Eja, Më Ndiq
13–19 Korrik. “Ai Pati Besim tek Zoti, Perëndia i Izraelit”: 2 Mbretërve 16–25


“13–19 Korrik. ‘Ai Pati Besim tek Zoti, Perëndia i Izraelit’: 2 Mbretërve 16–25”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)

“13–19 Korrik. ‘Ai Pati Besim tek Zoti, Perëndia i Izraelit’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026

grup i madh judenjsh duke udhëtuar për në mërgim në Babiloni

The Flight of the Prisoners [Largimi i të Burgosurve], nga James Tissot dhe të tjerë

13–19 Korrik: “Ai Pati Besim tek Zoti, Perëndia i Izraelit”

2 Mbretërve 16–25

Pavarësisht nga shërbesa e fuqishme e profetit Elise, njerëzit e Mbretërisë Veriore të Izraelit nuk u penduan. Përfundimisht Perandoria Asiriane i pushtoi dhe i shpërndau të dhjetë fiset e Izraelit. Ndërkohë, Mbretëria Jugore e Judës nuk ishte në gjendje më të mirë; idhujtaria ishte përhapur edhe atje.

Mes gjithë kësaj të tatëpjete shpirtërore, shkrimet e shenjta përmendin dy mbretër të Judës të cilët, për njëfarë kohe, e kthyen popullin përsëri te Zoti. Njëri ishte Ezekia. Gjatë mbretërimit të tij, asirianët pushtuan pjesën më të madhe të Judës. Por Ezekia dhe populli i tij treguan besim te Zoti, i cili e shpëtoi Jerusalemin në një mënyrë të mrekullueshme. Më vonë, pas një periudhe tjetër braktisjeje, Josia u bë mbret. I frymëzuar pjesërisht nga një rizbulim i librit të ligjit të Moisiut, Josia solli reforma që e ringjallën jetën fetare të popullit të tij.

Ashtu si Izraeli dhe Juda, të gjithë ne bëjmë zgjedhje të mira e të këqija. Kur e ndiejmë se jeta jonë ka nevojë për disa reforma, ne mund të marrim kurajë nga këto dy pika të shndritshme në vitet e zymta të historisë së Judës. Ndoshta shembujt e Ezekias dhe të Josias mund të na frymëzojnë të “kemi besim tek Zoti, Perëndia ynë” (2 Mbretërve 18:22).

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

2 Mbretërve 18–19

ikona e seminarit
Unë mund të qëndroj i/e vërtetë ndaj Zotit kur sfidohet besimi im.

Shumica prej nesh e kanë përjetuar atë sfidë të besimit tonë. Për Ezekian dhe popullin e tij, njëra prej atyre sfidave erdhi kur ushtria asiriane iu afrua Jerusalemit. Ndërsa lexoni te 2 Mbretërve 18–19, përfytyroni sikur po jetonit në Jerusalem gjatë kësaj kohe. Si mund të ishit ndier, për shembull, kur dëgjuat talljet e asirianëve te 2 Mbretërve 18:28–37 dhe 19:10–13? Çfarë do të kishit bërë? Krahasojini arsyet e asirianëve që izraelitët të mos i mirëbesonin Zotit me arsyet që jep Satani sot që ne të kemi dyshim te besimi ynë. Gjithashtu mund të krahasoni arsyet e asirianëve me arsyet përse ju vërtet i mirëbesoni Zotit.

Çfarë mësoni nga veprimet e Ezekias në këtë situatë? (Shihni te 2 Mbretërve 19:1–7, 14–19.) Si u përgjigj Zoti? (Shihni te 2 Mbretërve 19:35–37.) Si mendoni, përse Ezekia qëndroi besnik? (Shihni te 2 Mbretërve 18:5–7.) Përsiatni se si ju ka mbështetur Zoti në kohë sfiduese. Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni për ta rritur mirëbesimin tuaj tek Ai?

Mesazhi i Presidentit Xhefri R. Holland “Mos Druaj; Ti Vetëm Beso!” (Liahona, maj 2022, f. 34–36) ka këshilla të dobishme për kohët e frikës apo dyshimit. Edhe një himn si “Punës Le t’i Vihemi” (Himne, nr. 154) mund të ketë mesazhe inkurajuese. Çfarë gjeni te këto burime që ju ndihmojnë?

Shihni edhe te 2 Kronikave 31–32; 3 Nefi 3–4; Jorg Klebingati, “Dishepullimi i Guximshëm në Ditët e Mëvonshme”, Liahona, maj 2022, f. 107–110.

Përdorni ndihma për studimin e shkrimeve të shenjta. Kisha siguron shumë burime për t’ju ndihmuar t’i kuptoni shkrimet e shenjta. Për shembull, te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] mund të gjeni Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, Tema dhe Pyetje dhe revista të Kishës. Përveç këtyre, teksa e lexoni Dhiatën e Vjetër, mund të gjeni kontekst dhe ide të dobishme në artikujt “Mendime për t’i Mbajtur Parasysh” në manualin Eja, Më Ndiq. Artikulli i titulluar “Jezus’ Izraelin në Sh’pi do Ftoj” mund ta ndihmojë studimin tuaj të kapitujve te 2 Mbretërve 16–25.

familje duke i lexuar shkrimet e shenjta së bashku

2 Mbretërve 19:20–37

Të gjitha gjërat janë në duart e Zotit.

Senasheribi, mbreti i Asirisë, kishte arsye të mira për të besuar se ushtria e tij do ta pushtonte Jerusalemin (shihni te 2 Mbretërve 17; 18:33–34; 19:11–13). Por Zoti pati një mesazh për Senasheribin, të dhënë nëpërmjet profetit Isaia. Është shënuar te 2 Mbretërve 19:20–34. Cilat të vërteta gjeni në mesazhin e Zotit që ju ndihmojnë të keni besim tek Ai dhe plani i Tij?

2 Mbretërve 21–23

Shkrimet e shenjta mund të ma kthejnë zemrën drejt Zotit.

A keni ndier ndonjëherë se ju mungonte diçka shpirtërore? Ndoshta ndiet se marrëdhënia juaj me Perëndinë mund të ishte më e fortë. Çfarë ju ndihmoi të ktheheshit tek Ai? Përsiatini këto pyetje teksa lexoni te 2 Mbretërve 21–23, që përshkruan mënyrën se si Mbretëria e Judës u largua nga Zoti nën mbretin Manas (shihni te 2 Mbretërve 21) dhe se si mbreti Josia i ndihmoi njerëzit të ktheheshin përsëri tek Ai (shihni te 2 Mbretërve 22–23). Si dhe përse ndryshuan Josia dhe populli i tij? (Shihni te 2 Mbretërve 22:8–11; 23:1–6, 21, 24.)

Presidenti Spenser W. Kimball e quajti historinë për mbretin Josia “një nga historitë më të bukura në të gjitha shkrimet e shenjta” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 62). Lexojini fjalët e Presidentit Kimball rreth mbretit Josia (faqet 62–64). Ndoshta mund të mendoni për një përvojë kur një fragment i shkrimit të shenjtë “vepro[i] fuqishëm” brenda jush. Çfarë mund të bëni për të marrë më shumë përvoja si ajo?

Shihni edhe tek Alma 31:5; “Josiah and the Book of the Law” [“Josia dhe Libri i Ligjit”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

12:25

Josiah and the Book of the Law

2 Mbretërve 23:1–25

Një besëlidhje është një zotim me tërë shpirt midis meje dhe Zotit.

Çfarë ju bën përshtypje nga besëlidhja që bëri Josia te 2 Mbretërve 23:3? Ndërsa vazhdoni të lexoni kapitullin 23, vini re si e tregoi Josia zotimin e tij ndaj Zotit (shihni edhe figurën në fund të këtij përvijimi). Si mund ta tregoni zotimin tuaj ndaj Tij?

Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

ikona e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

2 Mbretërve 18:3–6; 19:14–19

Unë mund t’i mirëbesoj Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

  • Te 2 Mbretërve 18:3, 5–6 ndihmojini fëmijët tuaj që të zbulojnë atë që e bëri Ezekian një mbret të mirë. Pastaj ndërsa lexoni së bashku te 2 Mbretërve 19:14–19, ata mund të zbulojnë se si ai e tregoi se i mirëbesonte Zotit. Mund të shihni një figurë të Jezusit dhe të flisni rreth arsyeve përse mund t’i mirëbesojmë Atij. Si mund të tregojmë se i mirëbesojmë Zotit?

2 Mbretërve 22:1–7

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të mirëbesojnë tek unë.

  • Te 2 Mbretërve 22:1 ndihmojini fëmijët tuaj që të zbulojnë sa vjeç ishte Josia kur u bë mbret. Çfarë mësojmë rreth Josias te vargu 2? Merreni parasysh një veprimtari që mund të ilustrojë ndjekjen e Zotit dhe mosdevijimin “as [n]ë të djathtë as [n]ë të majtë”.

  • Punëtorëve të përshkruar te 2 Mbretërve 22:3–7 iu mirëbesuan para për të rindërtuar tempullin “sepse ata vepr[uan] me ndershmëri” (vargu 7). Pasi t’i lexoni këto vargje, ju dhe fëmijët tuaj mund të flisni rreth gjërave që ju janë mirëbesuar. Si mund të jemi të besueshëm ashtu si punëtorët në këto vargje?

shkruesi me mbretin Josia

Një shkrues që i sjell mbretit Josia një rrotull të shkrimit të shenjtë; ilustrim nga Robert T. Barrett

2 Mbretërve 22:8–11; 23:2–3

Shkrimet e shenjta më mësojnë ta ndjek Jezu Krishtin.

  • Për të paraqitur historinë e mbretit Josia te 2 Mbretërve 22–23, mund të fshihni një kopje të shkrimeve të shenjta diku në dhomë. Ftojini fëmijët tuaj që ta gjejnë atë. Më pas mund të tregoni se çfarë ndodhi kur njëri nga priftërinjtë e Josias gjeti shkrimet e shenjta në tempull (shihni te 2 Mbretërve 22:8–11; shihni edhe mësimin “Mbreti Josia” tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 148–149). Çfarë mund të na ndodhte po të mos i kishim shkrimet e shenjta? Tregojini njëri‑tjetrit përse jeni të lumtur që i kemi shkrimet e shenjta sot.

    1:36

    King Josiah

  • Pas leximit te 2 Mbretërve 23:2–3, ju dhe fëmijët tuaj mund të flisni rreth shkrimeve të shenjta që ju kanë frymëzuar të “zot[oheni] të ndiq[ni] Zotin” (vargu 3). Gjithashtu mund të këndoni një këngë rreth shkrimeve të shenjta, të tillë si “Kërko, Përsiat dhe Lutu” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 66).

2 Mbretërve 23:1–3

Unë do t’i mbaj besëlidhjet e mia me Perëndinë.

  • Kur Josia dhe populli i tij i mësuan urdhërimet e Perëndisë, ata bënë një besëlidhje për t’i jetuar ato. Lexoni për këtë me fëmijët tuaj te 2 Mbretërve 23:1–3 dhe ndihmojini të gjejnë fjalë ose fraza që tregojnë se si u ndien njerëzit rreth urdhërimeve të Zotit. Ndoshta fëmijët tuaj mund të ngrihen në këmbë e të flasin se çfarë do të thotë ta “prano[sh] besëlidhjen”. Pastaj mund të ecin aty ku janë dhe të flasin se çfarë mund të nënkuptojë fraza “të nd[jekësh] Zotin”. Në vijim, mund t’i vendosin duart në zemër dhe të sugjerojnë mënyra se si mund t’i mbajmë besëlidhjet tona “me gjithë zemër”.

Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

njerëz duke rrëzuar me litarë një statujë

Populli i Josias duke hequr idhujt nga qyteti; ilustrim nga William Hole

faqja e veprimtarisë së Fillores: Shkrimet e shenjta më mësojnë ta ndjek Jezu Krishtin