“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: ‘Jezus’ Izraelin në Sh’pi do Ftoj’”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: ‘Jezus’ Izraelin në Sh’pi do Ftoj’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026
Mendime për t’i Mbajtur Parasysh
“Jezus’ Izraelin në Sh’pi do Ftoj’”
Në vendin e shkretë të Sinait, Moisiu i mblodhi fëmijët e Izraelit në rrëzë të një mali. Atje Zoti shpalli se Ai dëshironte ta shndërronte këtë grup skllevërish të çliruar kohët e fundit në një popull të fuqishëm. “Do të jeni për mua”, tha Ai, “një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë” (Eksodi 19:6). Ai premtoi se ata do të lulëzonin dhe do të përparonin, edhe kur të ishin të rrethuar nga armiq më të mëdhenj dhe më të fuqishëm.
E gjitha kjo do të ndodhte jo sepse izraelitët ishin të shumtë ose të fortë apo të zotë. Do të ndodhte, shpjegoi Zoti, po ta “dëgjoni[n] me vëmendje zërin [e Tij] dhe zbatoni[n] besëlidhjen [e Tij]” (Eksodi 19:5). Fuqia e Perëndisë, jo e tyrja, do t’i bënte të fuqishëm.
Prapëseprapë izraelitët nuk iu bindën gjithmonë zërit të Perëndisë dhe me kalimin e kohës ata hoqën dorë nga mbajtja e besëlidhjes së Tij. Shumë njerëz adhuruan perëndi të tjera dhe përvetësuan praktikat e kulturave përreth tyre. Ata refuzuan pikërisht atë gjë që i bëri ata një komb të dallueshëm – marrëdhënien e tyre besëlidhëse me Zotin. Pa fuqinë e Perëndisë që t’i mbronte, nuk kishte asgjë që t’i ndalonte armiqtë e tyre.
Shpërndarja
Disa herë midis viteve 735 dhe 720 pr.K., asirianët e pushtuan Mbretërinë Veriore të Izraelit, vendbanimi i dhjetë prej dymbëdhjetë fiseve, dhe i çuan mijëra izraelitë larg në robëri në pjesë të ndryshme të Perandorisë Asiriane. Këta izraelitë u bënë të njohur si “fiset e humbura”, pjesërisht sepse u hoqën nga atdheu i tyre dhe u shpërndanë midis kombeve të tjera. Por ata ishin gjithashtu të humbur në një kuptim më të thellë: me kalimin e kohës ata e humbën ndjesinë e tyre të identitetit si populli i besëlidhjes së Perëndisë.
Përfundimisht shumë njerëz në Mbretërinë Jugore të Judës gjithashtu u larguan nga Zoti. Asirianët e sulmuan dhe e pushtuan pjesën më të madhe të asaj mbretërie; vetëm Jerusalemi u ruajt për mrekulli. Më vonë, midis viteve 597 dhe 580 pr.K., babilonasit e shkatërruan Jerusalemin, përfshirë tempullin, dhe morën robër shumë njerëz. Rreth 70 vjet më vonë, një pjesë e mbetur e Judës u lejua të kthehej në Jerusalem dhe ta rindërtonte tempullin. Sidoqoftë, shumë njerëz qëndruan në Babiloni.
The Destruction of Jerusalem by Nebuzar-adan [Shkatërrimi i Jerusalemit prej Nebuzaradanit], nga William Brassey Hole, © Providence Collection/licencuar nga goodsalt.com
Ndërsa koha kalonte, izraelitë nga të gjitha fiset u “shpërnda[në] me shakullimë midis gjithë kombeve që ata nuk i njihnin” (Zakaria 7:14). Disa Zoti i çoi drejt tokave të tjera. Të tjerë u larguan nga Izraeli për t’i shpëtuar robërisë ose për arsye politike apo ekonomike.
Ne i quajmë të gjitha këto ngjarje shpërndarja e Izraelit. Dhe është e rëndësishme të dini rreth shpërndarjes për disa arsye. Pikësëpari, ajo është një temë kryesore e Dhiatës së Vjetër. Shumë profetë të Dhiatës së Vjetër qenë dëshmitarë të rënies shpirtërore që çoi te shpërndarja. Ata e parashikuan dhe e paralajmëruan atë. Disa prej tyre madje jetuan gjatë saj. Është e dobishme ta kujtoni këtë kur të lexoni librat e Isaias, Jeremias, Amosit dhe profetëve të tjerë në pjesën e mëvonshme të Dhiatës së Vjetër. Me këtë kontekst në mendje, kur t’i lexoni profecitë e tyre rreth Asirisë dhe Babilonisë, idhujtarisë dhe robërisë, shkatërrimit dhe rivendosjes përfundimtare, do ta dini se për çfarë po flasin.
Të kuptuarit e shpërndarjes së Izraelit do t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë edhe Librin e Mormonit, sepse Libri i Mormonit është një anal i një dege të Izraelit të shpërndarë. Ky anal fillon me familjen e Lehit që ikën nga Jerusalemi rreth vitit 600 pr.K., pak përpara se të sulmonin babilonasit. Lehi ishte një nga ata profetë që profetizuan për shpërndarjen e Izraelit. Familja e tij ndihmoi për ta përmbushur atë profeci, duke e marrë degën e tyre të Izraelit dhe duke e mbjellë në anën tjetër të botës, në kontinentin amerikan.
Mbledhja
Shpërndarja e Izraelit, gjithsesi, është vetëm gjysma e historisë. Zoti nuk e harron popullin e Tij, as nuk e braktis atë, edhe kur populli e ka braktisur Atë. Profecitë e shumta që Perëndia do ta shpërndante Izraelin, u shoqëruan me shumë premtime se Ai një ditë do t’i mblidhte ata.
Ajo ditë është sot – koha jonë. Mbledhja ka filluar tashmë. Në vitin 1836, mijëra vjet pasi Moisiu i mblodhi fëmijët e Izraelit në rrëzë të malit Sinai, ai u shfaq në Tempullin e Kirtlandit për t’i dhënë Jozef Smithit “çelësat e mbledhjes së Izraelit nga të katër cepat e tokës” (Doktrina e Besëlidhje 110:11). Tani, me drejtimin e njerëzve që i mbajnë këto çelësa, fiset e Izraelit po mblidhen nga çdo komb ku shërbëtorët e Zotit janë në gjendje të shkojnë.
Moses, Elias, and Elijah Appear in the Kirtland Temple [Moisiu, Eliasi dhe Elia Shfaqen në Tempullin e Kirtlandit], nga Gary E. Smith
Presidenti Rasëll M. Nelson e ka quajtur këtë mbledhje “gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot. Asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga rëndësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhështia. Dhe nëse e zgjidhni, nëse e dëshironi, ju mund të jeni një pjesë e madhe e saj.”
Si mund të ndihmojmë? Çfarë do të thotë ta mbledhim Izraelin? A do të thotë kjo që t’i rikthejmë të dymbëdhjetë fiset në tokën ku banuan dikur? Në të vërtetë, kjo nënkupton diçka shumë më të madhe, shumë më të përjetshme. Siç shpjegoi Presidenti Nelson:
“Kur flasim për mbledhjen, po themi thjesht këtë të vërtetë themelore: çdonjëri nga fëmijët e Atit tonë Qiellor, në të dyja anët e velit e meriton ta dëgjojë mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. …
Në çfarëdo kohe që bëni çfarëdo gjëje që e ndihmon cilindo – në çdonjërën prej anëve të velit – të hedhë një hap drejt bërjes së besëlidhjeve jetike me Perëndinë dhe marrjes së ordinancave të veta thelbësore të pagëzimit dhe tempullit, ju po ndihmoni që Izraeli të mblidhet. Kaq e thjeshtë është.”
Kjo ndodh, siç tha Isaia, “një nga një” (Isaia 27:12) ose, ashtu siç parashikoi Jeremia, “një në çdo qytet dhe dy nga çdo familje” (Jeremia 3:14).
Të mblidhni Izraelin do të thotë t’i ktheni fëmijët e Perëndisë tek Ai. Do të thotë t’i riktheni ata në marrëdhënien e tyre besëlidhëse me Të. Do të thotë të rivendosni “komb[in e] shenjtë” të cilin Ai propozoi ta themelonte shumë kohë më parë (Eksodi 19:6).
Ejani në Shtëpi
Si dikush që ka bërë besëlidhje me Perëndinë, ju jeni pjesë e shtëpisë së Izraelit. Ju jeni mbledhur dhe ju jeni një mbledhës. Historia epike shekullore e popullit të besëlidhjes, po arrin kulmin e saj dhe ju jeni një pjesëmarrës kryesor. Tani është koha kur “Jezus’ Izraelin në sh’pi do ftoj’”.
Ky është mesazhi i mbledhësve: Ejani në shtëpi në besëlidhje. Ejani në shtëpi në Sion. Ejani në shtëpi te Jezu Krishti, i Shenjti i Izraelit dhe Ai do t’ju sjellë në shtëpi te Perëndia, Ati juaj.