“29 Qershor – 5 Korrik. ‘Në Qoftë se Zoti Është Perëndia, Shkoni pas Tij’: 1 Mbretërve 12–13; 17–22”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“29 Qershor – 5 Korrik. ‘Në Qoftë se Zoti Është Perëndia, Shkoni pas Tij’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026
Elijah Contends against the Priests of Baal [Elia Sfidon Priftërinjtë e Baalit], nga Jerry Hartson
29 Qershor – 5 Korrik: “Në Qoftë se Zoti Është Perëndia, Shkoni pas Tij”
1 Mbretërve 12–13; 17–22
Shtëpia e Izraelit ishte në rrëmujë. Mbretëria ishte ndarë, me dhjetë fise që formonin Mbretërinë Veriore të Izraelit dhe dy fise që formonin Mbretërinë Jugore të Judës. Po më keq se veçimi i tyre nga njëra‑tjetra ishte veçimi i të dyja mbretërive nga besëlidhjet e tyre. Mbretërit e ligj i udhëhoqën njerëzit larg nga Zoti dhe shumë njerëz u lëkundën në besimin e tyre.
Në këtë mjedis, Zoti thirri Elian që të ishte një profet. Jeta e tij tregon se një person mund të ketë besim të madh te Zoti edhe në rrethana të këqija. Nganjëherë Zoti i përgjigjet një besimi të tillë me mrekulli mbresëlënëse, publike, ashtu si zjarri që ra nga qielli. Por Ai gjithashtu bën mrekulli të qeta, private, si të ushqyerit e një të veje besnike dhe djalit të saj. Dhe më shpesh mrekullitë e Zotit janë aq individuale saqë njihen vetëm nga një person – për shembull, kur Zoti ua zbulon veten e Tij juve nëpërmjet një zëri të qetë, të vogël (1 Mbretërve 19:12).
Për më shumë rreth Elias, shihni zërin “Elija” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
1 Mbretërve 12:1–20
Udhëheqësit e ngjashëm me Krishtin u shërbejnë njerëzve që ata udhëheqin.
Si do ta përshkruanit gabimin që bëri mbreti Roboam, biri i Salomonit, te 1 Mbretërve 12:1–14? Çfarë cilësish si të Krishtit mund ta kishin ndihmuar Roboamin që ta shpëtonte mbretërinë e tij? (Shihni vargun 7; Mateu 20:25–28; Mosia 2:10–21.) Si mund t’i përdorni këto cilësi si udhëheqës, qoftë në një thirrje në Kishë apo si udhëheqës në vetë jetën tuaj?
1 Mbretërve 17:8–16; 19:19–21
Një ftesë për të sakrifikuar është një mundësi për të ushtruar besimin tim te Jezu Krishti.
Profeti Elia i kërkoi një të veje që t’i jepte atij ushqim dhe ujë para se të ushqente veten dhe birin e saj shumë të uritur. Përse do ta bënte ai këtë? Kërkesa e Elias mund të shihej gjithashtu si një bekim për këtë familje të vogël. Ata kishin nevojë për bekimet e Zotit dhe sakrifica sjell bekime, përfshirë bekimin e një besimi më të fortë.
Ndërsa lexoni te 1 Mbretërve 17:8–16, përfytyroni sikur të ishit kjo e ve. Çfarë ju bën përshtypje tek ajo? Gjithashtu mund të bëni një listë me zgjedhjet që kërkojnë besim te Jezu Krishti (për shembuj, shihni te Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve [2022]). Çfarë mësoni nga kjo e ve rreth ushtrimit të besimit?
Si janë veprimet e Elias te 1 Mbretërve 19:19–21 të ngjashme me veprimet e të vesë?
Mendoni rreth sakrificave që keni bërë për ta ndjekur Shpëtimtarin. Çfarë ju mësojnë vargjet te 1 Mbretërve 17:8–16; 19:19–21 rreth këtyre sakrificave? Si ju ndihmon njohuria juaj për Shpëtimtarin kur Ai ju kërkon të bëni sakrifica? Si ju ka bekuar Ai ju?
Shihni edhe te Mateu 4:18–22; 6:25–33; Lluka 4:24–26; “Elijah and the Widow of Zarephath” [“Elia dhe e Veja nga Sarepta”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Kur Besimi Duron”, Himne, nr. 66.
Elijah and the Widow of Zarephath
1 Mbretërve 18
“Në qoftë se Zoti është Perëndia, shkoni pas tij.”
Izraelitët mund të kishin ndier se kishin arsye të mira për ta adhuruar Baalin, që njihej si perëndia i stuhive dhe shiut. Pas tre vjetësh thatësire, atyre medoemos iu nevojitej shi. Dhe adhurimi i Baalit pranohej nga ana shoqërore dhe nxitej nga mbreti e mbretëresha. Ndërsa lexoni te 1 Mbretërve 18, mendoni rreth arsyes përse dikush në kohën tonë mund të jetë i pavendosur rreth ndjekjes së Zotit. Në këtë kapitull çfarë mendoni se Zoti po përpiqej t’u mësonte rreth vetes së Tij? Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar të zotoheni për ta ndjekur Shpëtimtarin?
Shihni edhe te D. Tod Kristoferson, “Zgjedhje dhe Zotim” (takimi shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 12 janar 2020), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Ilustrim i Elias, nga Wilson Ong
1 Mbretërve 19:1–18
Zoti shpesh flet në mënyra të qeta, të thjeshta.
Për fat të keq, mrekullia në malin Karmel nuk e bëri ndopak më të lehtë misionin e Elias. Në fakt, jeta e tij qe në rrezik dhe atij iu desh të fshihej në një shpellë në vendin e shkretë. Atje, duke luftuar me vetminë dhe shkurajimin, ai pati një përvojë me Zotin që ishte shumë e ndryshme nga përvoja në malin Karmel. Çfarë ju mëson përvoja e Elias te 1 Mbretërve 19:1–18 për mënyrën se si Zoti komunikon me ju në kohët tuaja të nevojës?
Përsiatni për raste kur e ndjeni se Zoti ju ka folur. Si do ta përshkruanit mënyrën se si Ai komunikon me ju? Përse fjalët “i qetë” dhe “i vogël” janë mënyra të mira për ta përshkruar zërin e Shpirtit? Çfarë fjalësh të tjera gjeni te Helamani 5:30; Doktrina e Besëlidhje 6:22–23; 11:12–14? Çfarë keni nevojë të bëni që të merrni më shpesh udhërrëfimin e Zotit?
Shihni edhe te Psalmeve 46:10.
Përdorni shqisa të shumta për ta përmirësuar të mësuarit. Ne të gjithë mësojmë rreth botës nëpërmjet pesë shqisave tona. Përdorimi i atyre shqisave gjithashtu mund ta përmirësojë të mësuarit e ungjillit. Për shembull, mendoni për pamjet ose tingujt që mund të përdornit për të ilustruar fjalët “shushuritje” dhe “e ëmbël” teksa mësoni vetë ose jepni mësim rreth zërit të qetë, të vogël të Zotit te 1 Mbretërve 19.
Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
1 Mbretërve 17
Zoti më bekon kur kam besim tek Ati.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të mësojnë historitë e besimit te 1 Mbretërve 17, mund t’u tregoni atyre figura ose sende për të ilustruar historitë, të tilla si zogj, bukë ose një djalë. Ndërsa ua tregoni fëmijëve tuaj këto histori, ftojini ta gjejnë figurën ose sendin që përputhet me secilën histori. Mësimi “Elia, Profeti” (tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 121–124), mund t’ju ndihmojë t’i tregoni këto histori. Çfarë na mëson secila histori rreth shfaqjes së besimit te Jezu Krishti?
1:58Elijah the Prophet
-
Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyra se si mund ta tregojnë besimin e tyre te Jezu Krishti. Këndoni me ta një këngë rreth besimit, të tillë si “I Have Faith in the Lord, Jesus Christ” [“Kam Besim te Zoti, Jezu Krisht”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit], dhe tregojini njëri‑tjetrit se çfarë mësoni rreth besimit nga ajo këngë.
Ilustrim i Elias dhe shërimit të birit të së vesë, nga Charles Edmund Brock
1 Mbretërve 17:8–16
Kur Zoti kërkon që unë të sakrifikoj, unë mund të bindem me besim.
-
Ndoshta fëmijët tuaj mund të vizatojnë një figurë të asaj që Zoti i kërkoi të vesë që t’ia jepte Elias (shihni te 1 Mbretërve 17:12–13) dhe asaj që e veja mori në këmbim (shihni te 1 Mbretërve 17:15–16). (Shihni edhe faqen e veprimtarisë së kësaj jave.) Ata gjithashtu mund të kërkojnë figura të njerëzve të tjerë që hoqën dorë nga diçka që e donin, për diçka më të mirë. Ftojini fëmijët tuaj që të gjejnë figura te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit ose te manuali Eja, Më Ndiq. Çfarë na kërkon Zoti që të sakrifikojmë? Si na bekon Ai?
1 Mbretërve 18:17–39
Unë mund të zgjedh që ta ndjek Jezu Krishtin.
-
Ndërsa lexoni së bashku te 1 Mbretërve 18:17–39, fëmijët tuaj mund të zgjedhin një varg dhe të vizatojnë një figurë të asaj që ai përshkruan. Ata mund të përdorin vizatimet e tyre për ta treguar historinë me fjalët e veta. (Shihni edhe mësimin “Elia dhe Priftërinjtë e Baalit”, tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 125–128.)
2:17Elijah and the Priests of Baal
-
Ndihmojini fëmijët tuaj të mendojnë për situata kur mund të kenë nevojë të vendosin nëse do ta ndjekin apo jo Jezu Krishtin. Mbase mund të bëjnë vizatime të vetvetes duke bërë zgjedhje të drejta. Tregojini njëri‑tjetrit përse zgjidhni ta ndiqni Jezusin.
1 Mbretërve 19:9–12
Zoti më flet nëpërmjet zërit të qetë, të vogël të Frymës së Shenjtë.
-
Ndërsa përmblidhni vargjet te 1 Mbretërve 19:9–12, ftojini fëmijët tuaj të bëjnë veprime që përfaqësojnë erën e fortë, tërmetin dhe zjarrin. Pastaj ftojini të rrinë ulur të qetë teksa thoni së bashku me një zë të qetë: “Mbas zjarrit u dëgjua një zë, [i qetë dhe i vogël]” (vargu 12). (Shihni edhe mësimin “Zoti i Flet Elias”, tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 129–131.) Tregojuni fëmijëve tuaj për raste kur e keni përjetuar zërin e qetë, të vogël të Frymës së Shenjtë.
1:48The Lord Speaks to Elijah
-
Me qetësi këndoni një këngë rreth Shpirtit, të tillë si “Zëri i Ulët i Qetë” (Liahona, prill 2006, f. M13). Çfarë mund të na shpërqendrojë nga dallimi i Shpirtit? Çfarë mund të na ndihmojë që ta dëgjojmë Atë?
Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.