flas”, – protestoi ai (Jeremia 1:6). Por Zoti e siguroi atë: “Unë i vura fjalët e mia në gojën tënde” (vargu 9). Jeremia mendoi se ishte një “djalosh” i papërvojë (vargu 6), por Zoti i shpjegoi se ai faktikisht ishte më i përgatitur nga sa mendonte – ai ishte shuguruar në këtë thirrje madje përpara se të lindte (shihni vargun 5). Prandaj Jeremia e la mënjanë frikën dhe e pranoi thirrjen. Ai i paralajmëroi mbretërit dhe priftërinjtë e Jerusalemit se shenjtëria e tyre e shtirur nuk do t’i shpëtonte. “Djalosh[i]” që mendonte se nuk mund të fliste, arriti t’i ndiejë fjalët e Perëndisë “në zemrën [e tij] si një zjarr flakërues” dhe nuk mund të heshtte (Jeremia 20:9).

Historia e Jeremias është edhe historia juaj. Perëndia ju njihte ju, gjithashtu, përpara se të lindnit dhe ju përgatiti për misionin tuaj në jetë. Midis gjërave të tjera, ai mision përfshin diçka që Jeremia e parashikoi: mbledhjen e popullit të Perëndisë, një e nga një, për t’i “ç[uar ata] përsëri në Sion” (Jeremia 3:14). Madje edhe sikur të mos e dini me saktësi se çfarë të bëni ose thoni, “mos ki[ni] frikë … , sepse unë jam me [ju] … , thotë Zoti” (Jeremia 1:8, 19).

Për një vështrim të përgjithshëm të librit të Jeremias, shihni zërin “Jeremia” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Jeremia 1:4–19; 7:1–7; 20:8–9

Profetët thirren që të flasin fjalën e Perëndisë.

Përfytyroni se po flisni me një mik që nuk ka dëgjuar kurrë për profetët, dhe ju vendosni ta shpjegoni konceptin duke përdorur thirrjen e Jeremias për të qenë profet te Jeremia 1:4–19. Çfarë gjeni në këto vargje që ju mëson diçka rreth profetëve të Perëndisë? Gjithashtu mund të shihni te Jeremia 7:1–7; 20:8–9 dhe një himn si “Dëgjojm’ Zën’ e një Profeti” (Himne, nr. 16).

Gjithashtu nëse doni, mund t’i mësoni mikut tuaj rreth profetit të gjallë të sotëm. A ka ndonjë gjë në këto vargje që mund të ndihmojë? Për shembull, çfarë “çrrënjos[in]” ose “rrën[ojnë]” profetët në kohën tonë? Çfarë “ndërt[ojnë]” dhe “mbjell[in]”? (Jeremia 1:10.) Si keni arritur ta dini se profeti ynë i gjallë thirret nga Perëndia?

Shihni edhe te Nenet e Besimit 1:6, 9; “Përse Kemi Profetë?” (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.

1:38

Përse Kemi Profetë?

Jeremia 1:5

ikona e seminarit
Perëndia më njihte përpara se të lindja.

Çfarë mësoi Jeremia për veten e tij te Jeremia 1:5? Si profet i sapothirrur, përse do të ishte ai informacion i rëndësishëm që ai ta dinte?

Shumë nga ajo që mësoi Jeremia rreth vetvetes te Jeremia 1:5, është e vërtetë edhe për ju. Perëndia gjithashtu ju njihte përpara se të lindnit dhe ju përgatiti për përgjegjësi të veçanta. Për të mësuar më shumë rreth jetës suaj përpara se të lindnit, lexoni tek Alma 13:1–4; Doktrina e Besëlidhje 138:53–56 dhe Abraham 3:22–23. Mund të bëni një listë të të vërtetave që zbuloni. Përse ky informacion është i rëndësishëm që ju ta dini?

Për të mësuar se si këto të vërteta ndikuan në jetën e Plakut Ahmad S. Korbit, studioni mesazhin e tij “Ju Mund ta Mblidhni Izraelin!” (Liahona, maj 2021, f. 61–63). Si mund të ndikojë njohuria për jetën tuaj para lindjes në mënyrën se si e jetoni jetën tuaj në vdekshmëri?

Ja se çfarë tha Presidenti Rasëll M. Nelson rreth jetës suaj para lindjes:

“Ati juaj Qiellor ju ka njohur për një kohë shumë të gjatë. Juve, si bir ose bijë e Tij, Ai ju zgjodhi të vini në tokë pikërisht në këtë kohë, që të jeni një udhëheqës në veprën e Tij të madhe mbi tokë. Ju u zgjodhët jo nga veçoritë tuaja trupore, por nga cilësitë tuaja shpirtërore, siç janë trimëria, guximi, integriteti i zemrës, një etje për të vërtetën, një uri për mençuri dhe një dëshirë për t’u shërbyer të tjerëve.

Ju i zhvilluat disa prej këtyre cilësive para jetës tokësore. Të tjerat mund t’i zhvilloni këtu në tokë, kur i kërkoni ato me ngulm” (“Vendime Përjetësie”, Liahona, nëntor 2013, f. 107).

Mendoni për disa situata me të cilat mund të përballeni, në të cilat do të ishte e rëndësishme t’i kujtoni këto të vërteta rreth jetës suaj para lindjes. Çfarë mund të bëni për t’ia kujtuar vetes këto të vërteta?

Shihni edhe te Rasëll M. Nelson, “Vendime Përjetësie”, Liahona, nëntor 2013, f. 106–109; Tema dhe Pyetje, “Foreordination” [“Parashugurimi”], “Premortal Life” [“Jeta Para Lindjes”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

majtas, një person duke qëndruar në këmbë brenda një sterne të madhe bosh; djathtas, një ujëvarë

Te Jeremia 2:13 Zoti e krahasoi gjendjen shpirtërore të popullit me “sterna të prishura” dhe e krahasoi Veten e Tij me “burimin e ujit që rrjedh”.

Jeremia 2; 7

“Më ka braktisur mua, burimin e ujit që rrjedh.”

Në krahinën e thatë ku jetonin izraelitët, njerëzit e ruanin ujin e çmuar në rezervuarë nëntokësorë, që quheshin sterna. Çfarë mendoni se mund të simbolizojnë “sterna[t e] prishura” që përmenden te Jeremia 2:13? Përse marrja e ujit nga një burim do të ishte më mirë se t’i vëmë shpresat te një sternë? Çfarë do të thotë të braktisësh “burimin e ujit që rrjedh”? Ndërsa lexoni kapitujt te Jeremia 2 dhe 7, vini re se si populli e kishte braktisur ujin që rrjedh të Zotit (shihni, për shembull, te Jeremia 2:26–28; 7:2–11). Përse “uji që rrjedh” është një simbol i mirë për atë që ju jep Shpëtimtari? Mendoni rreth mënyrës se si po e merrni ujin e gjallë.

Jeremia 7 u drejtohet njerëzve që po hynin te “shtëpi[a e] Zotit … për të [adhuruar] Zoti[n]”, por veprimet e tyre nuk përputheshin me përkushtimin e tyre të jashtëm (shihni vargjet 2–11). Çfarë mesazhesh mendoni se mund të ketë Zoti për ju te vargjet 21–23?

Përdorni mësime me sende. Profetët e Zotit shpesh i krahasojnë të vërtetat shpirtërore me sende të njohura. Merreni parasysh të bëni të njëjtën gjë teksa mësoni vetë dhe e jepni mësim ungjillin. Për shembull, për të përfytyruar vargun te Jeremia 2:13, mund të vini ujë në një enë të çarë ose të thyer apo të pini nga një burim uji të pijshëm. Në ç’mënyrë Jezusi është si një “burim … uji që rrjedh”? (Jeremia 2:13.) Si pimë nga uji i Tij që rrjedh?

Jeremia 3:14–18; 16:14–21

Zoti do ta mbledhë popullin e Tij.

Te Jeremia 16:14–15, Jeremia e krahasoi mbledhjen e Izraelit në ditët e mëvonshme me Eksodin e Izraelit nga Egjipti. Sipas mendimit tuaj, përse mbledhja do të ishte madje më e rëndësishme për popullin e Perëndisë sesa Eksodi?

Çfarë sugjerojnë vargjet te Jeremia 3:14–18; 16:14–21 rreth mënyrës se si ndodh mbledhja?

Në mesazhin e tij “Shpresa e Izraelit”, Presidenti Rasëll M. Nelson, sikurse Jeremia, dha mësim se mbledhja e Izraelit “është gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Lexojeni ose dëgjojeni mesazhin e tij dhe shihni nëse mund të zbuloni: a) se si Presidenti Nelson e përcakton mbledhjen e Izraelit, b) se si ai e përshkruan rëndësinë e saj, dhe c) se si ju mund të jeni pjesë e mbledhjes.

Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

ikona e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Jeremia 1:5

Ati Qiellor më njihte përpara se të lindesha.

  • Për të paraqitur të vërtetën e rëndësishme të dhënë mësim te Jeremia 1:5, mund t’u tregoni fëmijëve tuaj një figurë të një foshnje (ose, nëse është e mundur, mund të shihni fotografi të fëmijëve tuaj kur ishin foshnja). Pyetini fëmijët tuaj nëse e dinë se ku jetonin para se të lindeshin. Ju gjithashtu mund të këndoni së bashku një këngë që na mëson rreth jetës sonë para lindjes, të tillë si “I Lived in Heaven” [“N’Qiell Jetova”] (Children’s Songbook, f. 4).

  • Nëse fëmijët tuaj dëshirojnë të mësojnë më shumë, mund t’i ndihmoni të gjejnë zërin “Jetë Para Lindjes” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Ose mund të kërkojnë përgjigje ndaj pyetjeve “kush”, “kur” dhe “çfarë” rreth jetës para lindjes.

një vajzë që mban në krahë një foshnjë

Jeremia 1:4–19

Profetët thirren të thonë fjalët e Zotit.

  • Merreni parasysh të tregoni figura të profetit të gjallë ose të profetëve nga shkrimet e shenjta (mund të gjeni disa te revistat e Kishës, Libri i Figurave Artistike të Ungjillit dhe manuali Eja, Më Ndiq). Pyetini fëmijët tuaj se çfarë dinë rreth këtyre profetëve.

  • Për të dhënë mësim rreth asaj që bëjnë profetët, mund të përzgjidhni disa vargje të dobishme nga Jeremia 1, të tilla si vargjet 5, 7, 10 dhe 19. Secili nga fëmijët tuaj mund të zgjedhë një nga vargjet, ta lexojë dhe të tregojë diçka që mëson rreth profetëve.

Jeremia 16:14–16

Unë mund t’i ndihmoj fëmijët e Atit Qiellor që të kthehen tek Ai.

  • Ndërsa lexoni te Jeremia 16:16, fëmijët tuaj mund të bëjnë sikur po “peshkojnë” ose kanë “dalë për gjueti” për sende nëpër dhomë. Presidenti Rasëll M. Nelson i ka krahasuar peshkatarët dhe gjahtarët në këtë varg me misionarët (shihni te “Mbledhja e Izraelit të Shpërndarë”, Liahona, nëntor 2006, f. 81; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 108). Çfarë bëjnë misionarët? Si mund të ndihmojmë për të “peshkuar” dhe “gjuajtur” për Izraelin e shpërndarë? (Shihni tek “A Message for Children from President Russell M. Nelson” [“Një Mesazh për Fëmijë nga Presidenti Rasëll M. Nelson”] [material filmik], ChurchofJesusChrist.org.)

    3:30

    Video: A Message for Children from President Russell M. Nelson

Jeremia 18:1–6

Unë mund ta lejoj Zotin ta udhërrëfejë jetën time, si një poçar që i jep formë argjilës.

  • Për t’i shqyrtuar këto vargje, mund të diskutoni ose tregoni se si bëhet qeramika (shihni figurën në fund të këtij përvijimi). Çfarë mesazhi ka Zoti për ne te Jeremia 18:1–6? Çfarë do të thotë të jesh argjilë në duart e Zotit? (Shihni edhe tek Isaia 64:8.) Për një tregim tjetër që na krahason me argjilën e poçarit, shihni mesazhin e Plakut Riçard J. Meinis, “Gëzimi i të Jetuarit të një Jete të Përqendruar tek Krishti” (Liahona, nëntor 2015, f. 27–30).

Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

duar duke i dhënë formë argjilës në një rrotë

“Ja, ashtu si është argjila në duart e poçarit, kështu jeni ju në duart e mia, o shtëpi e Izraelit” (Jeremia 18:6).

faqja e veprimtarisë së Fillores: Unë mund t’i ndihmoj fëmijët e Atit Qiellor që të kthehen tek Ai