“28 Shtator – 4 Tetor. ‘Ngushëlloni Popullin Tim’: Isaia 40–49”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“28 Shtator – 4 Tetor. ‘Ngushëlloni Popullin Tim’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026
Healing the Blind Man [Duke Shëruar të Verbrin], nga Carl Heinrich Bloch, tek Muzeu Historik Kombëtar në Frederiksborg
28 Shtator – 4 Tetor: “Ngushëlloni Popullin Tim”
Isaia 40–49
“Ngushëlloni” është fjala e parë tek Isaia kapitulli 40. Ai shënjon fillimin e një toni të ndryshëm, një theksimi të ndryshëm në mesazhin e profetit. Shkrimet më të hershme të Isaias i paralajmëruan Izraelin dhe Judën rreth shkatërrimit dhe robërisë që do të vinte për shkak të mëkateve të tyre. Por këto profeci të mëvonshme kishin për qëllim ta ngushëllonin popullin judeas mbi 150 vjet në të ardhmen – mbasi Jerusalemi dhe tempulli të shkatërroheshin dhe njerëzit të merreshin robër nga Babilonia. Gjithsesi këto profeci shkojnë shumë më përpara në të ardhmen sesa tek izraelitët e mundur dhe të zhgënjyer. Ato na flasin neve, që gjithashtu ndonjëherë ndihemi të mundur, të zhgënjyer dhe madje të humbur.
Mesazhi i Isaias ndaj popullit të tij dhe ne është i thjeshtë: “Mos ki[ni] frikë” (Isaia 43:1). Jo gjithçka humbet. Zoti nuk ju ka harruar dhe Ai ka fuqi mbi situatat që duken jashtë kontrollit tuaj. A nuk është Zoti, i cili “krij[oi] qiejt” (Isaia 42:5) më i fuqishëm sesa Babilonia, sesa mëkati, se çfarëdo gjëje që po ju mban rob? “Kthehu tek unë”, – lutet Ai, – “sepse unë të kam çliruar” (Isaia 44:22). Ai mund të shërojë, rivendosë, forcojë, falë dhe ngushëllojë – çfarëdo që të jetë e nevojshme për ju, në rastin tuaj, për t’u shëlbuar.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Isaia 40–49
Jezu Krishti mund të më ngushëllojë dhe të më japë shpresë.
Kur izraelitët ishin robër në Babiloni, shumë mund të kenë pyetur veten nëse e kishin humbur përgjithmonë vendin e tyre si populli i zgjedhur, i besëlidhjes së Perëndisë. Ndërsa lexoni kapituj tek Isaia 40–49, kërkoni fragmente që mund të kenë siguruar ngushëllim dhe shpresë. Për çdo fragment që gjeni, përsiatni dhe shënojini ato që Zoti mund t’ju thotë juve në këto vargje. Këtu janë disa vargje me të cilat mund të filloni:
-
40:11, 29–31:
-
41:10–13, 17–18:
-
42:6–7:
-
43:1–7, 25:
-
44:1–4, 21–24:
-
46:3–4:
-
49:7–16:
Çfarë ndieni se dëshiron Zoti që ju të dini rreth Tij?
Mund të vini re se himni “Sa i Fort’ një Themel” (Himne, nr. 41) bazohet te fjalët e Isaias tek Isaia 41:10; 43:2–5; 46:4. Merreni parasysh ta këndoni ose ta dëgjoni këtë himn duke kërkuar ngjashmëri midis tekstit dhe këtyre vargjeve nga Isaia. Si i ka përmbushur Zoti në jetën tuaj premtimet në këto vargje?
Shihni edhe te Patrik Kirën, “Ai Është Ngritur me Shërim në Krahët e Tij: Ne Mund të Jemi më Shumë se Fitimtarë”, Liahona, maj 2022, f. 37–40.
Përdorni shkrime të shenjta shtesë. Nganjëherë mund ta kuptojmë Dhiatën e Vjetër më mirë nëse i shtojmë studimit tonë vargje nga Libri i Mormonit. Për shembull, profetët e Librit të Mormonit, Nefi dhe Jakobi, patën mundësi përdorimi të shkrimeve të Isaias në fletët prej tunxhi (shihni te 1 Nefi 19:22–23) dhe i përdorën këto profeci për të dhënë mësim rreth Shpëtimtarit. Për të mësuar se si Nefi dhe Jakobi i përngjanë kapitujt tek Isaia 48–49 me popullin e tyre, shihni te 1 Nefi 22. Kjo mund t’ju ndihmojë t’i përngjani këta kapituj me vetë jetën tuaj.
Duke iu bindur Zotit, ne mund të kemi “paq[e] … si një lumë” (Isaia 48:18).
Isaia 40–49
“Ti je shërbëtori im.”
Gjatë gjithë kapitujve tek Isaia 40–49 Zoti flet për “shërbëtori[n]” e Tij dhe “dëshmitarë[t]” e Tij. Këto fjalë mund t’u referohen Jezu Krishtit (shihni tek Isaia 42:1–7), shtëpisë së Izraelit (shihni tek Isaia 45:4) dhe mbretit Kiri, i cili i lejoi judenjtë të riktheheshin në Jerusalem dhe ta rindërtonin tempullin (shihni tek Isaia 44:26–28; 45:1–4). Gjithashtu mund të merrni parasysh se si fragmentet gjejnë zbatim për ju si një shërbëtor dhe dëshmitar i Zotit. Për shembull, përsiatni pyetje si këto:
Isaia 40:1–3, 9–11; 43:9–12. Në çfarë kuptimi jeni ju një dëshmitar/e i/e Jezu Krishtit? Cili është “lajmi [i] mirë” që mund ta shpërndani si dëshmitari i Tij? Mund të përfytyroni sikur jeni thirrur te vendi i dëshmitarit në një seancë gjyqi. Në këtë gjyq, Jezu Krishti është akuzuar se ka bërë deklarimin që shënohet tek Isaia 43:11. Çfarë dëshmie mund të jepni në përkrahje të çështjes së Jezusit? Çfarë prove nga jeta juaj do të paraqitnit?
Isaia 41:8–13; 42:6; 44:21. Çfarë ju ka thirrur Zoti të bëni? Merrni parasysh thirrjet në Kishë si edhe mundësi të tjera për t’i shërbyer Atij. Si ju ka “formuar” ose përgatitur Ai që të bëheni shërbëtori i Tij? Si ju përkrah Ai ndërsa shërbeni?
Isaia 49:1–9. Çfarë mesazhesh gjeni në këto vargje që mund të ndihmojnë kur përpjekjet tuaja dhe shërbimi juaj duken sikur janë “për hiç gjë dhe pa dobi”? (Vargu 4.)
Isaia 40:3–8, 15–23; 42:15–16; 47:7–11
Fuqia e Perëndisë është më e madhe se fuqia e botës.
Isaia vazhdimisht e kujtoi popullin e tij për fuqinë e pashembullt të Perëndisë, madje të krahasuar edhe me fuqinë shtypëse të botës që i rrethonte. Kërkojeni këtë mesazh ndërsa lexoni tek Isaia 40:3–8, 15–23; 42:15–16 dhe 47:7–11 (vini re se kapitulli 47 i drejtohet robëruesit të Izraelit, Babilonisë). Çfarë mësoni nga këto fragmente rreth gjërave të botës? Çfarë mësoni nga ato rreth Perëndisë? Përsiatni se përse ky mesazh mund të ketë pasur vlerë për popullin judeas në robëri. Përse është me vlerë për ju?
Isaia 48:10; 49:13–16
Zoti mund të më rafinojë nëpërmjet pikëllimeve të mia.
Ndërsa lexoni tek Isaia 48:10, përsiatni për vetë “poçen [tuaj të] pikëllimit”. Si po ju “rafin[on]” Zoti? Si ju ndihmojnë vargjet tek Isaia 49:13–16 kur vuani pikëllime?
Shihni edhe tek “The Refiner’s Fire” [“Zjarri i Rafinuesit”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
The Refiner's Fire
Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Isaia 40:3–5
Unë mund të ndihmoj të përgatit “udhën e Zotit”.
-
Mendoni për disa mënyra se si ta ilustroni se çfarë do të thotë të “shtroni udhën e Zotit”, siç përshkruhet tek Isaia 40:3–5. Për shembull, ju dhe fëmijët tuaj mund të drejtoni diçka që është e shtrembër, të pastroni një dysheme ku ka rrëmujë ose të bëni një shteg të qartë në një tokë shkëmbore. Ju gjithashtu mund të tregoni fotografi të Gjon Pagëzorit dhe Jozef Smithit (shihni te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 35, 87). Si e përgatitën ata udhën për ardhjen e Zotit? (Shihni te Lluka 3:2–18; Doktrina e Besëlidhje 135:3.) Si mund të ndihmojmë? Kjo mund të jetë një mundësi për të folur rreth mënyrës se si mbajtësit e Priftërisë Aarone ndihmojnë për ta përgatitur udhën e Zotit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:26–28).
Isaia 43:10
Unë mund të jem një dëshmitar/e i/e Zotit.
-
Pasi të lexoni së bashku tek Isaia 43:10, mund të flisni rreth asaj se çfarë do të thotë të jeni një dëshmitar. Flisni me njëri‑tjetrin për gjëra që i keni përjetuar, për të cilat ju mund të jeni një “dëshmitar” – për shembull, një ushqim të shijshëm që e keni provuar, një vend që e keni vizituar ose një person që e njihni. Çfarë do të thotë të jeni dëshmitar i Zotit? Çfarë mund t’u tregojmë njerëzve të tjerë për Të?
Isaia 44:3–4; 45:8
Zoti do t’i “derdh[ë]” bekimet e Tij mbi ne.
-
Pasi t’i lexojnë këto vargje, fëmijët tuaj mund të ujitin një bimë dhe të flasin për bekimet që Zoti ka derdhur mbi ta. Çfarë ndodh me një bimë kur e ujitim? Si na kanë ndihmuar të zhvillohemi bekimet e Zotit?
“Drejtësia jo[në mund të jetë] si valët e detit” (Isaia 48:18).
Isaia 48:17–18
Zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë sjell paqe.
-
Figura ose materiale filmike të lumenjve dhe valëve të oqeanit mund t’i ndihmojnë fëmijët tuaj që të përfytyrojnë vargun tek Isaia 48:18 (të tilla si figurat në këtë përvijim). Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë të lëvizin duart dhe krahët e tyre si një lumë dhe si valët e detit. Si mund të jetë paqja si një lumë? Si mund të jetë drejtësia si dallgët? Bisedoni rreth mënyrës se si zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë ju ka ndihmuar të ndiheni paqësorë si lumi ose të fortë si vala.
-
Këndoni së bashku një këngë rreth urdhërimeve, të tillë si “Mbaj Urdhërimet” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 68–69). Çfarë na mëson kjo këngë rreth arsyes pse duhet t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë?
Isaia 49:14–16
Zoti nuk do të më harrojë kurrë.
-
Isaia 49:14–16 mund të jetë një ngushëllim i madh për fëmijët tuaj për vitet që do të vijnë. Ndërsa e lexoni vargun 14, mund të flisni për atë se çfarë mund t’i bëjë njerëzit të ndihen të harruar ose të braktisur. Si e dimë se Zoti nuk na ka harruar?
-
Për të paraqitur vargjet 15–16, mund t’i pyesni fëmijët tuaj rreth dikujt që nuk do ta harrojnë kurrë, të tillë si një pjesëtar të familjes ose një mik. Sipas vargjeve tek Isaia 49:15–16, përse Zoti nuk do të na harrojë asnjëherë? Pastaj mund të flisni me njëri‑tjetrin për ndjenjat tuaja rreth Jezu Krishtit.
Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.