2025
Zgjedhja e Tempullit
Janar 2025


Zëra të Rinisë

Zgjedhja e Tempullit

Iris R., 18 vjeçe, Sal, Kepi i Gjelbër

I pëlqen shumë shkrimi i letrave me dorë, krijimi i veprave artistike dhe gatimi.

e re

Tempulli që kam më afër, gjendet në një ishull tjetër. Për të shkuar atje, duhet të bëjmë një fluturim prej 45 minutash ose një udhëtim me anije prej 12 orësh. Nuk kisha qenë kurrë në tempull më parë dhe në vitin e fundit të shkollës, mami bëri plane që ne të shkonim. Ajo kishte kursyer para për një vit në mënyrë që familja ime të mund të shkonte së bashku.

Fatkeqësisht, ne do të ktheheshim në shtëpi pas fillimit të shkollës, gjë që më shqetësoi. Ishte gjithnjë e rëndësishme për mua që të kisha një mesatare të lartë notash në shkollë, në mënyrë që të mund të merrja bursë për kolegjin. Mendova të mos shkoja në tempull sepse mungesat mund të më prishnin mesataren përfundimtare. Më pas, mami më tha: “Pse nuk lutesh e të kërkosh ndihmën e Zotit?”

Ngurrova paksa ngaqë isha e frikësuar, por vendosa të lutesha. Ati Qiellor më rrëfeu udhën dhe zgjodha të shkoja në tempull. Gjatë gjithë javës që qemë atje, shkuam në tempull çdo ditë. Ishte e mahnitshme! Bërja e pagëzimeve qe një përvojë e jashtëzakonshme; mund ta ndieja Shpirtin shumë fort.

Në fund, ia dola ta mbaroja shkollën me një mesatare të lartë. Mbajtja e një marrëdhënieje të ngushtë me Shpëtimtarin më ndihmoi të kisha shpresë gjatë asaj kohe. E dija se Ai ishte me mua, duke më dhënë forcë. Zoti është në dijeni për përpjekjet tona dhe, kur ne i lëmë gjërat në duart e Tij, mund të mirëbesojmë se gjithçka do të shkojë mirë.

Sa mirënjohëse jam që motra ime pati guximin t’i ftonte misionarët në shtëpinë tonë! Ajo dhe unë qemë të parat që u pagëzuam nga familja jonë. Unë isha 13 vjeçe dhe ajo 15. E di se jam një fëmijë i dashur i Atit tonë Qiellor. Babai im tokësor nuk qe kurrë i pranishëm në jetën time, por më ndihmon dijenia se ne kemi një Atë Qiellor dhe se jam krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij. E ndiej dashurinë e Tij për mua; e di se në çastet më të vështira, Atë e kam pranë.