“6–12 Korrik. ‘Ka një Profet në Izrael’: 2 Mbretërve 2–7”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026 (2026)
“6–12 Korrik. ‘Ka një Profet në Izrael’”, Eja, Më Ndiq: Dhiata e Vjetër 2026
At River’s Edge [Në Buzë të Lumit], nga Annie Henrie Nader
6–12 Korrik: “Ka një Profet në Izrael”
2 Mbretërve 2–7
Misioni kryesor i një profeti është të japë mësim dhe të dëshmojë për Shpëtimtarin Jezu Krisht. Sidoqoftë, anali ynë për profetin Elise nuk përfshin shumë nga mësimet ose dëshmitë e tij. Ato që përfshin anali janë mrekullitë që kreu Eliseu, përfshirë edhe ngritjen e një fëmije së vdekuri (shihni te 2 Mbretërve 4:18–37), ushqyerjen e një turme me një sasi të vogël ushqimi (shihni te 2 Mbretërve 4:42–44) dhe shërimin e një lebrosi (shihni te 2 Mbretërve 5:1–14). Pra, ndërkohë që nuk i kemi fjalët e Eliseut për Krishtin, kemi shërbesën dhe mrekullitë e Eliseut, të cilat vërtet dëshmojnë për Krishtin. Ato janë shfaqje të fuqishme të fuqisë jetëdhënëse, ushqyese dhe shëruese të Zotit. Mrekullitë ndodhin më shpesh në jetën tonë nga sa e kuptojmë ndonjëherë. Për t’i parë ato, kemi nevojë të kërkojmë besimin që kishte Eliseu kur u lut në emër të shërbëtorit të tij të frikësuar, të ri në moshë: “O Zot, të lutem, hap sytë e tij që të mund të shohë” (2 Mbretërve 6:17).
Për më shumë informacion rreth 2 Mbretërve, shihni zërin “Mbretër(ve)” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
2 Mbretërve 2–6
Perëndia mund bëjë mrekulli në jetën time.
Mrekullitë na tregojnë fuqinë e Perëndisë. Ato mund të na ndihmojnë që t’i kapërcejmë vështirësitë e vdekshmërisë – si një tokë jopjellore që ka nevojë për ujë të pastër (shihni te 2 Mbretërve 2:19–22) ose një sëpatë e humbur që ka nevojë të gjendet sërish (shihni te 2 Mbretërve 6:4–7). Por më e rëndësishmja, mrekullitë mund të na kthejnë te Zoti. Ndërsa lexoni te 2 Mbretërve 2–6, merrni parasysh të bëni një listë të mrekullive që gjeni dhe përsiatni për mësimet shpirtërore që mësoni nga njëri‑tjetri.
Gjithashtu mund të krahasoni mrekullitë që kreu Eliseu me mrekullitë që kreu Jezu Krishti (shihni te 2 Mbretërve 4:8–37 dhe Lluka 7:11–16; 2 Mbretërve 4:42–44 dhe Gjoni 6:1–13; 2 Mbretërve 5:1–15 dhe Lluka 17:11–19). Çfarë ju mësojnë këto mrekulli rreth Shpëtimtarit dhe profetëve të Tij?
Shihni edhe te 2 Nefi 26:12–13; 27:23; Moroni 7:35–37; pjesën “Kërkoni dhe prisni mrekulli” te Rasëll M. Nelson, “Fuqia e Hovit Shpirtëror”, Liahona, maj 2022, f. 99–100.
Elisha Raising the Son of the Shunamite [Eliseu Duke Ngritur Birin e Shunamites], nga Frederic Leighton
2 Mbretërve 4:8–17; 7:1–16
Zoti do t’i përmbushë fjalët e Tij të dhëna nëpërmjet profetëve të Tij.
Zoti e frymëzoi Eliseun të profetizonte për gjërat që do të vinin, zakonisht gjëra që dukeshin të pamundura për të ndodhur. Ndërsa lexoni te 2 Mbretërve 4:8–17; 7:1–16, mendoni se si i përgjigjeni fjalës së Zotit nëpërmjet profetëve të Tij sot. Çfarë mësimesh, profecish apo premtimesh keni dëgjuar nga profetët e gjallë? Çfarë po bëni për të vepruar me besim sipas fjalëve të tyre?
Shihni edhe tek 3 Nefi 29:6; Doktrina e Besëlidhje 1:37–38; koleksioni “Mësime të Presidentëve”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
2 Mbretërve 5
Kur jam i/e përulur dhe i/e bindur, Jezu Krishti mund të më shërojë.
Ndërsa lexoni te 2 Mbretërve 5, merreni parasysh të krahasoni lebrën e Naamanit me një sfidë shpirtërore me të cilën po përballeni.
A është dikush si “vajz[a e] vogël” në jetën tuaj, që ju nxit të kërkoni udhërrëfim rreth sfidës suaj nga profetët e Zotit? (Shihni vargjet 2–3, 13.)
Çfarë po ju fton Zoti të bëni që mund të duket shumë e thjeshtë, si “lahu dhe do të pastrohesh”? (Vargu 13.) Çfarë mund t’ju pengojë që t’i pranoni ftesat e Tij të thjeshta?
Si mund të tregoni përulësi sikurse e bëri Naamani?
Vini re se si ndikoi përvoja e Naamanit te besimi i tij në Perëndinë e Izraelit (shihni vargun 15). Çfarë mund të mësoni nga kjo?
Shihni edhe te Lluka 4:27; 1 Pjetër 5:5–7; Alma 37:3–7; Ethëri 12:27; L. Uitni Klejton, “Bëni Gjithçka që Ai t’ju Thotë”, Liahona, maj 2017, f. 97–99; “Naaman and Elisha” [“Naamani dhe Eliseu”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Naaman and Elisha
Krahasojini shkrimet e shenjta me jetën tuaj. Ndonjëherë është më e lehtë të gjeni kuptim vetjak në shkrimet e shenjta kur i krahasoni gjërat fizike në një histori me gjërat shpirtërore në jetën tuaj. Për shembull, ndërkohë që studioni te 2 Mbretërve 2–7, mund t’i krahasoni situatat në jetën tuaj me gjëra si lebra, një sëpatë e marrë hua, lumi Jordan ose një ushtri e madhe pushtuese. Çfarë mësimesh mund të ketë Zoti për ju te këto rrëfime?
2 Mbretërve 6:8–23
“Ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta.”
Kur përpiqeni ta ndiqni Krishtin, a jeni ndier ndonjëherë si shërbëtori i ri në moshë i Eliseut – të paktë në numër dhe të frikësuar? Përfytyroni sikur jeni në vendin e tij ndërsa lexoni te 2 Mbretërve 6:8–23? Si e ndryshon kjo histori mënyrën se si mendoni dhe ndiheni për sprovat tuaja, përgjegjësitë tuaja ose përpjekjet tuaja për ta jetuar ungjillin?
Teksa përsiatni, merrni parasysh fjalët e Presidentit Henri B. Ajring: “Ashtu si për atë shërbëtor të Eliseut, ka më shumë me ju sesa ata që mund të shihni në kundërshtim me ju. Disa që janë me ju do të jenë të padukshëm për sytë tuaj të vdekshmërisë. Zoti do t’ju mbajë dhe nganjëherë do ta bëjë duke thirrur të tjerë që t’ju mbështesin ju” (“O Ju që Hyni në Shërbim të Perëndisë”, Liahona, nëntor 2008, f. 58).
Merreni parasysh të bëni një listë të “at[yre] që janë me [ju]” (vargu 16), të njerëzve që Perëndia i ka vendosur në jetën tuaj për t’ju përkrahur. Mund t’i kërkoni Atij që t’ju ndihmojë për t’i përcaktuar ata duke i hapur sytë tuaj shpirtërorë. Ai ndoshta ju ka vendosur edhe ju në jetën e njerëzve të tjerë për t’i ndihmuar ata. Si mund të merrni forcë dhe përkrahje nga njëri‑tjetri?
Kur e keni ndier përkrahjen që Zoti e përshkruan te Doktrina e Besëlidhje 84:88?
Gjithashtu mund të studioni mesazhin e Motrës Mishel D. Krejg “Sy për të Parë” (Liahona, nëntor 2020, f. 15–17). Pyeteni veten: “Çfarë dëshiron Perëndia që unë të shoh?”
Duke iu referuar ngjarjes te 2 Mbretërve 6:8–23, Plaku Ronald A. Rasband tha: “Ne mund të kemi ose mund të mos kemi qerre të zjarrta që dërgohen për ta larguar frikën tonë dhe për t’i mposhtur demonët tanë, por mësimi është i qartë. Zoti është me ne, tregon kujdes për ne dhe na bekon në mënyra që vetëm Ai mund të na bekojë. Lutja mund të vërë në dispozicion forcën dhe zbulesën që na nevojitet për t’i përqendruar mendimet tona te Jezu Krishti dhe flijimi i Tij shlyes. Zoti e dinte se nganjëherë do të kishim frikë. Unë e kam provuar atë, po ashtu e keni provuar edhe ju. … Në këtë Kishë ne mund të jemi të paktë në numër për sa i përket mënyrës se si bota e llogarit ndikimin, por, kur i hapim sytë tanë shpirtërorë, ‘ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta’ [2 Mbretërve 6:16]” (“Mos u Shqetësoni”, Liahona, nëntor 2018, f. 18, 19). Si do t’i përdornit këto fjalë për të ndihmuar dikë që ndihet plot ankth ose i frikësuar?
Shihni edhe te “F’mij’ të Dashur, Pran’ Ësht’ Zoti”, Himne, nr. 49.
Për më shumë, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
2 Mbretërve 4
Perëndia mund bëjë mrekulli në jetën time.
-
Pasi t’i ndihmoni fëmijët tuaj që të kuptojnë se çfarë është një mrekulli, ftojini të renditin sa më shumë shembuj të mrekullive që munden. Figurat te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit ose manuali Eja, Më Ndiq mund të ndihmojnë. Më pas ata mund të kërkojnë mrekulli te 2 Mbretërve 4:1–7, 14–17, 32–35, 38–44. Çfarë na mësojnë këto mrekulli rreth Atit Qiellor?
-
Ju dhe fëmijët tuaj mund të flisni për mënyrën se si Perëndia e ka treguar dashurinë e Tij nëpërmjet mrekullive. Gjithashtu mund të këndoni së bashku një këngë të tillë si “God’s Gracious Love” [“Dashuria e Hirshme e Per’ndis’”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit].
Stand as a Witness [Qëndro si një Dëshmitar], nga Kwani Povi Winder
2 Mbretërve 5:1–15
Unë mund të zgjedh të bëj atë që urdhëron Perëndia nëpërmjet profetit të Tij.
-
Ndihmojini fëmijët tuaj të mësojnë historinë te 2 Mbretërve 5:1–3, 9–14. Merreni parasysh të përdorni mësimin “Eliseu Shëron Naamanin” (tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 134–137) ose figurën për Naamanin në përvijimin e kësaj jave. Përse Naamani nuk donte të lahej në lumin Jordan, edhe pse Eliseu i tha se kjo do t’ia shëronte sëmundjen? Si u bekua Naamani kur i ndoqi udhëzimet e Eliseut? Mund t’i tregoni njëri‑tjetrit përvoja kur iu bindët Zotit, madje edhe kur nuk ishit të sigurt se donit të bindeshit.
1:52Elisha Heals Naaman
-
Gjithashtu mund të theksoni vargun te 2 Mbretërve 5:13, ku shërbëtorët e Naamanit e ndihmuan atë të vendoste që t’i bindej profetit Elise. Më pas fëmijët tuaj mund të flasin për mënyrat se si mund t’i ndihmojnë miqtë e tyre ose pjesëtarët e familjes së tyre që ta dëgjojnë dhe t’i binden profetit.
2 Mbretërve 6:8–17
Unë nuk jam vetëm.
-
Ju dhe fëmijët tuaj mund të përfytyroni sikur jeni të rrethuar nga një ushtri me shpata, kuaj dhe qerre. Si do të ndiheshit? Çfarë do të bënit? Më pas fëmijët tuaj mund t’i mbyllin sytë ndërkohë që u lexoni te 2 Mbretërve 6:16–17. (Shihni edhe mësimin “Eliseu dhe Ushtria e Zotit”, tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 138–139 ose figurën në fund të këtij përvijimi.) Kur të arrini te fjalët “hap sytë e tij” (vargu 17), kërkojuni fëmijëve t’i hapin sytë. Flisni për atë që pa shërbëtori. Flisni me fëmijët tuaj për mënyra se si e keni ndier që Zoti ishte me ju gjatë sfidave tuaja, madje edhe kur dukej se ishit vetëm.
1:9Elisha and the Lord’s Army
Për më shumë, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.