“12–18 Tetor. ‘Një Çlirues do të Vijë në Sion’: Isaia 58–66”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“12–18 Tetor. ‘Një Çlirues do të Vijë në Sion’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026
Jesus in the Synagogue at Nazareth [Jezusi në Sinagogën në Nazaret], nga Greg Olsen
12–18 Tetor: “Një Çlirues do të Vijë në Sion”
Isaia 58–66
Në fillim të shërbesës së Tij, Jezu Krishti vizitoi një sinagogë në Nazaret, në fshatin ku Ai u rrit. Atje Ai u ngrit në këmbë për të lexuar nga shkrimet e shenjta, hapi librin e Isaias dhe lexoi atë që tani e njohim si Isaia 61:1–2. Ai më pas njoftoi: “Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja”. Kjo ishte një nga deklaratat më të drejtpërdrejta të Shpëtimtarit që Ai ishte I Vajosuri, i cili do të “shër[onte] ata që e kanë zemrën të thyer” dhe do të “shpall[te] çlirimin e të burgosurve” (shihni te Lluka 4:16–21). Ky shkrim i shenjtë u përmbush me të vërtetë atë ditë. Dhe, ashtu si shumë profeci të Isaias, ajo gjithashtu vazhdon të përmbushet në kohën tonë. Shpëtimtari vazhdon t’i shërojë njerëzit zemërthyer që vijnë tek Ai. Ka edhe shumë robër që kanë nevojë për çlirim. Dhe ka një të ardhme të lavdishme për të cilën të përgatitemi – një kohë kur Zoti do të “krijoj[ë] qiej të rinj dhe një tokë të re” (Isaia 65:17) dhe do të “bëjë që të mbijë drejtësia dhe lëvdimi përpara tërë kombeve” (Isaia 61:11). Leximi i librit të Isaias na i hap sytë për atë që Zoti ka bërë tashmë, atë që Ai po bën dhe atë që Ai akoma do të bëjë për popullin e Tij.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Isaia 58:3–12
Agjërimi ndërton fuqi shpirtërore dhe bekon njerëzit nevojtarë.
Përse dikush do të rrinte pa ngrënë vullnetarisht kur ushqimi është në dispozicion? Ndërsa studioni vargjet tek Isaia 58:3–12, mund të mendoni rreth arsyeve tuaja për agjërim, si edhe arsyeve të Zotit për dhënien e këtij ligji. Këtu janë disa pyetje të tjera për t’i përsiatur:
-
Përse nganjëherë agjërimi mund të perceptohet më shumë si një barrë sesa një bekim? (Shihni tek Isaia 58:3–5). Si e ndryshojnë mësimet e Zotit në këtë kapitull atë perceptim për ju?
-
Çfarë mund të nënkuptojnë frazat të “thyesh zinxhirët e ligësisë” dhe të “dër[r]mosh çdo zgjedhë”? (Isaia 58:6.) Si mund t’i bekojë të tjerët agjërimi? (Shihni vargun 7.)
-
Si jua ka sjellë agjërimi bekimet që përshkruhen tek Isaia 58:8–12?
Në mesazhin e tij “Agjërimi që më Pëlqen a Nuk Është Vallë Ky?” (Liahona, maj 2015, f. 22–25), Presidenti Henri B. Ajring tregoi disa shembuj të mënyrave se si njerëzit janë bekuar nëpërmjet agjërimit dhe ofertave të agjërimit. Si keni dëshmuar bekime të ngjashme në jetën tuaj?
Shihni edhe te “Beko Agj’rimin Ton’”, Himne, nr. 76; Tema dhe Pyetje, “Fasting and Fast Offerings” [“Agjërimi dhe Ofertat e Agjërimit”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Arrini t’i njihni njerëzit të cilëve u jepni mësim. “Të jesh mësues si Krishti përfshin t’i njohësh njerëzit të cilëve u jep mësim, dhe të përpiqesh fort të kuptosh çfarë kanë në zemër. … Mund të zbuloni se në ç’mënyrë mësojnë më mirë. Mund të bëni pyetje, të dëgjoni me kujdes dhe të vëzhgoni. Mbi të gjitha, mund të luteni për kuptueshmërinë që vetëm Shpirti mund ta japë. Sa më mirë ta njihni një person, aq më në gjendje jeni për ta ndihmuar atë të gjejë kuptim vetjak dhe fuqi tek ungjilli i Jezu Krishtit. Pasi ta kuptoni etjen e një personi, Shpirti mund t’ju mësojë se si të ndihmoni për ta shuar atë me ujin e gjallë të Shpëtimtarit” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 13).
Isaia 58:13–14
Nderimi i Zotit në Shabat sjell gëzim.
A është dita e Shabatit “kënaqësi” për ju? Ndërsa lexoni tek Isaia 58:13–14, merrni parasysh se si mund të gjeni më shumë kënaqësi në ditën e Zotit. Për shembull, çfarë mund të nënkuptojë që të përmbahesh për të mos “krye[r] punët e tua gjatë ditës [së Tij] të shenjtë”? Cili është ndryshimi ndërmjet “të gjesh kënaqësinë tënde tek Zoti” dhe të “heq[ësh] dorë nga [mënyrat] e tua”?
Shihni edhe te Rasëll M. Nelson, “Shabati Është një Kënaqësi”, Liahona, maj 2015, f. 129–132.
Isaia 59:9–21; 61:1–3; 63:7–9
Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi im.
Isaia 58–66 ka referenca të shumta për misionin shlyes të Jezu Krishtit. Kërkojini ato ndërkohë që studioni. Veçanërisht vini re titujt dhe fjalët e përdorura për të përshkruar Shpëtimtarin. Për shembull:
-
Çfarë ju lë mbresë rreth përshkrimit për “ndërhy[rësin]” tek Isaia 59:16–21? Si i mposht Shpëtimtari kushtet e përshkruara te vargjet 9–15?
-
Kur Jezu Krishti i shpalli popullit të Nazaretit se Ai ishte Mesia, Ai citoi nga Isaia 61:1–3 (shihni te Lluka 4:16–21; shihni edhe materialin filmik “Jesus Declares He Is the Messiah” [“Jezusi Shpall se Ai Është Mesia”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Si ju ka bekuar Jezu Krishti ju dhe njerëz të tjerë sipas mënyrave që përshkruhen në këto vargje? Si ju ka dhënë Ai diademë në vend të hirit?
3:24Jesus Declares He Is the Messiah
-
Cilat nga “mirësitë e Zotit” mund të përmendni? (Shihni tek Isaia 63:7–9.)
-
Çfarë referencash të tjera për Shpëtimtarin gjeni tek Isaia 58–66?
Shihni edhe te Mosia 3:7; Doktrina e Besëlidhje 133:46–53.
A Gift of Light [Një Dhuratë Drite], nga Eva Timothy
Isaia 60; 62
“Zoti do të jetë drita jote e përjetshme.”
Isaia 60 dhe 62 flasin për dritën dhe terrin, sytë dhe shikimin për të na mësuar rreth mënyrës se si ungjilli i Jezu Krishtit do ta bekojë botën në ditët e fundit. Kërkojini këto koncepte në vargjet tek Isaia 60:1–5, 19–20; 62:1–2. Ndërsa i lexoni këta kapituj, përsiatni se si Perëndia po i mbledh fëmijët e Tij nga terri në dritën e Tij. Cili është roli juaj në këtë punë?
Shihni edhe te 1 Nefi 22:3–12; 3 Nefi 18:24; Doktrina e Besëlidhje 14:9; Boni H. Kordën, “Që Ata të Shohin”, Liahona, maj 2020, f. 78–80.
Isaia 64:1–5; 65:17–25; 66
Krishti do të mbretërojë në tokë gjatë Mijëvjeçarit.
Isaia foli për ditën kur “fatkeqësitë e kaluara do të harrohen” (Isaia 65:16). Ndërsa kjo profeci është përmbushur disa herë, në kuptimin e saj të plotë, ajo ditë ende do të vijë – kur Jezu Krishti do të kthehet. Isaia e përshkroi këtë ditë të së ardhmes tek Isaia 64:1–5; 65:17–25; 66. Vini re se sa shpesh i përdori ai fjalët si “kënaqet”, “kënaqem”, “ngazëllohu”, “ngazëllohuni”, “gëzohuni”, “gëzohet” dhe “kënaqësi”. Përse kthimi i Shpëtimtarit do të jetë një ditë gëzimi për ju? Çfarë mund të bëni për t’u përgatitur për ardhjen e Tij?
Shihni edhe te Nenet e Besimit 1:10; Rasëll M. Nelson, “E Ardhmja e Kishës: Përgatitja e Botës për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit”, Liahona, prill 2020, f. 6–11.
Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Isaia 58:6–11
Agjërimi më bekon mua dhe të tjerët në nevojë.
-
Ndoshta mënyra më e mirë për t’i nxitur fëmijët tuaj që të agjërojnë, kur të jenë gati, është t’i ndihmoni të kuptojnë qëllimet e Zotit për këtë ligj. Merreni parasysh të lexoni së bashku tek Isaia 58:6–11 për të gjetur përgjigje ndaj këtyre pyetjeve: Përse agjërojmë? Si agjërojmë ne? Gjithashtu mund të kërkoni tek “Agjëroj, Agjërim” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
-
Nëse keni pasur një përvojë kuptimplotë me agjërimin, tregojuni fëmijëve tuaj për të. Gjithashtu mund t’i pyesni se si do t’ia shpjegonin një miku ose mikeshe përse Zoti na e dha këtë ligj.
Isaia 58:13–14
Shabati mund të jetë për mua një kënaqësi.
-
Pasi të lexoni tek Isaia 58:13–14, mund t’i drejtoni fëmijët tuaj te ditët e një jave në një kalendar dhe t’i ftoni që t’i thonë ditët me ju. Kur të mbërrini në ditën e Shabatit, kërkojuni ta quajnë atë ditë “një kënaqësi”. Tregojuni atyre se përse Shabati është një kënaqësi për ju.
-
Flisni me njëri‑tjetrin për mënyra të tjera se si mund “gje[ni] kënaqësi … tek Zoti” në Shabat. Ndoshta fëmijët tuaj mund t’i vizatojnë idetë e tyre dhe t’i vendosin në një “kuti të kënaqësive të Shabatit”. Më pas, kur të keni nevojë për ide rreth gjërave që t’i bëni në Shabat, ata mund të nxjerrin një ide nga kutia.
Our Light [Drita Jonë], nga Dan Wilson
Isaia 60:1–3
Shpëtimtari është si një dritë për mua.
-
Ju mund t’i ftoni fëmijët tuaj të mbyllin sytë ndërsa lexoni tek Isaia 60:1–3. Kërkojuni t’i hapin sytë kur të dëgjojnë fjalën “dritë” dhe t’i mbyllin ato përsëri kur të dëgjojnë fjalën “errësirë”. Shpjegoni se Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij janë si një dritë që na ndihmon të shohim rrugën tonë të kthimit tek Ati Qiellor.
Isaia 65:17–25
Kur Jezusi të vijë përsëri, Ai do të sjellë paqe dhe gëzim.
-
Isaia 65:17–25 përshkruan se si do të jetë toka kur Shpëtimtari të vijë përsëri. Ndërsa i lexoni këto vargje me fëmijët tuaj, ndihmojini të kërkojnë për mënyra se si jeta do të jetë ndryshe në “tokë[n e] re” që përshkroi Isaia. Përse do të jetë kjo një kohë që të kemi “gëz[im] dhe ngazëll[im] përjetë”? (Vargu 18.)
-
Gjithashtu mund të këndoni së bashku një këngë rreth Ardhjes së Dytë, të tillë si “When the Savior Comes Again” [“Kur Shpëtimtari Prap’ t’Vij”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit]. Tregojini njëri‑tjetrit atë që mezi po e prisni rreth kthimit të Shpëtimtarit. Çfarë mund të bëjmë që të përgatitemi për atë ditë?
Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.