“5–11 Tetor. ‘Ai Mbante Sëmundjet Tona dhe Kishte Marrë Përsipër Dhembjet Tona’: Isaia 50–57”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“5–11 Tetor. ‘Ai Mbante Sëmundjet Tona dhe Kishte Marrë Përsipër Dhembjet Tona’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026
The Mocking of Christ [Përqeshja e Krishtit], nga Carl Heinrich Bloch
5–11 Tetor: “Ai Mbante Sëmundjet Tona dhe Kishte Marrë Përsipër Dhembjet Tona”
Isaia 50–57
Gjatë gjithë shërbesës së tij, Isaia foli për një çlirues të fuqishëm. Këto profeci do të ishin veçanërisht të çmuara për izraelitët shekuj më parë kur ata ishin në robëri në Babiloni. Dikush që mund t’i shembte muret e Babilonisë, do të ishte vërtet një pushtues i fuqishëm. Por ky nuk është lloji i Mesias që përshkroi Isaia te kapitujt 52–53: “I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja. … Ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur” (Isaia 53:3–4).
Duke dërguar një çlirues të tillë të paparashikuar, Perëndia na mësoi rreth çlirimit të vërtetë. Për të na shpëtuar nga keqtrajtimi dhe mundimet, Perëndia dërgoi Njërin i cili Vetë “ishte i keqtrajtuar dhe i përulur”. Atje ku disa prisnin një luan, Ai dërgoi një qengj (shihni tek Isaia 53:7). Sigurisht, rrugët e Perëndisë nuk janë rrugët tona (shihni tek Isaia 55:8–9). Jezu Krishti na çliron jo vetëm duke e hapur burgun, por duke zënë vendin tonë atje. Ai na çliron nga zinxhirët e sëmundjes dhe dhembjes sonë duke i mbajtur ato Vetë (shihni tek Isaia 53:4–5, 12). Ai përfshihet personalisht për ta shpëtuar secilin prej nesh. Ai vuan me ne, në veprime të “një dashuri[e] të përjetshme” e cila “nuk do të largohet prej teje” (Isaia 54:8, 10).
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Isaia 50–52
E ardhmja është e shndritshme për popullin e Zotit.
Edhe pse izraelitët kaluan shumë vite në robëri – dhe megjithëse ajo robëri ishte rezultat i vetë zgjedhjeve të tyre të këqija – Zoti dëshironte që ata ta shihnin të ardhmen me shpresë. Çfarë gjeni tek mesazhi i Isaias që ju jep shpresë? Një tabelë si kjo mund t’ju ndihmojë të studioni:
|
Çfarë mësoj për Perëndinë (shihni, për shembull, tek Isaia 50:2, 5–9; 51:3–8, 15–16; 52:3, 9–10) | |
|
Mesazhet e shpresës (shihni, për shembull, tek Isaia 50:9; 51:3–5, 11–12, 22–23; 52:9–10) | |
|
Çfarë mund të bëj për ta bërë shpresën realitet (shihni, për shembull, tek Isaia 50:10; 51:1–2, 6–9; 52:1–3, 9–11) |
Shihni edhe te Mosia 12:20–24; 15:13–18; 3 Nefi 20:29–46; Doktrina e Besëlidhje 113:7–10; Rasëll M. Nelson, “Përqafojeni të Ardhmen me Besim”, Liahona, nëntor 2020, f. 73–76.
Because of Love [Për Shkak të Dashurisë], nga Angela Johnson
Ndihmojini nxënësit për të ardhur te Jezu Krishti. “Asgjë nga ajo që ju bëni si mësues/e, nuk do t’i bekojë nxënësit më shumë sesa ndihma që u jepni atyre për ta njohur Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin dhe për ta ndier dashurinë e Tyre” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 8). Ndërsa përgatiteni t’u jepni mësim të tjerëve për kapitujt tek Isaia 50–57, merrni parasysh se si mund t’i ndihmoni ata të shohin lidhjet midis sfidave të Izraelit, profecive të Isaias për Krishtin dhe marrjes së ndihmës hyjnore në vështirësitë e tyre vetjake.
Isaia 53
Jezu Krishti mori mbi Vete mëkatet dhe dhembjet e mia.
Pak kapituj në shkrimin e shenjtë e përshkruajnë misionin shëlbues të Jezu Krishtit më bukur sesa Isaia 53. Merrni parasysh veprimtari si këto për t’i kuptuar dhe për t’i vënë më mirë në zbatim këto mësime të fuqishme:
-
Përsiatni ose diskutoni se si tregimet dhe filmat shpesh përshkruajnë heronj që shpëtojnë njerëz. Krahasojini ato përshkrime me përshkrimet për Shpëtimtarin tek Isaia 53.
-
Pasi ta lexoni secilin varg, bëni një ndalesë për të menduar thellë për ato që vuajti Shpëtimtari – “sëmundjet”, “dhembjet” dhe “shkeljet” që Ai duroi – për të gjithë njerëzit dhe veçanërisht për ju. Ndërsa lexoni, mund t’i zëvendësoni fjalët si “ne” dhe “tonë”, “tona” me “unë” dhe “im”. Çfarë ndjenjash ose mendimesh frymëzojnë këto vargje tek ju?
-
Merrni parasysh të shihni materialin filmik “My Kingdom Is Not of This World” [“Mbretëria Ime nuk i Përket Kësaj Bote”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit] dhe të përsiatni mënyrën se si u përmbushën profecitë tek Isaia 53. Cilat janë disa nga sëmundjet dhe dhembjet që Shpëtimtari i mban për ju?
5:25My Kingdom Is Not of This World
-
Gjeni figura të ngjarjeve që lidhen me Shlyerjen e Jezu Krishtit (shihni te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 56–60). Më pas mund të gjeni fraza tek Isaia 53 që përshkruajnë ngjarjet në figura. Çfarë ju frymëzojnë këto mësime që të bëni?
Shihni edhe te “Shih Shëlbuesin e Madh që Vdes”, Himne, nr. 111.
Isaia 54; 57:15–19
Jezu Krishti dëshiron që unë të kthehem tek Ai.
Ne të gjithë kemi raste kur ndihemi larg Zotit për shkak të mëkateve ose dobësive tona. Disa madje kanë hequr dorë nga shpresa se Ai do t’i falë ndonjëherë ata. Isaia 54 dhe 57 janë kapituj të mrekullueshëm për t’u lexuar për siguri dhe nxitje gjatë kohëve të tilla. Veçanërisht tek Isaia 54:4–10; 57:15–19, cilat fjalë ju mësojnë për mënyrën se si Shpëtimtari ndihet për ju? Çfarë ndryshimi sjell në jetën tuaj njohuria për këto gjëra rreth Tij?
Presidenti Diter F. Uhtdorf, dha mësim:
“S’ka rëndësi se sa tërësisht e rrënuar mund të duket jeta jonë. S’ka rëndësi se sa të kuqe flakë janë mëkatet tona, sa e thellë hidhësia jonë, sa të vetmuara, të braktisura apo të thyera mund të jenë zemrat tona. Edhe ata që janë pa shpresë, që jetojnë në dëshpërim, që e kanë tradhtuar mirëbesimin, që e kanë braktisur integritetin e tyre moral apo janë larguar prej Perëndisë, mund të rindërtohen. …
Lajmi i gëzueshëm i ungjillit është ky: për shkak të planit të përjetshëm të lumturisë, të dhënë nga Ati ynë i dashur Qiellor, dhe nëpërmjet flijimit të pafundëm të Jezusit, Krishtit, jo vetëm që mund të shëlbohemi nga gjendja jonë e rënë dhe të rivendosemi në pastërti, por edhe mund ta tejkalojmë përfytyrimin e njeriut në vdekshmëri dhe të bëhemi trashëgimtarë të jetës së përjetshme dhe marrës të lavdisë së papërshkrueshme të Perëndisë” (“Ai do t’ju Vendosë mbi Supet e Tij dhe do t’ju Çojë në Shtëpi”, Liahona, maj 2016, f. 102).
Shihni edhe te Patrik Kirën, “Pikësynimi i Perëndisë Është t’ju Çojë në Shtëpi”, Liahona, maj 2024, f. 87–89.
Isaia 55–56
Zoti i fton të gjithë që t’i “përmbahen me vendosmëri besëlidhjes [së Tij]”.
Për breza të tërë, Izraeli është identifikuar si populli i besëlidhjes së Perëndisë. Megjithatë, plani i Perëndisë ka përfshirë përherë më shumë sesa vetëm një komb, pasi “ju të gjithë që keni etje”, ftoheni të “[vini] tek ujërat” (Isaia 55:1). Mbajeni këtë në mendje ndërsa lexoni tek Isaia 55 dhe 56 dhe përsiatni se çfarë do të thotë të jeni populli i Perëndisë. Cili është mesazhi i Perëndisë për ata që ndihen “[të] përjashtuar” prej Tij? (Isaia 56:3.) Merreni parasysh të shenjoni vargjet që përshkruajnë qëndrimet dhe veprimet e atyre që “i përmbahen me vendosmëri besëlidhjes [së Tij]” (shihni tek Isaia 56:4–7).
Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Isaia 51–52
Zoti më fton të “rivish[em] me forcën [time]”.
-
Mund të jetë argëtuese për fëmijët tuaj që të zbulojnë fraza të tilla si: “zgjohu”, “rizgjohu”, “çohu”, “vishu me forcë” dhe “rivishu me forcën tënde” tek Isaia 51:9, 17; 52:1–2, 9 dhe më pas t’i luajnë me role ato fraza. Pasi ta bëni këtë, mund të flisni rreth asaj se çfarë do të thotë të zgjohesh, të çohesh dhe të vishesh me forcë shpirtërisht. Çfarë po na kërkon Zoti të bëjmë në këto vargje?
-
Fëmijët tuaj mund të lexojnë edhe tek Isaia 51:1, 4, 7 dhe të përcaktojnë se kujt po i flet Zoti dhe se çfarë do Ai që të bëjnë ata. Çfarë do të thotë ta “dëgjo[jmë]” Zotin? Si mund t’ia tregojmë Zotit se e “dëgjo[jmë]” Atë?
Isaia 53:3–9
Jezu Krishti mori mbi Vete mëkatet dhe dhembjet e mia.
-
Ju dhe fëmijët tuaj mund të shihni disa figura që tregojnë vuajtjen dhe vdekjen e Jezu Krishtit (shihni, për shembull, te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 56, 57, 58). Më pas mund të lexoni së bashku tek Isaia 53:3–6, 9 dhe të kërkoni fjalë që përshkruajnë atë që po ndodh në figura. Ndihmojini fëmijët tuaj të kuptojnë se Isaia foli për këto të vërteta qindra vjet përpara se të ndodhnin. Përse do të ishte e rëndësishme që njerëzit t’i dinin këto gjëra shumë vite përpara? (Shihni tek Alma 39:15–19.)
-
Pasi të lexoni nga Isaia 53:4: “Ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona”, fëmijët tuaj mund të përpiqen të ngrenë një send të rëndë (ose të bëjnë sikur ngrenë një send). Shpjegoni se si “sëmundja” dhe “dhembja” ose trishtimi mund të ndihen të rënda dhe të vështira për t’u marrë përsipër. Përse i mori përsipër Jezusi “sëmundjet”, “dhembjet” dhe “paudhësi[të]” ose mëkatet tona? (Shihni edhe tek Alma 7:11–12.)
Isaia 55:6
Unë mund ta kërkoj Zotin dhe t’i thërras Atij.
-
Për t’u dhënë mësim fëmijëve rreth vargut tek Isaia 55:6, mund të fshihni një figurë të Jezusit diku në dhomë. Mund t’i ftoni fëmijët tuaj që ta gjejnë figurën dhe të përmendin një mënyrë se si mund ta “kërko[jnë] Zotin ndërsa mund të gjendet”. Një këngë si “Herët Zotin do Kërkoj” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 67) mund t’u japë ide. Më pas mund ta lejoni njërin prej fëmijëve që ta fshehë figurën dhe përsëriteni veprimtarinë.
Isaia 55:8–9
Rrugët e Zotit janë më të larta se të miat.
-
Pasi të lexoni tek Isaia 55:9, mund të jetë argëtuese për fëmijët tuaj që të qëndrojnë mbi një stol dhe të flasin rreth mënyrës se si gjërat duken ndryshe kur jeni në një vend “më të lartë”. Ose mund të bëjnë një vizatim për kuptimin që ka vargu tek Isaia 55:9 për ta. Më pas mund të diskutoni disa prej rrugëve të Zotit që janë më të larta se rrugët tona. Për shembull, cila është rruga që ndjek Ai për të trajtuar mëkatarët? (Shihni te Marku 2:15–17.) Në çfarë rruge i drejton Ai të tjerët? (Shihni te Mateu 20:25–28.) Tregojuni fëmijëve tuaj se si keni mësuar të mirëbesoni tek rrugët dhe mendimet më të larta të Zotit.
Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.